Lajme nga vendi
Nevojitet ritëm i shpejtë për reformat në gjithë Ballkanin Perëndimor
Rreth njëzet vjet presin disa vende të Ballkanit Perëndimorpër afrimin në BE, por rruga është me pengesa. Reformat e nevojshme në shumë drejtime nuk janë zbatuar, po ashtu për shumë kohë në BE ka munguar vullneti politik dhe një strategji e qartë ndaj Ballkanit Perëndimor.
E pikërisht tani, kur Europa po përballet me dy luftra – lufta sulmuese e Rusisë në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme – po bëhet e qartë, se një Ballkan Perëndimor i pa stabilizuar mund të jetë një rrezik shtesë për sigurinë. “Lufta sulmuese ruse ndaj Ukrainës e ka bërë një domosdoshmëri gjeopolitike zgjerimin e BE-së”, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock të hënën (4.03.2024) në Mal të Zi – stacioni i parë i vizitës së saj në udhëtimin dy ditor në Ballkanin Perëndimor.
Mali i Zi po rrit shpejtësinë
Koha e zgjedhur për udhëtimi i kryediplomates gjermane nuk është rastësi: Në mes të marsit publikohet raporti i radhës i Komisionit të BE-së për progresin dhe pak pas tij në samitin e BE-së do të diskutohen hapat e mëtejshëm. Vendi anëtar i NATO-s, Mali i Zi, njëri prej gjashtë vendeve aspirante për antarësim në BE, ka përparuar mjaft në procesin e negociatave.
Mali i Zi nisi një reformë në drejtësi dhe posti vakant prej vitesh i kryeprokurorit tani më në fund u plotësua nën presionin e Brukselit. Megjithatë deri në përmbushjen e të gjitha kritereve rruga është e gjatë. Pavarësisht kësaj qeveria pro-europiane e Malit të Zi po nxit procesin me një plan mjaft ambicioz: “28 by 28” është nisma kombëtare, që ka për qëllim antarësimin e vendit deri në vitin 2028 në BE.
Nga 2028 bë BE?
Baerbock nuk dëshironte të pozicionohej konkretisht për datën, duke nënvizuar, se duam ta përshkojmë bashkarisht rrugën për në BE e “madje sa më shpejt”. Por zgjerimi nuk është “qëllim në vetvete, por i shërben forcimit të Europës sonë të përbashkët”, tha ajo. Nga 33 kapituj të hapur Mali i Zi deri tani ka përmbyllur vetëm tre. Megjithatë ministri i Jashtëm malazez, Filip Ivanovic, dha një sinjal pozitiv. Vendi i tij do t’i përmbahet datës së antarësimit në vitin 2028: “Eshtë e mundur dhe realiste”, siguroi ai.
Në Mal të Zi fryma pro antarësimit në BE është mjaft pozitive: Gati 80 përqind e popullsisë janë për antarësimin e vendit në BE. Ndërsa në Serbi vetëm një në tre qytetarë preferojnë antarësimin e vendit të tyre në BE. Udhëheqja aktuale e Malit të Zi do ta shfrytëzojë këtë frymë pozitive të popullsisë për avancimin e reformave.
Bosnja në udhëkryq
Edhe qeveria e Bosnjes dhe Hercegovinës, ku Baerbock qendroi të martën (5.03.2024) siguroi, se do të angazhohet për reformat e nevojshme për në BE. Krahas një ligji për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ky vend do të miratojë edhe një ligj tjetër lidhur me konfliktin e interesit dhe do të nisë reformën në drejtësi.
Ministrja e Jashtme e sheh aktualisjt Bosnjen dhe Hercegovinën në një “udhëkryq vendimtar” në rrugën drejt BE-së. “Ka herë pas here momente në histori, ku duhet kapur çasti dhe duhet shfrytëzuar shansi”, tërhoqi vëmendjen Baerbock në Sarajevo gjatë konferencës së shtypit me homologun boshnjak Elmedin Konakoviç.
Sidoqoftë proceset e vendimmarrjes në Bosnje dhe Hercegovinë janë shumë të vështira. Për shkak të ndarjes në tri etni të vendit reformat e mëdha janë të lidhura me procese të vështira e të mundimshme të vendimmarrjes. “Secili politikan këtu mund t’i bllokojë proceset e vendimmarrjes”, shpjegoi ministri iJashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakovic, gjendjen në vend. “Ne nuk duam t’ua pengojmë shansin qytetarëve tanë për antarësimin në BE”, theksoi ai.
Influenca ruse destabilizuese
Bosnje dhe Hercegovina është që nga dhjetori 2022 vend kandidat për antarësim në BE. Udhëheqja në Sarajevë ndërkohë po lufton jo vetëm për gatishmërinë për reforma të të gjitha pjesëve të vendit, por edhe ndaj influencës gjithnjë në rritje e përpjekjeve të Moskës për destabilizim. Në Bosnje dhe Hercegovinë këto përpjekje kanë një emër: Milorad Dodik. Presidenti nacionalist i Republika Srpska (RS) synon shkëputjen e pjesës serbe nga vendi. Ngjashëm si edhe presidneti i Serbisë Vuçiq, edhe Dodik ruan kontakte të ngushta me Kremlinin dhe së fundi vizitoi Aleksandër Lukashenkon dhe Vladimir Putinin.
Në pamje të jashtme udhëheqja e Bosnje dhe Hercegovinës përpiqet ta nënvleftësojë rolin problematik të separatistit Dodik. Njerëzit në vend tashmë janë ambjentuar me të, tha Ivanoviç. Por Baerbock në takimin e përbashkët tërhoqi vëmendjen nga rreziku i “fantazive për shkëputje” dhe bëri thirrje për ruajtjen e unitetit të vendit në rrugën për në BE. “Ne duam, që Bosnje dhe Hercegovina të antarësohet si një e tërë në BE”, tha ajo në Sarajevë.
Ballkani Perëndimor në aspektin gjeopolitik më i rëndësishëm se kurrë më parë
Krahas problemeve të politikës së brendshme dhe rritjes së influencës nga Rusia, situata aktuale gjeopolitike krijon shqetësim në Ballkanin Perëndimor. Disa druajnë, se pas zgjedhjeve të BE-së në Parlamentin Europian mund të ketë më shumë deputetë skeptikë ndaj zgjerimit dhe se në SHBA Donald Trump mund të fitojë zgjedhjet presidenciale. Ndaj ka shqetësim, se kjo do ta zbehte sërish vëmendjen e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor.
Por nuk e shohin kështu gjendjen politikanët gjermanë që merren me politikën e jashtme. Politikani kristiandemokrat, Jürgen Hardt, i cili bënte pjesë në delegacionin e ministress ë Jashtme Baerbock gjatë këtyre vizitave në Ballkanin Perëndimor, mendon, se pikërisht zhvillime të tilla do ta rrisin edhe më shumë peshën gjeopolitike të këtij rajoni për Europën. Rëndësia e këtij rajoni “është aktualisht me e madhe se asnjëherë më parë”, i tha ai DW-së. Ky rajon nuk duhet të lihet si zonë e influencës ruse.
“Pikërisht në një sfond të tillë, që ballkani perëndimor është kaq pranë nesh, qëllimi ynë duhet tëjetë, që Europa dhe Perëndimi të luajnë aty rol parësor”, tha i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili gjithashtu shoqëronte ministren Baerbock gjatë këtyre vizitave. Një rajon kaq i afërt i pastabilizuar mund të kthehej në një pikë të dobët për Europën.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

