Lajme nga vendi
“RMV gati për BE”, shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen, maqedonasit luftojnë për identitet!
Shqiptarët sado që krekosen për afirmimin e të drejtave, dhe udhëheqjen e institucioneve me peshë në vend, sërish kur zbritet në terren dhe shihet gjendja e qytetarëve shqiptarë dëshmohet e kundërta. Rajonet e banuara me shqiptarë vazhdojnë të mbesin zonat me më pak të punësuar, kjo pasi për politikat shtetërore maqedonase mund të konsiderohet forma moderne e dëbimit apo largimit nga shteti të shqiptarëve. Varfëro, mos punëso, dëbo, duken këto tre shtylla përmes të cilave pa luftë e në paqe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po lëshojnë vendin e tyre, në kërkim të një jete më të dinjitetshme dhe me perspektivë. Edhe tani kur shqiptarët po udhëheqin me shumë pozita të larta e janë bartës të institucioneve kryesore në vend, sërish diskriminimi mbetet damka reale e gjendjes së shqiptarëve në këtë që trajtohen nga pala tjetër. Por, qëndrueshmëria shqiptare i ka ballë dhe ka vazhduar me rezistencë dhe ngritje në të njëjtën kohë. Diskrimini i fundit për të cilin është raportuar bëhet fjalë në institucionin “Pyjet Kombëtare”, ku sipas zëvendës drejtorit shqiptarë, Safet Miftari, aty ka vetëm urrejtje, diskriminim në baza etnike, dhe keqpërdorime të shumta të detyrës zyrtare. E nga ana tjetër teksa vendi po bën përpjekje për ndryshimet kushtetuese, maqedonasit po luftojnë për identitetin e tyre, e shqiptarët si kurdoherë vazhdojnë të përballen me diskriminim, shkruan Zhurnal.
Vazhdon diskriminimi ndaj shqiptarëve –
“Urrejtje, neglizhencë, diskriminim në bazë etnike dhe keqpërdorime të shumta të detyrës zyrtare”, këto janë vetëm disa nga akuzat e zëvendës drejtorit të “Pyjeve Kombëtare”, Safet Miftari për drejtorin e të njëjtit institucion, Valentin Gruevski. Në ditën e parë të punës, Miftari thotë se kishte kërkuar që të paktën emri i tij të shkruhet në gjuhën shqipe, por pas kësaj kërkese, sipas tij shqipja u hoq me sprej të zi edhe nga tabela në pjesën hyrëse të institucionit.
“Kemi 10 sektorë ku janë nga ata 10 asnjë të emëruar shqiptar, kërkova që të paktën 3 të menaxhojmë ne, kërkova që të paktën 3 zëvendës sektorësh të menaxhojmë ne, nuk ndodhi edhe ajo, hasi në vesh të shurdhër. E njëjta situatë ndodhë edhe me njësitë rajonale, pra këtë ndërmarrje publike e përbëjnë 30 njësitë rajonale, pra në çdo qytet nga një drejtor, gjithashtu edhe te ato drejtorë, ne me numër edhe në bazë të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat apo përqindjes, na takojnë 9 drejtorë, nuk është bë edhe ajo, janë vetëm 3 nga BDI-ja”, deklaroi Safet Miftari, zëvendës drejtor i “Pyjeve Kombëtare”.
Në këtë institucion me mbi 1,800 të punësuar, shqiptarët përfaqësohen me më pak se 5 për qind. Edhe pse zëvendës drejtor, Miftari thotë se nacionaliteti i tij e shtynë drejtorin që atë të mos e llogarit fare, madje më shumë kompetenca t’u jep punonjësve të thjeshtë se sa atij. Miftari ngre dyshime edhe për kurdisje tenderësh, me çka paralajmëroi padi penale.
“Nëse nuk ndërmerren masa bëj apel deri te institucionet përkatëse, duke filluar nga agjencia për zbatimin e gjuhës shqipe, antikorrupsioni, policia financiare të ndërmerren masa sepse unë do të bëj edhe padi penale ndaj personit në fjalë nëse nuk ndërmerren masa të parandalohen keqpërdorimet, kemi dyshime se edhe firma qeveritare këtu kurdisin tenderere”, shtoi Safet Miftari, zëvendës drejtor i “Pyjeve Kombëtare”, për Alsat.
Ai shtoi se edhe pse ka kërkuar, nuk i jepet qasje në listën e plotë të të punësuarve pasi çdo ditë në zyra sheh njerëz të ri, që i sjell partia Liberal Demokrate. ALSAT kontaktoi me drejtorin Valentin Gruevski i cili këto akuza i cilësoi si marrëzira ndërsa Miftarin si njeri konfliktuoz. Ai e pranoi se vetëm 3 shqiptarë janë udhëheqës të njësive rajonale, por sipas tij, në institucion s’ka shqiptarë inxhinier të pyjeve, që është kusht për të qenë drejtor sektori apo i njësitit rajonal.
Shqiptarët në RMV nuk diskriminohen vetëm në shkolla e çerdhe, por edhe në investime ekonomike, në punësime, e në Kushtetutë madje ofendohen me 20% –
Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar të dhënat për vendet aktive të punës dhe ato të lira në nivel shteti për tremujorin e katërt të vitit 2022.Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i ka analizuar këto të dhëna nga pikëpamja rajonale dhe ka rezultuar se zonat e banuara me shqiptarë vazhdojnë të mbesin me numrin më të ulët të punësimeve në nivel shteti.
Vazhdon keqpërdorimi i balancuesit për punësim, i cili ka për qëllim përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve në institucionet e shtetit. Rasti i fundit që është denoncuar në televizionin Alsat, është punësimi në Agjencinë për mbështetje financiare në Bujqësi dhe zhvillim rural. Në fund të vitit 2022, Agjencia ka hapur në konkurs për punësim me numër rendor 739/2022, ku përveç kritereve tjera të cilët është dashur t’i plotësojnë kandidatët, potencohet qartë vendi i lirë është për qytetar të përkatësisë etnike SHQIPTAR.
Në vendimin e marrë nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural të vulosur më 7 shkurt të këtij viti, qëndron emri i një qytetare maqedonase e cila është shpallur si fituese e konkursit dhe është punësuar në pozitën e bashkëpunëtorit më të ri për mbështetje dhe kontroll të dokumenteve.
Raste të tilla ka shumë, prandaj shqiptarët vazhdojnë ende të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, që më shpesh shpërfillen se sa përfillen. Dhe, kjo është dëshmi që shqiptarët ndjehen të diskriminuar në gjitha instancat dhe në gjitha mënyrat e mundshme, dhe kjo pastaj shkakton dëshpërim e zhgënjim dhe përkthehet me largim prej vendi.
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare në komunat me shumicë shqiptare, në Shkup, si dhe në institucionet qendrore, si në Kuvend dhe Qeveri, por në Kushtetutë ajo nuk definohet si gjuhës shqipe, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut. Një përkufizim që është ofendues sepse gjuha e popullit shtetformues definohet me përqindje, kjo është e pakuptimtë dhe prandaj është nevoja dhe momenti tani të ndryshohet.
Kujtojmë që, për nxënësit shqiptarë në Veles dhe në Idrizovë edhe këtë vit mbetet dëshira, nevoja dhe kërkesa e njëjtë, një shkollë ku do të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare. Por, kjo kërkesë po has në vesh të shurdhër dhe këta nxënës po trajtohen si nxënës të dorës së dytë për të cilët nuk vlejnë ligjet e njëjta të këtij shteti, që garantojnë për secilin qytetarë shkollimin në gjuhën amtare.
Megjithatë, siduket është futur në praktikë trinomi varfëro, mos punëso, dëbo, dhe përmes kësaj pa luftë e në paqe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po lëshojnë vendin e tyre, në kërkim të një jete më të dinjitetshme dhe me perspektivë. Shqiptarët sado që krekosen për afirmimin e të drejtave, dhe udhëheqjen e institucioneve me peshë në vend, sërish kur zbritet në terren dhe shihet gjendja e qytetarëve shqiptarë dëshmohet e kundërta. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

