Lajme nga vendi
Kush po e destabilizon Ballkanin? / Tensione në Kosovë, sulme hibride në Maqedoni dhe Mal të Zi
Ditët e fundit në rajon po ndodhin zhvillime që na kujtojnë disa kohë të këqija nga e kaluara, shkruan portali 24info.mk
Sipas këtij portali së fundi janë rritur tensionet janë rritur në veri të Kosovës ditët e fundit, pas arrestimit të disa personave të nacionalitetit serb dhe raportimeve për të shtëna me armë ndaj njësiteve policore.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut siç shkruhet është nën sulm të vazhdueshëm hibrid me kërcënime të rreme me bomba.
Duke qenë se fillimisht shkollat e mesme ishin kryesisht në shënjestër, kërcënimet e bombave të vendosura vijuan nëpër institucionet shtetërore, por edhe te subjektet private e deri tek ndërtesat e banimit.
Qendrat tregtare si QTQ (GTC), East Gate, Xhevahir Towers dhe ndërtesa e Ministrisë së Jashtme janë evakuuar dje për shkak të raportimeve për bomba të vendosura.
Këtë mëngjes edhe Mali i Zi u zgjua me disa raportime për bomba të vendosura në ndërtesat e shkollave.
“Denoncimet përveç se shkaktojnë panik te qytetarët, dëmtojnë edhe sistemin e sigurisë dhe synojnë ta paralizojnë atë. Shumë ekspertë besojnë se sulme të tilla hibride kanë një qendër për të cilën dyshojnë se ndodhet në Rusi dhe si mbështetje për këtë veçojnë faktin se strukturat ruse kanë kryer më parë sulme të ngjashme në vende shumë më të mëdha dhe më të forta se Maqedonia dhe Mali i Zi. Faktin e dytë ata e shohin tek ajo se Rusia, e cila nuk po shkon aspak mirë në Ukrainë, ka nevojë për zgjerimin e konfliktit dhe hapjen e fronteve të reja, por ato duhet të jenë sa më larg kufijve të saj dhe në vendet anëtare të NATO-s. , për të destabilizuar Aleancën.
Analistët e sigurisë botërore pohojnë se lufta në Ukrainë do të përshkallëzohet më tej, kështu që nëse sulmet hibride janë kryer ose frymëzuar vërtet nga Moska, ato sigurisht që do të vazhdojnë me intensitet të pandërprerë”, shkruan portali në gjuhën maqedonase.(INA)
Lajme nga vendi
Rifillon pas 13 vitesh tubacioni Selanik–Shkup për transportin e dizelit
Tubacioni përmes të cilit transsportohet derivati dizel nga Rafineria në Selanik drejt rafinerisë OKTA në Shkup, pas 13 viteve sërish vihet në përdorim. Ministria e Energjetikës sot kumtoi se janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme për funksionalitetin e sistemit dhe se ky është hap i rëndësishëm për përforcimin e sigurisë në furnizimin me derivate të naftës.
Kontrolli u krye nga ana e Byrosë për metrologji me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga Instituti metrologjik çek (CMI) dhe laboratori “Metron” nga Selaniku, në prani të përfaqësuesve nga Shërbimi doganor.
“Sipas ministres së Energjetikës, Sanja Bozhinovska, korrektësia teknike dhe saktësia e matjes janë parakushte kyçe për funksionim të sigurt dhe transparent të infrastrukturës energjetike.
“Ky është hap i rëndësihëm drejt vendosjes së një sistemi të sigurt dhe modern për furnizim me derivate. Matja e saktë, kontrolli dhe verifikimi ndërkombëtar do të thonë besim, stabilitet dhe siguri afatgjate energjetike për shtetin”, theksoi Bozhinovska.
Tubacioni, i lëshuar në funksion në vitin 2022 për bartje të naftës së papërpunuar, pas vitit 2013 ishte lëndë e investimeve për ridedikimin e tij në infrastrukturën për transport të derivateve dizel.
Bëhet fjalë për sistem në gjatësi prej 213,5 kilometrave. Infrastruktura disponon me 15 stacione bllok-ventilimi për menaxhim të përmirësuar dhe nivel të lartë të sigurisë, kapacitete deponuese prej 80.000 m³ në Greqi dhe 30.000 m³ në Maqedoni të Veriut, si dhe sistem bashkëkohor SCADA për ndjekje të presionit, temperaturës dhe qarkullimit në kohë reale, që garanton siguri afatgjate dhe efikasitet.
Lajme nga vendi
MICKOSKI PËR TATIMIN RETROAKTIV: TË DËSHMOHET PAGESA E TATIMIT
“Personat që kanë punuar jashtë vendit nuk do të paguajnë taksa nëse vërtetojnë se kompania përmes së cilës janë punësuar ka paguar taksa në vendin ku kanë punuar”, thotë kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pyetjes së Televizionit Koha në lidhje me njoftimet e DAP-it për pagesën e taksave për personat që kanë punuar jashtë vendit.
Kryeministri Hristijan Mickoski sqaroi se nuk bëhet fjalë për vendosje të një takse retroaktive. Sipas tij, baza ligjore për këtë detyrim është miratuar nga qeveria e mëparshme e përbërë nga LSDM dhe BDI. Ai theksoi se, për shkak se afatet ligjore kishin përfunduar në fund të vitit të kaluar, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ishte e obliguar t’i njoftonte qytetarët dhe individët për të shlyer detyrimet tatimore ndaj shtetit.
“Dua të sqaroj disa gjëra. Nuk bëhet fjalë për taksë retroaktive. Ky është një ligj që u miratua nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa DAP-i, për shkak se afati ligjor para këtyre vendimeve skadoi në fund të vitit të kaluar, duhej t’u drejtohej individëve, si dhe të gjithë qytetarëve në vend, në mënyrë që ata të paguajnë taksën që duhet të paguajnë në shtet. Nëse DAP-i nuk do ta kishte bërë këtë, atëherë ndonjë qeveri pas nesh ose ndoshta kjo qeveri dhe do të kishte kërkuar përgjegjësi penale për DAP-in, ose më saktë për drejtoreshën, për dëmtimin e Buxhetit. DAP-i vetëm u dorëzoi individëve një njoftim se duhet ta shlyejnë atë detyrim brenda një afati të caktuar”.
Mickoski madje thotë se ka mbajtur takim në lidhje me kërkesat e fundit që u bënë nga qytetarët nëpër protesta, në Tetovë dhe Kumanovë, kryesisht të qytetarëve që kanë punuar në Irak dhe Afganistan.
“Patëm takim në kabinetin tim, biseduam me njerëz që ishin në pjesë të ndryshme të botës dhe arritëm në përfundimin se ata duhet të vërtetojnë se kompanitë që i punësuan ata paguanin taksë në vendin ose vendet ku ishin punësuar. Dhe në atë mënyrë, DAP-i nuk do ta paguajë atë taksë”.
Përndryshe organizatorët e protestave kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre.
Lajme nga vendi
Debat publik për ligjin e ri për arsimin e lartë sot në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip
Në universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, sot nga ora 18:00 do të mbahet një debat publik për propozim-ligjin për arsimin e lartë, në kuadër të serisë së diskutimeve në universitetet publike, ku do të marrë pjesë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Debate publike u mbajtën në Universitetin “Nëna Terezë” – Shkup, Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, dhe dje në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup dhe në Akademinë e Maqedonisë të Shkencave dhe Arteve.
Ligji për arsimin e lartë dhe ligji për cilësinë në arsimin e lartë janë vendosur në regjistrin kombëtar të rregulloreve (ENER), ndërsa të interesuarit mund të dërgojnë komente edhe në të dyja adresat elektronike të MASH-it për të dy ligjet. Në ENER që nga e shtuna, është publikuar edhe teksti i ligjit të ri për aktivitetin kërkimor-shkencor.
Ministrja Vesna Janevska njoftoi se të gjitha propozimet që janë konstruktive do të pranohen, ndërsa gabimet teknike në ligje do të korrigjohen. Të gjitha vërejtjet e arsyetuara për të cilat grupi punues beson se janë të pranueshme, tha ajo, do të përfshihen në tekstin e propozuar, i cili më pas do të qëndrojë edhe disa ditë në ENER para se të shkojë në procedurë qeveritare.
“Debatet i organizojmë për të arritur një zgjidhje të përbashkët, sa më të mirë të jetë e mundur, sepse Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk është pala kundërshtuese, por, përkundrazi, në bashkëpunim me universitetet, MASH-i e nisi ligjin dhe në të njëjtin mënyrë do ta përfundojë”, deklaroi ministrja Vesna Janevska dje para fillimit të debatit publik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
Ajo reagoi ndaj shpërndarjes së informacionit të pasakta në publik, i cili, sipas saj, dëmton më shumë shtetin sesa ministrin.

