Lajme nga vendi
Pagesa elektronike e autostradave, sistemi i ri pritet të përfshijë edhe aksin Gostivar–Tetovë
Maqedonia e Veriut po përgatit ndryshimin e sistemit të pagesës së taksave rrugore në autostrada. Në vend të ndalesave në pikat fizike të pagesës, planifikohet vendosja e një sistemi elektronik, ku tarifa do të llogaritet sipas kilometrave të përshkuar.
Lajmi është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët e Gostivarit, pasi sistemi i ri parashihet të zbatohet edhe në autostradën Gostivar–Tetovë, si dhe në aksin Bukojçan–Gostivar.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se për hartimin e ligjit të ri do të përfshihen edhe ekspertë të Komunitetit Evropian të Transportit. Ai shpreson që projektligji të prezantohet gjatë muajit dhjetor.
Sipas Nikolloskit, pagesa sipas kilometrave do të jetë më e drejtë për qytetarët, do të ulë kostot për disa udhëtime dhe do të mundësojë qarkullim më të shpejtë, pa ndalesa në pikat e pagesës.
“Idetë tona janë që pagesa të bëhet sipas kilometrave të përshkuar, gjë që do të jetë shumë më e drejtë se sistemi aktual”, deklaroi Nikolloski.
Sistemi fillimisht pritet të aplikohet në autostradën Kërçovë–Ohër, ndërsa më pas të shtrihet edhe në akset e tjera që janë në ndërtim, përfshirë Prilep–Manastir, Bukojçan–Gostivar, Gostivar–Tetovë dhe Kërçovë–Bukojçan.
Për momentin, bëhet fjalë për një plan që kërkon përgatitje ligjore dhe teknike. Ende nuk janë bërë të ditura tarifat konkrete dhe mënyra e funksionimit të sistemit të ri. Gostivari Sot
Lajme nga vendi
Pa bullgarët në Kushtetutë, pa përparim drejt BE-së? Siljanovska kundër ndryshimeve të reja!
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka kundërshtuar ndryshimet e shpeshta kushtetuese nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë mbetet kusht për avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.
Në 35-vjetorin e Kushtetutës, ajo deklaroi se 21 nga 36 amendamentet kushtetuese janë miratuar nën ndikimin ndërkombëtar, duke vlerësuar se ndërhyrjet e vazhdueshme e dobësojnë rëndësinë e aktit më të lartë juridik.
Siljanovska-Davkova kërkoi përfshirjen e ekspertëve në shqyrtimin e ndryshimeve të ardhshme kushtetuese.
Ndërkohë, ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve vazhdojnë të jenë kusht për përparimin e procesit eurointegrues./Slloboden Peçat
Lajme nga vendi
UT HAP KONGRESIN NDËRKOMBËTAR, FOLËSE KRYESORE DR. RUDINA JASINI!
Universiteti i Tetovës ka hapur Kongresin Ndërkombëtar “Nga kërkimi shkencor në zbatim”, i cili këtë vit mbledh studiues dhe akademikë nga fusha të ndryshme. Folëse kryesore në ceremoninë e hapjes ishte dr. Rudina Jasini, hulumtuese në Universitetin e Oksfordit dhe avokate mbrojtëse në Hagë, e cila trajtoi ndikimin e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës mbi udhëheqësinë e UÇK-së, luftën çlirimtare dhe Kosovën. Kongresi përfshin 168 punime shkencore nga pesë fusha akademike.
Në Universitetin e Tetovës u organizua ceremonia e hapjes solemne të Kongresit Ndërkombëtar “Nga kërkimi shkencor në zbatim”.
Folëse kryesore në ceremoninë e hapjes ishte Dr. Rudina Jasini, hulumtuese e lartë shkencore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Oksfordit dhe avokate mbrojtëse pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Me këtë rast, Dr. Jasini mbajti ligjëratën me temë: “Përtej sallës së gjyqit: çfarë do të thotë aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës për udhëheqësinë e UÇK-së, luftën çlirimtare dhe Kosovën.”
Zonja Jasini elaboroi edhe pretendimet për trafikimin e organeve, të cilat u bënë publike përmes raportit të Dick Martyt, nëse kanë ndikuar në mënyrën se si është ndërtuar perceptimi ndërkombëtar për UÇK-në dhe në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës?”
Sipas Rektorit të UT-së, Kongresi Ndërkombëtar “Nga kërkimi shkencor në zbatim” është një ngjarje akademike që bashkon në një prej çështjeve më të rëndësishme të universitetit bashkëkohor – marrëdhënies ndërmjet dijes shkencore dhe ndikimit të saj në shoqëri.
Kongresi I këtij viti fillon punimet me 168 materiale hulumtuese të organizuara në 20 shkencore që përfshinë 5 fusha kryesore akademike.
AGON MEMETI – Prorektor për Shkencë në UT
Ky aktivitet ndërkombëtar, synon të krijojë hapësirë për diskutim, shkëmbim të përvojave dhe njohurive shkencore, si dhe ndërlidhjen e kërkimit shkencor me zbatimin e tij në praktikë.
/Tv Koha/

Lajme nga vendi
Iku nga policia në Tetovë, por pistoleta i ra nga xhepi – kallëzim penal ndaj 19-vjeçarit!
Një 19-vjeçar nga fshati Gajre i Tetovës është përballur me kallëzim penal pasi, gjatë arratisjes nga policia, i ka rënë nga xhepi një pistoletë me municion.
Sipas SPB-së së Tetovës, më 10 tetor 2025, D.M. (19) nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim, kaloi në korsinë e kundërt dhe më pas braktisi automjetin, duke vazhduar arratisjen në këmbë.
Gjatë ikjes, atij i ra një pistoletë e tipit “Çeska Zbrojovka Vzor 70”, e kalibrit 7.65 mm, me municion.
Më pas, i riu shkoi në autolarjen e R.M. (59), gjithashtu nga Gajreja, i cili dyshohet se i dha një automjet tjetër të markës “Peugeot” për t’u larguar.
Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj 19-vjeçarit për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje të paligjshme, ndërsa 59-vjeçari dyshohet për ndihmë ndaj autorit pas kryerjes së veprës penale.

