Lajme nga vendi
Në Maqedoninë e Veriut shpenzimet minimale të jetesës në korrik janë 47.042 denarë, thonë nga LSM
Shpenzimet minimale të një familjeje për muajin korrik janë 47.042 denarë, sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), përcjell TV21. Sipas Sindikatës, kjo shumë nuk mjafton as për familjet që kanë nga dy të punësuar, që kanë të ardhura në një pagë mesatare dhe një pagë minimale.
“Kjo duke pasur parasysh se inflacioni prej 16 për qind e zhvlerëson vlerën e pagave dhe prej këtu shuma prej 18.000 denarëve, që është paga minimale në Maqedoni, ka vlerë reale prej 15.120 denarëve, ndërsa shuma e pagës mesatare neto prej 31.525 denarëve ka vlerë reale prej 26.481 denarë, me çka në masë të madhe është varfëruar punëtori dhe qytetari në Maqedoni”, thonë mes tjerash nga LSM.
Lajme nga vendi
ARBEN FETAI PA MBËSHTETJE – DISTANCOHEN AZIR ALIU, DEPUTETJA MUSA E TË TJERË!
Arben Fetai mbetet pa mbështetje. Krahu i Arben Fetait në Aleanca për Shqiptarët ka mbetur pa asnjë përfaqësues në Kuvend, pas lëvizjeve të fundit brenda subjektit politik.
Nga Fetai janë distancuar edhe Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deputetja Mimoza Musa dhe funksionarë të tjerë të cilët mbështesin opsionin për transformimin e VLEN-it në parti.
Pas një iftari të organizuar, ku mungoi Arben Fetai, Ministri Azir Aliu potencoi se në këtë moment është i rëndësishëm bashkimi I ASH-së dhe procesi i shndërrimit të VLEN-it në parti.
“Nëse dikush dëshiron që të bashkojë ASH-në është ky grup I ASH-së që është në VLEN dhe ne kemi punuar që nga dita e parë që të bashkojmë ASH-në, për shkak se përçarjet ne i dijmë se janë të dhimbshme dhe sa nuk janë në dobi të qytetarëve. Ne kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë që ASH-ja të jetë më e bashkuar se kurrë”
Ministri Aliu, përplasjet brendapartiake I quan të natyrshme, duke pohuar se janë procese të shëndosha demokratike që mund të hasen në cdo organizim politik.
“Gjithsesi rruga tani është që të bashkohet ASH-ja dhe të jemi sa më të bashkuar në një infrastrukturë që nesër do të thithet në VLEN. E dini se nga fillimi, ideja ka qenë që VLEN një ditë të jetë një parti politike, e dini se tani ka edhe lëvizje. Lëvizja BESA bëri hapin e parë për të krijuar struktura që do të jenë kompatibile me VLEN-in. Pra, rruga e gjithë këtyre partive që janë brenda një ditë do të përfundojë në një parti që do të thirret VLEN”
Ilir Demiri është në shtëpinë e vet – u shpreh I prerë Ministri Aliu, teksa u pyet për prezencën e tij në këtë iftar të organizuar nga kjo strukturë politike. Kujtojmë se Ilir Demiri kohë më parë u shkëput nga Ziadin Sela, për të vepruar si i pavarur në Kuvend.
“Ilir Demiri është në shtëpinë e vet. Është anëtar I ASH-së edhe një herë e potencoj se ideja është që të gjithë anëtarët e ASH-së të jenë bashkë dhe bashkë I kemi filluar të gjitha proceset politike. Forma se si mendojmë është e njëjtë, jemi grup I organizuar nga viti 2017 me emrin Aleanca për Shqiptarët. Ilir Demiri është aty ku e ka vendin”
Kujtojmë se kohë më parë, Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa, në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm.
Lajme nga vendi
BULEVARDI V.S.BATO – AKI: LËSHIM PA PRANIM TEKNIK, KOMUNA MOHON SHKELJET
Grupi i këshilltarëve komunal të AKI Tetovë ka njoftuar se më 10.02.2026 ka dorëzuar kërkesë për qasje në informata me karakter publik lidhur me projektin e vazhdimit të Bulevardit Industrial, nga kazerma deri në fshatin Poroj. Sipas përgjigjes zyrtare të Komuna e Tetovës, rruga është lëshuar në përdorim pa u kryer pranimi teknik. Nga AKI Tetovë theksojnë se bëhet fjalë për një rrug e cila është hapur për qarkullim pa verifikim teknik dhe pa garanci sigurie. Ata paralajmërojnë se segmenti i lëshuar më herët tashmë ka dëmtime të dukshme dhe kërkojnë revizion të plotë dhe të pavarur të punimeve, ndërsa njoftojnë se në ditët në vijim do të parashtrojnë kallëzim penal në Prokuroria Themelore në Tetovë për këtë projekt dhe keqpërdorime të tjera.
“Përgjigjja zyrtare e Komunës së Tetovës konfirmon se kjo rrugë është lëshuar në përdorim pa u kryer pranimi teknik. Kjo do të thotë se një projekt prej afro 2.5 milionë eurosh, i financuar me para të taksapaguesve tetovarë, është hapur për qarkullim pa verifikim teknik dhe pa garanci sigurie. Kjo është vepër e rëndë penale dhe rrezik i drejtpërdrejtë për qytetarët. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur shohim se segmenti i lëshuar më herët tashmë paraqet dëmtime të dukshme, që ngre dyshime serioze për cilësinë e punimeve dhe për keqmenaxhimin e mjeteve publike. Ne kërkojmë revizion të plotë dhe të pavarur për të verifikuar nëse punimet janë kryer sipas specifikacionit teknik dhe kontratës. Në periudhën në vijim do të parashtrojmë kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Tetovë për ketë projekt dhe keqpërdorime të tjera. Siguria e qytetarëve është prioritet kyç dhe abuzimi me paratë publike nuk do të mbetet pa përgjegjësi” thonë nga AKI.
Nga Komuna e Tetovës thonë se bulevardi V.S Bato është lëshuar në përdorim konform rregullave dhe ligjeve. Sa i përket dëmtimit të rrugës zëdhënësja e Komunës së Tetovës Besarta Ramadani thotë se kompania që i kryen punimet e ka për obligim që të sanojë çdo lloj dëmtimi që mund të shfaqet deri në përfundimin e tërësishëm të këtij projekti.
Sipas informacioneve që siguroi Televizioni Koha, me lëshimin në përdorim të pjesës së re të bulevardit V.S Bato, është reduktuar për 35% qarkullimi në rrugën kryesore që të shpie në qytet nga magjistralja Jazhincë -Tetovë.
Lajme nga vendi
ALARM PËR BOMBË NË UT, EVAKUOHEN STUDENTËT DHE STAFI
Alarmet e rrejshme për bomba nëpër shkollat e Tetovës nuk kanë të ndalur. Edhe mëngjesin e sotëm, në emailin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë ardhur alarme për bomba të vendosura në tre institucione arsimore, edhe atë, në shkollën private Marif dhe Jahja Kemal, si dhe një alarm ka ardhur për bombë të vendosur në Universitetin e Tetovës.
Me të marr alarmet, me urdhër të Sektorit të Punëve të brendshme të Tetovës, janë evakuuar të tre objektet, ndërsa polic të SPB-së së Tetovës, kanë kryer kontrollet brenda dhe jashtë objekteve, pas çka është jonstatuar se bëhet fjalë për alarm të rrejshëm për bombë.
Alarmet kanë shkaktuar evakuimin e menjëhershëm të studentëve dhe stafit akademik në Universitetin e Tetovës. Rasti vjen vetëm disa ditë pas një vale alarmesh të ngjashme nëpër shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin në institucionet arsimore.
Rasti merr një dimension edhe më të ndjeshëm për faktin se pas dy ditësh në UT pritet të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Shqipëri, Bajram Begaj. Edhe pse autoritetet nuk kanë lidhur zyrtarisht këto ngjarje, vizita e një Presidenti të një shteti tjetër, në një objekt ku ka lajmërim për mjete shpërthyese ngelë për të dëshiruar. Këto lajmërime të një pas njëshme po sfidojnë gatishmërinë e institucioneve për të garantuar siguri maksimale.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se po punohet intensivisht për identifikimin e personave përgjegjës, por deri më tani nuk ka informacione për të dyshuar apo të arrestuar.
Megjithatë, fakti që alarmet e rrejshme po përsëriten për disa ditë me radhë, pa asnjë rezultat konkret nga hetimet, ngre shqetësime serioze për efikasitetin institucional. Opinioni publik pret përgjegjësi dhe transparencë më të madhe, sidomos nga MPB-ja, e cila ka për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë. Zvarritja e zbardhjes së këtyre rasteve jo vetëm që krijon pasiguri te qytetarët, por rrezikon të banalizojë kërcënime që në rrethana të tjera mund të jenë reale dhe me pasoja të rënda.


You must be logged in to post a comment Login