Lajme nga vendi
LËVIZJA DEMOKRATIKE EMËRON DY PROFESORË UNIVERSITARË PËR ZV/MINISTRA

Lëvizja Demokratike e zv/kryeministrit të parë, Izet Mexhiti në Qeverinë e re do të ketë dy zëvendësministra, Kaltrina Zekolli Shaqiri në ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Astrit Iseni në ministrinë e Punëve të Brendshme. Që të dy doktorë shkence dhe profesorë universitarë.
LD me profesorëshën Zekolli Shaqiri dhe profesorin Iseni reflekton angazhim maksimal për një qeverisje ndryshe dhe të bazuar me dije.
Nëpërmjet këtyre emërimeve tregohet qartë se promovimi i individëve me kualifikime të larta është në qendër të vizionit si parti. Një Qeveri e informuar dhe e udhëhequr nga kuadro profesional është thelbësore për stabilitetin dhe përparimin e shtetit.
Lajme nga vendi
I dha rreth 18 mijë euro paradhënie për të blerë banesë në Tetovë, mashtrohet 61-vjeçari nga Gostivari

Një 61-vjeçar nga Gostivari tha se është mashtruar nga një person me rreth 18 mijë euro. Siç denoncoi ai në polici, në muajin prill dëshironte të blinte banesë në Tetovë ku i dha 17,740 euro paradhënie Sh.F nga Tetova, por sipas 61-vjeçarit, nuk është nënshkruar akoma kontratë dhe se personi e ka shmangur gjatë gjithë kohës.
“Më 02.10.2025 në orën 09:00 në DPB Gostivar, një 61-vjeçar nga një fshat i Gostivarit ka raportuar se gjatë muajit prill 2025 është mashtruar nga Sh.F. nga Tetova për shumën prej 17.740 euro. Sipas denoncimit, ata kishin rënë dakord të blinte një apartament prej tij në Tetovë dhe i kishte dhënë paratë si kapar për banesën. Siç është raportuar, nga ajo ditë e deri në denoncim nuk kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes për apartamentin, dhe personi e ka shmangur, kështu që ka kuptuar se ishte mashtruar. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thuhet në raportin e policisë.
Lajme nga vendi
Gjykata miratoi ktakuzën për zjarrin në Koçan, procedura kundër 37 të pandehurve do të zhvillohet në Shkup

Aktakuza për zjarrin në diskotekën e Koçanit “Puls” është miratuar plotësisht, njoftoi Gjykata Themelore Penale në Shkup. Këshilli për vlerësimin e aktakuzës ka nxjerrë vendim me të cilin miratohet aktakuza, pas së cilës është formuar lëndë penale, e cila i është caktuar një gjyqtari kompetent për procedura të mëtejshme përmes sistemit AKMIS, transmeton Portalb.mk.
Ky është një rast me 37 të pandehur dhe 33 avokatë mbrojtës, të cilin Gjykata Supreme vendosi më 25 qershor ta zhvendosë nga Koçani në Shkup. Shpjegimi ishte se çështja duhet të trajtohet nga “gjyqtarë me përvojë dhe njohuri të fituara për çështjet penale të cilët do të mundësojnë procedura efikase, profesionale dhe ligjore, dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik”.
Gjykata Penale thotë se pas marrjes së aktit, ata u përballën me një sërë problemesh, kryesisht me dorëzimin e aktakuzës te të gjitha palët. Siç shpjegojnë ata, ishte jashtëzakonisht e vështirë të gjendeshin të gjithë të pandehurit, sepse urdhri i paraburgimit për shumë prej tyre ishte zëvendësuar, dhe kishte edhe vështirësi në gjetjen e disa prej avokatëve mbrojtës në zyrat e tyre.
Një problem shtesë, sipas gjykatës, ishte se aktakuza fillestare e ngritur nga Gjykata Themelore e Koçanit nuk i kishte renditur plotësisht të dhënat personale të të pandehurve, si dhe adresat ku po vuhet masa e arrestit shtëpiak.
Ndërkohë, dy gjyqtarë duhej të përjashtoheshin nga këshilli i vlerësimit të aktakuzës. Gjyqtarja Biljana Kocevska kërkoi përjashtim sepse vajza e saj është avokate mbrojtëse për disa nga të dyshuarit, dhe gjyqtarja Branka Naumovska për shkak të një marrëdhënieje familjare me njërën nga viktimat. Për shkak të konfliktit të interesit, gjyqtari Ivica Stefanovski u përjashtua gjithashtu nga veprimi në këshillin penal.
Gjykata thotë se pavarësisht të gjitha këtyre sfidave, ata vepruan në mënyrë sa më efikase që mundën, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procedurës, interesin publik dhe ndjeshmërinë e mbi 250 palëve të dëmtuara dhe familjeve të atyre që vdiqën në zjarr.
Gjykata thotë se palët dhe publiku do të informohen më tej për të gjitha hapat e mëtejshëm në procedurë.
Aktakuza për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” në Koçani u ngrit pothuajse tre muaj pas tragjedisë, më 13 qershor. Janë akuzuar gjithsej 34 individë dhe tre persona juridikë.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.
Lajme nga vendi
Zoran Bozhinovski përjashtohet nga SHGM për shkelje serioze etike dhe ngacmim me bazë gjinore

Bordi Drejtues i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), duke vepruar sipas propozimit të Këshillit të Nderit pranë SHGM-së, mori vendim për përjashtimin e Zoran Bozhinovskit nga anëtarësia e SHGM-së për shkak të shkeljeve të disa neneve të Kodit Etik të Gazetarëve. Vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të rënda dhe të përsëritura të Kodit Etik – përmes një serie publikimesh të fundit që nxisin ngacmim me bazë gjinore ndaj gazetareve dhe cenojnë reputacionin dhe privatësinë e tyre. Përveç kësaj, këto publikime nxisin komente dashakeqe, me ç’rast inkurajohen edhe persona të tjerë të përhapin gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime, dhe në këtë mënyrë krijohet një ambient armiqësor dhe rritet rreziku për sigurinë e gazetareve.
Këshilli i Nderit pranë SHGM-së, duke ndjekur Statutin dhe Rregulloren e punës, pas shqyrtimit të pesë ankesave të dorëzuara në SHGM nga gazetarja Zhanna Bozhinovska, në emër të Mirosllava Simonovska, pastaj nga Jovana Kostadinovska, Aneta Andonova, Sashka Cvetkovska dhe Meri Popova, vendosi se Zoran Bozhinovski ka shkelur rëndë nenin 10, nenin 15 dhe nenin 16 të Kodit të Gazetarëve. Në bazë të kësaj, Këshilli dha propozim për përjashtim, i cili u pranua nga Bordi Drejtues i SHGM-së.
Pse është marrë ky vendim? SHGM ka për obligim të mbrojë standardet profesionale dhe sigurinë e anëtarëve të saj. Normalizimi i ngacmimit dhe poshtërimit publik – sidomos kur drejtohen kundër grave – drejtpërdrejt e minon lirinë e shprehjes, e cenon besimin në media dhe i dekurajon gazetaret të jenë të zëshme dhe të pranishme në sferën publike.
Cilat janë pasojat nëse kjo nuk trajtohet siç duhet? Injorimi i këtyre dukurive çon drejt rritjes së mosndëshkimit, përshkallëzimit të sulmeve online dhe offline, autocensurës dhe shtypjes sistematike të zërave të grave në media, gjë që është e dëmshme për interesin publik dhe diskursin demokratik. SHGM rikujton se, sipas ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023, cenimi i sigurisë së punonjësve mediatikë përbën vepër penale, për të cilën tashmë ekziston edhe praktikë gjyqësore.
Theksojmë se çdo anëtar i SHGM-së, gjatë anëtarësimit, nënshkruan deklaratë se do t’i respektojë dispozitat e Kodit Etik. Sipas nenit 20 të Statutit, një anëtar ndaj të cilit janë paraqitur dhe pranuar ankesa për shkelje serioze të Kodit mund të përjashtohet nga shoqata, dhe me këtë t’i humbasë përfitimet nga anëtarësia – ndihmën dhe përfaqësimin ligjor, të drejtën për të marrë dhe përdorur legjitimitet gazetaresk (kombëtar dhe ndërkombëtar, sipas rregullave), pjesëmarrjen në organet dhe programet e SHGM-së, qasjen në trajnime, rrjete dhe shërbime të tjera për anëtarët.
SHGM, si organizata më e vjetër profesionale e gazetarëve në vend me traditë 79-vjeçare, mbetet në anën e gazetarisë profesionale dhe të të gjithë gazetarëve që me integritet dhe përgjegjësi e kryejnë punën e tyre në interes të publikut.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve