Lajme nga rajoni
Psikologu Yll Avdijaj: TikToku nuk është për fëmijë
Psikologu Yll Avdijaj iu ka bërë thirrje prindërve që t’i kontrollojnë fëmijët e tyre gjatë përdorimit të internetit, duke shtuar se rrjeti social TikTok nuk është për fëmijë.
Ai ka thënë të mërkurën në emisionin “SOT” të KTV-së se fëmijët në ditët e sotme ndikohen nga rrjetet sociale pasi ekspozohen tërë kohën. Sipas tij, familjet e brishta me probleme brenda vetes “ndikojnë tek të rinjtë në aspektin emocional”.
“Në mjediset familjare ku nuk ka harmoni, fëmijët që përjetojnë një gjendje kaotike në familje ose probleme mes familjarëve, normalisht do të mbyllen në vete dhe do ta përjetojnë emocionalisht shumë keq…Prindërit duhet të jenë kujdestarët që i kontrollojnë fëmijët e tyre në një masë të caktuar se me çfarë lojërash apo rrjete sociale po merren. Sot është TikToku si më i famshmi që i ka disa rregulla që ‘s’është për fëmijët apo për mosha të reja’”, ka thënë Avdijaj, duke përmendur se kjo mund të çojë në vetëlëndimin e fëmijëve, duke marrë shembuj në internet.
Sipas tij, mungesa e dashurisë brenda familjes i nxit fëmijët të gjejnë veten në rrjetet sociale “ku gjejnë një ngushëllim ose përkatësi”. Ai është shprehur se në këtë gjendje emocionale, fëmijët mund të pranojnë gjithçka që ato grupe në internet kërkojnë.
Ndërsa njohësi i rrjeteve sociale nga Shkolla Digjitale, Ilir Kiçmari, ka deklaruar se nxënësit duhet të edukohen se çka mund të bëjnë në internet, pasi sipas tij, rrjetet sociale kanë moshë të caktuar të përdorimit. Ai bëri të ditur se duhet edhe prindërit të marrin informacione mbi rrjetet sociale dhe t’i monitorojnë fëmijët e tyre kur përdorin internetin.
“Në Shkollën Digjitale me nxënësit dhe prindërit tentojmë t’i edukojmë që të jenë të sigurt. Kemi njësi mësimi që quhen gjurmët digjitale që fëmijët i lënë në internet e përmes këtyre, duam t’i edukojmë. T’iu mësojmë çka të ndajnë me publikun, si t’i ndjekin rregullat e secilës lojë”, ka shtuar ai.
Psikologu ka shtuar se ka pasur raste që edhe pas moshës 18-vjeçare, njerëzit kanë kryer vetëlëndime si pasojë e ndikimit të rrjeteve sociale.
Një ditë më parë është raportuar për 13 nxënës të vetëlënduar me mjete të mprehta në Gjakovë, si pjesë e një fenomeni në rrjetin social TikTok.
Lajme nga rajoni
LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Lajme nga rajoni
KQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
“Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.
Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës./Periskopi
Lajme nga rajoni
Kapen mbi 250 kg suxhuk në Shtutgart në autobusin e Kosovës
Më shumë se 250 kilogramë sudxuk dhe produkte mishi u sekuestruan dje në Shtutgart Stuttgart në një autobus nga Kosova, raportuan mediat në Prishtina, duke iu referuar mediave gjermane.
Policia gjermani njoftoi se produktet e mishit u ekspozuan nga era.
“Era e fortë që vinte nga disa çanta në zonën e ngarkesës konfirmoi shpejt dyshimin e tyre për produkte ushqimore të paligjshme. Në total, oficerët sekuestruan 252,8 kg produkte mishi gjatë inspektimit”, raportojnë mediat e Kosovës.
Në të njëjtin autobus u gjetën edhe mallra të tjera, të dyshuara si të kontrabanduara.
Sipas këtyre mediave, kishte cigare, dritare alumini dhe një kondicioner.
Përveç kësaj, u sekuestrua edhe një qen.
Janë nisur procedura për shmangie nga taksat kundër dy shoferëve të autobusëve dhe një mbledhësi mallrash në stacionin e autobusëve.
Shoferët e autobusëve do të përballen gjithashtu me gjoba për importimin ilegal të produkteve të mishit.(INA)

