Lajme nga rajoni
“Personaliteti i vitit në Zvicër”, shqiptarja bën thirrje: Më votoni, jam frymëzim për vajzat e reja

Shqipe Sylejmani është shkrimtarja dhe aktivistja shqiptare, që është përzgjedhur mes personaliteteve të vitit 2022 nga Festivali Prestigjoz në Zvicër. Ajo ka botuar dy libra, edhe aktualisht i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të votojnë që të shpallet fituese më datën 1 prill.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Shqipja ka treguar se tashmë është kthyer edhe një frymëzim për të gjitha vajzat shqiptare në Zvicër, që duan të kenë një karrierë të mirë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre.
“Çdo herë kur një vajzë e re shikon një shqiptare që përmendet në TV, apo ka një karrierë të mirë, është në vizibilitet edhe të komunitetit jo vetëm shqiptar, por edhe të Zvicrës. Shpresoj edhe një inspirim për të gjitha vajzat e reja të shkojnë edhe ato në këtë drejtim, që të shprehin kulturën e tyre dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.
Dihet që rruga e shqiptarëve në Zvicër nuk është e lehtë dhe unë këtë nominim e kam marrë. Tani shpresoj që ndjekësit e zemrës të votojnë në të gjithë Zvicrën. Deri në fund të marsit merret verdikti dhe më 1 prill shpallet personi i vitit 2022. Të gjithë ata që duan të votojnë e kanë linkun në rrjetet sociale, mund të votojnë vetëm personat që janë në Zvicër”, tha ndër të tjera ajo./abcnews.al
Lajme nga rajoni
Ndërroi jetë aktori nga Kosova, Enver Petrovci

Ka ndërruar jetë aktori Enver Petrovci. Lajmin për vdekjen e aktorit 71-vjeçar e konfirmoi një familjar.
“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, shkruan Amir Petrovci.
Enver Petrovci u lind në Prishtinë, ishte aktor, regjisor, shkrimtar dhe pedagog i njohur shqiptar. Shkollën e aktrimit e kreu në Beograd, ku edhe u dallua me rolet e para. Pas kthimit në Kosovë, ai u bë një nga figurat kryesore të teatrit dhe kinematografisë, duke themeluar teatrin “Dodona” dhe Shkollën e Aktrimit në Prishtinë.
Ka interpretuar role të mëdha klasike si Hamlet, Macbeth dhe Julius Caesar, ndërsa ka marrë pjesë edhe në filma e seriale të njohura. Si profesor dhe ish-rektor i Universitetit AAB, ka kontribuar në edukimin e gjeneratave të reja të aktorëve. Vepra e tij shquhet për përkushtimin ndaj artit, kulturës dhe gjuhës shqipe, duke e bërë një nga personalitetet më të rëndësishme të skenës shqiptare.
Lajme nga rajoni
Në Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë

Presidenti i Shoqatës Shqiptare Amerikane Staten Island, Naser Nika, ka njoftuar të afërmit e familjes së Heroit Isa Boletini dhe gjithë komunitetin shqiptar se Bashkësia Amerikane në Nju York ka miratuar kërkesën e kësaj shoqate dhe disa organizatave të tjera me në krye Federatën Pan Shqiptare “Vatra” për emërtimin e një rruge në Staten Island me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Isa Boletini.
Sipas Nikajt, i cili njihet si aktivist dhe patriot i përkushtuar i çështjes shqiptare në SHBA, ndër të tjera thotë: “Të dashur bashkatdhetarë, me zemër plot krenari ju ftojmë të bëhemi pjesë e një ngjarje të paharruar inaugurimi i rrugës ‘Isa Boletini’, kushtuar heroit të madh të kombit tonë, i cili do të mbahet më 30 nëntor në këndin midis Father Capodanno Blvd dhe Seavieë Avenue, Staten Island, NY.
Isa Boletini, trim i Kosovës dhe simboli i sakrificës për lirinë, bëhet heroi i parë kombëtar nga Kosova që merr një rrugë me emrin e tij në Staten Island. Ky nderim bëhet edhe më i madh, sepse rruga e tij do të qëndrojë pranë asaj të Ismail Qemalit, udhëheqësit të pavarësisë, e cila u emërua dy vite më parë. Kështu, dy figurat më të ndritura të kombit do të takohen përgjithmonë në zemër të Nju Jorkut, si një dëshmi e pavdekshme e unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare”.
Nipi i Isa Boletinit, Drejtor gjeneral Marketingu Armend Murati, që jeton e punon prej vitesh në Norvegji, duke falënderuar Shoqatën Shqiptare Amerikane në Staten Island dhe Presidentin e saj Naser Nika, ndër të tjera shkruan: “Çfarë të themi tjetër pos të shprehim respekt të thellë, për angazhimin e Shoqatës së Shqiptarëve në Amerikë, Staten Island dhe në veçanti për atdhetarin e shquar dhe udhëheqësin e shoqatës Naser Nika, për vendosmërinë për të arritur që projekti i emërtimit të rrugës në Staten Island të mbajë emrin e Isa Boletinit.
E di se sa kohë, mund dhe financim ishin të nevojshme për të arritur këtë, gjë që zoti Naser Nika nuk kurseu asnjë moment, vetëm për të arritur qëllimin. Si trashëgimtarët e Isa Boletinit, të përgëzojmë për atdhedashuri dhe patriotizëm që keni treguar, ju paçim faqebardhë për gjithmonë. Na bëni të ndjejmë që frymëzimi që Isa Boletini ka lënë, është ende i gjallë dhe i fortë si kurrë më parë”.
Njëherësh për nipërit e mbesat e Heroit Isa Boletini ka lajme tepër interesante, dy mbesat e tij, Ariana Hoxha dhe Arijeta Turku, nën siglën e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me drejtues të lartë Ramush Haradinaj, kandidojnë respektivisht për asambleiste, Ariana në Gjakovë, ndërsa Arijeta në Mitrovicë. Motoja e tyre për fitoren e tyre në këtë fushatë është “Dritë për Komunat”. Ndërsa një nga arsyet kryesore pse ato mbështesin programin dhe statutin e kësaj partie është se Lideri dhe Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë një mbështetës i flaktë i figurës legjendare Isa Boletini dhe familjes së tij. Çdo vit në çdo përvjetor përkujton heroin duke vizituar varrin e tij dhe Kullën e Boletinëve në Mitrovicë. Edhe ditën që u lirua nga Gjykata Speciale në Hagë, nuk harroi, por direkt vendosi një buqetë me lule te varri i Isa Boletinit. Hekuran Hoxha, edhe ky nip i Isa Boletinit dhe djali i Arianës, përfundon tani mandatin katërvjeçar si asambleist në Komunën e Gjakovës për Partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas sloganit që Ariana Lila Hoxha dhe Arijeta Murati Turku paraqesin si moton e tyre përgjatë kësaj fushate “Dritë për Komunat”, flet për një jetë më të mirë për popullin në Kosovë. “Të jemi shembull i mirë për të gjithë – thotë Ariana – pasi me punë arrihet suksesi dhe jo me premtime si të tjerët”.
Duke përfunduar, falënderojmë Shoqatën Shqiptaro Amerikane në Staten Island, Presidentin e saj Naser Nika, Bashkinë e Nju Jorkut si dhe të gjitha organizatat e tjera që bënë të mundur emërtimin e rrugës “Isa Boletini” përkrah liderit historik “Ismail Qemali” në Staten Island, Nju Jork. Njëherësh i urojmë suksese e fitore Ariana Hoxhës, Arijeta Murati Turkut, si dhe Hekuranit në arritje të sukseseve te reja në karrierë. /Panorama/
Lajme nga rajoni
Shqiptarët bashkohen si kurrë më parë – Zëri i UÇK-së kumbon në Hagë më 14 shtator!

Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të Evropës do të udhëtojnë në Holandë për të marrë pjesë në një protestë masive që pritet të mbahet në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale. Mërgata shqiptare është bërë bashkë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, në një organizim më 14 shtator – një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes. Përmes protestës do të kërkohet gjykim i drejtë.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.
Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.
Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.
Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nisë paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse.
Në kohën kur pritet të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë, shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të japin mesazhin e tyre për këtë proces.
Uk Lushi, i cili është përfaqësues nga Amerika tha se “Gjykata Speciale legjitimitetin e saj e ka vetëm nga Kuvendi i Kosovës”.
“Nuk ka asnjë dyshim që ka abuzime juridike dhe shkelje legale edhe në procedura edhe në trajtim të të akuzuarve në gjykatën e Hagës. Gjykata e Hagës, legjitimitetin e saj ka vetëm një dhe ajo është nga Kuvendi i Kosovës. Kosova e ka krijuar atë gjykatë që të mundësojë edhe për herën e katërt të vërtetohet që gjitha akuzat që i janë bërë UÇK-së kanë qenë të rrejshme dhe këtë e ka bërë natyrisht jo vetëm për arsye juridike por edhe politike. Sepse lufta e Kosovës është keqpërdorur sidomos nga Serbia e edhe nga armiqtë e Kosovës por në raste të caktuara edhe nga miqtë”, thotë ai.
Ish-ushtari i UÇK-së thotë se “shteti i Kosovës nuk reagoi për këto pesë vjet”, për çka shton se i ka mbetur popullit që të organizojë protestë për të kundërshtuar procesin e gjykimit në Hagë.
Për krejt këto vjet, Specialja është kritikuar për anshmëri dhe jo transparencë.
“Ne kërkojmë pikë së pari gjykim të drejtë, mos anësi, mos ndikim nga provat e rrejshme që prokuroria dhe gjykata i kanë pranuar nga shteti pushtues dhe terrorizues serb, për arsye se gjasat janë maksimale e në shumë raste edhe të vërtetuara që ato janë të fabrikuara. Një shtet i cili pushton edhe vret fëmijë, e vret gratë, pleqtë, ai nuk e ka problem ta fabrikojë një informatë ose një provë që e paraqet para gjykatës dhe tani mbrojtja ka filluar me ftesën e dëshmitarëve që kanë qenë pjesëtarë të shtetit amerikan dhe ne do të kemi një ballafaqim…Ne vetëm po duam ta kthejmë vëmendjen nga drejtësia, nëse ka drejtësi ata njerëz do të duhej të ishin liruar”, shprehet ai.
Prej Floridës, Teksasit, Nju Jorkut dhe Miçiganit, shumë shqiptarë kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në protestën e 14 shtatorit, që do të mbahet në orën 14:00.
“Unë kam marrë mesazhe, është shprehur interesimi për pjesëmarrje deri më tash prej Miçigan, prej Floridës, prej Texasit, prej Nju Jorkut. Problemi i vetëm është se koha është e shkurtër dhe natyrisht se prej këtu nuk ka si të shkohet ndryshe përveç me aeroplan dhe nuk do të ketë shkuarje të organizuar por do të ketë kryesisht shkuarje me baza individuale. Kështu që me më rëndësi se sa vet pjesëmarrja në atë protestë është fakti se mërgata shqiptaro-amerikane që është këtu në Amerikë, rreth 1 milion shqiptarë janë absolutisht të hidhëruar me trajtimin që është duke u bërë edhe drejtësisë edhe procesit gjyqësor edhe Kosovës me këtë gjykatë. Ky gjykim është dashur të jetë tani i kryer dhe njerëzit të jenë në shtëpitë e tyre”, përmend Lushi.
Interesim të madh për pjesëmarrje në protestën ku kërkohet drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka edhe nga shtetet e Evropës.
Fatmir Koci, i cili është përfaqësues për Evropë thotë për KosovaPress se mesazhet do të jenë në gjuhën angleze.
“Unë jam në Gjermani dhe jemi në bashkëpunim me të gjitha shtetet e Evropës, aty ku janë afër do të shkojmë me makina në mënyrë të organizuar, aty ku është më larg do t’i bartim me autobusë. Sepse organizimi dhe kërkesat janë shumë të mëdha të mërgimtarëve që të marrin pjesë më 14 shtator në Hagë…Më 14 shtator shumica e parullave do të jenë në gjuhën angleze edhe do e dërgojmë një mesazh t’i drejtohemi botës, Evropës demokratike që çka është mjaft, është mjaft. Është duke u gjykuar shtetësia e Kosovës, liria e Kosovës, krerët e UÇK-së edhe me këto pas mbarimit të protestës do i marrim disa nga këto kërkesa dhe parullat dhe do ua dërgojmë Këshillit Evropian edhe gjitha ambasadave që janë nëpër Evropë”, shprehet Koci.
Ai tregon se leja për organizimin e kësaj proteste është marrë nga autoritetet holandeze.
“Vështirë ka qenë, ne ju kemi drejtuar shtetit të Holandës dhe i kemi bërë kërkesën për protestë dhe nuk kemi guxuar ne që të caktojmë datë derisa na është dhënë leja për protestë. Kur na është dhënë leja për protestë, atëherë e kemi bërë publike. Kemi kërkuar ndihmë prej shoqatave të luftës me seli në Prishtinë edhe fatmirësisht që kemi gjetur përkrahje 100 për qind nga shoqatat e dala nga lufta”, thekson ai për KosovaPress.
Një numër i madh i qytetarëve pritet të niset edhe nga Kosova.
Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla tregon se do të ketë organizim me autobusë që veteranët të jenë pjesë e protestës.
“Protesta atje [në Hagë] do ta ketë efektin e vet, është në ditën simbolike të dëshmitarit tonë të parë, në këtë rast të mbrojtjes dhe besojmë që do të ketë një pjesëmarrje të madhe. Fillimisht ju njoftojmë se edhe në Kosovë kemi marrë shumë mesazhe, kemi pasur komunikim me shumë qytetarë të vendit tonë të cilët do të shkojnë nga këtu atje…Deri tash janë gjashtë autobusë që organizata i ka siguruar për ata përmes donatorëve dhe jemi duke komunikuar çdo ditë me ta, ka interesim të madh edhe nga këtu që të bëhen gjithë ata kilometra me autobusë, ju e dini se sa zgjatë rruga për andej por është një lloj inercioni qytetar sepse e kanë vërejtur më së miri se qysh po funksionon ajo gjykatë dhe për ato padrejtësi që po ndodhin atje”, shton Syla.
Një tjetër protestë në Hagë ishte mbajtur edhe në prill të vitit 2023 – në kohën kur kishte nisur gjykimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.
Ndërkaq, së fundmi në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbledhur më 7 gusht ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë kundër padrejtësisë që vlerësojnë se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.
Së fundmi, është raportuar se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente si prova nga Serbia e kjo vetëm sa ka rritur reagimin në Kosovë për një gjykatë që vazhdimisht kritikohej për njëanshmëri dhe jo transparencë. /Kosovapress
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve