Lajme nga vendi
Kryetari i Komunës së Bogovinë z. Besnik Emshiu: Urime 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si vlerën më të lartë civilizuese të Kombit tonë
Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Kryetari i Komunës së Bogovinë z. Besnik Emshiu ka shprehur urime për pjesëtarët e kombit shqiptar.
Postimi i plotë:
Unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, vulosë bashkimin shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve kudo që jetojnë në mbarë botën.
Ne përkulemi me nderimin më të madh për të gjithë aktorët e kësaj ngjarje historike dhe dinjitetshëm e nderojmë ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908 dhe në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.
U miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Urime 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe,si vlerën më të lartë civilizuese të Kombit tonë.
Lajme nga vendi
“KUPOLA” AFRIKANE E NXEHTËSISË SJELL PRANVERËN NË DIMËR!
Java e fundit e shkurtit në vendin tonë por edhe në Evropë do të shënohet me mot ekstremisht të ngrohtë. Sipas metereologëve, kjo ndodh për shkak të depërtimit të fuqishëm të ajrit tropikal nga Afrika që do të mbetet mbi pjesën më të madhe të Evropës.
Fundi I shkurtit sjell një valë të vërtetë të ngrohtit nëpër Evropë dhe në vendin tonë, me depërtimin e ajrit të ngrohtë nga jugu dhe ndikimit të shprehur anticiklonik, një fushe me presion të lartë ajror.
Kjo situatë metereologjike do të rezultojë me mot stabil, shumë diell dhe temperatura të larta, jo të zakonshme për këtë periudhë të vitit.
Në vendin tonë kjo periudhë e shkurtit do të jetë me mot shumë të ngrohtë ku temperaturat ditore pritet të shkojnë deri në 20 gradë Celsius.
Sipas analizës portalit „Severe Weather Europe“, arsyeja për këtë mot jashtëzakonisht të ngrohtë qëndron në shpërndarjen specifike të presionit ajror. Ditëve të kaluara mbi Afrikën Veriperëndimore është formuar e ashtuquajtura “Kupola e nxehtësisë” ku temperaturat lokale kishin mbërritur në 40 gradë Celsius.
Temperaturat në pjesën më të madhe të Evropës por edhe në vendin tonë do të jenë më të larta për më shumë se 10 gradë nga ato mesatare.
Ditëve në vijim, sipas metereologëve, pritet mot I vërtetë pranveror, që nëse mbetet për një periudhë më të gjatë kohore do të shkaktojë edhe zgjimin gradual të natyrës.
Lajme nga vendi
TETOVA MIRËPRET PRESIDENTIN SHQIPTAR BAJRAM BEGAJ!
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nga nesër deri të shtunën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj vizite janë paraparë takime institucionale në nivel të lartë, si dhe aktivitete me karakter diplomatik. Presidenti Begaj do ta vizitojë edhe Tetovën.
Në Tetovë, bilbordet paralajmërojnë ardhjen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj. Në kuadër të vizitës në vendin tonë më 28 shkurt, të shtunën, do të qëndrojë edhe në Tetovë.
Tv Koha mëson agjendën e ngjeshur të vizitës. Vizita zyrtare nis nga ora 09.00 dhe do të zgjasë deri më 11.30.
Vizita do të nis në ambientet e Komunës, ku Presidenti do të pritet nga kryetari komunës Bilall Kasami, për të vijuar më pas në këmbë drejt Shkollës Fillore “LIRIA”. Në këtë shkollë është paraparë një program artistik me këngë dhe valle tradicionale shqiptare, të përgatitur nga nxënësit dhe SHKA “Xheladin Zeqiri”.
Më tej, Presidenti Begaj së bashku me Bilall Kasamin do të vizitojnë Xhaminë e Pashës dhe Teqenë Arabati Baba , ku Presidentit Begaj do t’i prezantohet trashëgimia kulturore dhe objektet me rëndësi të veçantë fetare, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të qytetit.
Krahas bilbordeve vizita e Presidentit Begaj, po paralajmërohet edhe nëpër rrjetet sociale.
“Mirë se vjen në Tetovë, President i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj
Të shtunën, Tetova ka nderin të mirëpresë Presidentin e Shqipërisë. Kjo vizitë është një moment i veçantë për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në rajon!” – ka shkruar në Facebook, Kryetari I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Por, jo vetëm kaq!
Më 28 shkurt, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Universiteti i Tetovës.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takim me drejtuesit e universitetit, stafin akademik dhe studentët, ku do të diskutohet mbi bashkëpunimin arsimor, shkencor dhe kulturor ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut – thuhet në një njoftim nga UT-ja.
Në kuadër të vizitës, presidenti shqiptar do të qëndrojë edhe në disa komuna me shumicë shqiptare. Ai do të vizitojë Komunën e Çashkës, Gostivarin, ndërsa vizitën do ta përmbyllë me një ndalesë në Komunën e Dibrës.
Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës: Nxënësit do të kthehen në mësim pas kontrollit për alarme të rreme për bombë
Nëse pas kontrollit, konfirmohet se ka një alarm të rremë për vendosjen e një bombe, nxënësit do të duhet të kthehen në mësime, thekso në konferencën për shtyp Nazmi Dauti, nga Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i Komunës së Tetovës. Ky rekomandim vjen pas dy ditësh kërcënimesh të alarme për bomba, pas të cilave mësimi u pezullua në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës informoi se ka kërkuar nga policia që të rrisë praninë e saj para shkollave, si dhe të ketë një hetim të shpejtë dhe transparent për të identifikuar personat të cilët qëndrojnë pas alarmeve të rreme, bashkëpunim me drejtorët e shkollave, informacion zyrtar të menjëhershëm dhe të rregullt, si dhe informim të publikut për masat që po merren.
“Kur ka alarm për bombë në çdo shkollë fillore ose të mesme, nxënësit dhe mësuesit, përfshirë profesorët në shkollat e mesme, nuk duhet të largohen nga shkolla për të shkuar në shtëpi. Në vend të kësaj, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme do t’i evakuojnë ata nga objekti shkollor në hapësirat e jashtme dhe nxënësit, së bashku me mësimdhënësit dhe profesorët, do të duhet të presin udhëzime nga themeluesi, domethënë Komuna e Tetovës. Gjithashtu dhe nga ana e përfaqësuesve të Sektorit të Punëve të Brendshme do t’u kërkohet nëse mësimi do të vazhdojë apo do të pezullohet atë ditë. Siç e shohim këto dy ditë, fëmijët nuk po kthehen në shkollë dhe nuk ka nevojë për panik”, deklaroi në konferencë për shtyp Nazmi Dauti.
Ai tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me Sektorin e Punëve të Brendshme, me drejtorët, si dhe me të gjitha institucionet e tjera përkatëse, por se për momentin nuk kanë një përgjigje se kush qëndron pas alarmeve të rreme dhe nëse është iniciuar ndonjë procedurë.
“Përgjegjësia jonë si komunë, si sektor i çështjeve publike, është t’i raportojmë ato si rast. Por, mënyra se si veprojnë është kompetenca e tyre dhe ne nuk kemi informacion, kështu që nuk kemi mundësi t’i pyesim dhe t’ju pyesim se si veproni ju, sepse dihet që kjo është komptetencë e MPB-së. Jemi dakorduar me Sektorin e Punëve të Brendshme që ne, si komunë, do të paraqesim një kërkesë dhe ata do të na japin një përgjigje nëse mësimi mund të vazhdojë apo duhet të pezullohet. Për pjesën tjetër, ato janë veprimet e tyre, procedurat e tyre graduale”, tha Dauti.
Sipas Dautit, sot në ndrrimin e pasditës do të vazhdojë procesi arsimor.

