Gjysmëmaturantët të cilët në afatin e parë në qershor para dhjetë ditëve nuk u regjistruan në shkollat e mesme për vitin shkollor 2025/26, do të kenë mundësinë e dytë për t’u regjistruar në paraqitjen e dytë elektronike këtë muaj respektivisht të hënën, më 30 qershor. Ndërkaq, sipas departamentit të arsimit në Komunën e Tetovës, në shkollat e Mesme Komunale kanë aplikuar 1160 nxënës ndërsa janë pranuar 678 nxënës që i kanë plotësuar kriteret.
“Në shkollën e Mesme Komunale Gjimnazi Kirili Pejçinoviç janë pranuar 230 nxënës, në shkollën e Mesme Komunale Tekstile janë pranuar 14 nxënës, në Gjimnazin Shtatë Marsi një nxënës që i përmbush kriteret, në shkollën e Mesme Ekonomike për momentin janë pranuar 20 nxënës, ndërsa interesi më i madh është për regjistrim në shkollën e mesme të Mjekësisë, ku janë pranuar 403 nxënës. Ky avaz pritet të vazhdojë edhe në afatin e dytë (30 qershor) ku do të bëhet aplikimi online në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kurse dokumentet do të dorëzohen më 1 korrik në shkollat përkatëse ku kanë aplikuar”, deklaroi Validin Ademi, nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.
Apeli është që nxënësit të orientohen në shkollat profesionale, sidomos në shkollën Tekstile ku ka për momentin mjaft drejtime të mira.
“Duhet të potencoj faktin se nxënësit nuk shkojnë të regjistrohen në shkollën e mesme Gjimnazi 7 Marsi, për shkak të llokacionit.Por, së shpejti do të fillojë të ndërtohet objekti i shkollës së Mesme Tekstile ku një pjesë do të jetë e destinuar edhe për gjimnazin 7 Marsi”, deklaroi Ademi.
Në afatin e dytë në shkollat e mesme të Tetovës ka 750 vende të lira. Edhe pse ka numër të vogël të nxënësve që jan pranuar në shkollat e mesme në afatin e parë, autoritetet komunale presin që në afatin e dytë dhe të tretë të ketë rritje të numrit madje të tejkalohet numri i nxënësve që ishin regjistruar vitin e kaluar.TV KOHA