Lajme nga vendi
ÇMIMET FTOHIN “SEZONIN E AJVARIT”!
Ndonëse janë afruar ditët për përgatitjen e ajvarit dhe turshive tradicionale, qytetarët e Shkupit ende nuk kanë filluar furnizimin dhe përgatitjet për dimër.
Çmimet e produkteve, veçanërisht të specave, mbeten shqetësimi kryesor për ta. Të intervistuar nga TV Koha qytetarët thonë se kanë shtyrë përgatitjen e ajvarit dhe turshive për shkak të çmimeve të larta.
Qytetarët i thanë TV Koha se përgatitja e ajvarit turshive kërkon një shpenzim jo të vogël për familjet.
Hala skena bo kurxha, por do shofim..
Si ju duken çmimet?
Çmimet janë të larta por ajo është….
Valla se kemi bo, hala skemi fillu, sikur për vjet, çmimi aty gjindet. Edhe vitet e tjera ka qenë kështu, ndoshta ndonjëherë edhe më shtrenjtë edhe më lirë çmimet por, këtë vit qoftë për domate, qoftë për gjëra të tjera, pazari ka qenë më i mirë se vitet e tjera, ka pas bollëk.
Ndërsa qytetarët ankohen për çmimet, shitësit në tregun e gjelbërt në Shkup thonë se situata me çmimet këtë vit është më e favorshme. Sipas tyre, çmimet këtë vit janë më të mira krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse interesimi i qytetarëve për blerje ende nuk është në nivelin që ata presin.
Çmimi është jashtëzakonisht i mirë. Speci që është për ajvar, vjet, krahasuar me sivjet është dyfish më i ulët. Vitin e kaluar ka qenë 80 denarë kilogrami, sot është 30 denarë, por buxheti është i dobët sa i përket popullatës, jemi pak të lisht nga buxheti. Sepse sa i përket çmimeve, krahasim me vitin tjeter jemi jashtëzakonisht poshtë.
Shum dobët, interesimi është i ulët, çmimi nuk është i lartë. Çmimi relativisht është i përballueshëm 40 denarë është nëse blen me kuti, kurse nëse blen me kilogram 50 den. Por qytetarët janë të painteresuar. Dobët po shkon. Edhe vitin e kaluar, ndoshta interesimi ska qenë kushedi sa i lartë, por ka pasur çmim më të lartë. Për ne shitësit dhe prodhuesit ka qenë gjithherë më mirë.
Tregu i gjelbër në Shkup tashmë është gjallëruar me ardhjen e produkteve sezonale. Specat, domatet dhe perimet e tjera për përgatitjen e ajvarit dhe turshive kanë zënë vend në tezga, ndërsa në ditët në vijim pritet të rritet edhe numri i blerësve.
Lajme nga vendi
Shtetasja e Maqedonisë dënohet me 45 ditë burg në Mal të Zi për vrasjen e një qeni me veturë
Gjykata Themelore në Ulqin ka dënuar me 45 ditë burgim S.Stojanovskën, 43-vjeçare nga Shkupi, pasi e shpalli fajtore për veprën penale “vrasje dhe keqtrajtim të kafshëve dhe shkatërrim të habitatit të tyre”.
Sipas aktgjykimit, më 24 korrik, në bulevardin “Teuta” në Ulqin, Stojanovska me automjetin e saj “Mercedes” të paktën dy herë ka kaluar mbi një qen të racës së Sharrit, i cili më pas ka ngordhur nga plagët e rënda.
Gjykata si rrethana lehtësuese ka marrë parasysh se ajo është nënë e dy fëmijëve, njëri prej tyre i mitur, se nuk ka qenë e dënuar më parë, si dhe faktin se në momentin e kryerjes së veprës kishte aftësi të konsiderueshme të zvogëluar për të gjykuar, gjë e konstatuar nga një ekspert psikiatër.
Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që nga 24 korriku 2026.
Lajme nga vendi
“Nuk mendova se do të shkonin kaq larg, nuk doja që fëmijët ta dinin se kisha kaq shumë para”
Mbrojtja në rastin kundër gjyqtarit Gjoko Ristov ka nisur sot me dëshmitarët e saj. Para gjykatës dëshmoi avokati Aleksandar Varela, i cili përfaqëson prindërit e Ristovit dhe ka qenë i pranishëm gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre në Negotinë.
Sipas dëshmisë së Varelës, policia kishte kontrolluar në detaje shtëpinë dhe hapësirat ndihmëse, përfshirë dhomat, dollapët, garazhin dhe hapësirën përreth objektit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua kuzhinës, ku policët dyshuan te disa pllaka për shkak të tingullit të zbrazët. Pas heqjes së tyre, u zbulua një hapje në mur. Kur u pyet se çfarë kishte brenda, Zdravko Ristov, babai i gjyqtarit, sipas dëshmisë, u përgjigj: “Janë para.”
Policia më pas zbuloi 13 pako me para të fshehura pas murit. Sipas avokatit, paratë u nxorën dhe u numëruan gjatë bastisjes.
Varela tha se më vonë e kishte pyetur Zdravko Ristovin pse nuk i kishte treguar më herët për paratë.
“Nuk e dija se do të shkonin kaq larg, nuk doja që fëmijët ta dinin”, citoi avokati përgjigjen e tij.
Sipas dëshmisë, Ristov kishte deklaruar gjithashtu se paratë ishin të tij dhe se shuma ishte mbi 350 mijë.
Mbrojtja do të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive dhe dëshmitarëve të saj në seancat e ardhshme.
Lajme nga vendi
ULEN TAKSAT MBI KARBURANTET: RMV, ITALIA, SPANJA LEHTËSOJNË KONSUMATORËT
Maqedonia e Veriut është vendi i fundit që ka ndërhyrë për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
Nga 15 deri më 28 shtator, qeveria ka ulur TVSH-në për karburantet nga 18 në 10 për qind, ndërsa vijon edhe lehtësimi i akcizës.
Vetëm për naftën, efekti i masave përllogaritet në rreth 7 denarë për litër, duke shmangur një shtrenjtim të mëtejshëm për konsumatorët.
Cmimi final shkon në 99 denarë ose 1.48 euro.
Edhe Italia ka zgjatur deri më 17 shtator uljen e akcizës për naftën, me rreth 17 centë për litër.
Masa synon të mbrojë familjet dhe bizneset nga rritja e fortë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Spanja po aplikon gjithashtu ulje të përkohshme të taksave për benzinën dhe naftën.
Qiproja, ndërkohë, ka zgjatur deri më 30 nëntor lehtësimin fiskal prej 8,33 centësh për litër për të dyja llojet e karburanteve.
Masa mbështetëse janë marrë edhe në vende të tjera, përmes uljes së akcizës, rimbursimeve apo subvencioneve të drejtpërdrejta.
Qeveritë e këtyre vendeve po përpiqen që një pjesë të kostos së krizës energjetike ta përballojnë përmes uljes së të ardhurave nga taksat, duke lehtësuar konsumatorët.
Synimi është që shtrenjtimi i naftës të mos përkthehet menjëherë në rritje të kostos së transportit, ushqimeve dhe produkteve të tjera.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

