Lajme nga vendi
KShPK demanton ministrin Osmani: Pretendimet për keqpërdorimin e makinave zyrtare janë të bazuara në raportin e Revizionit
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i demanton publikisht pretendimet e ministrit të Punëve të Jashtme të RMV-së, të publikuara më 20.01.2023 në Tv Alasat, ku Osmani kishte thënë se në MPJ nuk ka një raport të tillë siç është komentuar në opinion, në të cilin ndonjë revizorë i brendshëm konstaton, përkundrazi, sipas tij, auditori i brendshëm thotë se në krahasim me të kaluarën ka rregull. “Nuk ka raport të tillë, ndoshta është keqinterpretim”, kishte thënë Osmani, transmeton Portalb.mk.
Ndërkohë sot nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thonë se pretendimet e veta i bazojnë në Raportin Përfundimtar të nxjerrë nga revizioni i kryer i rregullsisë së shpenzimeve të deklaruara për automjetet zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga data 01.08 deri më 31.10.2021 (në proces zgjedhor) me numër 58-13627/ 22-1 nga 29.04.2022, dorëzuar në KShPK më 03.05.2022.
Nga KShPK thonë se në Përmbledhjen ekzekutive për ministrin, renditen gjendjet që tregojnë se:
Nuk ka person kompetent të caktuar për mbajtjen e evidencës së automjeteve dhe pajisjeve dhe servisimin, regjistrimin dhe sigurimin e tyre;
Nuk mbahen shënime se cili person drejton cilin mjet zyrtar dhe as nuk bëhen urdhra udhëtimi me shënimin e të dhënave për kilometrat e kaluar;
Përdorues të caktuar të automjeteve zyrtare nuk kanë ofruar dhe dorëzuar dokumente kontabël të rregullta dhe të besueshme në departamentin e çështjeve financiare;
Nuk është krijuar asnjë sistem për të kontrolluar përdorimin dhe shfrytëzimin e karburantit të automjeteve zyrtare.
“Kjo është në kundërshtim me pretendimin e ministrit se nuk ka një raport të tillë nga “ndonjë” revizorë i brendshëm dhe se KShPK po i keqinterpreton pretendimet. Duke marrë parasysh pretendimet nga Raporti, Komisioni Shtetëror ka miratuar Vendimin përkatës nr. 12-.436/1 23.01.2023″, thuhet në demantin e KShPK-së.
Katica Nikollovska nga Anti Korrupsioni një javë më parë deklaroi se nga dokumentet e marra nga Revizioni i brendshëm në MPJ konstatohet se gjatë periudhës zgjedhore, MPJ ka pasur 15 automjete të saja dhe dy i ka marrë nga Agjencia e Zbulimit. Por për këto automjete ministria nuk mban asnjë evidencë për përdorimin e tyre pasi nuk ka pasur person të angazhuar i cili duhej të kujdeset për automjetet, mënyrën për përdorimin e tyre, gjendjen teknike dhe higjienën. Por se nuk mund të vërtetohet shpenzimi mesatar i një automjeti, se për cilat automjete sa lëndë djegëse është mbushur dhe harxhuar gjatë periudhës së kontrolluar. Mungojnë edhe evidenca të rregullt për kilometrat e kaluar të automjeteve si dhe leje për udhëtim me ta.
“Gjendjet e këtilla shërbimi për revizion të brendshëm pranë ministrisë i ka vlerësuar me rrezik të lart ligjor, respektivisht me rrezik të mos respektimit të akteve ligjore dhe nënligjore, respektivisht rrezik nga mosrespektimi i rregullativës ligjore në periudhën e kontrolluar, me rrezik të lartë financiar si dhe me rrezik të shpenzimit pa dedikuar të mjeteve buxhetore dhe me rrezik të lartë personal, respektivisht sjellje joetike dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për tejkalimin e këtyre shërbimi për revizion të brendshëm ka dhënë katër reskomandime ndaj personave udhëheqës të ministrisë”, tha Katica Nikollovska, Anti korrupsioni.
Automjetet zyrtare i kanë drejtuar persona nga kabineti i ministrit, zv/ministrit, sekretari shtetëror dhe drejtori i drejtorisë për punë organizative. Kryetarja e Anti Korrupsionit, Biljana Ivanovska thotë se edhe më tragjik është fakti që Ministri Bujar Osmani gjatë zgjedhjeve në orar të punës ka udhëtuar dhe ka mbajtur aktivitete partiake.
“Ajo që shikohet në xhirim, do e komentoja, Ministri i Punëve të Jashtme jo që e përdor automjetin për aktivitete partiake, por edhe nga shtabi i partisë së tij jep deklaratë për punë shtetërore, që aspak nuk është në pajtueshmëri me kodeksin etike për anëtarët e qeverisë, sepse atje thuhet se derisa është në orar të punës, çdo bartës i funksioni publik, duhet ta kryej funksionin e tij, ndërsa aktivitetet zgjedhore duhet të kryhen pas përfundimit të orarit të punës. Që do të thotë se ky jo vetëm që e ka përdorur automjetin për të shkuar kudo që duhet, ai nga shtabi zgjedhor i partisë së tij jep deklaratë lidhur me funksionimin e shtetit”, tha Biljana Ivanovska, Kryetare Anti Korrupsion.
Nga Anti Korrupsioni thonë se përdorimi i veturave zyrtare gjatë zgjedhjeve është vërejtur edhe tek Ministri i Mjedisit jetësor. Megjithatë thonë se dokumentet tregojnë që për dallim nga Ministria e Punëve të Jashtme, ministria e Mjedisit jetësor i ka miratuar të gjitha aktet për përdorimin e automjeteve zyrtare. Nga anti korrupsioni do të kërkojnë nga zv/kryeministrja për Krijimin e politikave të mira, Sllavica Gërkovska, të ngre iniciativë për procedurë për përgjegjësi për Ministrin e Punëve të Jashtme dhe për Ministrin e Mjedisit Jetësor.
Mirëpo kundër pretendimeve të Komisionit Kundër Korrupsionit doli shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.
“Në rastin tonë, në MPJ nuk ka një raport të tillë siç është komentuar në opinion, në të cilin një auditor i brendshëm konstaton, përkundrazi, auditori i brendshëm thotë se në krahasim me të kaluarën ka rregull. Nuk ka raport të tillë, ndoshta është keqinterpretim”, tha Osmani.
Lajme nga vendi
BDI: QEVERI PËR OLIGARKËT, KUNDËR QYTETARËVE
Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një press-konference, sic thonë, del me fakte konkrete që tregojnë se si qytetarët dëmtohen në kohë krize energjetike.
Ndërkohë që në bursat ndërkombëtare çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme prej rreth 10%, sipas BDI-së, në vendin tonë qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë çmime më të larta gjatë gjithë javës.
Arsyeja është e qartë – Komisioni Rregullator për Energjetikë vazhdon të zbatojë një model të vjetruar, të bazuar në mesataren e javës së kaluar, në vend që të reagojë në kohë reale, thonë nga BDI.
Kjo praktikë shkon drejtpërdrejt në favor të interesave të caktuara biznesore, në dëm të qytetarëve.
Për këtë arsye BDI kërkon:
* Ndryshim të menjëhershëm të rregullores për përcaktimin e çmimeve
* Vendosjen e përllogaritjes së çmimeve të paktën dy herë në javë
Faktet janë alarmante:
* Konsumi javor: rreth 12 milionë litra naftë
* Diferenca në çmim: rreth 9 denarë për litër
* Kosto shtesë totale: mbi 1.5 milion euro vetëm për një javë
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset e vogla paguajnë miliona më shumë, ndërkohë që dikush përfiton nga një sistem që nuk funksionon si duhet.
Në fund, shtrohet një pyetje e thjeshtë:
Në interes të kujt punon Qeveria – të qytetarëve apo të disa kompanive të privilegjuara? – thonë nga BDI-ja.
Lajme nga vendi
ARINJTË BËJNË KËRDI NË STANET E SHIPKOVICËS!
Pronat e banorëve lokal në Stanet e Shipkovicës, kanë qenë pre e arrinjve.
Në pamjet që arriti t`i sigurojë Tv Koha, shihen dëmtime të objekteve në këtë lokalitet, mbase për shkak se arrinjtë kishin qenë në kërkim të ushqimit.
Vërehen dëmtime të derëve, dritareve dhe xhamave të thyera, por edhe njolla gjaku, me siguri pasi kafshët janë prerë nga xhamat.
Nuk është kursyer asnjë objekt tek Stanet e Shipkovicës. Arrinjtë kishin bërë cmos që të gjejnë ushqime dhe nuk kanë kursyer as edhe orenditë e staneve.
Rasti është alarmuar edhe tek autoritetet.
Drejtori I Parkut Kombëtar Mali Sharr, Evzal Elmazi, ka njoftuar se me kolegun Milorad Andrijeski ka realizuar monitorim të gjendjes faktike në terren te stanet e Shipkovicës, pas raportimeve për dëme të shkaktuara nga arinjtë në pronat e banorëve lokal.
Pasi janë evidentuar dëmet, janë zhvilluar takime me disa nga banorët dhe pronarët për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të koordinuar hapat e mëtejmë.
“Parku Kombëtar Mali Sharr mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e faunës së egër dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm me komunitetin lokal në drejtim të parandalimit të rasteve të ngjashme” – thotë Drejtori Evzal Elmazi.
Lajme nga vendi
Mickoski do të kërkojë ministra të rinj me “vlerë të shtuar” për rikonstruimin e Qeverisë
Hristijan Mickoski njoftoi një ristrukturim qeveritar për majin dhe qershorin e vitit 2026, të përqendruar në efikasitetin e ministrave dhe konsolidimin e brendshëm të partnerëve. Ndryshimet kryesore ndikojnë në resorët e koalicionit VLEN, ndërsa hyrja e subjekteve të reja politike në shumicën parlamentare refuzohet me vendosmëri.
Ky është konteksti më i gjerë i ristrukturimit dhe rifreskimit të paralajmëruar. Edhe pse Mickoski i paraqet marrëdhëniet brenda qeverisë si “jashtëzakonisht korrekte”, zgjedhja e termit “korrekte” në vend të, le të themi, “të mira“, njoftimi i ndryshimeve sugjeron nevojën për një rinisje politike dhe vlerësim të performancës së deritanishme.
Procesi nuk do të jetë vetëm rotacion teknik, por një riorganizim strategjik para periudhës së verës, me qëllim forcimin e kapacitetit administrativ të ministrive dhe për t’iu përgjigjur trazirave të brendshme midis partnerëve, por edhe për shkak të agjendës së reformave që lidhen me integrimin evropian, për të cilën tashmë ka shenja se po hyn në një fazë kritike.
Emri më i ekspozuar në kontekstin e zëvendësimit është ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani. Pozicioni i tij është lëkundur për shkak të disa faktorëve kryesorë, ndër të cilët pakënaqësia e hapur e partisë së tij amë BESA dhe liderit Bilall Kasami me punën e tij në degën ekzekutive dhe prania kontroverse në një darkë iftari në Tiranë të organizuar nga Edi Rama, ku u fotografua me liderin e BDI-së opozitare, Ali Ahmeti.
Edhe pse Hristijan Mickoski paraprakisht e mbrojti Fatmir Limanin si një “vlerë të shtuar”, deklarata e tij e fundit se të gjitha çështjet do të “vendosen në tryezë” tregon se kryeministri është gati të sakrifikojë ministrin për të ruajtur paqen në koalicion dhe për të përmbushur kërkesat e Bilall Kasamit, megjithëse në një deklaratë paraprake ai ishte mjaft kategorik kur tha “Unë e formoj qeverinë”.
Po bëhet e qartë se koalicioni VLEN po bëhet një “lidhje e dobët” në qeveri për shkak të ambicieve të tij për t’u bashkuar në një entitet të vetëm politik, pra një parti, gjë që po shkakton shkëndija midis krahëve të ndryshëm në koalicion.
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili është pjesë e strukturës së Arben Taravarit, përballet me një të ardhme të pasigurt për shkak të avokimit të tij për konceptin e “Aleancës së Re” dhe presidencës me rotacion, gjë që bie ndesh me planet e Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit të VLEN për të krijuar një parti homogjene.
Këto luftëra të brendshme për pushtet ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e partnerit shqiptar në qeveri. Riorganizimi i majit do të shërbejë si një mekanizëm për të filtruar personelin që nuk është i lidhur me hierarkinë e re të partisë VLEN, veçanërisht pasi Izet Mexhiti tashmë është larguar nga pozicionet qeveritare për të marrë përsipër komunën e Çairit, dhe ishte mjaft e qartë se ai ishte indi lidhës më i fortë i atij koalicioni.
Sigurisht, ZNAM nuk duhet të injorohet si pjesëmarrës në qeveri, veçanërisht pasi deputeti i kësaj partie Mile Cekov, në programin “360 Gradë” në RTVM, tha se pas dy vitesh si pjesë e koalicionit qeverisës, roli i ZNAM si korrigjues i qeverisë njihet gjithnjë e më pak.
Kjo, natyrisht, nuk do të kalojë pa konsultime mbi temën “çfarë po ndodh” midis Mickoskit dhe Maksim Dimitrievskit, të cilët padyshim do të kthehen edhe te “sjellja” e ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe ministrit të Administratës Publike Goran Minçev, të cilët tensionuan marrëdhëniet në koalicion me VLEN për çështjet e përdorimit të gjuhës shqipe dhe punësimit të shqiptarëve në shërbimet shtetërore./portalb.mk/
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

