Lajme nga vendi
Kroacia dhe Bullgaria bllokojnë specat nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për shkak të pesticideve
Autoritetet në Kroaci dhe Bullgari kanë bllokuar mbi 35 tonë speca me origjinë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të pesticideve që nuk përmbushnin kërkesat përkatëse.
Sipas mediave lokale, në Kroaci janë asgjësuar 14,7 tonë speca të kuq me origjinë nga Shqipëria, pasi analizat zbuluan përqendrim prej 0,050 miligramësh për kilogram të fungicidit prokvinazid, përdorimi i të cilit nuk lejohet te specat.
Më herët, më 7 shtator, një ngarkesë tjetër kishte kaluar përmes një tregtari nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte blerë specat nga një fermer shqiptar për t’i rieksportuar në Kroaci dhe sipas raportimet ai nuk kishte qenë në dijeni të nivelit të pesticidit në produkt.
Ndërkohë, raportohet se autoritetet bullgare brenda një muaji kanë ndaluar dy dërgesa me gjithsej mbi 21 tonë speca me origjinë nga Maqedonia e Veriut për shkak të niveleve të larta të pesticideve.
Në rastin e fundit, 9,5 tonë speca u ndaluan nga Agjencia Bullgare e Sigurisë Ushqimore dhe pritet të asgjësohen, ndërsa në gusht një ngarkesë tjetër prej 11,6 tonësh ishte kthyer në Maqedoninë e Veriut.
Të dyja rastet u zbuluan pas kontrolleve dhe analizave laboratorike të produkteve.
Lajme nga vendi
Çmimi i gazit shpërthen në Evropë: mbi 79 euro/MWh, frikë për rritje të re të inflacionit
Çmimet me shumicë të gazit natyror në Evropë janë rritur ndjeshëm, duke arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2023. Rritja vjen në një kohë kur tensionet dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimit energjetik përpara sezonit të dimrit.
Kontrata referuese evropiane për gazin natyror, TTF holandez për muajin e parë, të mërkurën në mëngjes u tregtua në mbi 79 euro për megavat-orë (MWh). Në të njëjtën kohë, edhe çmimet e gazit me shumicë në Britani u rritën ndjeshëm, pasi tregjet po përfshijnë në çmime një “premi rreziku” të lidhur me zhvillimet gjeopolitike.
Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që konflikti në Lindjen e Mesme të ndikojë në transportin detar të gazit natyror të lëngshëm (LNG), i cili është bërë një burim i rëndësishëm furnizimi për Evropën.
Rrugët detare të rajonit janë ndër korridoret kryesore për transportin global të LNG-së. Një ndërprerje ose ngadalësim i zgjatur i transportit do t’i detyronte blerësit evropianë të konkurrojnë edhe më ashpër me importuesit aziatikë për ngarkesat alternative të gazit, pikërisht në prag të sezonit të ngrohjes.
Evropa përballet me një dimër më të shtrenjtë?
Sipas Oxford Economics, konsumi i gazit në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë rreth 15 deri në 20 për qind më i ulët se në vitin 2021. Kjo i ka mundësuar Evropës të funksionojë me nivele më të ulëta të rezervave të gazit, por njëkohësisht e ka rritur rëndësinë e importeve të LNG-së gjatë muajve të dimrit.
Situata komplikohet edhe më tej nga furnizimet më të ulëta nga Katari.
Sulmet e marsit dëmtuan rëndë dy njësi prodhuese të LNG-së në kompleksin Ras Laffan, duke hequr rreth 17 miliardë metra kub kapacitet vjetor nga tregu. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), riparimet mund të zgjasin nga tre deri në pesë vjet.
Kapaciteti i humbur përbën rreth 17 për qind të kapacitetit vjetor të eksportit të LNG-së së Katarit, sipas Institutit për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare.
Nëse furnizimet nga Lindja e Mesme rikthehen vetëm gradualisht, presioni mbi tregun evropian mund të rritet edhe më shumë.
Analistët e Goldman Sachs vlerësojnë se, në një skenar të tillë, çmimi i kontratave TTF për dhjetorin 2026 mund të duhet të ngjitet mbi 100 euro për MWh, në mënyrë që të tërheqë sasi të mjaftueshme LNG drejt Evropës. Ky parashikim është dukshëm më i lartë se skenari bazë i mëparshëm i bankës, prej rreth 50 eurosh për MWh.
Frika zhvendoset te inflacioni
Rritja e çmimeve të energjisë po shton gjithashtu shqetësimet për inflacionin në eurozonë. Energjia është një nga faktorët kryesorë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e konsumit, por edhe në kostot e prodhimit, transportit dhe shërbimeve.
Inflacioni në eurozonë arriti në 3.3 për qind në gusht, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë, edhe pse presionet bazë mbi çmimet janë zbutur.
Tregjet financiare po e ndjekin me kujdes situatën, pasi një periudhë më e gjatë e çmimeve të larta të energjisë mund ta bëjë më të vështirë luftën kundër inflacionit dhe t’i vendosë bankat qendrore përballë një dileme të re.
Presioni nuk është kufizuar vetëm te tregu i gazit. Rritja e kostove të energjisë është reflektuar edhe në tregjet e borxhit shtetëror, ndërsa yield-et e obligacioneve gjermane 10-vjeçare janë rritur në nivele të larta shumëvjeçare.
Investitorët po vlerësojnë tashmë rrezikun që një periudhë e zgjatur e energjisë së shtrenjtë të krijojë inflacion më të qëndrueshëm, duke e komplikuar më tej politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane.
Nëse tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë dhe furnizimet globale me LNG mbeten nën presion, Evropa mund të përballet me një kombinim të padëshiruar: gaz më i shtrenjtë, kosto më të larta të energjisë dhe presion të ri mbi inflacionin, pikërisht në prag të dimrit.
Lajme nga vendi
DAP do të ketë qasje në çdo transaksion në kohë reale: e-fatura hyn në zbatim nga 2027
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP). (DAP) po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën e mbledhjes dhe kontrollit të të dhënave tatimore. Sistemi i e-faturës pritet të fillojë të zbatohet në mënyrë të detyrueshme dhe në faza gjatë vitit 2027, ndërsa përdorimi vullnetar pritet të nisë deri në fund të vitit 2026.
Lajmin e bëri të ditur drejtoresha e UJP-së, Elena Petrova, gjatë një paneli në kuadër të “Ohër 2026”, ku u diskutua për të ardhurat tatimore, hendekun tatimor, luftën kundër ekonomisë informale dhe forcimin e financave publike.
Sipas Petrova, deri në fund të vitit 2026 pritet të miratohet edhe ligji përkatës, ndërsa paralelisht duhet të përfundojë implementimi i infrastrukturës softuerike dhe harduerike të nevojshme për funksionimin e sistemit.
Çfarë ndryshon me e-faturën?
Një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë mënyra se si DAP do t’i marrë dhe analizojë të dhënat.
Në vend që të mbështetet kryesisht në të dhëna të agreguara nga deklaratat tatimore, administrata tatimore do të ketë të dhëna të strukturuara për çdo faturë dhe çdo transaksion individual.
Kjo do të përfshijë të dhëna për shitësin, blerësin, produktet dhe shërbimet e faturuara, si dhe tregues të tjerë të rëndësishëm për tatimet.
Por ndryshimi më i madh është shpejtësia e qasjes në informacion.
Aktualisht, një pjesë e të dhënave tatimore merren pas përfundimit të muajit, tremujorit apo periudhës përkatëse tatimore. Me sistemin e e-faturës, informacioni do të jetë i disponueshëm për DAP në kohë reale, menjëherë pas lëshimit të faturës.
Kjo pritet të ndryshojë ndjeshëm edhe mënyrën e kontrolleve tatimore.
Më shumë kontrolle automatike dhe më pak hapësirë për fshehje
Sipas Petrova, një pjesë e kontrolleve do të mund të automatizohen dhe të integrohen drejtpërdrejt në proceset tatimore. Kjo do të mundësojë zbulimin më të shpejtë të gabimeve, mospërputhjeve dhe të dhënave të pasakta, qofshin ato të qëllimshme apo të paqëllimshme.
Të dhënat nga e-faturat do të mund të kryqëzohen edhe me informacionin që DAP tashmë merr nga bankat, Doganat, pajisjet fiskale dhe burime të tjera.
Në këtë mënyrë, administrata tatimore do të ketë mundësi më të mëdha për të analizuar rreziqet, për të zbuluar modele të pazakonta të transaksioneve, për të identifikuar lidhje mes kompanive dhe për të evidentuar transaksione të dyshimta.
Kjo do të thotë se kontrollet nuk do të mbështeten vetëm në verifikime të kryera pasi të jetë raportuar një problem, por gjithnjë e më shumë në analizën e të dhënave dhe identifikimin paraprak të rrezikut.
Petrova theksoi se digjitalizimi nuk do t’i eliminojë menjëherë përpjekjet për shmangie të tatimeve, por do ta ngushtojë ndjeshëm hapësirën për fshehjen e transaksioneve dhe do ta bëjë më të lehtë zbulimin e tyre.
UJP drejt një modeli të ri të kontrollit
Qëllimi është që DAP gradualisht të shndërrohet në një administratë tatimore që mbështetet më shumë te të dhënat, teknologjia dhe analiza e rrezikut gjatë marrjes së vendimeve dhe kryerjes së kontrolleve.
Me e-faturën, administrata do të ketë një pasqyrë shumë më të detajuar të qarkullimit ekonomik, ndërsa bizneset do të përballen me një sistem ku transaksionet dhe faturat do të jenë më të gjurmueshme.
Sistemi i ri pritet të nisë me përdorim vullnetar deri në fund të vitit 2026, ndërsa zbatimi i detyrueshëm do të bëhet në faza gjatë vitit 2027.
Lajme nga vendi
FUTBOLLI I FEMRAVE: LUBOTENI BARAZON POR VAZHDON KRYESIMIN NË TABELË
Me ndeshjen Luboteni – Tiverija Brera që u zhvillua dje pasdite në Tetovë u kompletua java e katërt e kampionatit në Ligën e Parë të futbollit të femrave. Java e pestë vazhdon të dielën.
Ndeshja mes Lubotenit dhe Tiverija Brera që u zhvillua në stadiumin e Qendrës sportive në Tetovë pas 90 minutave lojë cilësore dhe me raste nga të dyja anët përfundoi me barazim 1-1.
Skuadra mysafire e para kaloi në epërsi me golin e Biljana Peneska, ndërsa vendaset barazuan në pjesën e dytë me golin e Oliveira DE Roberta pas ridhënjes nga këndi të Yllza Maksutit.
Pas këtij barazimi tabelën e kryeson Luboteni me 10 pikë e ndjekur nga Skopje 2014 dhe Pelisteri PRO 2026 me nga 9 pikë
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

