Lajme nga vendi
Kasami: Kovaçevski nuk ka kapacitet për të udhëhequr me Qeverinë
Kryeministri i vendit e dhe njëherë përkujtoi në rendësin e ndryshimeve kushtetuese, duke rikujtuar se ky nuk do të jetë vendimi i fundit që duhet ta miratojnë deputetët në rrugën e vendit drejtë BE-së. Sipas tij deputetët i presin edhe një sërë vendimesh të rënda. Ndërkohë që nënvizoi se çdo kundërshtim i këtyre vendimeve përfshi edhe ato kushtetuese nënkupton vendim kundër ardhmërisë evropiane të vendit. Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski janë të papranueshme kushtëzimet e ndryshimeve kushtetuese me zgjedhje të parakohshme parlamentare,. I pyetur për deklaratat e djeshme të kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, Kovaçevski tha se zgjedhje do të ketë në vitin 2024.
“Levica tanimë ka marr pengë VMRO-DPMNE-në, unë nuk dua të besoj se zoti Kasami është vënë në pozicion që të bëhet peng i Levicës. E përsëris dhe njëherë se do të ketë numër të madh të vendimeve të cilat do të duhet të miratohen në Kuvend, ndryshimet kushtetuese nuk janë vendimi i fundit, dhe kushtëzimi i atyre vendimeve për ardhmërinë e këtij vendi dhe gjeneratave të ardhshme që të jetojnë në Bashkimin Evropian, ku ka prosperitet ekonomik, ku ka drejtësi sociale nënkupton frenim të ardhmërisë së vendit”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Mënjëherë ka reaguar kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami.
“E kuptojmë që kryeministri Kovaçevski është në situatë të pa lakmueshme dhe duke mos pasur kapacitetin politik dhe legjitimitetin për të udhëhequr me Qeverinë e vendit, ai devijon qëndrimet politike të Lëvizjes BESA. Kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare është kërkesë e shumicës së qytetarëve, pasi që kjo qeveri nuk buron nga legjitimiteti i marrë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, prandaj nuk duhet që kryeministri t’i përzien tezat për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjet e parakohshme. Ndërsa, kur flasim për ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA edhe njëherë riafirmon qëndrimin e saj se kërkon që të hiqet termi “20%” dhe të zëvendësohet me termin “gjuha shqipe”. I nderuar kryeministër, çdo kush që është kundër gjuhës së një populli e sidomos në rrethanat e Maqedonisë së Veriut detyrimisht është edhe kundër vlerave evropiane dhe Bashkimit Evropian, thuhet në reagimin me shkrim të kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Ndërsa nga VMRO-DPMNE thonë se mbështesin çfarëdo iniciative të sinqertë për rrëzimin e pushtetit.
“Mendojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme gjatë vitit të ardhshëm janë të pashmangshme, për shkak se situatat janë alarmante dhe do të kemi situatë edhe më dramatike, kemi ende vend të bllokuar në korrupsion, krim dhe krizë ekonomike, vend pa negociata në BE dhe me një sërë kushtëzimesh që të njëjtat të fillojnë, mirë do të ishte që Kovaçevski vetë të tërhiqet dhe të mos e rrezikojnë më tepër shtetin”, deklaroi Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka paralajmëruar intensifikimin e konsultimeve për ndryshimet kushtetuese për javën e ardhshme. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kreu i diplomacisë tha se procesi do të nisë në momentin që të krijohet një shumicë prej dy të tretash. Ai ka sqaruar se pikërisht për votimin e parë nga tre të parapara, sipas procedurës për ndryshime kushtetuese, pra për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës, nevojitet një shumicë prej 80 deputetësh. Osmani shprehu besimin se ndryshimet kushtetuese për hyrjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve do të votohen vitin e ardhshëm.
Lajme nga vendi
Një burrë 62-vjeçar nga Tetova ka ndërruar jetë pas komplikimeve nga gripi, njofton ISHP
Në periudhën nga 26 janari deri më 1 shkurt është raportuar një rast vdekjeje i lidhur me gripin, njofton Instituti i Shëndetit Publik në raportin javor. Bëhet fjalë për një burrë 62-vjeçar nga Tetova, i cili ishte i shtruar në repartin infektiv të Spitalit Klinik të Tetovës. Tek personi i ndjerë janë konstatuar komorbiditete dhe ai nuk ishte i vaksinuar kundër gripit sezonal, ndërsa laboratorikisht është konfirmuar Influenza A. Gjatë sezonit të gripit, deri më tani janë regjistruar gjithsej katër persona të vdekur të lidhur me gripin.
Në të njëjtën periudhë, në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 1.498 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 12,3 për qind më pak krahasuar me javën paraprake, kur ishin raportuar 1.708 raste. Krahasuar me javën e pestë të sezonit të kaluar, kur ishin regjistruar 3.036 raste, numri aktual është më i ulët për 50,7 për qind, ndërsa krahasuar me mesataren e javës së pestë sipas kurbës tipike epidemike të bazuar në 15 sezonet e fundit, ku numri ishte 2.656, është më i ulët për 43,6 për qind. Gjatë javës së pestë të vitit 2026, incidenca e regjistruar mbetet në kuadër të aktivitetit të ulët.
Sa i përket shpërndarjes sipas moshës, 866 persona janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 247 janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç, 224 janë persona mbi 65 vjeç, ndërsa 161 janë fëmijë të moshës 0 deri në 4 vjeç. Incidenca më e lartë, 166,8 raste për 100.000 banorë, është regjistruar tek fëmijët e moshës 0–4 vjeç.
Numri më i madh i të prekurve është regjistruar në Shkup me 473 raste, pasuar nga Prilepi me 146, Strumica me 139, Ohri me 99, Manastiri me 77, Shtipi me 70, Tetova me 63, Gjevgjelia me 61, Kumanova me 59, Dibra me 43 dhe Velesi me 36 raste. Në Radovish, Kërçovë, Kavadar, Strugë, Gostivar, Resnjë, Negotinë, Sveti Nikollë, Kratovë, Krushevë, Vinicë, Demir Hisar, Probishtip, Koçan, Makedonski Brod, Pehçevë dhe Vallandovë, numri i të sëmurëve është më pak se 30, ndërsa në Berovë, Dellçevë dhe Kriva Pallankë nuk janë raportuar raste të gripit apo sëmundjeve të ngjashme me gripin.
Gjatë sezonit 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin ka arritur në 11.415. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, kur ishin raportuar 8.734 raste, ky numër është rritur për 30,7 për qind, ndërsa krahasuar me mesataren e 15 sezoneve të fundit prej 12.278 rastesh, është regjistruar ulje prej 7 për qind. Gjatë javës së pestë të vitit 2026 vazhdon trendi i rënies së numrit të të sëmurëve dhe incidencës javore, e cila mbetet në kuadër të aktivitetit të ulët. Të dhënat nga mbikëqyrja virologjike tregojnë se ka aktivitet gjeografik rajonal të virusit të gripit, ndërsa përqindja e pozitivitetit është mbi 10 për qind për tetë javë radhazi, çka tregon se gripi në Maqedoninë e Veriut ka intensitet të mesëm. Deri në javën e pestë, në vend janë vaksinuar gjithsej 79.105 persona me vaksinë falas ose komerciale kundër gripit.
Lajme nga vendi
Arrestohet mashtruesi që i “dogji” qytetarët 60 mijë euro, me aksidente të rreme trafiku
Më 04.02.2026, nga ana e zyrtarëve policorë të Departamentit të Policisë Kriminalistike pranë SPB Shtip, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike, janë ndërmarrë masa operative-taktike për zbardhjen e veprave penale të mëparshme Mashtrim, që lidhen me aksidente të rreme trafiku.
Gjatë veprimeve, është privuar nga liria P.S. (38) nga Ohri. Pas zhvillimit të bisedës zyrtare, P.S. ka sqaruar mënyrën, vendin dhe kohën e kryerjes së nëntë veprave penale, prej të cilave gjashtë në Shtip dhe tre në Vinicë, me ç’rast personat denoncues janë dëmtuar për rreth 3.600.000 denarë.
Në Prokurorinë Themelore Publike Shtip është dorëzuar kallëzim penal me procedurë urgjente, ndërsa me propozim të PTHP Shtip, P.S. është dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit.
Lajme nga vendi
Mullirit në Shkup i shkon fatura 260 mijë euro, në vend të miellit “bluante” Bitcoina
EVN Elektrodistribuimi njoftoi se përmes gjetjes së një eksperti dhe kontrollit të ushtruar në një objekt biznesi, është vërtetuar një vjedhje e rëndë e energjisë elektrike direkt nga trafo-stacioni. Nga atje informojnë se ekipi për zbulimin e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike ka kërkuar asistencën e MPB-së dhe përfshirjen e një eksperti, për shkak të dyshimeve për vjedhje të energjisë në një objekt biznesi në rrugën “Butelska” në Shkup.
Bëhet fjalë për një objekt biznesi, ish-mulli, i cili përdorej për furnizimin e paautorizuar të sistemeve me karta grafike për “gërmimin” e bitkoineve.
”Është përpiluar procesverbali për përdorim të paautorizuar, është përgatitur gjetja dhe opinioni nga eksperti i autorizuar dhe është dorëzuar kallëzim në MPB për marrjen e paautorizuar të energjisë elektrike sipas nenit 235-a të Kodit Penal. Gjithashtu, është përgatitur fatura për dëmshpërblim në vlerë prej 16 milionë denarësh”, thuhet në njoftimin e Elektrodistribuimit.

