Lajme nga vendi
Moti sot do të jetë me diel dhe vranësira të vogla
Moti sot do të jetë me diel me vranësira të vogla deri në mesatare. Paradite nëpër fushëgropa do të ketë paraqitje të mjegullave ose vranësirave, por gjatë ditës do të fryejë erë mesatare veriperëndimore, e cila do të shkaktojë ulje të kushteve për mot me mjegulla nëpër fushëgropa.
Temperatura maksimale do të jetë në interval prej 6 deri në 16 gradë Celsius.
Në Shkup do të ketë paraqitje të mjegullave ose vranësirave të vogla, që gjatë ditës do të zvogëlohen dhe do të mbizotërojë mot me diell me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryejë erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 10 gradë Celsius.
Nesër dhe të dielën do të mbajë mot stabil, ndërsa nëpër fushëgropa edhe më tej do të ketë paraqitje të mjegullave dhe vranësirave të vogla me intensitet të ndryshueshëm. Të hënën paradite akoma do të ketë mjegulla, ndërsa nga fundi i ditës dhe të martën do të mbizotërojë mot me vranësira me reshje të përkohshme të shiut ndërsa në male të borës dhe do të fryejë erë mesatare deri në të përforcuar nga drejtimi jugor.
Lajme nga vendi
Qeveria u merr licencat 6 kompanive të kanabisit
Gjashtë kompanive u janë marrë licencat për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Tek to u konstatuan mospërputhje, kumtoi sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në konferecën për shtyp në Qeveri.
Janë marrë licencat, siç tha, e Alfafamit, e cila ishte e përfshirë në kontrabandën e marihuanës në Serbi, pastaj të Grin llajf, CBD medplant, Llajf plant, Atafarm dhe Kanabidois.
“Vendimet e Qeverisë bazohen në gjetjet e kontrolleve të kryera – magazinim jo i duhur i lules së tharë, njoftime jo konsistente ndaj Komisionit, mosparaqitje e dokumentacionit të plotë për shitje dhe transferim”, potencoi Aliu.
Përveç kontrolleve të kryera deri më tani në 13 subjekte juridike, Aliu paralajmëroi kontrolle në të gjitha 43 subjektet juridike të cilat kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore.
Për shkak të lëshimeve dhe kepërdorimeve të mundshme të identifikuara në rregulloret ekzistuese ligjore, Aliu njoftoi një zgjidhje të re ligjore që do të miratohet kur të përfundojnë kontrollet në të 43 subjektet ligjore.
“Kemi detektuar lëshime në ligj dhe do të kemi një zgjidhje të re ligjore që nuk do të mund të keqpëroren. Këtë do t’ua lëmë ekspertëve, por do të kemi një zgjidhje ligjore e cila do të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe atë që mungon në terren”, tha Aliu.
Lajme nga vendi
Fillon procesi për kthimin e tatimit të solidaritetit, kompanitë duhet të dorëzojnë kërkesë në DAP
Shteti gjatë muajit të ardhshëm duhet të paguajë pjesën e parë të tatimit të solidaritetit, të cilat kompanitë e kanë paguar në vitin 2023 në përputhje me Ligjin për tatimin e solidaritetit.
Nga Ministria e Financave deklaruan për MIA-n se ka filluar procesi për rimbursimin e fondeve të paguara në përputhje me Ligjin për tatimin e solidaritetit. “Është miratuar një Rregullore për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi formën dhe përmbajtjen e formularit të kërkesës për rimbursimin e taksës së paguar tepër ose të mbledhur gabimisht dhe është publikuar tashmë në Gazetën Zyrtare. Kompanitë duhet të dorëzojnë kërkesë për rimbursimin e fondeve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike”, njofton Ministria e Financave.
Me Ligjin për tatimin e solidaritetit ishin të përfshira kompanitë që në vitin 2022 gjeneruan të ardhura prej më shumë se 615 milionë denarë dhe në përputhje me Ligjin, rreth 50 milionë euro u paguan në Buxhet në vitin 2023 nga 156 kompani. Pasi Gjykata Kushtetuese e anuloi Ligjin, shteti ishte i detyruar të kthente fondet që u paguan në Buxhet në bazë të Ligjit. Bazuar në këtë Vendim të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave u udhëzua nga Qeveria që të vazhdonte së bashku me kompanitë për të përcaktuar një modalitet për kthimin e fondeve, ku u përcaktua që kthimi i fondeve do të bëhej në dy këste, gjegjësisht në mars të vitit 2026 dhe në mars të vitit 2027
Lajme nga vendi
Paga minimale prej 600 eurosh nuk kaloi në komisione! Deputetët do të vendosin në seancë plenare
Ndryshimet ligjore për rritjen e pagës minimale në 600 euro, të propozuara nga LSDM-ja, nuk kaluan në Komisionin për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike, as në atë ligjvënës-juridik. Nuk kaloi as propozimi për dialog trepalësh, përkatësisht debat publik para deputetëve në Kuvend mes punëdhënësve, sindikatave dhe Qeverisë.
-Ju lutem të votojmë. Kush është për?
Tre.
-Kush është kundër?
Asnjë.
-A ka ndonjë të përmbajtur?
Nuk ka.
-Konstatoj se propozimi nuk pranohet.
Edhe pse propozimi nuk kaloi në komisione, megjithatë për të deputetët do të vendosin në seancë plenare.
Debati kaloi me përpjekjet për bindje dhe argumente nga ana e opozitës pse duhet të rritet paga minimale. Propozimi i LSDM-së është që minimalja nga marsi i këtij viti deri në marsin e vitit të ardhshëm të rritet në 36.960 denarë, ndërsa me rritjen e minimaljes të harmonizohen edhe të gjitha pagat e tjera.
“Së bashku ta dërgojmë atë mesazh se kur bëhet fjalë për qytetarët, kur bëhet fjalë për punëtorët, nuk do të ketë ideologji politike që mund të na ndajë, sepse nëse për shumë çështje të tjera që janë në interes të partive politike mund të gjejmë zgjidhje ligjore që do të ishin konsensus, do ta përmend Kodin Zgjedhor, atëherë pse të mos mund të kemi ndonjë konsensus rreth ligjit për pagën minimale”, pohoi Oliver Spasovski, deputet LSDM.
Deputetët e pushtetit nuk debatuan në shqyrtimet komisionale. Vetëm deputeti nga ZNAM, Mile Cekov, shprehu qëndrim personal se paga minimale duhet të rritet.
“Paga jonë minimale sot është më e ulëta në rajon, edhe pse produktiviteti për orë pune, që është 34 dollarë, ndoshta është një nga më të lartët në rajon. Për shembull në Serbi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi kanë pagë minimale më të lartë se Maqedonia, ndërsa produktivitet më të ulët për orë pune krahasuar me punëtorin tonë”, Mile Cekov, deputet Lëvizja ZNAM.
Ndërkaq, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i la afat Qeverisë dhe punëdhënësve deri në fund të shkurtit që të bien dakord për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Në të kundërtën, për mars paralajmërojnë edhe një protestë tjetër, por edhe grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.

