Lajme nga vendi
PAS MASAKRAVE NË SERBI KËRKOHET NDALIMI I TIK TOK-ut NË MAQEDONI | VIDEO
Në vend që të rrimë të tronditur, të pikëlluar në heshtje dhe të komentojmë, më mirë të reagojmë me masa dhe veprime konkrete parandaluese. Kështu vlerëson Kryetarja e Partisw Liberal Demokratike dhe deputete e kësaj partie, Monika Zajkova, e cila mes tjerash, në propozimet e dhëna, përmend ndalimin e rrjetit social “Tik-Tok”. Me këtë, Zajkova shprehet se nuk do të bëhet censurë ndaj artit dhe kulturës.
“Është veçanërisht e nevojshme të ndalohet “Tik-Tok” si dhe rrjetet e tjera sociale që nxisin dhunën sepse në vendin tonë kemi qenë dëshmitarë të viktimave nga përdorimi i këtyre rrjeteve. Ndalimi dhe kontrolli i shkarkimit të lojërave, përmbajtjeve dhe aplikacioneve që tregojnë dhe inkurajojnë në mënyrë të qartë dhunën. Gjithashtu, rishikimi dhe kontrolli i filmave që mund të nxisin dhunën, veçanërisht tek të rinjtë, mund të përdoren në mënyrë manipuluese për qëllime propagandistike duke glorifikuar dhunën”, thotë Zajkova, transmeton Televizioni KOHA.
Propozimet e përgatitura, Zajkova thotë se PLD do t’i dërgojë në qeveri.
“Nismat i referohen kontrollit më të rreptë të dhënies dhe mbajtjes së armëve të zjarrit, kontrollit të armëve, kontrollit dhe ndalimit të të miturve që ushtrojnë në poligone qitjeje, si dhe ndëshkimeve për prindërit që motivojnë fëmijët të përdorin mjete të tilla vrasëse. Ministria e Drejtësisë duhet të rishikojë situatën dhe të propozojë një shtrëngim të politikës penale duke ulur moshën e përgjegjësisë penale në përputhje me legjislacionin dhe praktikat evropiane, si dhe kontroll më të madh në shkolla dhe punësimin e psikologëve dhe pedagogëve për të parandaluar bullizmin në procesin arsimor”, vijon më tej Zajkova, transmeton Televizioni KOHA.
Duke marrë parasysh zhvillimet në Serbinë fqinje dhe me qëllim të zvogëlimit të të gjitha rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme për sigurinë e nxënësve dhe mësuesve në mjedisin shkollor, Ministri i Arsimit dhe Shkencws do t’i propozoj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe autoriteteve të sigurisë një vlerësim urgjent të situatës dhe rreziqeve të sigurisë, të cilat në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale, si TikTok.
“Duke pasur parasysh se ato nuk duhet të përdoren në mjedise shkollore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë po harton protokolle dhe udhëzime për shërbimet profesionale të shkollave dhe arsimtarëve, me qëllim të minimizimit të rreziqeve, kurse përdorimi i tyre duhet të kufizohet ose të pamundësohet plotësisht.Ftoj të gjithë mësuesit, por edhe prindërit, në një dialog më të hapur, duke kapërcyer tronditjen dhe mosbesimin, nxitjen e mirëkuptimit dhe perceptimeve pozitive, për të ndihmuar fëmijën e tyre, por edhe fëmijët përreth nesh, sepse ato janë kategoria më e rrezikuar për momentin.Gjithashtu, tashmë në konsultim me komunitetin e ekspertëve nga disa institucione dhe fakultete, do të forcohen më tej programet parandaluese për luftën kundër bullizmit, promovimi i mosdhunës dhe dialogut, si elementë kyç për edukimin dhe zhvillimin e nxënësve tanë” thotë Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri. /Televizioni KOHA.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: S`KA PËRFITIME NGA ULJA E TVSH-së, ÇMIMET TASHMË JANË RRITUR!
Qytetarët nuk po shohin përfitime nga ulja e TVSH-së për karburantet dhe derivatet e naftës, pasi pavarësisht kësaj mase, çmimet janë rritur”, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp. Ai shtoi se u vërtetua ajo për të cilën LSDM kishte paralajmëruar në javët e fundit – rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në shtrenjtimin e ushqimeve.
“Rritja e çmimeve të energjisë, derivateve dhe naftës do të sjellë rritje të çmimeve fillimisht të produkteve ushqimore, e më pas edhe të të gjitha produkteve të tjera në vend. Nafta ishte 71 denarë, ndërsa tani është 95,5 denarë dhe qytetarët tashmë ankohen se nuk mund të mbushin as shportën bazë, pra nuk mund të përballojnë ushqimin. Janë shtrenjtuar produktet bazë si vezët, mishi, produktet e qumështit, frutat dhe perimet, dhe dihet se kur këto produkte rriten një herë, çmimet rrallë kthehen pas. Nga masa e Qeverisë për uljen e TVSH-së nga 18% në 10% nuk po përfitojnë as kompanitë. E vetmja gjë që mund të pritet është vazhdimi i rritjes së çmimeve, të cilat, siç ju kujtoj, kishin nisur të rriteshin që në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, para fillimit të luftës në Iran. Pra, kjo është vetëm një arsye shtesë pse çmimet në vend do të vazhdojnë të rriten”, tha Filipçe.
Në konferencë, ai theksoi gjithashtu se vendet e rajonit tashmë kanë ndërmarrë masa konkrete. Si shembull përmendi Kroacinë, ku përveç kufizimit të çmimeve të karburanteve dhe gazit, janë mbështetur edhe kategori të caktuara qytetarësh si bujqit, familjet në nevojë, peshkatarët dhe të tjerë – pra ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Lajme nga vendi
Rritet çmimi i naftës një fuçi naftë Brent sot në mëngjes tregtohet për mbi 100 dollarë
Një fuçi naftë Brent sot në mëngjes tregtohet për mbi 100 dollarë. Rritja e çmimit të naftës ndodhi pasi dje kishte rënë për 10% pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të shtyrë sulmet ndaj Iranit dhe për të shpallur bisedime me Teheranin.
Në bursat aziatike sot në mëngjes, çmimi i naftës Brent nga Deti i Veriut u rrit për 2,9 përqind dhe një fuçi u tregtua për 102,84 dollarë.
Një rritje prej 3,5 përqind u regjistrua edhe tek çmimi i naftës amerikane referencë “West Texas Intermediate”, i cili tregtohej për 91,20 dollarë për fuçi.
Lajme nga vendi
“SPAR” do të hyj zyrtarisht në Maqedoni përmes riemërtimit të “Kit-Go”
Kit-Go, përmes një ndryshimi të regjistruar të emrit të kompanisë, ditët e fundit zyrtarisht ka marrë emrin e zinxhirit ndërkombëtar të supermarketeve Spar.
Kit-Go tani quhet “Spar North Macedonia”, ndërsa 62 markete të shitjes me pakicë në të gjithë vendin janë riemërtuar me emrin e ri. Numri më i madh i pikave të shitjes është në Shtip, por edhe në Shkup, si dhe pothuajse në të gjitha qytetet më të mëdha dhe më të vogla në vend, të cilat tani janë të regjistruara zyrtarisht si Spar.
Në janar u njoftua se Spar do të riemërtojë marketet Kit-Go në Maqedoni dhe do të kalojë nën emrin e brendit të njohur holandez. Marketet Kit-Go, rreth 60 në të gjithë shtetin, për rreth 60 milionë euro u blenë nga kompania kosovare Viva Fresh disa vite më parë, por ende operonin me emrin e tyre të vjetër.
Më herët u publikua edhe një informacion mediatik se zinxhiri holandez i tregtisë me pakicë planifikon të hapë një market në Kavadar. Nga komuna kanë deklaruar, sipas informacioneve të tyre, se kompania tashmë po kërkon një lokacion të përshtatshëm. Në rajon, Spar është i pranishëm në Kosovë dhe Shqipëri.
Në mars të këtij viti, zinxhiri tregtar kosovar Viva Fresh Group, i pranishëm edhe në Maqedoni përmes Viva Fresh Store, Super Kit Go dhe Modern Studio & Top Shop, e mori nën kontroll Spar Albania nga Balfin Group. Spar është themeluar në vitin 1932. Brendi është i pranishëm në 48 vende me 13.800 dyqane. Deri më tani nuk kishte markete në Maqedoni.
Spar kishte interes për të hyrë në tregun e Maqedonisë edhe para fillimit të pandemisë së Covid-it. I themeluar në vitin 1932 në Holandë, SPAR është shndërruar në një brend global i pranishëm në rreth 48 vende me mbi 13.900 dyqane në mbarë botën. Ai dallohet nga të tjerët veçanërisht për përshtatjet lokale të çdo dyqani në komunitetin ku operon. Ndryshe nga zinxhirët e mëdhenj të centralizuar, SPAR funksionon përmes partnerëve të licencuar dhe operatorëve të pavarur, që do të thotë se çdo dyqan është në gjendje t’i përgjigjet nevojave specifike të popullsisë lokale.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

