Lajme nga bota
Sot Dita e Pavarësisë së Ukrainës, Kievi ekspozon tanket e kapura dhe të shkatërruara të Rusisë. Ukrainasit në ankth, a do të ketë sulm me raketa?
Sot, shënohet 31 vjet që nga dita kur Ukraina shpalli pavarësinë dhe shkëputjen e plotë nga ish-Bashkimi Sovjetik, por për ukrainasit Dita e Pavarësisë do të jetë një ditë e zymtë pasi krerët e shtetit kanë paralajmëruar disa herë se Rusia mund të kryejë sulme me raketa në qytetet vendase.
Vitet e mëparshme kjo ditë është nderuar me festime dhe parada ushtarake, por sot gjashtë muaj që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia këto ceremoni solemne nuk do të kenë shkëlqimin e dikurshëm. Kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Gjeneral Major Mykola Zhyrnov, tha se festimet janë ndaluar në kryeqytet dhe qytete të tjera në mënyrë që forcat e sigurisë të mund të përgjigjen në mënyrë sa më efikase ndaj sulmeve të mundshme ruse.
Në vend të një parade, automjete ushtarake ruse të kapura dhe të shkatërruara, përfshirë tanke, u vendosën në Khreshchatyk, rruga kryesore e Kievit, si dëshmi e përpjekjes së dështuar të Moskës për të aneksuar kryeqytetin në javët e para të luftës. “Armiku planifikoi të zhvillonte “një paradë” aty për tre ditë, por nuk funksionoi. Forcat tona të armatosura u përgjigjën”, shkroi në Telegram Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës së Presidentit të Ukrainës, teksa mjetet luftarake ruse ishin ekspozuar në qytet. Në prag të Ditës së Pavarësisë, turma njerëzish u panë në Khreshchatyk, duke parë pamjet përmes një ekrani. Disa fëmijë u afruan deri në karkasën metalike të ndryshkur të një tanku, ndërsa të tjerë pozuan pranë mjeteve të dëmtuara.
Shumë prej të pranishmëve në shesh, të intervistuar nga CNN rrëfyen se kjo ditë nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm, pasi të afërmit e tyre ndodheshin në vijën e parë të rrezikut. Gjithashtu, ata nuk pranuan të tregonin identitetin e plotë, pasi kjo përbën rrezik për jetët e tyre. Kësisoj, një qytetare e quajtur Liubov tha se ajo u shfaq për të parë “paradën e hekurishteve” së bashku me djalin e saj 8-vjeçar, Illia. Ndërsa Illia hipi në një mjet luftarak rus, Liubov e përshkroi paradën si “simbolike”, duke thënë “shumë njerëz në Kiev e kanë harruar luftën, kështu që unë mendoj se kjo është një mënyrë e mirë për t’i kujtuar.”
Bashkëshorti i saj, i cili po lufton në vijën e parë, i është lutur që të largohet nga kryeqyteti për në shtëpinë e tyre verore 50 kilometra larg, tha ajo. Por ajo ka refuzuar të shkojë. Edhe nëse “ka sulme masive me raketa në Kiev ditën e sotme, ne nuk do të largohemi”, tha ajo, duke shpjeguar se ka një çantë urgjence në shtëpi, me rroba të mjaftueshme, kryesisht të gjera që ndihmojnë në mosdepërtimin e rrezeve të dëmshme në rast se sulmohen nga raketat. Ne nuk trembemi më aq lehtë prej tyre.”.
“Nuk ndihem e entuziazmuar për Ditën e Pavarësisë, më tepër ndihem e trishtuar sepse e kuptoj se çfarë po ndodh, burri dhe vëllai im janë në vijën e parë”, shtoi ajo. Duke mbajtur një flamur ukrainas, një tjetër qytetare i tha CNN se edhe ajo ka të afërm që luftojnë kundër Rusisë. “Babai im është në vijën e parë, shumë nga të afërmit e mi janë në vijën e parë… kështu që nesër nuk është festë në vetvete, por nderim dhe ndjenjë pavarësie, sepse këtë herë do të ndihet ndryshe nga 30 vitet e mëparshme”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi të martën se Rusia mund të shtojë përpjekjet për të nisur sulmet, përfshirë sulmet me raketa, “në objektet e infrastrukturës ose institucionet shtetërore” gjatë festës. Qeveria amerikane iu bashkua korit që ngritën shqetësimin duke u thënë amerikanëve të martën që të largoheshin menjëherë nga Ukraina.
Në Khreshchatyk, teksa shihnin plaçkën e luftës së Ukrainës, shumë qytetarë ndanë shqetësimet për një sulm të mundshëm nga rusët të mërkurën.
“Ne kishim planifikuar të vinim këtu nesër, por për shkak se kishte shumë paralajmërime, ne do të qëndrojmë në shtëpi,” tha Oleh Fetir, 51 vjeç, teksa shihte mjetet e ekspozuara me bashkëshorten e tij.
“Ne erdhëm këtu për të parë paradën e hekurishteve, sepse rusët na e kanë prishur festën. Vitin e shkuar në Ditën e Pavarësisë ne ishim këtu duke parë paradën e pajisjeve ushtarake të Ukrainës me aeroplanë, ishte madhështore dhe magjepsëse. Tani, kjo paradë aktuale është mjaft mbresëlënëse. Mungojnë fotot e atyre që ishin brenda”, tha ai duke iu referuar ushtarëve rusë.
Pas gjashtë muajsh konflikti që e kanë çuar ekonominë e Ukrainës në një krizë të thellë dhe kanë ndërprerë pothuajse çdo pjesë të jetës së përditshme, lodhja ishte e dukshme tek ata.
“Nuk ndihem entuziast për nesër, jo me humor festiv”, tha një 29-vjeçar, duke shpjeguar se është i shqetësuar për hedhjen e raketave drejt kryeqytetit. “Urrejtja ime për rusët është rritur aq shumë sa po më copëton”, tha Anna, 68 vjeçe, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj për arsye sigurie. Klinika ku ajo punon i ka thënë që ditët e ardhshme të punojë në distancë. “Unë kam punuar gjatë luftës, ndonjëherë duke u kthyer në shtëpi predhat më fluturonin mbi kokë”, tha ajo. Ajo e përshkroi presidentin rus, Vladimir Putin-in si të paparashikueshëm, si “një majmun që mban një granatë në dorë”. “Ai thotë një gjë, bën diçka ndryshe dhe askush nuk mund ta marrë me mend se çfarë ka në të vërtetë në mendjen e tij”, tha ajo.
Lajme nga bota
Pas dy raundeve takimesh në Abu Dhabi, ja kur priten të mbahen bisedimet e ardhshme SHBA-Rusi-Ukrainë
Raundi i ardhshëm i negociatave midis Kievit dhe Moskës për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë do të mbahet të martën dhe të mërkurën në Gjenevë, njoftoi Kremlini.
“Raundi i ardhshëm i negociatave do të mbahet më 17-18 shkurt në Gjenevë, gjithashtu brenda formatit trepalësh Rusi -Shtetet e Bashkuara-Ukrainë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, i cili ka marrë pjesë në disa raunde bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë.
Sakaq, Dmytro Lytvyn, një këshilltar i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, konfirmoi se delegacioni ukrainas po përgatitet për bisedime në Zvicër.
Presidenti ukrainas tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar mbajtjen e raundit të ardhshëm të bisedimeve në Miami, pas dy takimeve në Abu Dhabi. Sipas Zelensky-t, Kievi e kishte pranuar “menjëherë” mundësinë e mbajtjes së bisedimeve në Florida.
“Për ne, nuk është e rëndësishme nëse takimi do të zhvillohet në Miami apo Abu Dhabi. Gjëja kryesore është që të sjellë rezultate”, tha ai.
Rusët, ukrainasit dhe amerikanët kanë zhvilluar dy raunde negociatash në Abu Dhabi në javët e fundit, ndërsa bombardimet e ashpra, vdekjeprurëse dhe shkatërruese ruse vazhdojnë, kryesisht kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas tha se Shtetet e Bashkuara dëshironin që lufta – më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – të përfundonte “deri në fillim të verës, në qershor”. Por negociatat duken të vështira, veçanërisht në lidhje me çështjen territoriale.
Lajme nga bota
Stuhi e fuqishme godet Francën, raportohet për dy viktima dhe mbi 400 000 banesa pa energji elektrike!
Rreth 450,000 banesa vijojnë të mbeten pa energji elektrike në Francë, pasi stuhia “Nils” goditi vendin.
Gjithashtu Franca jugperëndimore, u pëfshi nga erëra të forta dhe përmbytje të mëdha.
Departamentet e Gironde dhe Lot-et-Garonne mbeten nën gjendje alarmi të kuq për shkak të rrezikut të përmbytjeve të lumit Garonne, raportojnë mediat e huaja.
“Rajonet më të goditura janë New Aquitaine me 292,000 shtëpi dhe Oksitania me 153,000 shtëpi”, njoftoi Enedis, operatori kryesor i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Francë.
Lajme nga bota
Konsumoi gaforre helmuese vetëm për një video/Humb jetën influencerja e njohur!
Një influencuese e njohur e ushqimit në Filipine ka ndërruar jetë pasi konsumoi një lloj gaforreje tepër helmuese gjatë xhirimit të një videoje për rrjetet sociale.
Emma Amit, 51 vjeçe, kishte publikuar një video ku shfaqej duke kapur dhe më pas gatuar gaforren toksike Zosimus aeneus, e njohur në vend si Devil Crab. Ajo humbi ndjenjat pak minuta pas konsumimit dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku ndërroi jetë dy ditë më vonë.
Autoritetet lokale konfirmuan se në banesën e saj u gjetën disa lëvozhga gaforresh. Lloji i konsumuar përmban toksina shumë të rrezikshme që mund të rezultojnë fatale. Sipas ekspertëve, kjo gaforre konsiderohet ndër më helmueset në rajonin Indo-Paqësor dhe në rreth gjysmën e rasteve helmimi përfundon me vdekje.
Një mik i saj, i cili gjithashtu kishte konsumuar nga gaforret, raportohet se ka humbur jetën.


You must be logged in to post a comment Login