Lajme nga vendi
Murtezani në Athinë në takim me zëvendësministren e Punëve të Jashtme greke, Aleksandra Papadopullu
Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, u takua sot në Athinë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Republikës Helene, ambasadoren Aleksandra Papadopullu, kumtoi MÇE.
Në takim u riafirmua angazhimi i përbashkët për avancimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat kyçe me interes reciprok. Ministri Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Greqia, si dy vende fqinje, partnere dhe aleatë të NATO-s, duhet të vazhdojnë të punojnë në përforcimin e stabilitetit rajonal dhe zhvillimit ekonomik, me fokus të veçantë në lidhjen tregtare dhe energjetike, projektet e infrastrukturës dhe bashkëpunimin sektorial.
Theksi i bisedimeve u vendos në integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, Planin e Rritjes së KE-së për BP dhe Agjendën reformuese të vendit. Ministri Mourtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i jep procesit tonë të integrimit evropian. Bashkëbiseduesit konstatuan se më shumë se dy dekada pas samitit historik BE-BP në Selanik në vitin 2003, kur Unioni riafirmoi perspektivën evropiane të rajonit, nevojitet veprim më i fortë dhe më efektiv për të siguruar që integrimi mbetet një proces i besueshëm dhe i realizueshëm.
Në këtë kontekst, Murtezani dhe Papadopullu diskutuan hapur për sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, përfshirë nevojën për të kapërcyer çështjet e hapura që ndikojnë në dinamikën e negociatave. U theksua rëndësia e proceseve të reformave, por edhe nevoja për të ruajtur një perspektivë të qartë dhe të parashikueshme evropiane për vendin. Nga ana greke u riafirmua gatishmëria për të promovuar në mënyrë aktive të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke ofruar mbështetje politike brenda institucioneve evropiane.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, gjatë së cilës u shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat, por edhe mbi mekanizmat përmes të cilave të dyja palët mund të trajtojnë në mënyrë proaktive çështjet që dalin nga zbatimi i saj. Në të njëjtën kohë, u theksua se Marrëveshja Përfundimtare krijoi mundësi të rëndësishme për përforcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe integrimin rajonal, kurse rezultatet e deritanishme tregojnë se me angazhim dhe një qasje konstruktive, mund të tejkalohen të gjitha sfidat dhe të shfrytëzohen të gjitha përfitimet që sjell bashkëpunimi.
Në kuadër të bisedimeve, u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet më të gjera rajonale, me theks në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, nevojën për të ruajtur stabilitetin në rajon, si dhe për sfidat aktuale lidhur me çështjet globale të sigurisë. U theksua rëndësia e veprimit të përbashkët brenda organizatave ndërkombëtare, si NATO, OSBE dhe Këshillin e Evropës, për avancimin e paqes, demokracisë dhe sundimin e ligjit.
Ministri Murtezani falënderoi për diskutimin e hapur dhe konstruktiv dhe riafirmoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal me Greqinë, si dhe për të vazhduar reformat që do të përshpejtojnë procesin e integrimit evropian, njofton MÇE.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Shkupi vazhdon të mbetet vatër e traditës së lavdishme të mundjes
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të sportit të mundjes, duke theksuar se Shkupi vazhdon të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të këtij sporti në vend.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mexhiti tha se aktiviteti “Vera Kulturore dhe Sportive” ka bashkuar traditën, të tashmen dhe të ardhmen e sportit të mundjes, duke rikujtuar emrat e mëdhenj që kanë lënë gjurmë në historinë sportive shqiptare.
“Shkupi, qyteti që i dha sportit emra të mëdhenj si Mentaz Allajbegu, Shaban Tërstena dhe Shaban Sejdiu, vazhdon të mbetet vatër e traditës së lavdishme të mundjes”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka veçuar edhe kontributin e mundësit dhe trajnerit Besir Alili, për të cilin tha se po e mban gjallë këtë trashëgimi me përkushtim dhe profesionalizëm, duke bërë që fryma e kampionëve të vazhdojë të jetojë dhe të frymëzojë brezat e rinj.
Sipas Mexhitit, fëmijët që janë pjesë e aktiviteteve sportive përfaqësojnë shpresën për kampionët e së ardhmes, duke dëshmuar se tradita e mundjes në Shkup vazhdon të kultivohet dhe të zhvillohet.
“Këta fëmijë, plot ëndrra dhe vullnet, përfaqësojnë brezin e ri dhe shpresën për kampionët e nesërm”, theksoi ai.
Lajme nga vendi
KASAMI PREMTON RREGULLIMIN E KALIMIT TË HEKURUDHËS PËR NË FALISHTË
Hekurudha e dëmtuar në rrugën që të shpie drejt fshatit Falishtë do duhet të pres deri sa të bëhet rruga e re, nga Bervernica përmes lagjes Jashtë Vardarit e që të shpie deri te fabrika e Teteksit. Pavarësisht se ky kalim po ua shkatëron veturat banorëve dhe bizneseve që gravitojnë në këtë zonë por edhe kalimtarëve të rastit, kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thotë se janë të njoftuar për problemin dhe se për këtë janë në komunikim me Hekurudhat e Maqedonisë.
BILALL KASAMI – Kryetar i Komunës së Tetovës
“Në atë pikë do të dal edhe rruga që është duke u ndërtuar nga rruga për në Bërvenicë, përmes lagjes jashtë vardarit, fabrikës së Teteksit dhe do të dal rreth hekurudhës dhe do të dal në atë pikë aty. Fazën finale të realizimit të rrugës do të shohim edhe mundësinë që bashkë të rregullohet edhe hekurudha. Kemi kërkesë edhe deri te Komuna, kemi një komunikim edhe me hekurudhat e Maqedonisë” tha Kasami.
Kasami tha se qëllimi është që projekti i rregullimit të kësaj pjese të bëhet i plotë dhe me të gjitha standardet e jo gjysmak andaj ai apeloi për durim dhe mirëkuptim deri në përfundimin e plotë të punimeve që sipas tij nuk do të zgjasin shumë.
BILALL KASAMI – Kryetar i Komunës së Tetovës
“Jemi duke kërkuar zgjidhje se si të rregullohet ajo çështje shkaku se aty me projektin për hapjen e rrugës ka edhe kanalizim atmosferik dhe fekal dhe aty do të shohim edhe rregullimin e kanalizimeve. Pra edhe aty nuk është thjeshtë merremetimi i rrugës por është një projekt serioz me gjithë infrastrukturën mbitokësore dhe nëntokësore. Sepse janë projekte të cilat ne nuk duam t’i bëjmë shkel e shko por duam t’i bëjmë edhe stuktrën përciellëse. Pra po kemi kërkesë dhe jemi duke e shqyrtuar mënyrën se si ta realizojmë të njëjtën” shtoi Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.
Përndryshe Televizioni Koha ka raportuar disa herë për këtë rrugë dhe problemet që hasin qytetarët gjatë kalimit të hekurudhës. Banorët madje i thanë ekipit të Kohës se kanë bërë kërkesë deri te drejtoria e hekurudhave që ta rregullojnë këtë kalim me vetëiniciativë por nuk kanë marr fare përgjigje.
Përndryshe, ka vite të tëra që në këtë herkurudhë nuk kalon asnjë tren, megjithatë, kalimi ka mbetur i dëmtuar dhe për vite me rradhë nuk është ndërmarr asgjë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
RIFORMATIMI QEVERITAR – BISEDIMET PAS DITËLINDJES SË VMRO-DPMNE-së!
Pas shënimit të ditëlindjes së VMRO-DPMNE-së, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Maksim Dimitrievski pritet që në fund të javës të ulen në një tryezë të përbashkët me Kryeministrin Mickoski për të diskutuar përbërjen e re të Qeverisë. Sipas partnerëve të koalicionit të VMRO-DPMNE-së, në takim do të marrin pjesë edhe sekretarët e përgjithshëm të partive ose koordinatorët e grupeve parlamentare.
Pas 17 qershorit, pas festimit të ditëlindjes së VMRO-DPMNE-së, pritet të nisin bisedimet e Kryeministrit Hristijan Mickoski me partnerët e koalicionit qeveritar lidhur me rikonstruimin e Qeverisë.
Kryeministri deklaroi se gjërat do të bëhen më të qarta pasi të ulet në një tryezë të përbashkët me drejtuesit e VLEN-it dhe ZNAM-it për të diskutuar ndarjen e resorëve dhe rotacionet e mundshme në disa ministri.
Ai theksoi se qëllimi nuk është që me çdo kusht të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nëse kundërshtarët politikë i provokojnë ato, qeveria është e gatshme edhe për atë skenar.
Mediat njoftojnë se takimet do të zhvillohen me liderët e VLEN-it dhe ZNAM-it, përkatësisht me Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin si përfaqësues të bllokut politik shqiptar në qeveri, si dhe me Maksim Dimitrievskin nga ZNAM, i cili do të shoqërohet nga sekretari i përgjithshëm i partisë ose koordinatori i grupit parlamentar.
Çështja e rikonstruimit ka hapur edhe dilema rreth asaj se kush do ta zërë vendin e Arben Fetait në resorin e Qeverisjes së Mirë, pasi ai dha dorëheqje pas reagimeve të opinionit publik dhe opozitës se nuk paraqitej në punë, ndërsa më pas u emërua nga kryeministri si përfaqësues i lartë i vendit në Bruksel.
Rikonstruimi i ri ka hapur debat edhe për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, pasi Ministri Limani deklaroi se nuk është më pjesë e VLEN-it, ndërsa kjo koalicionon këmbëngul se ministria u takon atyre.
Përveç VLEN-it dhe ZNAM-it, të dyja palët presin t’i mbajnë resorët e tyre, por nuk e përjashtojnë mundësinë e rokadave të caktuara.
Në opinion është spekuluar se ekziston mundësia që zëvendëskryeministri Bekim Sali të kalojë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, një sektor që ai e ka drejtuar edhe në periudhën 2022–2023. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve të tjera mes partnerëve të koalicionit në këtë resor.
Spekulimet për largimin e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, janë hedhur poshtë nga lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, megjithatë fjalën e fundit do ta ketë mandatari dhe kryeministri Hristijan Mickoski.
Megjithatë, nëse rikonstruimi do të jetë i vogël apo i gjerë do të varet kryesisht nga planet e qeverisë për zgjedhje të mundshme të parakohshme parlamentare.
Kryeministri ka deklaruar disa herë se zgjedhjet po afrohen dhe mund të mbahen edhe vitin e ardhshëm.
Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që rikonstruimi të jetë më i kufizuar, megjithëse priten edhe emra të rinj, veçanërisht nga VLEN-i për ministritë e përmendura./Tv Koha/

