Lajme nga vendi
Mustafa Osmani nga Veshalla, shembull i disiplinës në Zvicër, pa munguar asnjë orë pune
Albinfo.ch sjell rrëfimin e jetës së një mërgimtari shqiptar në Zvicër. Mustafa Osmani me prejardhje nga Veshalla e Malësisë së Tetovës ka lënë gjurmë të një punëtori të zellshëm e të pashembullt në historinë e një kompanie të madhe prodhuese. Jeta e Mustafës në Zvicër ka nisur në fillim të viteve të 70-ta bashkë me gruan e re Hirijete që e kishte marrë menjëherë pas martese me vete në Zvicër.
Mustafa ka punuar si kryepunëtor i një sektori prodhues deri në fund të muajit janar të këtij viti. Ka bërë plot 36 vite punë në të njëjtën kompani të njohur prodhuese të zinxhirëve të motorëve për prerjen e drurit, të markës „Stihl“. Por, para kësaj ai kishte punuar për 8 vite, mes vitit 1972 deri më 1980 në një tjetër ndërmarrje. Pak ditë para pensionimit zyrtar, kompania prodhuese, Stihl, i kishte lëshuar Mustafës çertifikatën e punës me vlerësimet më pozitive të mundshme për një punëtor. Ata kanë vlerësuar lartë përgjegjësinë Mustafës që ka treguar ndaj vendit të punës dhe fleksibilitetin e gatishmërinë për të punuar me orare të ndryshme sa herë që është paraqitur nevoja. „Veçanërisht duhet përmendur që z. Osmani përgjatë tërë stazhit të punës nuk ka pasur asnjë mungesa në punë. Ne e njohëm atë si njeri i gatshëm për të ndihmuar, i sinqertë e plotësisht i besueshëm e i hapur për bashkëpunim“, ka vlerësuar në superlativ punëdhënësi punëtorin që i kishte shërbyer mbi tri dekada.
Me 7 mijë franga në muaj, Mustafa fitonte më shumë se shefi, përgjegjës për 1500 punëtorë
„Në vitin 1980 kam filluar të punoj në fabrikën e prodhimit të zinxhirëve „Stihl“ për pagën mujore prej 2800 frangash. Ndërsa pas 20 viteve punë, rroga ime kishte mbërritur në 7 mijë franga në muaj“ zbulon pensionisti pagën që kishte marrë për punën e bërë. Kjo pagë kaq e lartë nuk i kishte pëlqyer shefit të ri të firmës. „Më ftoi në zyrë dhe më tha: “ti merr shumë rrogë. Këtë pagë nuk e kam as unë që jam përgjegjës i 1500 punëtorëve” dhe shtoi se duhet të ma ulte pagën për 1000 franga“. Kjo nuk e kishte brengosur shumë Mustafën. „Po mirë, i thashë. Ule, s’kam çfarë të bëj, edhe me 6 mijë do të jetoj mirë“. Kjo ka ndodhur në vitin 2000-01, shpjegon Mustafa. Ai i ishte kthyer i qetë prapë në vendin e punës ku kishte vazhduar të punojë deri në pensionim si kryepunëtor i grupit prej 17 deri në 22 punëtorëve që kishte në repartin e tij. Mirëpo jo gjithmonë kishte fituar shumë. Mustafa kujton kohën kur kishte punuar për vetëm 3.90 franga për një orë pune.
Koha kur në Zvicër punohej për 3 – 4 franga në orë
Jeta në vitet e 70-ta në Zvicër ishte e lirë dhe e lehtë për të huajt, kujton Mustafa. „Unë merrja 3.90 franga në orë dhe me 10 orë punë në ditë arrija një pagë mujore jo më shumë se 1700 franga“. Mirëpo për qiranë e banesës dydhomëshe, në vitin 1973, nuk paguaja më shumë 94 franga. 14 deri në 16 franga e paguaja për sigurimin shëndetësor dhe përafërsisht me 500 franga kemi jetuar atëherë si sot me 5 mijë, tregon Mustafa ndërsa përzien çajin, merr frymë thellë dhe vazhdon: „atëherë na respektonin shumë si të huaj dhe nuk bënin fare dallim. S’kanë pyetur kurrë kush je nga vjen. Sot është ndryshe sepse vetë ne të huajt e kemi humbur respektin“ pohon ai me lëvizje koke duke pritur konfirmimin nga të pranishmit në dhomë.
Zviceranët ishin mikpritës të mëdhenj
Zviceranët nuk ishin kështu asokohe, ndërhyn gruaja e Mustafës, Hirijetja. „Kur më lindi fëmija i parë, Idrizi, na kanë sjellë mbi 30 familje dhurata e urime, dhe që të gjithë ishin zviceranë. Zviceranët ishin atëherë shumë mikpritës, na nderonin shumë. Tani kanë ndryshuar“, ul ajo zërin duke rrudhur krahët e me shikim nga Mustafa, sikur të dojë të marrë konfirmimin e tij për atë që sapo tha. Por nuk kanë ndryshuar vetëm zviceranët, kemi ndryshuar edhe ne, jemi bërë më shumë, më të dukshëm e nuk e kemi ndërmend të kthehemi. Ne nuk jemi më në gurbet, ngre zërin Mustafa. „Me kaq shumë vite këtu, ky nuk është më gurbet. Ne jemi të shpërngulur“ thotë ai duke parë nga gruaja Hirijeta, e cila tashmë ishte përlotur nga biseda që i kujtonte kohën kur ajo ishte martuar me Mustafën dhe ishte shpërngulur në Zvicër. „Kur u martuam, në janar të viti 1973, unë isha shumë e re, vetëm 18 vjeçe, dhe Mustafa me tha se do të vish më mua në Zvicër“. Rrugën do ta bëjmë me tren, i kishte thënë ai të shoqes që nuk kishte idenë se ku do vendosej e sa larg ishte Zvicra.
Djali i parë u lind në vitin 1975, në Wil
Nuk dija që po shkonim aq larg dhe kur pashë që bëmë gati dy ditë, zura të mërzitem. „Zura të qaj e të thirrja oj nënë ku kam humbur kështu“. Kur hyra për herë të parë në banesë, pashë që s’ka stufë (shporet), zura të frikësohem se do të mërdhijmë nga të ftohtit. “Si do ngrohemi, e pyeta burrin“ kujton me lot në sy sot Hirijetja fillimin e vështirë në Zvicër në vitet e 70-ta. „Mërzitesha shumë për familjen time“, tregon Hirijeta që është rreth 60 vjeçe. „Unë nuk punoja dhe rrija në shtëpi gjatë tërë ditës duke pritur Mustafën që të kthehej nga puna“. Lidhja e telefonit nuk merrej dot, ndodhte që të provonim telefonin deri në 3 orë e s’e kapshim dot lidhjen me të afërmit në Tetovë”, flet edhe sot me mall e lot në sy nëna që fëmijën e parë, Idrizin, e kishte sjellë në këtë botë më 1975 në qytetin Wil.
Mustafa dhe Hirijeta kanë katër fëmijë, dy djem e dy vajza që të gjithë të lindur në Wil. Ata sot janë gjyshër krenarë me 8 mbesa e 6 nipër që i takojnë gjeneratës së tretë të shqiptarëve të vendosur në Zvicër.
“Ky nuk është më gurbet por shpërngulje”
“Nuk kanë ndryshuar vetëm zviceranët, kemi ndryshuar edhe ne, jemi bërë më shumë, më të dukshëm e nuk e kemi ndërmend të kthehemi. Ne nuk jemi më në gurbet, ngre zërin Mustafa. „Me kaq shumë vite këtu, ky nuk është më gurbet. Ne jemi të shpërngulur“ thotë ai.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

