Lajme nga vendi
Katër zjarre aktive dhe katër nën kontroll
Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar gjithsej 33 zjarre në ambient të hapur, nga të cilat 4 janë aktive, 4 janë nën kontroll, ndërsa 25 janë shuar, njoftoi sot në mëngjes Qendra për Menaxhim me Kriza.
Zjarre aktive ka në komunat Studeniçan dhe Zelenikovë – pranë fshatrave Moranë, Vërtekicë dhe Gaber me degëzim drejt fshatrave Paligrad dhe Vërazhalë në Komunën e Zelenikovës, në Komunën e Makedonski Brodit – pranë vendit Vidush dhe fshatrave Dragov Doll dhe Lokvicë, në Komunën e Kërçovës – pranë fshatrave Tajmishte dhe vendin Darda dhe në Komunën e Gostivarit – pranë fshatit “Gorna Gjonovica”.
Zjarret janë nën kontroll në fshatin Ilinden, pranë fshatit Bigla në Dellçevë, pranë fshatit Tudencë në Komunën e Jegunovcit dhe në Komunën e Vrapçishtit – pranë fshatrave Lomnicë dhe Gjergjevishtë.
Lajme nga vendi
KF ARSIMI MUNDI 2-0 SHKËNDIJËN E HARAÇINËS NË ÇAIR
Ndeshja derbi mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Arsimit të Çegranit që u zhvillua në stadiumin e Çairit në Shkup në kuadër të javës së katërt të kampionatit në Ligën e Parë, përfundoi me fitoren e ekipit mysafirë 0-2 .
Hero i kësaj përballjeje doli të jetë ish futbollisti kuqezi Lorik Jakupi me dy super gola në minutat 81-të dhe 90-të.
Ndeshjen Shkëndija Haraçinë – Arsimi e ndoqën një numër i konsiderueshëm i tifozëve.
Pas ndeshjes trajneri I haraçinasve, Berat Imeri, pranoi përgjegjësinë e tij për këtë disfatë.
“E dinim se do të jetë vështirë kundër Arsimit, një kundërshtarë shumë serioz. Mendoj se na ishim OK sot përveç minutave të fundit të ndeshjes ku kundërshtari na ndëshkoj me dy kundërsulme apo me dy goditje. Ne në shumicën e ndeshjes e kemi kontrolluar lojën kishim rastet tona, kishim posedimin e topit, po ja në futboll ndodhin ndeshje këtilla. Gjithmonë kësi lloje situata unë mbajë përgjegjësinë, trajneri është përgjegjës për këtë humbje. Besoj që do rikthehemi te fitoret, duhet të vazhdojmë punojmë mos u bëjmë presion djemve. I gjithë presioni në këtë situatë duhet të jetë mbi trajnerin “ deklaroi trajneri i Shkëndisë së Haraçinës, Berat Imeri.
Trajneri i Arsimit, Vildan Saliju, krahas tre pikëshit, u shpreh i kënaqur me lojën e futbollistëve të tij në fushën e Çairit.
“Ne në momente të caktuara goditëm kundërshtarin sepse ato avancuan në sulm për t`i marrë tre pikët. Dhe na e dinim se këtu do të jetë momenti jonë dhe patëm durim, patëm guxim dhe arritëm ti marrim këto tre pikë shumë të rëndësishëm të cilat do të na japin besim shtesë për vazhdimësinë e kampionatit. Sigurisht se kjo është liga e parë asnjë kundërshtarë nuk ka të lehtë. Duhet me e dhënë maksimumin në secilën ndeshje, atë e potencova edhe në mbledhjen me lojtarët duhet me e vlerësua lartë secilin kundërshtarë, duhet me dhënë maksimumin , duhet me sakrifikuar njëri për tjetrin që të mund t`i marrim pikët që do të na sigurojnë edhe mbijetesën” deklaroi trajneri i Arsimit Vildan Saliu.
Pas katër xhirove të zhvilluara, Shkëndija e Haraçinës ka një fitore një barazim dhe dy disfata, ndërsa Arsimi ka dy fitore dhe dy humbje.
Në javën e pestë Shkëndija e Haraçinës është mysafire e Bashkimit, ndërsa Arsimi është nikoqire e Skopjes.
Lajme nga vendi
BDI: Katër muaj heshtje nga Burim Latifi për dëmin prej 19,3 milionë euro në MEPSO
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar sërish transparencë dhe përgjegjësi institucionale lidhur me zhvillimet në Operatorin e Sistemit Elektroenergjetik të Maqedonisë – MEPSO, duke akuzuar institucionet kompetente se, katër muaj pas ngritjes së çështjes në opinion, ende nuk kanë dhënë përgjigje konkrete.
Sipas BDI-së, në procedurën paraarbitrale para DAB-it, MEPSO ka humbur një pjesë të rëndësishme të kontestit me vlerë rreth 19.3 milionë euro, ndërsa vendimi ka qenë në favor të kompanisë “Energoinvest”. Çështja pritet të vazhdojë në procedurë arbitrazhi, ku ndërmarrja shtetërore do të duhet të mbrojë pozicionin dhe pretendimet e saj.
BDI ka ngritur pikëpyetje edhe lidhur me një kontratë të re milionëshe të MEPSO-s me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, ku, sipas partisë, marrin pjesë edhe “Kodar Energomontaža” nga Beogradi dhe “Elnos BL” nga Banja Luka.
Nga BDI kërkojnë të dihet se kush ka marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës së mëparshme, kush e ka vlerësuar rrezikun juridik dhe financiar dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast se shteti pëson dëme shtesë në procedurën e arbitrazhit.
“Pyetja nuk është vetëm për drejtorin Burim Latifi”, thekson BDI, duke kërkuar që përgjegjësia të shtrihet edhe te institucionet kompetente për kontrollin dhe hetimin e mundshëm të vendimeve të marra në MEPSO.
BDI u është drejtuar publikisht Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke kërkuar informacion nëse është hapur ndonjë lëndë, cilat veprime janë ndërmarrë dhe nëse po shqyrtohen kontratat, vendimet dhe përgjegjësia eventuale për dëmin financiar.
Partia kërkon gjithashtu transparencë të plotë lidhur me kontratën e re dhe pjesëmarrjen e kompanive nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Republika Srpska, në konsorciumin që ka lidhur marrëveshje me MEPSO-n.
“Katër muaj heshtje janë shumë”, porosit BDI, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse përgjigje konkrete se kush i ka marrë vendimet, mbi çfarë baze janë marrë ato dhe kush do të mbajë përgjegjësi për pasojat eventuale financiare.
Lajme nga vendi
Bursat botërore paralajmërojnë shtrenjtim të ushqimeve, goditja në Maqedoni pritet në vjeshtë
Rritja e çmimeve të drithërave dhe thatësira fillimisht do të prekin produktet e freskëta në tetor, ndërsa buka dhe produktet e përpunuara pritet të shtrenjtohen në pranverë.
Çmimet globale të ushqimeve kanë nisur sërish të rriten për shkak të thatësirës dhe problemeve me transportin përmes Detit të Zi. Ky trend pritet t’i japë fund periudhës së stabilizimit të çmimeve në Maqedoni gjatë vjeshtës. Sipas analizës së fundit të “Oxford Economics”, çmimet e ushqimeve në botë pritet të rriten me 11,8 për qind gjatë vitit 2026, ndërsa presioni më i madh pritet të ndihet te drithërat, perimet e freskëta dhe produktet e qumështit.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve i FAO-s në korrik shënoi rritje mujore prej 0,6 për qind, ndërsa alarmi kryesor vjen nga drithërat, indeksi i të cilave u rrit me 3,4 për qind vetëm brenda një muaji. Çmimi botëror i grurit u rrit me 5,8 për qind, ndërsa analistët presin që në tremujorin e tretë të jetë rreth 36 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shkaqet kryesore të valës së re të shtrenjtimit janë valët e të nxehtit, të cilat kanë ulur rendimentet te prodhuesit e mëdhenj, rritja e çmimeve të plehrave dhe karburanteve, si dhe ndërprerjet e reja në eksportet detare. Organizata evropiane “Coceral” ka ulur parashikimin për korrjen e drithërave në BE dhe Britani të Madhe në 286,6 milionë tonë, një rënie e ndjeshme krahasuar me 310 milionë tonët e vitit të kaluar.
Ndryshe nga vendet e zhvilluara evropiane, çdo rritje e çmimeve të produkteve bazë ushqimore në Maqedoni ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe të fortë në standardin e jetesës. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shpenzimet për ushqime dhe pije përbëjnë 50,1 për qind të buxhetit të përgjithshëm familjar.
Presion shtesë mbi tregun krijojnë edhe kostot në rritje të prodhimit në bujqësinë vendase. Në korrik, kostot për materialet dhe inputet bujqësore në Maqedoni ishin 4,1 për qind më të larta, ndërsa çmimet e blerjes së produkteve bujqësore ranë me 5,5 për qind. Kjo u lë fermerëve hapësirë minimale për të përballuar vetë rritjet e ardhshme të çmimeve të karburanteve dhe energjisë.
Maqedonia ka një mbrojtje të caktuar sa i përket grurit, falë korrjes rekord të vitit të kaluar, prej më shumë se 300 mijë tonësh, e cila sipas Ministrisë së Bujqësisë mbulon nevojat e brendshme. Megjithatë, industria ushqimore dhe mullinjtë janë drejtpërdrejt të varur nga kostot e energjisë elektrike, lëndëve të para të importuara, ambalazhimit dhe transportit, ndaj izolimi i plotë nga luhatjet e bursave botërore nuk është i mundur.
Efekti i bursave globale nuk pritet të reflektohet menjëherë, por në dy valë të ndara:
Tetor – nëntor 2026: vala e parë e shtrenjtimit pritet të prekë frutat dhe perimet e freskëta, për të cilat zakonisht duhen dy deri në tre muaj që goditja e çmimeve në bursat ndërkombëtare të reflektohet në raftet e marketeve.
Shkurt – maj 2027: vala e dytë pritet të përfshijë produktet e përpunuara, bukën, makaronat dhe produktet e qumështit, pas shterimit të rezervave ekzistuese dhe përfundimit të kontratave aktuale të furnizimit.

