Lajme nga vendi
Bashkësia Lokale e fshatit Sellcë me kërkesa konkrete për Ali Ahmetin dhe BDI-në (video)
Në vazhdën e takimeve me qytetarë, Ali Ahmeti dhe funksionarët e tjerë të BDI-së mbrëmë kanë qëndruar në Sellcë të Tetovës, dikur bastion i kësaj partie.
Në emër të Bashkësisë Lokale të këtij fshati është lexuar një letër në formë ultimatumi.
Në vazhdim ju prezantojm tekstin dhe videon e kësaj letre.
“Mirëmbrëma dhe mirë se na keni ardhur!
Jemi të nderuar me vizitën tuaj!
Sot e 22 vite fshati jonë ju pret e ju percjell me të njëjtat kërkesa, të cilat janë elementare për jetesë
Nga ky fshat, para 22 viteve, ju kërkuat bukë, ne ju dhamë, Nga ky fshat ju kërkuat t`i kapim ar mët, ne i kapëm
Nga ky fshat ju kërkuat të tërhiqemi, ne u tërhoqëm! Nga ky fshat, 22 vjet ju kërkuat përkrahje politike, ne ju dhamë!
Kërkuat njerëz me shkollë, se lu ftarët nuk e njohën politikën, ne ua dhamë!
Jua dhamë që të shpërngulen nga fshati ynë dhe neve na lanë në mjerim, për të vuajtur edhe sot për kushtet elementare për jetesë
Ju u gëzuat, ne nuk u gëzuam
Ne edhe njëherë i shtrojmë këto kushte për ju dhe të jeni të bindur që do të jetë hera e fundit: sigurimi i ujit të pijshëm në fshat, rruga që lidh qytetin me fshatin, shkolla dhe salla e sportit.
Nëse këto kërkesa nuk realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme, të jeni i sigurt se banorët e fshatit tonë dijnë edhe të dënojnë, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit komunale. Nga Bashkësia Lokale e Fshatit Sellcë”./tetova1/
https://youtu.be/TIv2Fk1HVPE?list=PLxx09aT_r7Iqv3_D4CycgRitWHymD8H2p
Lajme nga vendi
Borxhi i shtetit ndaj sektorit privat arrin në 315 milionë euro
Në fund të qershorit, detyrimet e maturuara dhe të papaguara të institucioneve shtetërore, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, arritën në 692.523.113 euro. Krahasuar me fundin e dhjetorit të vitit 2025, detyrimet janë rritur për 26,37 milionë euro.
Rritje e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara është shënuar edhe në nivel tremujor, me 17,55 milionë euro, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, borxhet janë rritur për pothuajse 3 milionë euro.
Detyrimet e maturuara dhe të papaguara ndaj sektorit publik arrijnë në 344,5 milionë euro, rreth 15 milionë euro më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Në vendin e dytë janë detyrimet ndaj sektorit privat, shoqatave të qytetarëve dhe organizatave të tjera jofitimprurëse, të cilat arrijnë në pothuajse 315,2 milionë euro. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, ky borxh është rritur për 20,3 milionë euro.
Ndërkohë, borxhi i shtetit ndaj personave fizikë në fund të tremujorit të dytë ishte pak mbi 3 milionë euro, duke shënuar ulje krahasuar me fundin e dhjetorit. Ulje është regjistruar edhe te detyrimet e maturuara dhe të papaguara ndaj subjekteve jashtë vendit, të cilat në fund të qershorit ishin rreth 30 milionë euro.
Dy ndërmarrje shtetërore me mbi 171 milionë euro borxhe
Në mesin e institucioneve dhe ndërmarrjeve me detyrimet më të mëdha të papaguara, në krye është “MZ Infrastruktura”, me borxh prej rreth 91,4 milionë eurosh.
Në vendin e dytë është “MZ Transport”, me detyrime të maturuara dhe të papaguara prej pothuajse 80 milionë eurosh.
Kështu, vetëm këto dy kompani nën kontrollin shtetëror kanë së bashku mbi 171 milionë euro borxhe.
Në vendin e tretë është një institucion publik nga fusha e shëndetësisë – Shërbimi i përbashkët për nevojat e institucioneve shëndetësore – me borxh prej gati 35 milionë eurosh.
ESM – Prodhimi i energjisë elektrike ka detyrime prej 33,9 milionë eurosh, ndërsa ESM – Distribuimi rreth 30 milionë euro.
Lista e re e Ministrisë së Financave përfshin 903 institucione shtetërore, agjenci, komisione, komuna, kompani shtetërore, ndërmarrje publike lokale dhe të qytetit, shkolla, spitale, institucione të mbrojtjes sociale dhe kulturës, gjykata, fakultete, prokurori dhe ministri, të cilat kanë raportuar detyrime të maturuara dhe të papaguara.
Lajme nga vendi
Do të mbyllen 16 shkolla fillore, shtatori do të fillojë me rreth tre mijë nxënës më pak
Tre mijë nxënës më pak do të ulen këtë vit shkollor në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me vitin e kaluar, ndërkaq është paralajmëruar edhe mbyllja e 16 shkollave fillore, kryesisht shkolla periferike në vendbanime rurale.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) prej kohësh ka paralajmëruar riorganizimin e rrjetit të shkollave, ndërsa nga ky institucion thonë se procesi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për shkak të rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve.
Kjo është lista me shkollat që pritet të mbyllen.

Nga MASH-i, për Portalb.mk sqaruan se qytetarët duhet të kenë parasysh se ministria nuk i mbyll drejtpërdrejt shkollat, por u sugjeron komunave se cilat shkolla duhet të mbyllen për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
Sipas MASH-it, bashkimi i shkollave periferike me ato qendrore synon që fëmijët të kenë më shumë mundësi për shoqërim dhe ndërveprim me bashkëmoshatarët, ndërsa njëkohësisht të shmangen shpenzimet shtesë për mirëmbajtjen e objekteve shkollore që kanë më pak se dhjetë nxënës.
Nga ministria shtuan se disa prej shkollave periferike nuk kanë as kushtet e nevojshme për zbatimin e teknologjive bashkëkohore në procesin arsimor, duke e konsideruar këtë një tjetër arsye për riorganizimin e tyre.
Por, për banorët e zonave rurale, mbyllja e shkollave nuk është vetëm çështje e optimizimit të sistemit arsimor. Ajo ngre edhe shqetësimin se fëmijët do të duhet të udhëtojnë disa kilometra për të ndjekur mësimin në shkollat qendrore, ndërsa familjet mund të kenë më shumë arsye për t’u larguar nga vendbanimet e tyre.
Kujtojmë se në qershor banorët e Kosternikut të Kumanovës protestuan para shkollës së fshatit, kundër paralajmërimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mbylljen e shkollave me numër të vogël të nxënësve në vend.
Në shkollën e tyre periferike “Vëllezërit Ribar”, procesin edukativo-arsimor zakonisht e ndjekin rreth dhjetë nxënës. Kjo e vendos shkollën në kategorinë e atyre që mund të mbyllen, bazuar në kriteret e paralajmëruara nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Megjithatë, shkolla periferike e “Vëllezërit Ribar” në Kosternik nuk është aktualisht në listën e shkollave që do të mbyllen këtë vit.
Banorët thonë se, në rast të mbylljes së shkollës, fëmijët do të duhet të udhëtojnë rreth shtatë kilometra deri në shkollën më të afërt. Sipas tyre, një vendim i tillë mund ta përshpejtojë edhe më shumë largimin e të rinjve nga fshati dhe emigrimin.
Në protestën e qershorit, banorja e Kosternikut, Lindita Azemi, foli për vështirësitë që do të sillte mbyllja e shkollës për familjet e fshatit. Si nënë e një vajze gjashtëvjeçare, ajo tha se do të ishte problem që fëmija i saj që nga klasa e parë të udhëtonte në Kumanovë.
“Qytetin e kemi larg gati shtatë kilometra nga këtu. Ne si prindër dhe si fshat jemi kundër mbylljes së shkollës”, u shpreh ajo.
Rënia e numrit të nxënësve nuk është problem vetëm i këtij viti shkollor. Sipas statistikave, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë.
Vetëm gjatë një periudhe pesëvjeçare, rreth 30 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. Krahas mbylljes së objekteve shkollore, ka rënë edhe numri i paraleleve, duke u reduktuar me dhjetëra çdo vit.
Lajme nga vendi
Nikolloski: Korridori 8 do të ndërtohet deri në Qafë Thanë, po kërkojmë trasenë adekuate
Autostrada e Korridorit 8 do të ndërtohet deri në kufirin Qafë Thanë, këtu nuk ka dilemë vetëm se duhet të gjendet se në cilën rutë. Kështu u shpreh ministri i transportit Aleksandar Nikollovski.
“Për korridorin 8 mesazhi është i qartë të gjendet alternativë tjetër ose nëse në bazë të rutës alternative, të gjendet rutë tjerët alternative nga kjo që ka qenë si alternativë në marrëveshje, e njëjta të diskutohet me Shqipërinë që edhe ata të mund të lidhen dhe në atë mënyrë të ndërtohet dhe ne për këtë problem komunikojmë intenzivisht me Shqipërinë dhe kemi shpalosur disa opsione. Kështu që autostrada do të ndërtohet. Nuk është më pyetja a do të ndërtohet por vetëm të gjendet ruta adekuate”, tha Nikolloski.
Ai shtoi se pjesa më e vështirë e autostradës Kërçovë-Ohër thuajse është gati dhe se nga fshati Izvor e deri në Vërbjan pritet të lëshohet në përdorim në muajin tetor. Sipas tij mbetet vetëm pjesa e Botunit për tu zgjidhur dhe pritet që në tremujorin e parë të vitit 2027 kjo autostradë të vihet tërësisht në funksion.
“Dy galeri janë përfunduar tërësisht. E treta është 70% e kryer, e katërta është 50% dinamikë, në Botun po punohen tunelet po vendoset softuer, sinjalizimi, sistemi i ventilimit, sistemi zjarreve dhe qendra moderne për kontroll i cili vendoset për rritjen e sigurisë dhe presim që në fillim te muajit tetor të kjo pjesë më e rëndë nga autostrada Kërçovë-Ohër të jetë e vendosur në funksion”, deklaroi Nikolloski.
Ndërkaq autostrada Tetovë Gostivar kilometrat e para pritet që të jetë gati vitin e ardhshëm, ndërkaq përfundimi në vitin 2029. Pjesa e dytë nga Gostivari në Bukojçan pritet poashtu të përfundojë në vitin 2029, ndërsa sipas ministrit po pritet edhe vendimi për pjesën nga Bukojçani në Kërçovë.

