Connect with us

Lajme nga vendi

MEXHITI: MBËSHTESIM SHKENCËN SI ASNJËHERË MË PARË

Published

on

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti sot mori pjesë dhe kishte paraqitje në hapjen e punimeve të Takimit të 19-të vjetor të studiuesve shqiptar, të organizuar nga Instituti mbarëkombëtar ‘Alb-Shkenca’.
Në takim, ku të pranishëm ishin kryetari i ‘Institutit Alb-Shkenca’, Gentian Zyberi, zëvendës ministrat e Arsimit dhe Shkencës nga vendi ynë dhe Kosova, Lulzim Aliu dhe Arsim Ademi, zv.ministrja e Transporteve Kaltrina Zekolli Shaqiri, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri, studiues nga gjitha trojet shqiptare dhe Europa, zëvendës kryeministri i Parë Mexhiti, nën kujdesin e të cilit u organizua ky event, në emër të Qeverisë së RMV-së u dëshiroi mirëseardhje studiuesve në Shkup.
Mexhiti në paraqitjen e tij tha se rrugët për integrimin e arsimit padyshim që kalojnë përmes politikave arsimore të cilat i krijojnë qeveritë përkatëse të shteteve tona.
‘Hapësira shqiptare sot është më e pasur se kurdoherë me institucione të arsimit të lartë dhe institucione kërkimore shkencore të cilat na obligojnë neve si politikanë që të punojmë për të krijuar korniza të tilla juridike të cilat paradigmën e integrimit arsimor e shkencor do ta ngrisin në nivel të detyrimit dhe përkushtimit për realizim’, tha Mexhiti duke shtuar se në këtë drejtim  Qeveria ka akorduar rreth 35 milionë euro mjete për ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit Nënë Tereza në Shkup.
Përpos kësaj, tha Mexhiti, mjete janë alokuar edhe për laboratorin shkencor të Universitetit të Tetovës, e do të mbështetet edhe Universiteti i Evropës Jug Lindore në Tetovë, që janë tregues të përcaktimeve dhe orientimeve programore të Qeverisë e cila arsimin vërtetë e trajton si njërën ndër shtyllat themelore të shoqërisë dhe shtetit tonë.
‘Siç besoj jeni të njoftuar, aktualisht ekziston një ide për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoni të Veriut. Ne besojmë se ka ardhur koha për një institucion të tillë akademik shkencor dhe po punojmë për realizimin e kësaj ideje. Korniza ligjore ekziston, baza kushtetuese gjithashtu. Ajo çfarë nevojitet është mirëbesimi se ideja do të marrë formë’ deklaroi Mexhiti në takim, duke përfunduar me fjalët, ‘E kur shkenca flet – politika hesht!’
Në formë falënderimi për mbështetjen e gjashtë sesioneve të zhvilluara në Shkup, organizatorët u ndanë mirënjohje zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti si dhe kryetarit të Komunës së Çairit Visar Ganiu, ku po zhvillon punimet instituti.
Ky është Takimi i 19-të i Alb-Shkencës, që bashkon studiues, profesorë dhe profesionistë shqiptarë nga mbarë bota për të ndarë dhe shkëmbyer njohuri, ide dhe përvoja në fushën e shkencës dhe teknologjisë, ndërsa çdo vit zhvillohet në trekëndësishin Tiranë-Prishtinë-Shkup, në bazë të rotacionit.

Lajme nga vendi

Fetai: VLEN do ta mbështesë Mendi Qyrën në Komunën e Strugës

Published

on

Zv.kryeministri Arben Fetai dhe njëri ndër liderët e VLEN-it, ka thënë se do ta mbështesin Mendi Qyran si kandidat për kryetar të Komunës së Strugës.

Para shpalljes së kandidaturës nga Mendi Qyra, Fetai në emisionin “PodGo”, tha se VLEN do ta mbështesë Mendi Qyran, duke e quajtur edhe kandidaturë të qëlluar dhe fituese.

“Jemi në fazën e sondazheve. Është një kandidaturë e pavarur e cila tashmë përkrahet zyrtarisht nga VLEN-i që është Mendi Qyra në Komunën e Strugës. Është kandidatura më e qëlluar e mundshme. Do ta ketë përkrahjen e plotë të koalicionit. Ai ka qenë edhe themelues i subjektit Aleanca për Shqiptarët, e ndjejmë të afërt me dhe besoj është kandidaturë fituese që në fillim”, tha mes tjerash Fetai.

Ndërsa sa i përket komunave tjera, ai tha se ende nuk i kanë konfirmuar kandidatët dhe se për momentin janë duke bërë sondazhe.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Limani: Nuk e përjashtoj mundësinë që të jem kandidat për kryetar të komunës së Kërçovës

Published

on

Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini nga radhët e VLEN, Fatmir Limani nuk e përjashtoi mundësinë që të jetë kandidat për kryetar të komunës së Kërçovës në zgjedhjet lokale në vjeshtë, përcjell TV21. Limani tha se emri i tij është pjesë e anketave që po zhvillohen.

“Emri im është duke u anketuar, është pjesë përbërëse e anketave nga pala tjetër e opozitës. Nuk e përjashtoj këtë mundësi. Të gjithë e dimë se as Kërçova dhe as një komunë tjetër nuk janë dëshirë e jona personale, por është një realitet i bazuar mbi kërkesën dhe nevojat e qytetarëve. Ashtu siç të vendoset, ashtu edhe do të prononcohemi në fund”, the Limani.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Shkupjani humbi jetën pasi u godit nga një motoçikletë

Published

on

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se një person ka humbur jetë nga aksidenti i mbrëmjes së djeshme në rrugën “Leninova” në Shkup, përcjell TV21. Sipas MPB-së, një motoçikletë ka goditur për vdekje një këmbësor 68 vjeç.

“Më 01.07.2025 rreth orës 19:30 në SPB Shkup është raportuar se në një vendkalim për këmbësorë pranë rrugës “Leninova” në Shkup, një motoçikletë e markës “Kawasaki” me targa të Shkupit ka goditur këmbësorin J.N. (68) nga Shkupi, pas çka motoçiklisti është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga aksidenti, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa bashkudhëtari në motoçikletë, H.I. (26) nga Shkupi, ka pësuar lëndime të lehta, të cilat janë konstatuar në Kompleksin e klinikave “Nëna Terezë” dhe në Spitalin e përgjithshëm të qytetit “Shën Naum i Ohrit”. Si pasojë e lëndimeve të marra, J.N. ka ndërruar jetë në Kompleksin e klinikave “Nëna Terezë”. Është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes nga një ekip i SPB Shkup dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit”, thonë nga MPB.

Continue Reading

Më të lexuarat