Lajme nga vendi
FIZHT: Fillon vendosja e laboratorëve për hulumtim, krijim dhe novacion „MakerSpace“
Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik nënshkroi marrëveshjet për realizimin e katër projekteve të: Universitetit të Evropës Juglindore, Universitetit “Goce Dellçev” Shtip, Universitetit të Tetovës dhe Shoqatës së qytetarëve “Shoqëria Biologjike e Maqedonisë” Shkup, të cilat janë përzgjedhur për bashkëfinancim në kuadër të “Sfidës për vendosje të laboratorëve për hulumtim, krijim dhe inovacion MakerSpace”, informojnë sot nga FIZHT.
“Me vendosjen e katër laboratorëve të rinj, hulumtuesit dhe krijuesit e rinj nga sot kanë në dispozicion laboratorë të rinj bashkëkohorë të pajisur me teknologjinë dhe pajisjet më të fundit, ku do të mund të punojnë lirshëm në inovacionet dhe zgjidhjet e tyre kreative. Këta laboratorë përfaqësojnë një hapësirë të hapur ku të rinjtë do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me sektorin privat, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencor, biznesin dhe sektorin joqeveritar”, bëhet e ditur në kumtesë.
“Jam shumë i lumtur që investimi i fundit i FIZHT paraqet një hap të madh për arsimin dhe shkencën maqedonase, sepse nga sot inovatorët e rinj nga i gjithë vendi do të kenë mundësinë të zhvillojnë inovacionet dhe aftësitë e tyre në kushte të reja dhe më të mira. FIZHT si institucion fokusohet në mbështetjen e inovatorëve dhe sipërmarrësve dhe ne vazhdimisht punojmë drejt krijimit të kushteve më të mira për të rinjtë që të kenë mundësinë të fitojnë aftësitë dhe përvojat e nevojshme pikërisht këtu, në vendin tonë. Me këtë lloj aktiviteti, FIZHT kontribuon ndjeshëm në ngritjen e një sistemi heliks të katërfishtë që nënkupton bashkëpunim të ngushtë midis komunitetit akademik, industrisë, sektorit civil dhe sektorit publik. Ky bashkëpunim do të mundësojë shfrytëzim më të mirë të potencialeve inovative në të gjitha segmentet shoqërore dhe kushte më të mira për të rinjtë për të përmirësuar aftësitë dhe potencialin e tyre”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.
Siç bëhet e ditur në kumtesë, sfida “MAKERSPACE” është vazhdimësi e projektit pilot FAB LABS përmes të cilit krijuam një mekanizëm për ngritjen dhe mbështetjen e këtij lloji të laboratorëve. Përmes kësaj sfide, FIZHT me mbështetje financiare prej 12 milionë denarë mbështeti tre projektet: CIRKO, FEIT dhe INO TECH CLUB SHTIP, të cilët tashmë kanë hapur dyert për hulumtuesit e rinj që të punojnë në zgjidhjet e tyre inovative.
Laboratori “Architecture craft lab (Fumihiko Maki)” është një projekt i Universitetit të Evropës Juglindore, me synimin për të inkurajuar hulumtime të avancuara në lidhje me dizajnin arkitekturor, dizajnin urban, vizualizimin e të dhënave, materializimin dhe përpunimin digjital. Laboratori do të jetë një platformë për bashkëpunim mes disiplinave të ndryshme të universitetit, duke lidhur shkencën dhe artin përmes eksperimentimit. Laboratori do të jetë i hapur për studentët e Universitetit të Evropës Juglindore, pra studentët e Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Moderne, si dhe të interesuar të tjerë, përfshirë nxënës të shkollave të mesme, të frymëzuar për të zbuluar përfitimet e zonës.
Universiteti “Goce Dellçev” nga Shtipi do të vendosë laboratorin për hulumtim, krijim dhe inovacion “UGD Makerspace”, në të cilin të rinjtë nga mosha 15 deri në 29 vjeç, pavarësisht nga statusi i tyre, do të kenë qasje falas në teknologjinë më moderne dhe asistencë mentoruese, në mënyrë që ata të mund të dizajnojnë, zhvillojnë dhe testojnë idetë e tyre deri në marrjen e një prototipi. Laboratori “UGD Makerspace” do të zbatojë disa programe: organizimin e një programi para inkubator cilësor dhe të përshtatur, programin MakeIt Talent, programin MakeIT BakeIT, si dhe programin MakeIT Equal. Laboratori do të fokusohet në disa sektorë prioritarë me interes, konkretisht: inkurajimi i inovacionit dhe ekonomisë rrethore brenda industrisë prodhuese, inkurajimi i inovacionit dhe forcimi i ekonomisë rrethore në sektorin AgriTech, inkurajimi i inovacionit në monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit të sektorit jetësor dhe mjedisit të punës.
Nga FIZHT shtojnë se “laboratori për siguri kibernetike dhe forenzikë digjitale do të themelohet nga Universiteti i Tetovës, i cili do të simulojë një mjedis profesional për forenzikën digjitale dhe sigurinë kibernetike dhe do të pajiset me pajisjet e nevojshme për sigurimin dhe analizimin e provave digjitale, pa lënë gjurmë nga analiza e kryer. Me këtë projekt të rinjtë do të edukohen për kryerjen e hetimeve feronzike të pajisjeve digjitale me qëllim përmirësimin e sigurisë, parandalimin e abuzimeve brenda një ndërmarrje, kryerjen e hetimeve ndaj ish-punonjësve, vjedhjet e pronësisë intelektuale, mesazhet kërcënuese me e-mail etj”.
“Shoqata e qytetarëve Shoqëria Biologjike e Maqedonisë nga Shkupi do të themelojë laboratorin “Bio Maker Space”, i cili do të konceptohet si një kompleks multidisiplinar, i dizajnuar për të siguruar komunikim ndërmjet individëve dhe ekipeve dhe do të mundësojë ndarje strategjike të pajisjeve me qëllim të përshpejtimit të procesit të hulumtimit, marrjen e njohurive të reja dhe prezantimin e tyre. Laboratori do të fokusohet në fushat e mëposhtme: bioinxhinieria, printimi 3D (bio), prodhimi i ushqimit duke përdorur teknologjinë in vitro, hulumtimi mbi metabolizmin e organizmave të ndryshëm, ekotoksikologjia, elektrofiziologjia, biologjia molekulare, teknikat dhe procedurat për kulturën dhe indet e qelizave in vitro”, shkruan në kumtesën e FIZHT-së.
Lajme nga vendi
Raundi i dytë zgjedhor, KSHZ-ja hedh poshtë të gjitha ankesat
Qeveria do të emërojë të besuarit e saj në komunat ku nuk u zgjodhën kryetarë komunash në zgjedhjet lokale. Kjo do të bëhet menjëherë pasi KSHZ zyrtarisht t’i mbyllë zgjedhjet dhe do të informojë Qeverinë. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ende nuk kanë mbajtur asnjë bisedim me partnerët e koalicionit për atë se kush do të përzgjidhet si ushtrues detyre.
“Fillimisht duhet zyrtarisht KSHZ ti përfundojë zgjedhjet dhe ta informojë qeverinë. Kjo pres të ndodhë javën e ardhshme. Më pas Qeveria ka afat prej 15 ditëve të veprojë dhe ta informoj KSHZ-në dhe Kuvendin që Kuvendi në afat prej 60 ditëve të mbajë zgjedhje të reja në ato komuna ku ishin të pa suksesshme… Kështu që unë pres gjatë javës së ardhshme kur ti marrim të ulemi me partnerët e koalicionit dhe ti propozojmë emrat se cilët do të jenë të besueshmit e qeverisë në ato komuna ku zgjedhjet ishin të pa suksesshme”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Të pa suksesshme zgjedhjet lokale ishin në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë. Në zgjedhjet që do të përsëriten në këto komuna, nuk do të vlejë censusi dhe nuk do të kenë mundësi që përsëri të dështojnë. Ndërkohë nga KSHZ refuzuan të gjitha 16 ankesat për procesin e votimit të rrethit të dytë dhe presin nëse dorëzuesit e ankesave do të ankohen edhe në Gjykatën Administrative. Ankesa pati për komunat Karposh, Shuto Orizare dhe Bërvenicë. Në Shuto Orizare u dorëzuan 13 ankesa prej të cilave dhjetë nga koalicioni “Maqedonia jote” e VMRO-DPMNE-së dhe tre nga “Lidhja e Romëve”. Dy ankesa pati nga koalicioni “Përvoja për sukses” në Karposh dhe një ankesë pati kandidati i VLEN në Bërvenicë, Haqim Ramadani. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Mela merrë pozitën e “krye-timonierit” të Dibrës
Pas ceremonisë së pranim-dorëzimit të mandatit nga ish-kryetari Hekuran Duka, Fisnik Mela mori sot zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Komunës së Dibrës.
Në fjalën e tij, Mela e cilësoi këtë moment si një përgjegjësi të madhe dhe një emocion të veçantë, duke theksuar se mandati që i është dhënë nga qytetarët përfaqëson më shumë se një detyrë politike – një angazhim moral për të shërbyer me ndershmëri, transparencë dhe përkushtim.
“Dibra meriton institucione që dëgjojnë, që veprojnë dhe që sjellin zhvillim të vërtetë. Bashkë do ta ndërtojmë një komunë të mundësive, të bashkëpunimit dhe të mirëqenies për të gjithë”, deklaroi Mela.
Në fund, kryetari i ri i Dibrës uroi: “Zoti e bekoftë Dibrën dhe qytetarët e saj.”
Lajme nga vendi
5 të arrestuar për ryshfet në bujqësi! Prokuroria zbulon skemën me 50,000 € në IPARD
Nën drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në orët e pasdites së djeshme u zhvillua një aksion ku u arrestuan pesë persona, përcjell TV21. Sipas Prokurorisë, menaxheri i një kompanie private i ka premtuar ryshfet prej 50 mijë eurosh drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Bujqësore dhe Zhvillim Rural, në këmbim të nënshkrimit të një marrëveshjeje për fonde nga programi IPARD, ndonëse kompania nuk i plotësonte kushtet.
Në skemë janë përfshirë edhe tre ndërmjetës, mes tyre një punonjës i Administratës Tatimore dhe një zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë, të cilët kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj drejtorit. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 400 euro si pjesë e ryshfetit të pranuar. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit.
-
Lajme nga rajoni1 month agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi1 week agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga rajoni2 months agoNë Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë

