Lajme nga vendi
Zbulimet arkeologjik në Koroshishtë janë të periudhës ilire, Ministria e Kulturës nuk e thotë!
Në Koroshishtë të Strugës u zbulua një nekropol i periudhës arkaike, shekulli VI p.e.s. Kështu e thotë Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut dhe nga Muzeu arkeologjik i Shkupit, por edhe Muzeu i Ohrit. U gjetën 80 objekte nga dy varre, ku kishte helmetë të bronzit, unaza ari, enë të ndryshme, fletë metalike prej ari, etj, përcjell INA.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov theksoi se bëhet fjalë për një nekropol të periudhës arkaike.
“Lokaliteti i hulumtuar i këtij vendi është një nekropol i periudhës arkaike, shekulli VI p.e.s., i cili në shumë mënyra i ngjan Nekropolit të Trbeni. Brenda kompleksit të varreve janë regjistruar 80 gjetje, të cilat jo vetëm kanë një rëndësi të veçantë për aspektin shkencor e kulturor të kërkimit, por edhe plotësojnë imazhin e njohurive tona për rastet kulturo-historike dhe sociale në rajon. Jam i bindur se do të kenë një efekt pozitiv në turizmin dhe ekonominë në Maqedoni”, tha ministri Lutkov.
Gjurmimet në terren kanë nisur prej vitit 2023 kur ekipi i udhëhequr nga Pero Arxhanliev, por gjithçka kishte nisur në vitin 2020, kur Shefit Shemshedini nga Koroshishta e Strugës duke punuar arën e tij ka hasur në gurë, ndërkaq më pas ka zbuluar një helmetë bronzi, të cilën e ka dorëzuar në Muzeun e Ohrit.
Arkeologu strugan, Fitni Dalipi thotë se gjetjen i takojnë fisit Ilir të Enkelejdëve, të cilët kanë banuar në krahinat përreth liqenit të Ohrit e që kanë krijuar dinastinë e parë të mbretërisë Ilire në fund të shekullit 5 para Krishtit.
“Këtu janë gjetur deri më tani që ne i përfunduam gërmimet, mbi 100 artefakte. Erdhëm në konstatim se këto artefakte i takojnë popullatës që ka jetuar në pellgun e Liqenit të Ohrit, Ohër, Strugë Pogradec. Janë fisi i Enkelejdëve. Janë 2.600 vjet të vjetra”, theksoi për Alsat, arkeologu Dalipi.
Gazetari Marin Mema ka alarmuar lidhur me këto zbulime duke theksuar se është një zbulim me shumë rëndësi në vazhdën e varreve mbretërore ilire të zbuluara gjatë Luftës së Parë Botërore në afërsi të fshatit Trebenisht.
“Objektet e zbuluara në vitin 1918 dhe më pas në vitet 30 u morrën nga arkeologët bullgarë dhe ata serbë… Maskat e arta mbretërore ilire të fisit të Enkelejve janë sot në Sofie e Beograd… fakt ky i njohur dhe zyrtar. Tashmë nëntoka e zonës ka dhënë përsëri gjurmët e saj mbretërore ilire… Nuk jemi në kohën e Luftës së Parë Botërore, por sërish këtu nuk ka arkeologë shqiptarë! Kjo ndodh në kushtet kur arkeologjia moderne “maqedone” është vënë përposht nga nacionalizmi dhe jo shkenca! Aq e vërtetë është kjo sa në librat e historisë dhe në qëndrimet zyrtare historianët e arkeologët në vendin fqinj nuk i konsiderojnë Enkelejt dhe Dasaretët që zotëronin në lashtësi territorin e zbulimeve… si ilirë! Qesharake dhe antishkencore, pa mbështetje askund! Pra edhe këto zbulime rrezikojnë të kenë të njëjtin shtrembërim antishkencor… nga arkeologët “maqedonë” që kurrëfarë lidhje nuk kanë me Maqedoninë e lashtë dhe historinë e saj!”, reagoi Marin Mema.
Sllavica Babamova, drejtoreshë e Muzeut Arkeologjik në Shkup tha se gjetjet do të konservohen në Institutin dhe Muzeun e Ohrit. Ndërsa Ministria e Kulturës theksoi se do të vazhdojnë ekspeditat e hulumtimeve arkeologjike. (INA)
Lajme nga vendi
ISHP: Të respektohen masat për mbrojtje nga vapat
Për shkak të temperaturave të paralajmëruara të larta deri më 7 gusht, Instituti për shëndet publik (ISHP) u apelon qytetarëve t’i respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga vala e të nxehtit, posaçërisht në periudhën prej orës 11 deri 17, kur rreziku nga ekspozimi në diell është i madh.
“Kur ajri ambiental afrohet ose tejkalon temperaturën normale të trupit prej afërsisht 36,7°C, aftësia e trupit të njeriut për t’u ftohur dobësohet. Përveç kësaj, kur lagështia relative e ajrit ambiental është e lartë, djersa është edhe më e vështirë për t’u avulluar dhe si pasojë ftohja e trupit bëhet më e vështirë. Kur trupi bëhet shumë i nxehtë ose ka probleme me balancimin e temperaturës, kjo mund të çojë në një ndjenjë dobësie, gojë të thatë, marramendje, djersitje të tepërt, lëkurë të thatë, dhimbje barku. Gjatë përkeqësimit të së ashtuquajturës ‘goditje nga dielli”, mund të shfaqen edhe simptomat dhe shenjat e mëposhtme: ndërprerje e djersitjes, lëkurë jashtëzakonisht e nxehtë, konfuzion – marramendje, rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, të fikët dhe madje edhe me epilog të vdekjes”, njofton ISHP.
Lajme nga vendi
Mbeturina të shtuara në Tetovë! Kasami: Dyfishohet sasia, kërkojmë më shumë kujdes nga qytetarët
Në këtë periudhë vere është rritur edhe sasia e mbeturinave në Tetovë! Në terren shihen koshat e stërmbushur të cilët mbajnë erë të rëndë, edhe pse pastrohen çdo ditë përsëri nuk është e mjaftueshme. Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe prani më të madhe të ekipeve në terren.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, e pranon gjendjen e rënduar në terren, duke u kërkuar qytetarëve më shumë kujdes gjatë bartjes së mbeturinave nga shtëpitë e tyre deri tek kontejnerët.
“Sipas statistikave që i kemi, gjatë kësaj periudhe dyfishohet sasia e mbeturinave që do duhet të transferohet në stacionin, domethënë deponinë rajonale në Rusino. Ne lusim në të njëjtën kohë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm gjatë bartjes së mbeturinave nga shtëpitë e tyre deri tek kontejnerët. Po ashtu ne jemi në komunikim të rregullt edhe me ndërmarrjen, sipërmarrjen që bën menaxhimin e mbeturinave, që të shtoje domethënë edhe të rritin frekuentimin e grumbullimit të mbeturinave. Kemi edhe përmes aplikacionit ku qytetarët, nëse ka ndonjë lokacion ku janë grumbulluar më shumë mbeturina, e denoncojnë dhe ka edhe domethënë aksione jashtë asaj që e kanë me program ndërmarrja sipërmarrëse”, tha Kasami.
Lajme nga vendi
100 MILIONË € NË VIT PËRFUNDOJNË NË TETOVË NGA ANA E MËRGIMTARËVE
Mërgimtarët e Tetovës mendohet të kenë shpenzuar qindra miliona euro gjatë sezonit të verës. Shpenzimet më të mëdha janë në industritë e lidhura me dasmat, si restuarnatet, ari, butiqet e të tjera. Sezoni i verës kur edhe bëhet shumica e dasma, vazhdon të mbetet “infuzioni” më i mirë ekonomik për bizneset që gravitojnë në zonë të Pollogut. Pronarët e bizneseve thonë se gjatë muajve të verës, dukshëm rritet puna, interesimi dhe shitjet ndërsa muajt e tjerë, punojnë sa për të mbijetuar. Këtë e konfirmojnë edhe tregëtarët që veprojnë në Tetovë.
Profesori Ali Maksuti thotë se në Tetovë përfundojnë mbi 30% e remitencave vjetore që kapin shifrën e mbi 300 milionë euro. Megjithatë, ai thotë se shumica e këtyre mjeteve nuk shkojnë në investime kapitale por në shpenzime ditore ndërsa në mungesë të prodhimeve vendore, këto mjete përsëri përfundoojnë në blerjen e produkteve të importuara që i dërgojnë paratë përsëri jashtë shtetit.
Sipas statistikave, mbi 100 milion euro si remitenca në vit, përfundojnë në Tetovë, pa llogaritur edhe shenzimet që bëjnë mërimtarët kur kthehen në vendlindje. Megjithatë, gjenerat e re që ndjenë më pak nostalgji, mund të sjell deri në zvogëlimin e këtij numri, thotë profesori Maksuti.
Mërgimtarët vazhdojnë të jenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë në rajonin e Tetovës, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur rritet ndjeshëm konsumi dhe qarkullimi i parave. Shpenzimet e tyre gjallërojnë bizneset lokale, sidomos sektorët e dasmave, gastronomisë, tregtisë dhe shërbimeve. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se ndikimi afatgjatë ekonomik mbetet i kufizuar, pasi një pjesë e madhe e remitencave përdoret për konsum dhe jo për investime produktive. Për më tepër, varësia nga produktet e importuara bën që një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve të dalë sërish jashtë vendit. Nëse trendi i uljes së lidhjes së gjeneratave të reja të mërgimtarëve me vendlindjen vazhdon, rajoni mund të përballet me një rënie graduale të këtij burimi të rëndësishëm financiar në të ardhmen./Tv Koha/

