Lajme nga vendi
Fushata e MASH-it : Së bashku t’i japim fund dhunës në shkollë
Të ndërtojmë mjedis shkollor paqësor dhe harmonik pa asnjë formë dhune. Të krijojmë ambient në të cilin të rinjtë do të fokusohen ekskluzivisht në qëllimet reale të procesit arsimor, në përvetësimin e njohurive dhe vlerave që do t’i bëjnë ata njerëz të mirë dhe dhuna nuk do të jetë aspak temë. Nevojitet mjedis ku do të mbizotërojë toleranca, të rinjtë do të respektojnë dallimet e njëri-tjetrit dhe nuk do t’i shohin ato si shkaktarë të konflikteve.
Këto janë porositë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’iu dërgojë të gjithë faktorëve të sistemit arsimor përmes fushatës së re për ndërgjegjësimin, veçanërisht te të rinjtë, për rëndësinë e paqes, sjelljes jo të dhunshme dhe tolerante brenda dhe jashtë shkollave.
“Do të përpiqemi t’iu afrohemi të gjithëve, nxënësve, mësimdhënësve dhe punonjësve të tjerë të shkollës, prindërve dhe kujdestarëve, për të treguar se kontributi i secilit prej nesh është i rëndësishëm në arritjen e qëllimit. Është e nevojshme t’i jepet përparësi dialogut verbal ndërmjet nxënësve dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve. Rritja e ndërgjegjësimit për pasojat e sjelljeve të mundshme devijuese, të cilat ne i kemi parë, mund të jetë katastrofike”, thuhet në kumtesën e MASH-it.
MASH apelon deri te të gjithë qytetarët, nëse në shkolla vërehet ndonjë formë e sjelljes së dhunshme, të lajmërojnë në adresën elektronike prijavinasilstvo@mon.gov.mk, gjegjësisht paraqitdhune@mon.gov.mk, ose deri te shërbimet profesionale në shkolla, për të reaguar sa më shpejt dhe për të parandaluar incidente dhe pasoja më të rënda.
Vetëm së bashku mund t’i japim fund dhunës në shkollë.
Lajme nga vendi
Mexhiti: VLEN është fitues i zgjedhjeve lokale
Kryetari në ardhje i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se Ali Ahmeti, lideri i BDI-së, është humbësi më i madh i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut të mbajtura më 19 tetor.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Mexhiti ka theksuar se Ahmeti, i cili qeveriste në 90% të komunave, ka përfunduar me vetëm një komunë të fituar, Likovën.
“Qëllimisht apo jo, Ahmeti dhe BDI-ja kanë fokusuar rëndësinë kryesore te Tetova dhe posaçërisht te Çairi, ndërsa komunat e tjera i kanë konsideruar më pak të rëndësishme. Ne e pranuam këtë sfidë dhe sot Çairi u mbyll në raundin e parë. Tetova ka një epërsi mbi 4 mijë vota, kështu që është çështje e kryer. Gjithashtu, ne vetëm në raundin e parë kemi fituar 5-6 komuna. Kam deklaruar edhe më parë se humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve është Ali Ahmeti, i cili qeveris në 90% të komunave, dhe në mbrëmjen kur të numërohen votat, BDI-ja do të ketë fituar vetëm një apo dy komuna rurale, pra BDI ka fituar vetëm në Likovë”, ka deklaruar ai.
Sipas Mexhitit, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur t’i japin shansin një gjenerate të re për qeverisje, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal.
“Shqiptarët në Maqedoni kanë vendosur të japin mundësinë për një gjeneratë të re për qeverisje, për hir të konkurrencës dhe demokratizimit të skenës politike. Pas tre apo katër viteve që kanë mbetur, çdo qytetar shqiptar në Maqedoni do të ketë mundësinë të bëjë krahasimin ndërmjet këtij dhe tjetrit tabori, duke i vlerësuar në bazë të punës dhe programeve. Deri më tani kjo mundësi nuk ka ekzistuar, pasi ka pasur një lloj monopoli politik ose skena ka qenë shumë e shpërndarë”, është shprehur Mexhiti.
Lajme nga vendi
Varg me marihuanë në oborr të shtëpisë, arrestohet 54-vjeçari
Personi u mbajt në Stacionin Policor të Gjevgelisë, u njoftua prokurori nga Prokuroria Themelore e Gevgelisë, dhe pas dokumentimit të rastit, gjatë ditës do të paraqitet kallëzim penal.
“Më 21.10.2025, rreth orës 13:00, zyrtarët e policisë nga SPB Strumicë – DPB Gjevgjeli arrestuan A.R. (54) nga Bogdanci. Bazuar në urdhër gjyqësor, u krye bastisje në shtëpinë e tij, ku u gjetën rreth 1 kilogram e 100 gramë marihuanë, katër bimë të mbjella kanabis, mbetje të degëve me marihuanë dhe objekte me mbetje të marihuanës”, thonë nga MPB.

Lajme nga vendi
Paraburgim 6 persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë, shkak keqpërdorime në spital
Prokuroria e Prilepit ka kërkuar paraburgim për gjashtë persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë të arrestuar në lidhje me rastin e Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit.
“Prokuroria Themelore Publike e Prilepit ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prilepit propozime për paraburgimin e gjashtë personave, për 15 masa kujdesi dhe për gjashtë deri në shtatë persona juridikë nga Prilepi, Manastiri dhe Shkupi, si dhe propozim për ndalesë nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimeve publike,” tha Jasmina Shishkovska, kryetare e Gjykatës Themelore në Prilep.
Personat e arrestuar pritet të dorëzohen gjatë ditës në Gjykatën e Prilepit. Më shumë se 10 persona u arrestuan mbrëmë dhe sot nga policia e Prilepit gjatë një aksioni të Drejtorisë së Policisë Financiare, e cila ndërmori bastisje në disa lokacione në kuadër të hetimeve për keqpërdorime financiare në spital.
Sipas Prokurorisë, që nga prilli i këtij viti zhvillohet një procedurë parahetimore për shkak të dyshimeve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me operacionet financiare të spitalit. Drejtori aktual i Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit, Borka Taleski, ka deklaruar vitin e kaluar se pas marrjes së detyrës ka vërejtur parregullsi financiare dhe se institucionit i është trashëguar një borxh prej rreth 193 milionë denarësh.

