Lajme nga vendi
Paga minimale në Maqedoni do të rritet për 2.175 denarë
Qytetarët do të marrin pagë minimale për 2.175 denarë më të lartë që me pagesën e pagave në muajin mars. Paga minimale do të jetë 20.175 denarë, njofton zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Momentalisht vijon Këshilli Ekonomiko-Social, ku përmes dialogut me sindikatat dhe punëdhënësit, vitin e kaluar u dakorduam për një zgjidhje sistematike dhe një Metodologji të re për rritjen e vazhdueshme të pagës minimale.
Është rezultat i kujdesit të Qeverisë për të gjitha kategoritë e qytetarëve. Të sigurojmë një standard të vazhdueshëm të qëndrueshëm jetese dhe të mbështesim fuqinë blerëse të qytetarëve tanë.
Kjo është e vetmja rrugë dhe mënyrë e drejtë për të garantuar drejtësinë dhe drejtshmërinë sociale – madje edhe në kohë krize ekonomike globale të paraprirë nga kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia.
Pas vitit 2017, kujdesi për vlerësimin e punës së punëtorëve u bë prioritet i Qeverisë dhe për këtë arsye u gjet zgjidhje për rritje sistematike të pagave, e cila e dyfishoi pagën minimale për vetëm gjashtë vjet dhe tani arrin në 20.175 denarë2”, shkruan Bytyqi në Facebook./Telegrafi/
Lajme nga vendi
BDI: Ministri i Drejtësisë po cenon rendin kushtetues dhe barazinë gjuhësore me përgjigjen e tij ndaj peticionit të studentëve
Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media dënon qëndrimin dhe deklarimet të ministrit të Drejtësisë, në lidhje me kërkesën e studentëve të juridikut, që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit tëjurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike”.
“Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, portë ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit”.
“Rikujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim”, thonë nga BDI.
Lajme nga vendi
Mijëra euro të falsifikuara dhe municion luftarak, arrestohet 19-vjeçari, iu sekuestrua edhe një makinë e vjedhur
Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi në banesën e tij u gjetën 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura.
Në kuadër të operacionit të koduar “Livadhet 3” u vu në pranga i riu, shtetasi Ornaldo Çerenishta.
Policia thotë se makina dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.
Ndërkohë policia vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.
Vihet në pranga një 19-vjeçar.
Sekuestrohen nga banesa e tij, 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, ne bashkepunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të vendimit të Gjykatës Shkodrër, finalizuan operacionin e koduar “Livadhet 3”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi: Ornaldo Çerenishta, 19 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara “Lvadhet 1” dhe “ Livadhet 2 “, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.
Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Lajme nga vendi
LAMM: Mjegull në disa rrugë, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë kryesisht të thata dhe herë pas here të lagura. Dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës deri në 50 metra vërehet në afërsi të Gjevgjelisë, deri në 100 metra në Strumicë, Negotinë dhe Saramzalinë dhe deri në 150 metra në Demir Kapi, njoftoi LAMM.
Të gjitha rrugët në vend janë të kalueshme.
Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare në anën e RMV-së, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, duke respektuar sinjalistikën e vendosur të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Delçevë.

