Lajme nga vendi
Moszbardhja e rasteve të vrasjeve rrit pasigurinë te qytetarët në Maqedoni
Autoritetet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut thonë se me intensitet po hetohet rasti i vrasjes së dyfishtë në një lokal në rrugën që lidh Kalanë me Çarshinë e Vjetër të Shkupit, megjithëse autorët e kësaj vrasjeje mbeten në arrati.
Kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të shqetësuar, veçanërisht prindërit, për sigurinë e të rinjve, të cilët e frekuentojnë këtë lokalitet gjatë orëve të mbrëmjes.
Emi Ivkovska, nënë e një djali 20-vjeçar, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas ngjarjes, edhe më shumë i është shtuar frika sa i përket sigurisë së të rinjve, veçanërisht gjatë daljeve në orët e vona.
Ajo thotë se kjo ngjarje po edhe shumë raste të tjera, të cilat kanë mbetur ende të pandriçuara në tërësi, bëjnë që bandat kriminele të veprojnë pa frikë madje edhe në sy të dëshmitarëve.
“Unë, si nënë, aspak nuk ndihem e sigurt për sigurinë e djalit tim për shkak të zhvillimeve të fundit – ekzekutimit në një ambient shumë të frekuentuar nga të rinjtë. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jetë më aktive për sa i përket zbardhjes së rastit me vrasjen e dyfishtë nga personat e maskuar. Organet sigurisë dhe ato të drejtësisë duhet të jenë më transparente dhe me emër e mbiemër të tregojnë se kush qëndron pas aktiviteteve kriminale, kush janë porositësit, ekzekutorët dhe motivet e zhvillimeve që përfundojnë me vrasje”, shprehet Ivkovska.
Gani Sinani thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk zbardhet rasti, kjo do të paraqesë një goditje për zejtarët dhe pronarët e lokaleve në Çarshinë e Shkupit, duke ndjellë frikë që të frekuentohet kjo zonë.
“Veç pikën e zezë duan t’ia qesin Çarshisë, incidenti nuk ka ndodhur këtu por në rrugën lart, që lidh Çarshinë me Kalanë. Nëse nuk zbulohet ky rast do të na dëmtojë të gjithëve”, thotë ai.
Mbrëmjen e 6 marsit, Jeton Krivanjeva i njohur me nofkën “Zhilla” dhe Enes Isejni, i njohur me nofkën “Llaci”, mbetën të vrarë në hapësirat e një lokali në afërsi të Kalasë në Çarshinë e Shkupit, kur ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri pesë persona të maskuar, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Gjatë të shtënave është plagosur rëndë edhe A.T. që punonte si kamerier në këtë lokal.
Dikasteri i policisë ka bërë të ditur se është duke punuar për zbardhjen këtij rasti, ndërkohë që autorët e vrasjes së dyfishtë ende janë në arrati.
Stefan Buxhakoski, ligjërues i Shkencave të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se moszbardhja e rasteve në tërësi bën që, për fat të keq, në liri të shëtisin persona me dosje të rëndë kriminale.
Ai, po ashtu, konsideron se mosefikasiteti i policisë jo vetëm që ngjall frikë te qytetarët, por njëkohësisht inkurajon kriminelët se mund të mbeten pa u ndëshkuar edhe pse kryejnë veprime të tilla.
“Kur kemi të bëjmë me preventivën te kriminaliteti i organizuar, çështje thelbësore mbetet efikasiteti i shërbimeve të sigurisë në raport me zbulimin e rasteve kriminogjene. Kjo do të thotë se aktivitetet kriminale duhet të shuhen me kohë dhe si të tilla të procedohen tek organet e drejtësisë”, thekson Buxhakoski.
Nga dikasteri i Policisë dhe Prokuroria deri tash nuk kanë dhënë detaje rreth pistave të hetimit e as për motivet e vrasjes së dyfishtë.
“Të gjitha provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar incizimet nga kamerat e sigurisë në objektin ku kanë ndodhur vrasjet, objektet përreth përfshirë edhe incizime nga sistemi ‘Qyteti i sigurt’.
Prokurori i rastit ka urdhëruar zhvillimin e bisedave informative me personin e plagosur dhe personat e tjerë, të cilët ishin të pranishëm në lokal gjatë kohës kur kanë ndodhur vrasjet”, është ky njoftimi i vetëm që ka bërë Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut.
E, në mungesë të informacioneve zyrtare, mediat në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar se personat e vrarë ishin pjesë e nëntokës kriminele.
Madje njëri nga ta, Jeton Krivanjeva “Zhilla” është raportuar se ka lidhje me sulmin e armatosur në një nga hotelet e Shkupit që u krye në vitin 2019, përkatësisht ai ishte pjesë e grupit ndaj të cilit është qëlluar me armë.
Njëherësh mësohet se tash më i ndjeri jeton Krivanjeva ka qenë njëri i afërt i Kamaer Idrizit, i cili gjithashtu mbeti i vrarë gjatë një sulmi me armë më 13 maj 2021.
Jeton Krivanjeva besohet se i ka takuar grupit të nëntokës së Gërçecit dhe ndaj tyre kanë shtënë grupi nga lagja e Hasanbegut, të njohur si “Bellanovca”.
Ish-zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë thonë se bëhet fjalë për dy grupe të nëntokës, që dëshirojnë të marrin kontrollin e Shkupit.
Ish-gjykatësi Bashkim Selmani thotë për Radion Evropa e Lirë se në momentin që rritet shkalla e varfërisë, ka njerëz që futen në botën e krimit veçanërisht duke marrë para me fajde, apo duke shitur lëndë narkotike.
“Faktikisht këto grupe rrisin dominimin edhe brenda shtetit po edhe jashtë. Në momentin kur ata kanë përplasje për sa i përket dominimit të shtrirjes gjeografike, vjen deri te përleshja e tyre, kjo nuk i bën mirë shoqërisë, pasi krijon pasiguri… Për sa i përket zbardhjes, ne në drejtësi themi se nuk ka krim pa gjurmë, po nëse shteti është indiferent atëherë ai është që humb gjurmë, në këtë rast nuk zbardh vrasjet mes bandave”, vlerëson Selmani.
Përplasjet mes dy grupeve, atij të Sarajit dhe Gërçecit, i njohur si “Grupi i Gërçecit” dhe grupit të Çairit dhe Haraçisë i njohur si “Grupi i Bellanocit”, që njihen për veprime kriminogjene, si shitja e lëndëve narkotike, dhënia e parave me fajde dhe vepra të tjera të paligjshme ka filluar që në vitin 2005.
Nga atëherë mes këtyre grupeve kanë ndodhur disa vrasje, por deri më sot kanë mbetur të pandriçuara nga autoritetet e sigurisë të Maqedonisë së Veriut./REL/
Lajme nga vendi
Një apel i munguar i maqedonasve – Çomovski: Maqedonasit duhet ta mësojnë shqipen
Gazetari Aleksandar Çomovski, në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, ka theksuar se për Maqedoninë e Veriut është e domosdoshme një qasje e re në marrëdhëniet ndëretnike, përmes futjes fakultative të gjuhës shqipe në sistemin arsimor.
“Teza ime është, e di që do të has në rezistencë, por dua ta përjetoj, për t’u futur fakultative gjuhën shqipe, duke studiuar në mjedise ku korrespondojnë të dy etnikumet, përfshirë edhe në nivel qendror”, deklaroi Çomovski.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në profilin zyrtar të Gazetës KOHA në YouTube
Lajme nga vendi
Pavarësisht mungesës së shqiptarëve në hartimin e propozim-ligjit, Janevska këmbëngul: S’ka nevojë për tërheqje të Ligjit
“Nuk ka nevojë të tërhiqet ligji sepse çdo tërheqje dhe shtyrje e kësaj zgjidhjeje ligjore është në dëm të arsimit të lartë në vend, dhe kjo do të thotë në dëm të studentëve dhe të rinjve, dhe, në përgjithësi, të të gjithë vendit”. Kështu tha sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse ligji i propozuar për arsimin e lartë do të tërhiqet për t’u shqyrtuar.
Siç tha ajo, nuk ka aq shumë vërejtje nga të gjitha universitetet, saqë një numër i caktuar përsëritet dhe se ato për të cilat profesorët kanë të drejtë do të korrigjohen. Ajo tregoi disa për të cilat tashmë ka marrëveshje për t’i ndryshuar.
“Për shembull, ligji thotë se para mbrojtjes së tezës së masterit, kandidati duhet të ketë botuar një punim në Web of Science. Pasi diskutuam me argumente se mund të mos ketë kohë për një gjë të tillë, ajo do të tërhiqet. Për mbrojtjen e një teze doktorature, kërkohej që tre punime të botoheshin në një revistë me faktor ndikimi, duke marrë përsëri parasysh kohën, përpjekjen që studenti i doktoraturës duhet të investojë, arritëm në përfundimin se edhe dy punime janë plotësisht në rregull. Ai tashmë ka filluar kërkimin shkencor, në titull, dhe është plotësisht në rregull të mbrojë tezën e doktoraturës, dhe pastaj të vazhdojë me karrierën e tij”, tha Janevska, e cila vizitoi sot Panairin e Arsimit dhe Karrierës.
Nga universitetet private, tha ajo, pati kundërshtime në lidhje me shumën e garancisë.
“Ky version i draftit thotë se garancia duhet të jetë 100 përqind, dhe ne kemi humbur që ata gjithashtu mund të ofrojnë një hipotekë. Ne do ta ulim garancinë në mënyrë të arsyeshme në 70 përqind dhe do t’u lejojmë atyre të ofrojnë një hipotekë si garanci. Vërtet ka lëshime në nene të caktuara të ligjit dhe ato duhet të sqarohen, por në të njëjtën kuptim, thelbi nuk duhet të ndryshohet. Për shembull, sa do të zgjasë akreditimi, çfarë do të ndodhë gjatë akreditimit të ri, etj. Këto janë kërkesa të arsyeshme dhe të gjitha do të pranohen. Por të tjerat, të cilat janë të diskutueshme dhe për të cilat profesorë të ndryshëm kanë mendime të ndryshme, grupi i punës do të takohet sa herë të jetë e nevojshme dhe do të merren vendime. Pastaj ligji do të jetë përsëri në ENER, por pastaj nuk pres më komente dhe do të hyjë në procedurë qeveritare”, tha Janevska.
Kur u pyet se çfarë do të ndodhë me studentët dhe profesorët nga universitetet private pas ligjit të ri që ata nuk do të kenë studime juridike (ashtu siç nuk do të lejohen studimet private në fakultetet e trajnimit të mësuesve dhe mjekësisë), ministrja u përgjigj se për ata studentë “nuk ka rrezik dhe ata do t’i përfundojnë studimet e tyre sipas akreditimit me të cilin kanë filluar”.
Lajme nga vendi
PREMTIM PARA ZGJEDHJEVE, ZHGËNJIM PAS – RRUGA E MEROVËS ENDE NË PRITJE TË ASFALTIT
Rikonstruimi i kësaj rruge filloi një muaj para zgjedhjeve lokale. Aso kohe, banorëve të fshatit Merovë u ishte premtuar se rruga do të rregullohet shpejt, mirëpo pasi që kaluan zgjedhjet, për këtë rrugë ende nuk ka zgjidhje. Banorët e kësaj ane shprehen të revoltuar me mos mbajtjen e premtimit nga ana e Kryetarit të Komunës, Blerim Sejdiu. Ata thonë që përveç se kalimi i kësaj rruge është i rrezikshëm, e njëjta po ua dëmton edhe veturat dhe po ua vështirëson dukshëm lëvizjen për në qytetet.
“Rruga katastrofë. E shihni vetë ju se si është rruga. Nuk e di si të them, e shihni vetë, keni ardhur deri këtu e keni parë. Rruga është katastrofë. Ka 4-5 muaj ose më shumë që është në këtë gjendje”.
“Rruga është katastrofë. Prej 15 tetor rruga është prish! Premtimi ka qenë që para zgjedhjeve lokale do bëhet rruga. Por nuk është bërë rruga. Thuhet që rruga ka filluar qe tre ditë, por ne nuk shohim asnjë punim se po bëhet. Vetëm një ekskavator që ka ardhur sepse ka pasur edhe shembje të dheut. Andaj ai bager qëndron aty. Për ndryshe kryetari ka 6 muaj sa kanë kaluar prej në zgjedhje. Kryetari nuk ka qenë në fshat që nga dita e tubimit politik. Nuk ka qenë asnjë ditë në fshat”.
“Siç tha edhe kolegu më herët, na i dëmtojnë verturat të gjithëve”.
“Të gjitha veturat që shkelin në atë rrugë janë të prishura. Ka 4 muaj 5 që është kështu në gjendje të mjerueshme. Kemi nevojë për rrugën dhe ujësjellësin”.
Kryetari i Komunës së Zhelinës e premton se u ka dal nga fjala banorëve të Merovës por thotë se vonesat kanë ardhur si pasojë e motit të ligë dhe ngricave, që kanë pamundësuar shtrimin e asfaltit. Sipas Sejdiut, deri në fund të muajit mars, rruga do të përfundojë në tërësi dhe nuk do të ketë vonesa të tjera.
Deklarat – BLERIM SEJDRIU – KRYETAR I KOMUNËS SË ZHELINËS (CLICK PLUS 01:14:35)
“Rruga është duke u bërë, ka tre ditë që kemi filluar. Kanë qenë kushet e tilla të këqija që e kanë pamundësuar intervenimin e mëhershëm. E kam thënë që do e bëj më heret! Nuk mund të them që nuk e kam thënë. Kushtet klimatike kanë qenë të tilla dhe unë nuk kam ndikim aty! Por që rruga do të bëhet me asfalt deri në fund të muajit të tretë, atë po e them me përgjegjësi para kamerave tuaja dhe para shikuesve tuaj”!
Kjo rrugë përveç se nga fshati i Merovës, shfrytëzohet edhe nga banorët e fshatit Sallarave. Ndërkaq rrëshqitja e dheut së fundmi, e ka bërë këtë rrugë edhe të rrezikshme për kalimtarët dhe shoferët që e frekuentojnë këtë rrugë.
-
Lajme nga vendi1 month agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga rajoni2 months agoArrestohen dhjetë persona në Greqi! Instaluan softuer në pika karburanti që tregonte më shumë karburant sesa mbushej nëpër automjete

