Connect with us

Lajme nga vendi

Projektet për gjelbërim mbeten në letër, ndërsa Shkupi lufton për ajër të pastër

Published

on

Reduktimi i ishujve të nxehtësisë, sigurimi i ajrit më të pastër dhe kushteve më të mira të jetesës në një mjedis urban mund të arrihet duke rritur gjelbërimin dhe duke reduktuar sipërfaqet e asfaltuara. Qytetet e Maqedonisë, e veçanërisht Shkupi, përballen me temperatura ekstreme, kryesisht në periudhën e verës, të cilat janë rezultat i shkatërrimit prej dekadash të gjelbërimit dhe betinizimit të qytetit. Tërbimi urban na lë me kushte të rënda jetese të trazuara, më së shumti për shkak të mosrespektimit të standardeve për sipërfaqet minimale të gjelbra të nevojshme për çdo banor. Qytetarët e Shkupit, Tetovës, Velesit, Kërçovës dhe mjediseve të tjera të ndotura prej vitesh apelojnë se duan më shumë drunj në hapësirat e tyre më të afërta dhe kushte më humane për jetë. Megjithatë, realiteti mbetet krejt ndryshe, shkruan Meta.mk. Profesori i Fakultetit të Pylltarisë, Jane Acevski, thotë se problemet tona janë të vështira për t’u zgjidhur sepse projektet tona mbeten në letër në pritje të realizimit dhe një numër i madh i tyre nuk realizohen kurrë. Ai thotë se ka marrë pjesë në dhjetëra projekte të gjelbërimit të Vodnos, Gazi Babës, korridoreve të gjelbërta të lumit Serava dhe Lepencit, për Kopshtin botanik e të tjera, por pothuajse asgjë nuk është bërë.

“Donim që Vodno të zbriste në Shkup, por bëmë krejt të kundërtën”, thotë Acevski dhe shton se tani është vonë për disa zgjidhje, të cilat para dhjetë viteve ishin shumë realiste.

“E gjelbërta nuk mund të jetë ilaç për të gjitha sëmundjet. Bimët përdorin CO2, por qytetet tona janë gjithashtu plot me toksina të tjera dhe pluhur. Duhet të kuptojmë se mbjellja e drunjve është vetëm një nga zgjidhjet dhe nuk do të zgjidhë ndotjen e ajrit. Në të njëjtën kohë do të duhet të identifikojmë ndotësit dhe të punojmë në neutralizimin e tyre”, thotë Acevski.

Ai konsideron se ka ende kohë për projektet për korridoret e gjelbërta të Seravës dhe Lepenecit dhe ato duhet të realizohen. Për ta në vitin 2017 u bë një studim, i cili vërtetoi se ka kushte për t’i ndërtuar dhe në vitin 2020 u përgatitën edhe projektet bazë, por gjërat u ndalën me kaq.

“Ideja ka qenë që në qytet përgjatë rrjedhës së lumenjve të hyjnë masa ajrore me lagështi më të madhe nga njëra anë dhe nga ana tjetër të pasurohet biodiversiteti, të kthehen zogjtë në qytet”, thotë Acevski.

Advertisement

Nga Qyteti i Shkupit nuk ka sqarim se çfarë po ndodh me dy projektet për korridoret e gjelbra, të bëra në kohën e pushtetit të kaluar të Petre Shilegovit. Ndonëse pas prezantimit të projekteve bazë, ai bëri të ditur se realizimi në terren do të fillojë shumë shpejt, megjithatë edhe tre vite më vonë ka shumë më tepër mbeturina se gjelbërim përgjatë këtyre lumenjve.

Studimi për korridoret e gjelbra të Lepencit dhe Seravës rrjedh nga udhëzimet e Planit të Përgjithshëm Urbanistik të Shkupit, i cili vendos një sistem të hapësirave të gjelbra, publike të hapura në qytet dhe i referohet strategjive dhe planeve më të vjetra zhvillimore për qytetin e Shkupit që nga vitet e 60-ta. Deri më tani, në Shkup janë krijuar hapësira të gjelbra, parqe, terrene sportive, rreshta drunjsh vetëm përgjatë rrjedhave të lumenjve Vardar dhe Treska, megjithëse korridoret përgjatë luginave të lumenjve janë veçanërisht të rëndësishëm duke marrë parasysh karakterin luginor të Shkupit për përmirësimin e kushteve klimatike dhe të përgjithshme në qytet.

Siç thuhet në Studim, Serava luan një rol në bartjen e masave të ajrit të pastër nga Mali i zi i Shkupit, ku buron, deri në Shkup. Nga ana tjetër, roli i Lepenecit është lënë pas dore për një kohë të gjatë si një hapësirë ​​potenciale për t’u lidhur me rrjetin e gjelbër të qytetit. Në lumin, i cili kalon nëpër tri komunat e Shkupit, Gjorçe Petrov, Karposh dhe Butel, momentalisht rrjedhin ujërat e zeza nga amvisëritë dhe objektet prodhuese, ndërsa në pjesë të caktuara hidhen mbeturina, rrënoja komunale dhe ndërtimore, të cilat zhvlerësojnë ndjeshëm vlerat e lumit dhe të bregut.

Nga qyteti i Shkupit nuk janë përgjigjur në pyetjet e Meta.mk nëse është planifikuar ndonjë aktivitet për realizimin e këtyre projekteve dhe nëse janë ndarë mjete për to në buxhet.

As këshilltarët e Qytetit të gjelbër human në Këshillin e Shkupit nuk e dinë se çfarë po ndodh me projektet për gjelbërimin e shtretërve të lumenjve Lepenec dhe Serava dhe thonë se ato nuk janë as pjesë e Programit të mjedisit jetësor 2023. Ata theksojnë se i mbështesin këto projekte dhe realizimin e tyre, por mendojnë se paraprakisht duhet të rafinohen.

Advertisement

“Një plan i plotë i zonës është i nevojshëm dhe ekipi që do të punojë duhet të jetë multidisiplinar. Që korridoret e gjelbra të realizohen profesionalisht duhet t’i kushtohet vëmendje si karakteristikave biologjike dhe morfologjike të peizazhit, ashtu edhe specieve bimore që do të përzgjidhen për të krijuar korridoret e gjelbërta”, thonë nga QGjH.

Ambientalistët thonë se është shumë e rëndësishme që të mos shkatërrohet gjelbërimi ekzistues, pra të investohet në kapacitetet e “Parqeve dhe gjelbërimit” për të kryer aktivitetin e tyre kryesor.

“Nuk ka gjë të tillë si “një dru i vjetër të zëvendësohet me një të ri”. Sa më i vjetër të jetë një dru, aq më të mëdha janë shërbimet e ekosistemit që ofron, ai ka një fuqi më të madhe për të pastruar ajrin, ofron më shumë hije dhe me vëllimin e saj fizik më të madh, kontribuon më shumë në ruajtjen e biodiversitetit. Prandaj, çdo pemë e shëndoshë e pjekur në Shkup duhet të mbrohet nga shkatërrimi dhe të ushqehet gjelbërimi që është në gjendje të keqe”, thotë Qyteti i gjelbër human.

Advertisement

Lajme nga vendi

Inspektorati për përdorimin e gjuhëve duhej të ishte “gardian” i shqipes por veproi si “dezertor”!

Published

on

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, i themeluar në vitin 2019, duhej të ishte mekanizmi kryesor për mbrojtjen e shqipes në institucionet shtetërore, por në praktikë ka dështuar. Inspektorët nuk u panë në terren, shkeljet u bënë të përditshme dhe sot ky organ nuk ekziston më si i pavarur, pasi kompetencat iu morën dhe kaluan nën Ministrinë e Drejtësisë, shkruan Zhurnal.

Kur u themelua Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe pse?

Inspektorati u themelua në bazë të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar më dhjetor 2019 dhe i publikuar në “Gazetën Zyrtare” nr. 220/19.

Kujtojmë që, me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u themeluan dy institucione, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.

Roli i tyre ishte i qartë njëri të monitoronte zbatimin e ligjit dhe të ndëshkonte shkeljet, tjetri të ofronte asistencë teknike dhe mbështetje aty ku kishte nevojë. Në teori, këto institucione duhej të ishin “gardianët” e gjuhës shqipe, por në praktikë, Inspektorati u shndërrua në “dezertor”.

Advertisement

Në themelimin e këtij institucioni shkruan qartë se qëllimi është ky: “Mbikëqyrja e zbatimit të Amandamentit V të Kushtetutës dhe të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha institucionet shtetërore”.

Inspektorati ka pasur disa drejtorë të emëruar politikisht, por asnjëri nuk arriti të krijojë një strukturë funksionale me inspektorë aktivë në terren. Dhe, natyrshëm lind pyetja si në vijim.

Pse nuk ka funksionuar ky institucion?

Se ka munguar funksionimi i këtij institucioni e dëshmon mungesa e inspektorëve në terren, qytetarët nuk kanë parë inspektorë që të kontrollojnë zbatimin e ligjit. Por, jo vetëm qytetarët as gazetarët askush tjetër. E mungesën e inspektorëve në terren e ka dëshmuar edhe vet drejtuesi i institucionit sipas të cilit nuk kanë veturë.

Shkelje të përditshme janë evidentuar ku dokumente, tabela, komunikime zyrtare shpesh nuk përfshinin gjuhën shqipe, duke e bërë ligjin një normë të shkruar por jo të zbatuar. Politizimi dhe mungesa e transparencës kanë sjellë në këtë situatë. Drejtuesit e emëruar nuk krijuan mekanizma të qartë raportimi dhe ndëshkimi.

Advertisement

Në vend që të ishte një organ i fuqishëm mbikëqyrës, Inspektorati mbeti një strukturë formale pa ndikim real. E sot është edhe më keq se kaq.

Cili është fati sot i këtij institucioni?

Inspektoratit i janë hequr kompetencat e pavarura. Sot nuk është organ i veçantë, por është vendosur nën Ministrinë e Drejtësisë, duke humbur autonominë që duhej ta kishte si “gardian” i gjuhës shqipe.

Kur flasim për fuqinë politike të faktorit politik shqiptar, në kohën e BDI-së ky institucion ka qenë i pavarur por pa veprim në praktikë, tani me VLEN-in në pushtet Inspektorati vazhdoi me avazin e njëjtë pa veprim në praktikë por edhe më keq i varur nga Ministria e Drejtësisë.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është shembulli tipik i një institucioni që u krijua me mision të lartë, por dështoi në praktikë. Në vend që të ishte “gardian” i shqipes, u shndërrua në “dezertor”, duke lënë hapësirë që shkeljet të bëhen rutinë. Sot, me kompetencat e tij të zhvendosura nën Ministrinë e Drejtësisë, ky organ nuk ka më peshën që ligji i kishte dhënë fillimisht./Zhurnal.mk

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Korrupsioni në shëndetësinë maqedonase: Pacientët “paguajnë”, por nuk raportojnë

Published

on

Korrupsioni vazhdon të “lulëzojë” në shërbimet e institucioneve publike shëndetësore të Maqedonisë së Veriut. Qytetarët japin ryshfet qoftë edhe për ta siguruar një shtrat spitalor, ose për ta shkurtuar kohën e pritjes për operacion. Hulumtimi i Shoqatës për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave, ESE, tregoi se korrupsioni shpesh nuk raportohet fare, për shkak të frikës nga hakmarrja.

Korrupsioni është më i përhapur te specialistët, pra sa më i ndërlikuar të jetë shërbimi, aq më i pranishëm është korrupsioni.

“Për mua kjo do të thotë se, nëse duhet të shkosh në spital për operacion, do të duhet të paguash për ta marrë shërbimin. Problemi më i shpeshtë është caktimi i terminit. Nëse ke ndonjë mik arrin të marrësh termin dhe të kontrollohesh”, thotë një grua nga qyteti i Prilepit, e cila mori pjesë në grupet e fokusit në kuadër të hulumtimit.

Një grua tjetër nga Manastiri ka treguar përvojën me operacionin e fëmijës së saj që kishte tumor në kockë.

“Isha në neurokirurgji dhe mjeku më tha se incizimi nuk ishte i mirë, dhe se duhej ta bëja në Shkup. E pyeta mjekun nëse duhet të paguaja. Pastaj, shkova te një mjek tjetër, edhe ai më tha të njëjtën gjë dhe u ktheva te doktori i parë. Burri im shkoi në një ‘kafene’ dhe ia dha paratë doktorit. Pasi ia dhamë paratë, menjëherë u gjet termin për operacion, ndërsa më parë më thoshin se nuk ka termin, nuk ka anesteziolog”, rrëfen ajo.

Advertisement

Gratë më të prekura nga përpjekjet për korrupsion

Pikërisht gratë, sidomos më të reja në moshë, janë më të prekura nga pagesat joformale dhe presionet për qasje më të shpejtë në shërbimet shëndetësore.

Një e katërta prej tyre kanë raportuar përvojë korrupsioni gjatë përdorimit të kujdesit gjinekologjik-obstetrik, nga të cilat 21.9 për qind gjatë përdorimit të shërbimeve gjinekologjike, ndërsa 3.4 për qind gjatë përdorimit të shërbimeve të lidhura me shtatzëninë dhe lindjen.

Këto gjetje tregojnë se korrupsioni paraqet një barrierë shtesë në qasjen ndaj kujdesit gjinekologjik-obstetrik, krahas mungesës së tashmë të konstatuar të gjinekologëve dhe shpërndarjes së tyre të pabarabartë gjeografike, thuhet në hulumtim.

Nga ESE-ja paralajmërojnë se këto gjendje ndikojnë veçanërisht keq te gratë nga zonat rurale dhe ato që jetojnë në kushte të pafavorshme ekonomiko-shoqërore.

“Çdo e pesta grua është e gatshme të paguajë, pra të japë ryshfet, në kushte kur është shtatzënë ose gjatë lindjes, ose gjatë kujdesit për një fëmijë apo një person të moshuar në familje”, thotë Darko Antiq, koordinator për monitorim dhe analizë të buxheteve në këtë shoqatë.

Advertisement

Ai thekson se korrupsioni më shpesh është në formë të dhënies së parave ose dhuratave, por ndonjëherë mund të jetë edhe referim në një institucion privat shëndetësor ose në një farmaci të caktuar për të blerë një ilaç apo mjet të caktuar.

Korrupsioni seksual mbetet veçanërisht i paraportuar

Borjan Pavlovski, koordinator për shëndet publik dhe shëndetin e grave, thotë se gratë e perceptojnë këtë problem si dypalësh.

“Sepse ka raste kur pacientët ofrojnë korrupsion për të marrë trajtim më të mirë, por edhe punonjës shëndetësorë që drejtpërdrejt ose tërthorazi kërkojnë dhurata që pacientët të marrin shërbimet që u takojnë”, thotë Pavlovski nga ESE.

Veçanërisht shqetësuese janë gjetjet që tregojnë se gratë janë të ekspozuara edhe ndaj korrupsionit seksual, por për shkak të turpit dhe frikës nuk e raportojnë.

“Disa e shmangin atë mjek, por nuk raportojnë. Është e frikshme, sepse mjeku ka pushtet”, thekson një grua nga Tetova që ishte pjesë e grupeve të fokusit.

Advertisement

Nga numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në hulumtim, një përvojë të tillë e kanë raportuar dy gra dhe një burrë. Edhe pse nga secili prej tyre është kërkuar një shërbim intim ose seksual, të gjitha rastet lidhen me shërbime të ndryshme shëndetësore. E përbashkëta është se në të gjitha këto situata, shërbimin seksual e kanë kërkuar burra.

Mënyra e kërkesës më shpesh ka qenë joverbale, përmes aluzioneve ose udhëzimeve të qarta (dy raste), ndërsa në një rast kërkesa është shprehur verbalisht. Dy persona kanë refuzuar të përgjigjen për pasojat e refuzimit, ndërsa një person ka deklaruar se nuk ka pasur pasoja.

Shëndetësia është një nga sektorët ku dallimi mes korrupsionit të përjetuar dhe atij të raportuar është më i theksuar. Por, kjo nuk vjen gjithmonë nga frika e hakmarrjes ose mungesa e besimit në institucione.

Gratë, për shembull, nuk e perceptojnë mjaftueshëm si korrupsion pagesën e paligjshme nga gjinekologët amë për shërbime që u takojnë falas.

Kontrolle nga DAP dhe FSSH në ordinancat gjinekologjike

Këtë lloj pagese për shërbime që mbulohen nga shteti e zbuloi edhe kontrolli i përbashkët i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) dhe Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP). Autoritetet publikuan rezultatet e kontrollit në fund të vitit të kaluar, pas një numri të madh ankesash nga pacientet.

Advertisement

Drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski, atëherë deklaroi se gjinekologët kishin theksuar se nuk paguanin për kontrollin, por për “gjëra shtesë” si CD-të, raportet dhe të ngjashme.

“Detyrim i institucioneve private shëndetësore është që publikisht të theksojnë se këto gjëra nuk duhet të paguhen, por është krijuar praktikë, sipas ankesave që marrim, që të paguhen nga 500 denarë”, shtoi ai në një konferencë për shtyp.

Një muaj më vonë, shoqata e gjinekologëve dhe obstetërve privatë alarmoi për probleme serioze për shkak të standardeve të papërcaktuara dhe detyrimeve kontraktuale të paqarta.

“Janë të papërcaktuara standardet për numrin e kontrolleve të nevojshme, indikacionet për kontrolle. Ka shumë kontrolle me kërkesë të pacienteve, jashtë standardeve. Ka promovime mediatike se të gjitha kontrollet janë falas, ndërsa kjo paqartësi juridike dhe kontraktuale prej vitesh krijon interpretime të ndryshme dhe e vendos padrejtësisht përgjegjësinë mbi mjekët”, theksuan ata.

Nga shoqata theksojnë se problemi nuk është te kontrollet parandaluese, por te mungesa e një seti të qartë shërbimesh që duhet të mbulohen nga kapitacioni që paguajnë pacientet përmes sigurimit shëndetësor.

Advertisement

Gjetje nga hulumtime të tjera

Një përvojë e tillë pagese për shërbim gjinekologjik është ndarë edhe nga një grua që mori pjesë në grupet e fokusit të hulumtimit mbi korrupsionin në shëndetësi, të realizuar vitin e kaluar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCs).

Sipas këtij hulumtimi, qytetarët mund të bien në varfëri më të thellë nëse detyrohen të shesin pasurinë ose të marrin borxh për të marrë një shërbim shëndetësor që duhet ta marrin pa kosto shtesë.

Madje 40 për qind e pjesëmarrësve në grupet e fokusit deklaruan se kanë dhënë ryshfet ose dhuratë për të marrë një shërbim shëndetësor. Shumat kanë dallonin nga 200 denarë deri në 2.000 euro për një shërbim konkret në shëndetësinë publike.

Në shumicën e rasteve është përmendur pagesa me para, ndërsa në një rast është kërkuar një shërbim.

“Për shembull, burri im theu këmbën. Doktori në Shkup që duhej ta operonte kërkoi që brenda tre orësh të paguajmë 30.000 denarë në një llogari që ta operojnë, përndryshe do ta kthenin në Kumanovë. Pra, ke apo nuk ke, do apo nuk do, duhet t’i japësh, nëse dëshiron të marrësh shërbimin që të duhet”, thotë një grua 46-vjeçare.

Advertisement

Një grua tjetër ndau një përvojë ku familja u detyrua të marrë borxh për të paguar 2.000 euro “në dorë” për operacion.

“Bëhet fjalë për një vajzë të re 19-vjeçare, që operohej nga tumori në vezore për t’i shpëtuar jetën dhe familja ime u detyrua të marrë borxh për të siguruar 2.000 euro, dhe mezi doktori pranoi ta operojë – por vetëm pasi u pagua”, shton gruaja 53-vjeçare.

Korrupsioni në shëndetësinë publike u evidentua edhe në Raportin për vlerësimin e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut për vitin 2023, të përgatitur nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe SELDI.

Sipas këtij raporti, 50 për qind e qytetarëve besojnë se pothuajse të gjithë ose shumica e mjekëve janë të përfshirë në korrupsion. Megjithatë, kjo përqindje është më e ulët krahasuar me profesione të tjera – për shembull 83 për qind besojnë se gjyqtarët janë të korruptuar, ndërsa 82 për qind kanë të njëjtin mendim për deputetët.

Aliu: Korrupsioni si disfatë i etikës mjekësore

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, është i vetëdijshëm për mungesën e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Megjithatë, sipas tij, edhe më shqetësuese është mungesa e besimit në “moralin shoqëror”.

Advertisement

Në një kolumnë të publikuar në Inbox7, Aliu thekson se “çdo abuzim nuk e poshtëron vetëm pacientin, por komprometon edhe mjekun e ndershëm dhe punonjësin e përkushtuar shëndetësor, si dhe reputacionin e përgjithshëm të profesionit, të ndërtuar ndër dekada”.

Ai shton se përgjigjja duhet të jetë e dyfishtë, pasi edhe vetë qytetarët presin sanksione më të ashpra dhe transparencë më të madhe.

Në fillim të mandatit, Aliu promovoi edhe mjetin “Raporto parregullsi”, i cili është i disponueshëm në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Raportimi është anonim dhe qytetarët mund të bashkëngjitin fotografi dhe dokumente si dëshmi. Deri më tani nuk janë publikuar të dhëna se sa raportime për korrupsion ka në institucionet shëndetësore./REL

Continue Reading

Lajme nga vendi

Pothuajse të gjitha çmimet në markete u rritën në “heshtje” brenda një jave, Qeveria e RMV-së nuk sheh krizë

Published

on

Qeveria ka folur me një ton qetësues këto ditë. Më 19 mars, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska deklaroi se situata e çmimeve po monitorohet nga afër dhe se për momentin nuk ka transmetim serioz të krizës në treg, ndërsa më 22 mars, kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria ka një plan dhe nuk do të lejojë luhatje që do të ndikojnë në standardin e jetesës së qytetarëve, shkruan Racin, transmeton Portalb.mk.

Ka një fije të përbashkët në këto deklarata: shteti po vëzhgon, analizon dhe pret. Problemi është se çmimet nuk presin.

Racin.mk ndërkohë ka vizituar rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Shkup dhe ka gjetur pamjen e mëposhtme:

Produkti Çmimi tani Çmimi para një jave
Vaj 93–118 den. 74 den.
Kafe 120–140 den. 104 den.
Mish i grirë 730–849 den.. 638 den.
Pulë 401–493 den. 376 den.
Qumësht 67–78 den. 56 den.
Vezë (12) 129–148 den. 103 den.

Ky nuk është një korrigjim kozmetik në treg. Ky është një kërcim javor pikërisht në produktet që mbushin frigoriferin dhe zbrazin pagën. Vaji, qumështi, vezët, mishi, kafeja – gjithçka që është themelore për një familje është rritur në heshtje. Dhe pikërisht për këtë arsye kjo rritje çmimesh është politikisht e rrezikshme: nuk vjen me tronditje të madhe që vihet re lehtë, por me disa ndryshime “të vogla” që përfundojnë duke bërë një vrimë të madhe në buxhetin e familjes.

Në një përgjigje për Racin.mk, Ministria e Ekonomisë dhe Punës thotë se pas ngjarjeve në Lindjen e Mesme, po e monitoron nga afër situatën me çmimet e produkteve bazë, se Qeveria tashmë ka ndërhyrë duke ulur TVSH-në për benzinën dhe naftën nga 18 në 10 përqind për të parandaluar një rritje të madhe, dhe se është e përgatitur për masa ndërhyrjeje nëse përcaktohet një rritje e pajustifikuar e çmimeve ose një prishje më e madhe e stabilitetit të tregut.

Advertisement

Ministria gjithashtu shton se Inspektorati Shtetëror i Tregut ka 30 ekipe në terren dhe se raporti fillestar zyrtar pritet javën e ardhshme. Për momentin, sipas informacionit të tyre, nuk ka rritje të ndjeshme të çmimeve përveç vezëve dhe vajit, të cilat janë rreth 10 përqind.

Këtu fillon problemi thelbësor. Ministria pretendon se nuk ka tronditje më të gjerë të çmimeve në terren, dhe ajo që konsumatori sheh në treg është e kundërta: jo vetëm vezët dhe vaji i ullirit po rriten, por edhe qumështi, pula, mishi i grirë dhe kafeja. Është e mundur që shteti po shikon mesataret, faturat hyrëse, sinjalet e tregut të aksioneve ose raportet e kontrollit që ende nuk e kanë kapur efektin e plotë të shitjeve me pakicë.

Por pikërisht ky është lajmi: qeveria sheh stabilitet në raporte, dhe qytetarët shohin rritje çmimesh në rafte. Kur shteti dhe arka fillojnë të flasin një gjuhë të ndryshme, atëherë problemi nuk është më vetëm ekonomik. Ai bëhet politik.

Statistikat zyrtare, sigurisht, ende tingëllojnë më të qeta. Enti Shtetërore i Statistikave njoftoi se inflacioni në shkurt ishte 0.2 përqind në bazë mujore. Por i njëjti inflacion mesatar nuk mund t’i tregojë të vërtetën një familjeje që jeton me vaj, vezë, qumësht dhe mish.

Mesatarja mund të duket e qetë, por kuzhina mund të jetë gjithnjë e më e shtrenjtë. Kjo është arsyeja pse shporta minimale e sindikatës për marsin është rritur përsëri, në 67.818 denarë, që është edhe 436 denarë më shumë se në shkurt. Kjo do të thotë që barra nuk është më vetëm statistikore, por e brendshme dhe e përditshme.

Advertisement

Kësaj histori i jepet peshë shtesë nga fakti se shteti nuk mund të pretendojë se nuk ka mjetet. Vetë Ministria e Ekonomisë dhe Punës u mburr se në vitin 2025 kufizoi marzhet në 102 grupe produktesh dhe çmimet në 8 grupe produktesh bazë ushqimore, dhe se me këto masa ushqimi u bë më i lirë dhe inflacioni u stabilizua.

Në prill të vitit të kaluar, e njëjta ministri kujtoi edhe një herë se vendimet e shkurtit 2025 përfshinin tavane dhe marzhe direkte pikërisht për qumështin, bukën, miellin, vezët, vajin e ullirit, kosin dhe qumështin. Me fjalë të tjera, shteti ka përvojë me ndërhyrjen direkte. Sot nuk mund të pretendojë se e tëra çfarë mund të bëjë është të numërojë dhe të presë.

Këtu qëndron kontradikta më e madhe në qëndrimin e qeverisë. Nga njëra anë, Qeveria e njeh qartë se ekziston rreziku që kriza e Lindjes së Mesme të përhapet në çmimet e ushqimeve – prandaj po ndërhyn në karburant, prandaj Inspektorati i Tregut është në terren, prandaj Ministria po flet për masa të mundshme të synuara për më të prekshmit.

Nga ana tjetër, e njëjta qeveri dëshiron të japë përshtypjen se ende nuk po ndodh asgjë serioze. Ky është një pozicion politikisht i përshtatshëm, por ekonomikisht i dobët.

Sepse kur çmimet kanë filluar të rriten për kaq shumë produkte bazë, shteti nuk është më në fazën e vëzhgimit. Është në fazën e zgjedhjes: ose do të ndërhyjë në kohë, ose do të shpjegojë pse u vonua.

Advertisement

Dhe pikërisht për këtë arsye teza mbetet e njëjtë: çmimet nuk shpërthyen me një vendim spektakolar, por në heshtje, vetëm brenda një jave, në të gjitha ato produkte pa të cilat nuk mund të mbijetohet muaji.

Përgjigja zyrtare e Ministrisë është e rëndësishme sepse tregon se Qeveria është e vetëdijshme për rrezikun, se tashmë e sheh problemin dhe se po përgatitet për masa të mundshme.

Por e njëjta përgjigje zbulon edhe pikën e dobët të qeverisë: ndërsa shteti ende thotë se nuk ka rritje të konsiderueshme më të gjerë, realiteti në tregje e ka shtyrë tashmë këtë tezë mënjanë.

Dhe kur qeveria vonohet pas policës, qytetari paguan gjithmonë i pari.

Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale, veçanërisht në energji dhe zinxhirët e furnizimit. Rritja e pasigurisë në këtë rajon ka shkaktuar luhatje në çmimet e naftës dhe transportit, të cilat më pas reflektohen në koston e prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve ushqimore. Si rrjedhojë, edhe ekonomitë më të vogla dhe të varura nga importi, si ajo e Maqedonisë së Veriut, ndjejnë efektin zinxhir, ku çdo rritje e kostove në nivel global përkthehet gradualisht në çmime më të larta për konsumatorët në raftet e supermarketeve.

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat