Lajme nga vendi
Kryetari Limani paralajmëron 15 projekte me të cilat dukshëm do të përmirësohet infrastruktura rrugore e Gostivarit

Komuna e Gostivarit ka aplikuar me 15 projekte në thirrjen për ndarjen 100 milionë eurove nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Shumica e projekteve kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore të qytetit, në mesin e tyre edhe ndërtimin i një shëtitoreje të re në qendër të qytetit. Bëhet fjalë për rrugën “Koço Zozi” e cila lidh sheshin me filialin kryesor të Postës në Gostivar.
Kryetari Valbon Limani thotë se të gjitha projektet me të cilat kanë aplikuar, janë hartuar sipas standardeve që kërkohen dhe pret që të gjithë të pranohen.
“Si administratë e komunës së Gostivarit, tashmë kemi përgatitur aplikacionet për15 projekte infrastrukturore. Kryesisht bëhet fjalë për rikonstruktim dhe asfaltim të rrugëve në komunën e Gostivarit. Njëri prej projekteve që dua ta përmend është pjesa e Kinemasë së vjetër e cila do të shndërrohet në një shëtitore moderne. Besoj dhe shpresoj që këto projekte të realizohen deri në fund të vitit apo pranverën e ardhshme kur presim të ketë edhe një shpallje në të cilën gjithashtu do të aplikojmë me projektet që i kemi paraparë”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Kryetari Limani bëri të ditur se aktualisht është duke u punuar në rregullimin e kanalizimit në rrugën Zdunjë – Debresh. Në një gjatësi prej mbi dy kilometra, rregullohet për herë të parë në këtë pjesë të qytetit, ndërsa pas mbarimit të tij, tashmë autoritetet lokale thonë se kanë siguruar mjete financiare edhe për asfaltimin e rrugës.
“Kanalizimi në rrugën Zdunjë – Debresh vazhdon dhe mendoj se për një kohë të shkurtër do të finalizohet ajo pjesë e cila kishte mbetur. Ndërkohë, në kontakt me Bankën Botërore dhe me kompaninë e cila filloi punimet në rrugën Zdunjë-Debresh, u njoftova se javën tjetër fillon pjesa e mbetur e asfaltimit dhe besoj se deri në fund të vjeshtës edhe ajo do të kompletohet tërësisht”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Ditët në vijim pritet të fillojë edhe një projekt tjetër i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore. Bëhet fjalë për bulevardin “Goce Dellçev”, i cili do të rikosntruktohet dhe asfaltohet në të dyja anët e tij nga Pallati i Kulturës deri te Stacioni i autobusëve.
“Për kohë të shkurtër, ndoshta javën tjetër, do të fillojë rikonstruktimi dhe asfaltimi i bulevardit ‘Goce Dellçev’, pjesa që e lidh nga Pallati i Kulturës deri te Stacioni i autobusëve, pjesë e cila mendoj se ka nevojë për rikonstruim, ndërsa me 15 projektet që i përmenda në fillim, infrastruktura rrugore në qytet dukshëm do të përmirësohet”, deklaroi Limani.
Në këtë thirrje, kryetari Limani bëri të ditur se fokusi më shumë është vendosur në infrastrukturën e qytetit, kurse tek thirrja e dytë e cila do të shpallet nga qeveria në fillim të vitit tjetër me vlerë 250 milionë euro, theksi do jetë në infrastrukturën e fshatrave.
Ndryshe, sot skadon afati ku komunat duhet të plotësojnë formularin e aplikimit për thirrjen publike të shpallur nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Pas marrjes së formularëve të aplikimit fillon procesi i vlerësimit, i cili pritet të përfundojë jo më vonë se 10 ditë dhe në bazë të tij ministritë përkatëse përgatisin propozimin për vendim se cilat projekte do të financohen nga dikasteret e tyre dhe Propozimi për vendim dorëzohet për miratim në seancë të qeverisë.
Mjetet do të ndahen përmes gjashtë ministrive përkatëse, përkatësisht: Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Sporteve.
Lajme nga vendi
NJTKZ – TETOVË, PRANON DONACION UNIFORMA NGA ZVICRA

Dy mërgimtarë nga Tetova, të cilët jetojnë në Zvicër, njëri prej të cilëve ushtron profesionin e zjarrfikësit atje kanë sjellë donacion, uniforma, pajisje dhe tuba për zjarrfikësit e Tetovës. Harbin Jakupi shpreson që nëpërmjet këtij donacioni të ndihmohen zjarrfikësit e Tetovës të cilët për ç’do ditë përballen me flakët dhe zjarrin.
Udhëheqësi i Njësitit Territorial kundër Zjarrit në Tetovë, Avni Ameti theksoi se pajisje të tilla u kanë munguar zjarrfikësve të Tetovës dhe do të jenë një ndihmë e madhe për të gjithë zjarrfikësit. Ameti deklaron se kjo nuk është hera e parë që ky njësit pranon donacione të tilla të mbështetura nga mërgimtarët shqiptarë.
Përndryshe, Njësia Territoriale Kundër Zjarrit – Tetovë, është njësi e cila mbulon territorin e Komunës së Tetovës dhe pesë komunat rurale që gravitojnë në të. Njësiti është i pajisur me 13 automjete speciale kundër zjarrit dhe 75 zjarrfikës – shpëtimtarë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues të vendit dhe të huaj

Këto zgjedhje do të mbahen pa miratimin e asnjë prej rekomandimeve të fundit të OSBE-ODIHR-së, organizatës që monitoron zbatimin e zgjedhjeve. Propozim-ndryshimet nga rekomandimet e ODIHR-së ngecën në Kuvend, bashkë me propozim-ndryshimet e tjera ligjore.
ODIHR-ja nisur monitorimin që në 5 shtator. Misioni drejtohet nga Matteo Mecacci dhe përbëhet nga 13 ekspertë me seli në Shkup. 24 vëzhgues afatgjatë janë vendosur në të gjithë vendin nga 11 shtatori, dhe ODIHR ka njoftuar gjithashtu që 250 vëzhgues afatshkurtër do të mbërrijnë në vend një ditë para ditës së votimit. ODIHR-ja publikon raportin e parë ku evidentohen parregullsitë që detektojnë gjatë vëzhgimit dhe kërkojnë mënjanimin e tyre përmes raporteve të veçanta dhe rekomandimeve që u japin autoriteteve vendase.
Parregullsitë dhe shkeljet eventuale ndiqen edhe nga institucionet vendase.
Prokuroria dy javë më parë ka formuar Komisionin e përkohshëm për ndjekjen e veprimeve rreth shkeljeve dhe parregullsive eventuale zgjedhore të cilën e drejton Xhelal Bajrami kurse në të janë edhe 5 prokurorë të tjerë nga të gjithë prokuroritë e larta publike. Komisione të ngjashme në të kaluarën nuk kanë proceduar asnjë shkelje serioze zgjedhore e cila do të kishte rezultuar me dënime ose gjoba më serioze për shkelësit.
Aktivitete për ndjekjen e parregullsive eventuale zgjedhore ka ndërmarrë edhe Komisioni për parandalimin e korrupsionit.
Antikorrupsioni ndjek fushatën e filluar para kohë, financimet, keqpërdorimin e veturave zyrtare dhe institucioneve publike për përfitime të fushatës. Ky institucion njoftoi se nga 1514 institucione që janë të detyruara të dorëzojnë të dhëna per vëturat, të dhëna kanë dorëzuar vetëm 635 ose 42%. 66% e institucioneve raportuan më shumë ose më pak automjete sesa janë të regjistruara në të dhënat e MPB-së. Nga 879 institucionet që nuk dorëzuan informacione, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, Antikorrupsioni ka zbuluar se 192 institucione kanë 2,028 automjete, por nuk kanë dorëzuar asnjë informacion për to.
Kandidatët firmosën deklaratën për zgjedhje fer dhe demokratike, pa presione ndaj administratës, megjithatë retorika përkeqësohet gjithmonë me afrimin e zgjedhjeve. Nga gjuha e papërshtatshme në foltore ndaj kundërshtarit e deri te mesazhet me presione me urdhra për pjesëmarrje në aktivitete politike, qarkullojnë vazhdimisht në rrjetet sociale.
Edhe keqpërdorimi i fëmijëve nga kandidatët në fushatë tashmë është bërë praktikë, kurse OJQ-të dhe shoqatat për mbrojtjen e fëmijëve e kanë dënuar atë. / Alsat.mk
Lajme nga vendi
Rregullat e reja të komunikacionit/ 1 muaj paralajmërime, pas 1 muaji gjoba

Kësaj kamere nuk i shpëton asgjë. E vendosur në uniformën e policit, ajo regjistron çdo moment; bisedën, reagimin si dhe sjelljen e qytetarit që ndalet nga zyrtarët policorë për shkak të përdorimit të telefonit apo dëgjueseve në të dy veshët, gjë që tashmë është në kundërshtim me ndryshimet e reja ligjore.
Në këto pamje shihet një nga patrullat e policisë rrugore në Shkup që po ndalon qytetarët për t’i paralajmëruar për ndryshimet e reja ligjore për sigurinë e qarkullimit rrugor. Kushdo që gjatë kalimit të vijave të bardha përdor telefon, dëgjon muzikë me kufje në të dyja veshët, apo thjesht bën scroll nëpër rrjetet sociale, tanimë konsiderohet shkelës i ligjit.
“Siç mund të shihet mbrapa meje, njëri nga këmbësorët, tashmë po merr vërejtje me shkrim nga ana e zyrtarëve policorë”, raporton gazetarja e Alsat, Ajnur Bafqari.
Për momentin nuk ka gjoba. Policia thotë se për 1 muaj, deri në njoftimin e radhës, do të jepen vetëm vërejtje me shkrim, me qëllim që qytetarët të njihen dhe të ndërgjegjësohen me rregullat e rija dhe të ndryshojnë sjelljet në kohë.
Në terren gjatë xhirimeve tona, disa qytetarë u ndaluan dhe morën paralajmërime verbale dhe me shkrim. Por prezenca e policëve në rrugë e bëri të veten. Qytetarë të shumtë që tashmë e kanë bërë zakon të ecurit me telefon në dorë apo dëgjueset në vesh, shiheshin teksa i hiqnin shpejt e shpejt nga duart ose nga koka, në momentin që shihnin zyrtarët policorë në terren…. ( atmosferë)
Rregullat e reja hynë në fuqi më datë 26 të këtij muaji dhe përfshin të gjithë këmbësorët, drejtuesit e biçikletave, motoçikletave dhe trotineteve elektrik, të cilët do të gjobiten me 40 euro, nëse gjatë kalimit të rrugës ose korsisë së biçikletave përdorin dëgjuese në të dy veshët, telefona, tableta apo pajisje të ngjashme elektronike. Nëse pagesa e gjobës bëhet brenda 8 ditësh, atëherë qytetarët lirohen nga gjysma e gjobës dhe do të paguajnë vetëm 20 euro. / Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve