Lajme nga rajoni
Greqia do të mbyll kufijtë për dy ditë për shkak të grevave të punëtorëve
Greqia do të ketë të mbyllur kufinjtë për 48 orë si pasojë e një greve nga punëtorët e shërbimit doganor grek, transmeton REL.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, më 1 prill ka njoftuar shtetasit kosovarë që duan të vizitojnë Greqinë, për këtë mbyllje të paralajmëruar.
Sipas këtij njoftimi, mbyllja e kufinjve hyn në fuqi nga data 2 prill 2024, me fillim në ora 06:00 të mëngjesit e deri me datën 4 prill 2024, në ora 06:00 të mëngjesit.
“Kalimi i kufirit do të lejohet vetëm për këmbësorët, pa bagazhe dhe për personat me probleme serioze shëndetësore”, ka njoftuar MPJD-ja.
Ata po ashtu kanë shtuar se shtetasit e Kosovës që mund të kenë nevojë për informacione shtesë inkurajohen të kontaktojnë Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë në numrin e telefonit “+30 210 721 1711”.
Greqia është destinacion i shpeshtë i udhëtarëve nga Kosova, sidomos pas heqjes së regjimit të vizave nga 1 janari i vitit 2024.
Lajme nga rajoni
Tërmet me magnitudë 3.9 godet Shqipërinë, lëkundjet ndihen edhe në Tiranë
Një tërmet me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, duke u ndjerë në disa qytete të vendit.
Sipas të dhënave paraprake, epiqendra e tërmetit ishte rreth 13 kilometra larg Elbasanit, ndërsa lëkundjet u ndjenë në të gjithë Shqipërinë e Mesme, përfshirë Tiranën, Durrësin dhe qytete të tjera përreth.
Deri më tani, nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe po ndjekin zhvillimet pas lëkundjeve.
Shqipëria është një nga vendet me aktivitet sizmik të lartë në rajon, për shkak të pozicionit të saj gjeologjik, ndaj lëkundje të tilla regjistrohen periodikisht.
Lajme nga rajoni
Haxhiu e prerë: Nuk lejojmë gjyqtarë dhe prokurorë nën urdhrat e Serbisë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova nuk mund të lejojë që në sistemin e saj të drejtësisë të ketë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë që u binden urdhrave të Serbisë.
Ajo i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta zbatojë ligjin dhe të veprojë njësoj si Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë përfituar mjete financiare nga Serbia. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në Kosovë kanë marrë mjete financiare nga Serbia”, ka thënë ajo.
Haxhiu teksoi se ka raste kur ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë “kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane edhe për bllokimin e rrugëve në Kosovë”.
“Mandati i prokurorit dhe i gjyqtarit përfundon me dorëheqje. Ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat. Në linjë me përgjegjësitë e mia, unë sot i bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nuk mund të lejojmë që në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që u binden urdhrave të Serbisë. Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të lejonte që në shtetet e tyre të kishin prokurorë dhe gjyqtarë që u binden shteteve të tjera? Dyert e institucioneve tona janë të hapura për prokurorë dhe gjyqtarë serbë që nuk ndikohen nga Serbia”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu: Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, drejtësia në veri ka dështuar
Haxhiu tha se ndikimi i drejtpërdrejtë i Serbisë te këta individë, ka bërë që drejtësia në veri të dështoj më parë.
“Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Dhe ka dyshime të bazuara që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instruktuara nga qarqe të lidhura me krimin, por edhe me pushtetin në Serbi”, ka thënë ajo.
Ajo tha se ka dëshmi se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kryer aktivitete të dyshimta, duke u angazhuar me punë në shërbim të strukturave ilegale serbe që kanë operuar në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit.
Lajme nga rajoni
KGJK-ja sot shqyrton tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë
Sot do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilën pritet të shqyrtohen disa çështje me rëndësi për funksionimin e sistemit gjyqësor në vend.
Njëra ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe i njoftimeve të dorëzuara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës nga komuniteti serb lidhur me tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
U.d. Presidentja Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli të trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim përfundimtar lidhur me statusin e dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe personeli administrativ i komunitetit serb, të cilët kishin braktisur institucionet e drejtësisë në veri të vendit.
Kërkesa vjen në një kohë kur një numër pjesëtarësh të komunitetit serb kanë shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në institucionet e Kosovës, duke njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të mëhershme. Vendimi që do të marrë KGJK-ja pritet të ketë ndikim në funksionalizimin e plotë të sistemit gjyqësor, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.
Përveç kësaj çështjeje, anëtarët e Këshillit do të shqyrtojnë edhe pika të tjera të parapara në rendin e ditës, ndërsa pritet të zhvillohet edhe procesi i zgjedhjes së zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

