Connect with us

Lajme nga vendi

Vonesat në marrjen e shtetësive, ku qëndron problemi?

Published

on

Maqedonia e Veriut është shtet i cili nuk i njeh qytetarët e vendit, këtë e ka dëshmuar me zvarritjen e shkaktuar për mos dhënien e shtetësive për një pjesë të qytetarëve, posaçërisht shqiptarëve. Me mijëra qytetarë e pjesa më e madhe prej tyre shqiptarë janë endur institucioneve me vite të tëra duke kërkuar të drejtën e tyre elementare nënshtetësinë. Personat që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe që nuk kanë shtetësi lirshëm mund kategorizohen si persona të “padukshëm”. Këto qytetarë përballen me probleme në çdo hap që e bëjnë, meqë jetojnë në këtë vend ata shfrytëzohen si taksa pagues por në shkëmbim të këtij shfrytëzimi nuk e marrin trajtimin e duhur: Për fat të mirë një ligj i tillë u votua dhe hyri në fuqi por fatkeqësisht ende po reflekton se është i pafuqishëm në zbatim, sepse përkundër faktit se ekziston një ligj i tillë paraqiten bllokada të tjera që zvarrisin këtë proces, njëra ndër pengesat kryesore vlerësohet të jetë Agjencia për Siguri Kombëtare, në krye me drejtorin, Viktor Dimoski, drejtori që deshi të bëhej ambasador por që veprimtaria e tij ishte në kundërshtim me dëshirën e tij, dhe nuk u bë. Parisin mund ta shikojë vetëm nga televizioni që e ka në zyrën e ASK-së, dhe nga ku po bllokohen nënshtetësitë për qytetarët shqiptarë, shkruan Zhurnal.

Ligji për shtetësi në fuqi por i pafuqishëm në zbatim-

Në ndihë të qytetarëve pa shtetësi dolën partitë opozitare atë kohë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kjo e fundit tani është pjesë e qeverisë. Këto dy parti që ishin në koalicion iniciuan një nismë për ndryshimin e ligjit, mbi bazën e të cilit sigurohet shtetësia në Maqedoninë e Veriut. Një vepër që do të mbahet gjatë kohë në mend nga partitë opozitare të cilat më shumë janë të heshtura e që nuk e marrin mundin për iniciativa të kësaj natyre, që janë të dobishme për shqiptarët.

Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, opozita shqiptare ka synuar që të gjithë personat që kanë qenë shtetas të ndonjërit nga shtetet e ish-Federatës Jugosllave, të cilët deri më 8 shtator të vitit 1991 (dita e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut), kanë jetuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, mund të kërkojnë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, duke marrë deklaratat e tre dëshmitarëve.

Por, edhe pas këtij ndryshim ligji sërish janë vërejtur problematika në zbatimin e ligjit të ri të miratuar në Kuvend, pasi ka qytetarë të shumtë që ende nuk shfrytëzuar këtë të drejtë elementare të tyre, marrjen e shtetësisë.

Advertisement

Nga kush është bllokuar marrja e nënshtetësive?

Asnjë zyrtar tjetër përveç Viktor Dimovskit, nuk ka numër të saktë sesa kërkesa për shtetësi presin mendim nga Agjencinë për Siguri Kombëtare(ASK). MPB gjithmonë pyetjet që kanë të bëjnë me aplikimet për shtetësi i drejton në ASK, ndërsa drejtori Dimovski kurrë nuk është përgjigjur për numrin e saktë. Kjo është edhe arsyeja pse në opinion, partitë shqiptare në Qeveri japin numra të ndryshëm, në të shumtën e rasteve shumë herë më të vogël sesa në fakt ka aplikime për shtetësi.

Burime zyrtare të gazetës Koha tregojnë se, për tre vite me radhë (2019, 2020 dhe 2021), përkundër aplikimit të rreth 3000 qytetarëve për shtetësi, shumë pak qytetarë për të mos thënë asnjë, kanë marrë përgjigje pozitive nga Viktor Dimovski. Mijëra lëndë të trashëguara që nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), ASK e tanishme ka shtuar dosjet që presin nënshkrimin e Dimovskit.

Ishte vet kryeministri Dimitar Kovaçevski ai që publikisht e gjykoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare për punë joproduktive në procedimin e kërkesave për shtetësi. Kovaçevski vitin e kaluar tha se i ka kërkuar Dimovskit përshpejtimin e procedurave. “E njoftoj drejtorin e ASK-së për kërkesën që ka për të përshpejtuar më procesin. Qytetarët duhet sa më shpejtë që mundet të furnizohen me ato shërbime, përkatësisht shtetësi. Nëse flasim për rritjen e produktivitetit në sektorin privat, atëherë duhet të flasim edhe për rritjen e produktivitetit tek sektori publik”, deklaroi Kovaçevski, duke përmendur numrin prej 20 mijë kërkesave për shtetësi që presin aminin e Agjencisë së Dimovskit

Sa qytetarë kanë qenë pa shtetësi, dhe cilat janë procedurat për aplikim?

Advertisement

Sa i përket numrit të qytetarëve që nuk kanë shtetësi, ndryshe nga autoritetet shtetërore, që deklaronin se nuk kanë të dhëna, partitë politike opozitare patën thënë se janë rreth 70 mijë qytetarë që janë pa shtetësi, e që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thoshte diku 2500 qytetarë nuk kanë shtetësi prej tyre numri më i madh rom, ndërkaq i fundit ishte kryeministri Kovaçevski i cili në një konferencë për media pati thënë se janë mbi 20 mijë kërkesa për shtetësi që janë mbajtur në sirtarë e që nuk janë shqyrtuar fare.

Por edhe nëse është edhe vetëm një qytetarë pa shtetësi ndaj tij bëhet padrejtësi, prandaj pavarësisht numrit duhet eliminuar kjo dukuri dëmtuese ku qytetarët në vend të vet në shtëpitë e tyre janë të pa njohur e të padukshëm për shtetin, madje shpesh herë janë cilësuar si të “rrezikshëm”.

Por pas gjithë kësaj torture të përjetuar e përballje me këtë padrejtësi ndër vite, u ngjallën shpresa edhe pse të zbehta sërish qytetarët po shpresojnë që përmes këtij ligji të ri secili prej tyre do të pajiset me shtetësi. Por, nuk është pritur ngjashëm nga bashkëqytetarët maqedonas, ka pasur reagime të shumta e të ashpra ndaj kësaj nisme, ku është etiketuar edhe si “veprim shovinist”.

“Në mënyrë artificiale mundësohet që 70 mijë kosovarë të marrin shtetësinë e Maqedonisë”, pati shkruar Dimitar Apasiev, kryetari i së Majtës. Por, ishte konsistenca e partive politike shqiptare opozitare të cilët shkaktuan bllokadë totale të Kuvendit deri në miratimin e ligjit. Me 57 vota “për” dhe 32 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Shtetësi.

Sipas ndryshimeve në ligjin për shtetësi, është paraparë që shtetësia të mund të merret me parashtrimin e dokumenteve personale, certifikatë të lindjes, librezë pune, fletë-pronësi, fatura për obligimet komunale, librezë shëndetësore, tatime të paguara si dhe disa dokumente të tjera.

Advertisement

Ata të cilët jetojnë në Maqedoni që para pavarësisë së shtetit, mjaftojnë të dorëzojnë një dokument si dëshmi, qoftë certifikatë të lindjes, dëftesë, dokument për tatim të paguar, letër njoftim ose pasaportë të IRFJ-së, librezë shëndetësore e dokumente të ngjashme. Ligji i ri bën lehtësime edhe për personat që e kërkojnë shtetësinë pas kurorëzimit, të cilët nuk duhet të dorëzojnë si më parë dokument për burim të vazhdueshëm të mjeteve financiare dhe dokument për pronë banimi.

Kujtojmë se, ligji i cili ishte në fuqi, ka qenë në dëm të qytetarëve të cilët kanë pasur problem me pajisje me shtetësi, e të cilët jetojnë në kushte mizore në këtë shtet. Sigurimi shtetëror i ka lënë mijëra njerëz pa shtetësi deri më sot, duke i karakterizuar ata si të rrezikshëm për shtetin, pavarësisht se kanë bërë edhe nga 70 vjet jetë në këtë vend. /Zhurnal.mk

Advertisement

Lajme nga vendi

Mashtrim me telefon për aksident të rremë trafiku, një 79 vjeçare nga Tetova pagoi 16.000 euro dhe 10.700 franga zvicerane

Published

on

Një banore e moshuar e Tetovës raportoi se ishte viktimë e një mashtrimi telefonik në lidhje me një aksident të pretenduar të vajzës së saj. Bëhet fjalë për një 79-vjeçare banore e Tetovës, e cila sipas raportit të policisë, ishte mashtruar me 16,000 euro dhe 10,700 franga zvicerane, njoftoi Ministria e Brendshme.

“Personi e kontaktoi atë me telefon, u prezantua si mjek dhe i tha se vajza e saj kishte shkaktuar aksident rrugor, në të cilin pësoi lëndime të rënda dhe se duhet të paguante për ndërhyrjen e nevojshme kirurgjikale. Siç raportohet, ajo ia hodhi paratë  një personi nga ballkon, dhe më vonë zbuloi se ishte mashtruar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme thotë se po merren masa për të sqaruar rastin.

Lidhur me mashtrimet e shpeshta telefonike në lidhje me aksidentet e dyshuara rrugore, Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se shënjestra janë qytetarët e moshuar. Ai paralajmëroi për kujdes më të madh dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i raportojnë këto raste në polici.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Aliu: Shëndetësia private do të duhet të hapë bazat e të dhënave të pacientëve

Published

on

Institucionet private të kujdesit shëndetësor do të detyrohen të hapin bazat e të dhënave për të monitoruar rrugën shëndetësore të çdo qytetari, njoftoi dje Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.

“Një komision tashmë po punon me ne, nëse ka pengesa ligjore që duhet të hiqen menjëherë, javën tjetër, dhe ne do t’u dërgojmë letër të gjitha institucioneve private të kujdesit shëndetësor nga data 15 e muajit të ardhshëm që të detyrohen të hapin bazat e të dhënave në mënyrë që të mund të mbledhim të gjithë informacionin ekzistues që ndodhet në institucionet e tyre. Kjo është e drejta e shtetit. Sepse çdo qytetar kontribuon drejtpërdrejt ose tërthorazi në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend dhe në Fond, dhe për këtë arsye, ne duhet të jemi të azhurnuar me rrugën shëndetësore të çdo qytetari të republikës sonë”, tha Aliu.

Ministri i bëri këto njoftime në konferencën e djeshme për shtyp, pas deklaratës së javës së kaluar nga kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Aliu tha dje se po formohet një komision me ekspertë nga tre vende të ndryshme, por jo nga fqinjësia, për të kryer kontrolle në institucionet private shëndetësore, por do të vazhdojë edhe në institucionet publike shëndetësore që merren me të njëjtën çështje.

Aliu tha se menjëherë pas deklaratës së profesor Kedev, u krijua një komision i brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, e gjitha me qëllim që të analizohen të gjitha protokollet dhe pistat e mundshme që dolën nga ajo deklaratë.

Advertisement

“Dhe ne arritëm në përfundimin se si Ministri e Shëndetësisë, duhet të krijojmë një komision për mbikëqyrjen e ekspertëve që do të përbëhet nga ekspertë nga jashtë vendit. Kur themi ekspertë nga jashtë, doja që ai komision të jetë vërtet i pavarur dhe ai raport nga ai komision i pavarur të jetë udhërrëfyesi ynë për të ardhmen, nëse ka indikacione të tilla – ato konfirmohen, në mënyrë që të mund të hiqen. Nevojitet mbikëqyrje urgjente e jashtëzakonshme sepse duhet të kemi të dhëna për të parë nëse ato indikacione janë të sakta dhe nëse janë të sakta, çfarë të bëjmë më pas. Në mënyrë që të mos ketë dyshim, zero dyshim, ne do të kërkojmë ekspertë nga vende si Sllovenia dhe vende të tjera evropiane. Do të jetë një komision prej tre ekspertësh. Nuk duam të kemi ekspertë nga një vend, i duam ata nga tre vende të ndryshme”, tha Aliu.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Përpara fillimit të vitit shkollor, mjekët apelojnë tek prindërit të vaksinojnë fëmijët

Published

on

Respektimi i vaksinimit të fëmijëve para nisjes së vitit shkollor është jetik për të shmangur shpërthime të rënda të virozëve apo sëmundjeve epidemike që mund të kërcënojnë shëndetin publik, shkruan Alsat.

Sipas institucioneve kompetente vaksinat janë të sigurta dhe janë arma më e fortë për mbrojtjen e imunitetit të fëmijëve.

Mjekët përveç vaksinimit, apelojnë që fëmijët në nisjen e vitit shkollor por edhe gjatë tërë vitit shkollor të jenë më të kujdesshëm në ushqyerjen e tyre dhe konsumimin e më shumë vitaminave të nevojshëm

“Një nxënës shkollor ose fëmijët që qëndrojnë në grupe normale është të kenë nga pesë deri në shtatë infeksione gjatë vitit dhe kështu ndërtohet sistemi imunologjik. Megjithatë apelet tona janë që ushqehen në mënyrë të shëndetshme,  më shumë lëngje, konsumim të vitaminave më shumë dhe shmangien e sa më shumë që të jetë e mundur të hapësirave të mbyllura, apo të jenë më shumë në hapësira të hapura”, tha Elena Gjinovska Tasevska.

Mjekët theksojnë se çdo vonesë apo refuzim i vaksinimit mund të hapë rrugën për rikthimin e sëmundjeve të rrezikshme. Mosvaksinimi i fëmijëve mund të jetë shkak që viruset të shpërthejnë më lehtë dhe vështir të parandalueshme.

Advertisement

Shpesh ndodh që prindërit refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, duke u ndikuar nga paragjykimet dhe dezinformatat që hasin në rrjetet online, të cilat shpesh përhapin frikë të pabazuar dhe keqkuptime për sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, duke e vendosur kështu shëndetin e fëmijëve të tyre dhe të komunitetit në rrezik.

Për të imponuar vaksinimin e fëmijëve, institucionet e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin e tyre si kusht nëse duan të regjistrohen nëpër çerdhe dhe shkolla. / Alsat.mk

Continue Reading

Më të lexuarat