Lajme nga vendi
“Grupi i zjarri”t me një peticion onlajn do të kërkojë shkarkimin e ministrave të BDI-së
Me një peticion në internet, “Grupi i Zjarrit” i BDI-së thotë se do të fillojë tentativë për shkarkimin e Artan Grubit dhe ministrave të qeverisë. Këtë dje e paralajmëroi përfaqësuesi i grupit, Izet Mexhiti, pas takimit me qytetarët për të cilin tha se tregon një numër të madh të pakënaqurve në BDI.
“Sot është një peticion. Nesër dhe pasnesër me siguri do të ketë mekanizma të tjerë, demokratikë. Ne jemi me përvojë në politikë, çdo ditë jemi me qytetarët dhe do të gjejmë mënyrë për të fituar edhe këtë herë. Fillimisht thanë se vetëm dy-tre janë të pakënaqur, pastaj doli vetëm në Çair dhe Saraj. Tani po shohim se edhe në Tetovë dhe kudo njerëzit, votuesit, struktura janë të pakënaqur me qeverisjen e Grubit dhe të tjerëve”, tha Izet Mexhiti në një deklaratë për TV Telma.
Sipas tij, anëtarët e BDI-së që nuk pajtohen me punën e ministrave në Qeveri kanë presione të ndryshme. Pohon se disa tashmë kanë marrë dorëheqje, e disa janë nën presion me kontrolle dhe inspektime të ndryshme.
“Është kontradiktore sepse në teatrin e Shkupit shtriu dorën për pajtim, ndërsa po atë mbrëmje shkarkoi 5-6 funksionarë që mendojnë ndryshe dhe na kthen në komunizëm në diferencim politik, që edhe brezat e vjetër e mbajnë mend atë, do të thotë se të gjithë të cilët nuk mendojnë si Grubi do të përballet me pasoja dhe do të shkarkohen”, tha Mexhiti
Sipas Grupit të Zjarrit takimet e tyre me qytetarët janë më të ndjekur dhe për këtë arsye konsiderojnë se, siç thonë, në panik kryesia doli me fushatën “Ai po vjen” që të defokusohet opinioni.
Lajme nga vendi
,,Agjenda reformuese dhe rruga evropiane: Qeveria prezantoi progresin para ambasadorëve të BE-së”
Në kuadër të brifingut të dedikuar monitorimit të progresit në zbatimin e Agjendës Reformuese, i cili u mbajt në Qeveri dhe ku morën pjesë anëtarë të Qeverisë, ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, u bë një pasqyrë e detajuar e rezultateve të deritanishme dhe prioriteteve të ardhshme në fushat kyçe reformuese.
Në këtë ngjarje, fjalim mbajti edhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e cila u ndal në aktivitetet dhe rezultatet e Ministrisë në fushën e tranzicionit të drejtë, integrimit të tregut dhe avancimit të politikave energjetike në përputhje me standardet evropiane.
Ministrja informoi se strukturat drejtuese të parashikuara me Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë janë plotësisht funksionale dhe se është miratuar me sukses Plani Vjetor i Zbatimit për vitin 2026, i harmonizuar me dokumentet strategjike dhe prioritetet investuese të Qeverisë.
Theks i veçantë iu kushtua miratimit të Ligjit të ri për Energjetikë, me të cilin shteti bëri një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë me Paketën për Integrimin e Energjisë Elektrike të Komunitetit të Energjisë, si dhe progresit në përgatitjen e akteve nënligjore nga ana e SHA MEPSO
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi gjithashtu gatishmërinë institucionale të operatorëve për zbatimin praktik të mekanizmave evropianë të tregut, si dhe njohjen ndërkombëtare përmes anëtarësimit në Italian Working Border Table.
Në aspektin e dimensionit social, u theksua se Ministria zbaton në mënyrë aktive masa për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, me një metodologji të miratuar për matjen e varfërisë energjetike dhe me mbështetje të siguruar për mijëra familje.
Gjithashtu, ministrja informoi për miratimin e Planit Trevjeçar për rinovimin e objekteve të Qeverisë Qendrore. Rezultatet e arritura, siç u theksua, përbëjnë një dëshmi të qartë të përkushtimit të institucioneve ndaj një tranzicioni të suksesshëm energjetik, integrimit të tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.
Siç paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski, do të mbahen rregullisht cikle takimesh, përkatësisht brifingje, me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë rezidente në vendin tonë, me qëllim informimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë mbi hapat e ndërmarrë në zbatimin e Agjendës Reformuese.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë me zbatimin e përgjegjshëm dhe transparent të reformave, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e një sistemi energjetik të sigurt, modern dhe të drejtë.
Lajme nga vendi
Sali: Duket se Ministria e Drejtësisë s’është e gatshme ta respektojë Kushtetutën! VLEN mbështet kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali tha se Ligji për Provimin e Jurisprudencës që është aktiv që nga muaji janar i vitit 2020, ka defekt pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi. Sali tha se mbështesin kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut, që provimi të mund të realizohet edhe në gjuhën shqipe.
“Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë siç nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare, që nënkupton që gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”, deklaroi Sali.
Lajme nga vendi
Sa kompani kanë licencat për kultivim të kanabisit në Maqedoni dhe si u dhanë ato?
Pas aksionit të madh të Ministrisë së Brendshme dhe sekuestrimit rekord të marijuanës rreth 27 tonë, në opinionin publik janë nxitur debate se sa licenca dhe si janë dhënë për kompanitë që kultivojnë kanabis për përdorim mjekësor.
Kompanitë që merren me kultivim dhe përpunim të bimëve mjekësore duhet të kenë marrë licencë nga Ministria e Shëndetësisë, me miratimin paraprak të Qeverisë. Që nga ligji i vitit 2017, rreth 60 kompani në Maqedoninë e Veriut kanë marrë leje për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore.
Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 14 prej këtyre kompanive u janë marrë licencat, duke nxjerrë në pah mungesën e kontrollit të rreptë dhe shqetësime për mënyrën se si janë dhënë lejet.
Opozita e asaj kohe kishte akuzuar se licencat shpesh i janë dhënë personave të zgjedhur dhe ka sugjeruar se për to është paguar nga 300.000 deri në 500.000 euro. Madje disa media kishin raportuar se disa licenca janë dhënë edhe për shtetas serbë me lidhje me botën kriminale.(INA)

