Lajme nga vendi
Kufizime parazgjedhore për zyrtarët, ndërmarrjet publike dhe shpenzimet buxhetore
Në prag të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill, zgjedhjeve parlamentare më 8 maj dhe fillimit të fushatës parazgjedhore, Kodi Zgjedhor parasheh kufizime parazgjedhore për zyrtarët, ndërmarrjet publike dhe shpenzimet buxhetore.
Në periudhën prej 20 ditësh para fillimit të fushatës zgjedhore deri në përfundimin e zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve në Kuvend dhe zgjedhjes së Qeverisë, nuk mund të mbahen ngjarje publike me rastin e fillimit të ndërtimit apo vënies në punë të objekteve të ndërtuara me mjete nga Buxheti ose nga fondet publike, ose me mjete të ndërmarrjeve publike ose personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror.
Ndalimi i mbajtjes së ngjarjeve publike nuk nënkupton dhënien e një deklarate publike të një bartësi të funksionit publik ose një kandidati për funksion publik në një tubim, intervistë për media, debat mediatik ose përgjigje në pyetjen e një gazetari.
Në bazë të nenit 8a të Kodit Zgjedhor, nga dita e marrjes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve në Kuvend dhe zgjedhjes së Qeverisë, nuk mund të fillojë ndërtimi me mjete financiare nga buxheti ose nga fondet publike ose mjetet e ndërmarrjeve publike dhe personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror për objektet e reja infrastrukturore si rrugët, tubacionet e ujit, linjat e transmetimit, kanalizimet e zeza, terrenet sportive dhe objekte të tjera ose objekte për aktivitete shoqërore si shkolla; kopshte dhe objekte të tjera, përveç nëse për këtë qëllim paraprakisht janë siguruar mjete nga buxheti, përkatësisht bëhet fjalë për zbatimin e një programi të miratuar në bazë të ligjit në vitin aktual.

Gjithashtu nuk është e mundur të bëhen pagesa kompensimi nga mjetet buxhetore apo mjetet publike që nuk janë pagesa të rregullta mujore, as të tjetërsohet kapitali shtetëror apo të nënshkruhen kontrata kolektive. Në institucionet shtetërore dhe publike nuk do të mund të fillojë procedurë për punësimin e personave të rinj apo ndërprerje të marrëdhënies së punës.
Deri në përfundim të zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve, Ministria e Financave është e obliguar që të gjitha pagesat buxhetore, përveç pagave të rregullta, pensioneve dhe shpenzimeve komunale, t’i publikojë publikisht në internet në një bazë të posaçme të dhënash për shpenzimet buxhetore në periudhën zgjedhore.
Ministria e Financave, dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve paraqet një raport financiar parazgjedhor me pasqyrë të të gjitha të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara nga buxheti sipas zërave, në periudhën nga fillimi i vitit fiskal deri në ditën e paraqitjes së raportit.
Fondet publike, ndërmarrjet publike dhe të gjitha personat e tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror, në afat prej dhjetë ditësh nga dita e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve për president dhe deputet në Kuvend, ishin të detyruara t’i dorëzojnë të dhënat në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për numrin, llojin, targën dhe gjendjen e e mjeteve motorike që disponojnë. Të dhënat dorëzohen në formë elektronike në formularin të cilin me propozim të KSHPK-së e shkruan KSHZ-ja.
KSHPK në ueb faqen e saj e publikon regjistrin e mjeteve motorike zyrtare të fondeve publike, ndërmarrjeve publike dhe të gjithë personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror. Nëse personat juridikë nuk dorëzojnë të dhëna, KSHPK-ja fillon procedurë kundërvajtëse në afat prej 15 ditësh nga skadimi i afatit për dorëzimin e të dhënave.
Zgjedhjet e shtata presidenciale në vend duhet të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e 11-ta parlamentare më 8 maj së bashku për raundin e dytë të mundshëm të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas librit të afateve të miratuar nga KSHZ-ja, fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe në rrethin e parë dhe të dytë të votimit dhe nuk duhet të zgjasë 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill në orën 00:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 22 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të jetë nga 18 prilli deri më 6 maj.
Lajme nga vendi
Ministria e Jashtme e Bullgarisë: Maqedonia të përmbushë detyrimet e saj
Bullgaria këmbëngul që Republika e Maqedonisë së Veriut të përmbushë detyrimet e saj për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve, njoftoi sot Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Nga atje shpjegojnë se organizatat e komunitetit bullgar në Maqedoni kanë shpërndarë një letër zyrtare në lidhje me draftin e rishikuar të Planit të Veprimit për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave që u Përkasin Minoriteteve dhe Komuniteteve, të paraqitur nga Qeveria e RMV-së.
“Ministria jonë e Punëve të Jashtme kujton se ky Plan Veprimi është një dokument themelor, pjesë e Konsensusit Evropian të vitit 2022, zbatimi i të cilit do të monitorohet gjatë gjithë procesit të negociatave për pranimin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në BE”, thekson Sofja.
Siç raportohet nga mediat bullgare, në qëndrimin e tyre, anëtarët e komunitetit bullgar në vend shprehin shqetësim për mungesën e reflektimit të plotë në draftin e planit të veprimit të komenteve dhe sugjerimeve të tyre nga dhjetori 2025.
Sipas tyre, dokumenti vazhdon të mos adresojë mjaftueshëm problemet e rëndësishme me të cilat përballet komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut dhe nuk ofron mekanizma efektivë për tejkalimin e tyre.
Lajme nga vendi
Kryeministri Mickoski, do të sigurohemi që Struga të lidhet me autostradën e “Korridorit 8”
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pavarësisht reagimeve të UNESCO-s, do të sigurohen që Struga të lidhet me autostradën e Korridorit 8, përcjell TV21. Mikcoski tha se nuk do të lejojë polarizim etnik të kësaj çështje.
“Kush tha se Struga nuk do të lidhet me autostradë? Qytetarët e Strugës duhet të jenë rehat, sepse kjo qeveri është qeveri në gjithë territorin e shtetit dhe nuk do të harrojë askënd, siç e kemi treguar deri tani. Përfshi qytetarët e Kërçovës, përfshi qytetarët nga Vevçani, nga Debërca, nga Ohri dhe në të gjithë territorin dhe përfshi të gjithë komunat që janë përgjatë Korridorit 8 dhe 10. Askush nuk do të harrohet, e para. E dyta, konstruksionet dhe tentimet për polarizim etnik nga ana e opozitës, partive të caktuara politike dhe mediumeve të caktuara, nuk do ta komentoj. Deri sa të jem kryeministër nuk do të lejojë polarizim etnik të shtetit, sepse nëse ashtu shohim, fillimisht komunat Kërçovë, Debërc, Ohër, Strugë dhe Vevçani, shumicë e banorëve janë bindshëm maqedonasit, kështu që politikanë të caktuar nga blloku shqiptar në opozitë nuk do t’i komentoj. E dyta, neve si qeveri na konvenon që të ndërtohet, sepse kështu rritet PBV-ja”, theksoi Mickoski.
Mickoski tha se segmenti Trebenishtë-Qafë Thanë është tërhequr pasi është në pjesën e perimetrit që është i mbrojtur nga UNESCO, ndërsa tha se deri në qershor do të dihet fati i këtij segmenti.
“Qeveria e kaluar, nga realizimi i Korridoreve 8 dhe 10D, projektet, ka realizuar për tre vite vetëm avans, dhe për atë avans, me shumë gjasa ka paguar provizion. Deklarata ime ishte se po, ka problem që e ka theksuar UNESCO, do ta dimë në qershor përfundimisht se çfarë do të ndodhë. Dje dhe sot ministri Mucunski është në Paris, në bisedime me kryesinë e UNESCO-s, ata do të vinë në Maqedoni, dhe nëse ajo trajektore që e kanë paraparë, ende është kontestuese për UNESC-n, do të kërkojmë mënyrë tjetër, absolutisht se qytetarët nuk do të mbeten pa lidhje, por gjithashtu, mirë është që ta parashtrojnë këtë pyetje te politikanët shqiptarë, jo në Maqedoni, në Shqipëri, sepse atje autostrada nuk do të jetë deri në Qafë Thanë, nuk do të jetë as magjistrale, por do të jetë 20-25 km para Qafë Thanës, kjo është pyetja e vërtetë”, theksoi Mickoski.
Lajme nga vendi
Klinika e Gastroenterohepatologjisë zgjeron shërbimet me dy metoda të reja mjekësore
Në Klinikën e Gastroenterohepatologjisë në kuadër të Qendrës Klinike “Nëna Terezë” – Shkup sot do të mbahet ngjarje me rastin e fillimit të dy procedurave medicinale: Kolangioskopia dhe Aplikimi Endoskopik i Stenteve nën Kontrollin e Endozografisë (LAMS).
Ngjarja do të mbahet në kabinetin e rinovuar të Endoskopisë së Klinikës.
Siç informojnë nga Klinika mysafir nderi në ngjarje do të jetë prof. dr. Petko Karaxhozov, profesor i gastroenterohepatologjisë dhe shef i Klinikës së Gastroenterohepatologjisë, Acibadem (Tokuda) Hospital, Sofje.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni6 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota6 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

