Lajme nga vendi
Shpëtohet një burrë që u hodh nga Ura e Gurit në Vardar
Nga shkallët nën Urën e Gurit, një burrë mëngjesin e sotëm është hedhur në lumin Vardar, i cili pas masave të marra është nxjerrë i gjallë, njoftojnë MPB.
“Sot në mëngjes rreth orës 08:30 është raportuar se një person është hedhur në lumin Vardar nga shkallët nën “Urën e Gurit”.
Menjëherë pas marrjes së kallëzimit janë ndërmarrë masa nga zyrtarët policorë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, dhe policia dhe Njësiti i Zjarrfikësve në Shkup.
Me ndihmën e shpejtë personi është dërguar në spitalin e përgjithshëm të qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Lajme nga vendi
Zëvendëskryeministri i Parë Bekim Sali zhvillon takim në Bruksel me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos
Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi sot në Bruksel një takim pune me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Takimi u fokusua në ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit, prioritetet reformuese dhe sfidat aktuale në kuadër të agjendës evropiane.Transmeton Tv Koha
Gjatë bisedimeve, Zëvendëskryeministri Sali riafirmoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik i Qeverisë, i vlerësuar si një investim afatgjatë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian. Ai theksoi se momentumi pozitiv i krijuar duhet të shfrytëzohet përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, me qëllim avancimin konkret të procesit integrues.
Në cilësinë e Ministrit për Çështje Evropiane, Kryenegociatorit, Koordinatorit Nacional për Instrumentin e Reformës dhe Rritjes (RGF), si dhe NIPAC, Sali nënvizoi përkushtimin për të ruajtur fokusin e administratës shtetërore në reformat e lidhura me BE-në dhe për të siguruar vazhdimësinë e ritmit të reformave, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Në këtë kontekst, palët shkëmbyen mendime edhe mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe Agjendës Reformuese, si dhe mbi çështje të tjera aktuale me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe dialogut konstruktiv me institucionet e Bashkimit Evropian.
Lajme nga vendi
Durmishi: Punëtorët e kohëpaskohshëm dhe sezonal fitojnë mbrojtje ligjore
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot theksoi se Ligji për Angazhim me Punë të Personave, i cili filloi të zbatohet nga 1 janari i vitit 2026, paraqet hap të rëndësishëm përpara në rregullimin e tregut të punës dhe formalizimin e ekonomisë gri. Transmeton Tv Koha.
„Periudha rrjedhëse është dedikuar për adaptim teknik dhe institucional, me qëllim që implementimi i ligjit të jetë efikas, i harmonizuar dhe funksional në praktikë. Formalizimi i ekonomisë gri është përcaktim strategjik i Qeverisë dhe segment kyç i agjendës reformuese, sepse ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, stabilitetin e financave publike dhe mbrojtjen e punëtorëve”, theksoi ministri.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës edhe deri më tani ka zbatuar politika aktive përmes Planit operativ për punësim, por analizat kanë treguar se disa nga personat vazhdojnë të mbeten jashtë rrjedhave formale. Pikërisht për këtë arsye u miratua ky ligj, i cili paraqet reformë thelbësore në mënyrën e punësimit të kohëpaskohshëm dhe angazhimit sezonal të fuqisë punëtore.
Ligji vendosë model më fleksibël dhe më të thjeshtuar për angazhim legal të fuqisë punëtore, me kornizë të qartë juridike dhe procedura elektronike për lajmërim, çlajmërim dhe pagesë të kontributeve. Regullat e reja mundësojnë angazhimin e të punësuarve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur me këtë rast të drejtat e tyre tashmë të përvetësuara, duke përfshirë këtu edhe të drejtat e tyre sociale dhe të fëmijës, kompensime në para, pension, të drejtat nga sistemi arsimor.
Në fazën e parë, ligji i përfshin sektorët ku ekonomia gri është më e theksuar – bujqësia, pylltaria, peshkimi, objektet akomoduese, veprimtaritë shërbyese për ushqim dhe veprimtaritë në amvisëri. Pritjet janë për formalizimin e deri në 12.000 punëtorëve sezonalë në bujqësi dhe rreth 5.400 punëtorë të palajmëruar në turizëm, hotelieri dhe shërbimet, gjë që gjithsej përfshin rreth 17.400 persona.
„Kjo reformë sjell përfitime konkrete si për punëtorët ashtu edhe për punëdhënësit. Punëdhënësit fitojnë fleksibilitet dhe procedurë të thjeshtuar administrative, ndërsa punëtorët fitojnë pagesa për orë, kontribute të sigurimit pensional dhe invalidor, kontribut shtesë në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në rast lëndimi në punë ose sëmundje profesionale, si dhe mbrojtje të qartë juridike të të drejtave të tyre”, tha ministri.
Ministri Durmishi shprehu mirënjohje të veçantë për Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) për mbështetjen profesionale dhe teknike, si dhe për Agjencinë e Punësimit, Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike, si dhe për të gjitha institucionet që kontribuan në vendosjen e sistemit funksional dhe efikas.
Lajme nga vendi
Hotelierët në RMV kërkojnë shtyrjen e Ligjit kundër duhanpirjes: Së pari fushatë, pastaj zbatim
Së pari fushatë dhe më pas zbatim të Ligjit kundër duhanpirjes, kërkuan hotelierët në takimin me sekretarin e shtetit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Siç informoi sot Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, me gjatë do të mbahet një takim tjetër javën e ardhshme, në të cilin ai dhe ministri i Shëndetësisë Azir Aliu do të jenë të pranishëm, dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë, transmeton Portalb.mk.
Durmishi nuk tha nëse është e mundur të shtyhet zbatimi i Ligjit, i cili supozohet të fillojë më 1 mars, por vuri në dukje se qëllimi është të kujdeset për shëndetin publik.
Në takimin e ardhshëm, theksoi ai, do të merret vendim që do të pranohet nga të gjitha palët e interesuara, përfshirë hotelierët.
“Kemi dëgjuar vërejtjet e hotelierëve të cilët kërkuan një periudhë të caktuar kohore deri në hyrjen në fuqi të Ligjit, domethënë, të shkohet fillimisht me një fushatë dhe pastaj me informacion deri në fillimin e zbatimit, në mënyrë që ata të jenë në një farë mënyre të përgatitur. Do t’ua përsërisim atyre se cili është qëllimi dhe në fund do të marrim vendim që do të pranohet nga të gjithë palët e interesuara, përfshirë edhe hotelierët”, tha Durmishi, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas ngjarjes në Qeveri në të cilën u prezantua Ligji për Punësimin e Personave.
Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit parashikon një shtrëngim drastik të politikës shtetërore ndaj pirjes së duhanit dhe produkteve të duhanit.
Përveç ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës, projektligji i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë parashikon edhe ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës.

