Lajme nga vendi
Kafe n’shesh! BESA hap tendën ku qytetarët mund të njoftohen me 8 pikat e listës “Shumicë për Tetovën”
Kandidatët për Këshillin Komunal të Tetovës nga Lëvizja BESA, qëndruan në sheshin e qytetit në kafen e improvizuar nga Forumi Rinor. “Kafe që dhurohet me zemër për të gjithë qytetarët pa dallim ashtu siç e kemi dhe e duam qytetin tonë.
Ftoj qytetarët që ta vizitojnë tendën e Lëvizjes BESA për tu njoftuar nga afër me 8️⃣ pikat e listës Shumicë për Tetovën, shumicë kjo që do të ecë përpara projektet zhvillimore për qytetin tonë.
#Shumicëpër8ovën”, ka shkruar bartësi i listës, Besar Durmishi, në Facebook.
Lajme nga vendi
Bardovca, Demir Hisari dhe Negorca në projektin “truri në SHBA”: paqartësi për rolin e spitaleve
Spitalet psikiatrike në Bardovcë, Demir Hisar dhe Negorcë kanë qenë të përfshira në një projekt shkencor ndërkombëtar që lidhet me grumbullimin e mostrave të trurit për kërkime shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ende nuk është e qartë se cili ka qenë roli konkret i këtyre institucioneve.
Kjo rezulton nga raporti vjetor për vitet 2004/2005 i Departamentit të Psikiatrisë të Universitetit “Kolumbia” në SHBA, i siguruar nga “Sloboden Peçat”.
Në raport përmendet bashkëpunimi me profesorët dhe mjekët e mjekësisë ligjore nga Maqedonia e Veriut, Aleksej Duma dhe Gorazd Rosoklija.
Sipas dokumentit, projektet kërkimore të asaj periudhe përfshinin studime mbi anomalitë strukturore të dendriteve te skizofrenia dhe çrregullimet e humorit, si dhe kërkime mbi korrelacionet neuropatologjike të demencës dhe skizofrenisë. Në kuadër të këtyre projekteve është realizuar edhe grumbullimi i mostrave të trurit dhe të dhënave klinike nga obduksionet e pacientëve psikiatrikë, rasteve të vetëvrasjes dhe rasteve krahasuese në Maqedoninë e Veriut.
Në raport përmenden si institucione bashkëpunuese Instituti i Mjekësisë Ligjore, Spitali Psikiatrik i Shkupit (Bardovcë), spitalet në Demir Hisar dhe Negorcë, si dhe Fakulteti i Mjekësisë. Megjithatë, nuk specifikohet qartë se çfarë roli konkret kanë pasur spitalet psikiatrike në realizimin e projektit.
Raporti thekson se një nga bashkautorët e projektit, doktori Andrew J. Dwork, ka studiuar veçoritë neuropatologjike të skizofrenisë dhe lidhjen e saj me demencën, e cila paraqitet shpesh te pacientët më të moshuar me këtë diagnozë.
Lajme nga vendi
Dosjet “Epstein”: Si u dërguan mostrat e trurit nga Shkupi në New York? Zbardhen detajet tronditëse!
Shkruan: Mentor Mellova
Një valë e re dokumentesh të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së lidhur me financat e Jeffrey Epstein ka ndezur një debat të ashpër në Maqedoninë e Veriut. Akuzat e fundit në media lokale, që flasin për “eksport të trurit të njeriut” drejt SHBA-së, kanë detyruar shkencëtarët dhe zyrtarët të sqarojnë kufirin midis kërkimit mjekësor legjitim dhe spekulimeve sensacionale.
Si u zbulua skandali “bankë truri”
Shqetësimi nisi kur në rrjetet sociale dhe disa portale maqedonase u publikuan fragmente të një korrespondence elektronike (email), ku përmendej një “bankë truri” në SHBA me rreth 1,000 mostra, përfshirë ato nga Ballkani.
Sipas raportimeve, Maqedonia e Veriut cilësohej si burimi i mostrave “më të freskëta” për kërkime mbi ketaminën dhe vetëvrasjen.
Megjithatë, ajo që po prezantohet si një “skandal i ri” është në fakt një bashkëpunim shkencor i dokumentuar prej dekadash.
Shkenca prapa Sensacionit
Sipas të dhënave të verifikueshme në platformat shkencore si PubMed Central, bashkëpunimi midis Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup dhe institucioneve psikiatrike në Nju Jork (NYSPI/Columbia University) ka nisur që në vitin 1996.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi ishte studimi i ndryshimeve neurobiologjike te personat që kanë kryer vetëvrasje. Dokumentet shkencore sqarojnë se:
• Indet e trurit janë transportuar me fluturime zyrtare si bagazh i regjistruar.
• Procesi ka pasur leje nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë.
• Mostrat janë marrë pas pëlqimit të nënshkruar nga familjarët e të ndjerëve.
Mbrojtja e Shkencëtarëve: “Gjithçka ishte Ligjore”
Në deklaratat për mediat lokale (TV 24 dhe Telma), dy figura kyçe të këtij procesi, Prof. Dr. Aleksej Duma (ish-drejtor i Mjekësisë Ligjore në Shkup) dhe Prof. Dr. Gorazd Rosoklija (neuropsikiatër në Universitetin Columbia), kanë hedhur poshtë akuzat për “tregti organesh”.
“Bëhet fjalë për kërkim mjekësor-shkencor sipas standardeve ndërkombëtare. Transporti ishte i organizuar përmes kanaleve zyrtare, me dokumentacion të plotë dhe kontrolle doganore në të dyja shtetet,” deklaroi Duma.
Nga ana tjetër, Rosoklija konfirmoi se një grant nga fondacioni i Epstein ka mbështetur projektin shkencor, duke shpjeguar se financime të tilla janë të zakonshme në SHBA për shkak të lehtësirave tatimore të donatorëve, por kjo nuk ndryshon natyrën etike të punës shkencore.
Mungesa e Provave për “Shitje”
Përkundër pretendimeve në rrjetet sociale se “mijëra trurë kanë përfunduar në shitje”, deri më tani nuk është paraqitur asnjë dokument që vërteton transaksione ilegale apo shkelje të protokolleve etike.
Ekspertët paralajmërojnë se përzierja e fakteve (ekzistenca e koleksionit të trurit) me supozimet (tregtia e paligjshme) rrezikon të dëmtojë reputacionin e institucioneve shkencore dhe të shkaktojë panik të panevojshëm te qytetarët.(INA)
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Paga minimale, vendoset nga punëdhënësit dhe punëtorët
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në emisionin “360 Gradë” në RTVM deklaroi se vendosja e pagës minimale duhet të udhëhiqet nga dialogu mes punëdhënësve dhe punëtorëve, ndërsa Qeveria do të pranojë çdo marrëveshje të arritur mes tyre.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se, megjithëse paga e asnjë punëtori nuk është kurrë e mjaftueshme dhe gjithmonë duhet të jetë më e lartë, ekzistojnë rregulla ekonomike që duhet të merren parasysh.
“Le të ulen dhe të dakordohen mes tyre për atë që punëdhënësit mund të përballojnë, sepse ata janë ata që duhet të paguajnë pagat. Më tregoni, ku në botë shteti i mbulon pagat e sektorit privat? Qeveria mund të mbulojë pagat e administratës dhe të pensionistëve, por këtu po flasim për sektorin privat. Nuk mund t’i përziejmë gjërat,” tha ministrja.
Ajo shtoi se Qeveria ka rritur pagat në shëndetësi, arsim dhe MPB dhe ka kujdesur për punonjësit e saj. “Ky është një dialog që duhet të udhëhiqet nga punëdhënësit dhe punëtorët. Qeveria thotë: ‘Ne e vendosëm ligjin, dhe nëse mendoni se duhet të shkojmë përtej ligjit, dakordohuni mes jush’,” përfundoi Dimitrieska-Koçoska.


You must be logged in to post a comment Login