Lajme nga vendi
VLEN: Fronti i Ahmetit dhe Selës vepron pa busull
Koalicioni VLEN në një kumtesë për media thekson se “skenari i Frontit Europian për destabilizim të vendit nuk kalon tek shqiptarët dhe se Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela janë të frustuar për këtë”.
“Menduam se 100 ditë janë kohë e mjaftueshme që Ahmeti dhe Sela ta pranojnë realitetin dhe t’i kthehen riorganizimit të brendshëm kadrovik dhe programor, para se të fillojnë të kërkojnë besimin e shqiptarëve. Megjithatë, duke nënvlerësuar naivisht inteligjencën e popullit, ata ngulin këmbë që mungesën e tyre në këtë qeveri ta shndërrojnë në arsye për të krijuar tensione ndëretnike. Fakti që ky skenar tinëzar nuk po u kalon te shqiptarët, të cilët ua bënë të qartë se nuk do të bëhen mjet për mbrojtjen e ish-funksionarëve të tyre të korruptuar, i ka bërë Ahmetin dhe Selën të frustruar, të hutuar dhe pa busull. Gjithë verën premtuan protesta në vjeshtë, pastaj kaluan në takime me anëtarësinë e tyre të zhgënjyer, shkruajnë letra patetike dhe i shtyjnë deputetët të jenë si pano të lëvizshme”, thonë nga VLEN.
Prej atje thonë se opozita e tanishme i detyrohet opinionit përgjigje për shumë pyetje.
“Pse “perëndimorët” e BDI-së iu përulën Lavrovit në mes të Shkupit? Pse, sa ishin në pushtet, i dhanë shtetësi Aleksandër Onishçenkos, ndërkohë që mijëra shqiptarë të lindur në Maqedoni i lanë pa shtetësi? Pse i dhanë biznese në Tetovë Daka Davidoviqit, që është në listën e zezë të SHBA-së?.Pse Ahmeti nuk shkruante letra për mbrojtjen e shqiptarëve kur ishte pjesë e Qeverisë së Gruevskit dhe Mijallkovit? Pse Ahmeti vendosi ta pengojë Arben Taravarin të hyjë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe i bëri thirrje votuesve për bojkotimin e zgjedhjeve për president më 8 maj? Pse Ahmeti rrejshëm pohonte se është partner i sigurtë koalicioni me OBRM-PDUKM-në në Qeveri, sepse gjoja ka mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë?”, thonë nga VLEN.
“Kush është krijuesi i ofertës së turpshme të BDI-së, e bërë në kancelarinë kuvendore me numër 161, për hyrje në Qeveri në vend të VLEN-it, me katër ministri, pa kryetar të Kuvendit dhe me premtimin për mbështetje në terren për të zgjedhur maqedonas për kryetarë të komunave në Strugë dhe Kërçovë në zgjedhjet lokale të vitit 2025? Pse Ahmeti përmes instalimeve të tij në drejtësi po tenton të destabilizojë vendin përmes vendimeve për ta mbajtur në paraburgim luftëtarin e UÇK-së Blerim Ramadani, duke hequr balancuesin, tentimin për ta sjell Ligjin për branitellat dhe duke problematizuar përdorimin e gjuhës shqipe?”,thuhet në njoftimin e lëshuar nga VLEN.
“Si dhe me miliona euro të kujt, Drin Ahmeti u bë pronar i Soravisë? Sa tenderë kanë fituar nipërit e Ahmetit falë regjimit të BDI-së? Ku janë milionat nga bizneset e kazinove të Artanit dhe Përparimit? Sa para të popullit kanë përfunduar në xhepat e funksionarëve të BDI-së? Pse Ahmeti dhe Osmani po punojnë aktivisht kundër anëtarësimit të plotë në BE, duke penguar të ndodhin ndryshimet kushtetuese? Përderisa nuk ka përgjigje për këto dhe shumë pyetje të tjera, fronti i Ahmetit dhe Selës nuk ka çfarë të kërkojë nga shqiptarët. Koalicioni VLEN është shpresa e shqiptarëve!”, thonë nga VLEN-i.
Lajme nga vendi
NDOTET LUMI VARDAR, KOMUNA E GOSTIVARIT NIS HETIMET PËR ZBULIMIN E AUTORIT
Lajme nga vendi
Studentët kërkojnë mbështetje për protestën: Jurisprudenca edhe në shqip
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë intensifikuar thirrjet për mbështetje ndaj protestës së paralajmëruar më 6 prill në ora 12:30 në Shkup.
Në një komunikatë publike, ata i janë drejtuar mediave, shoqërisë civile dhe aktivistëve, duke kërkuar përfshirje dhe mbështetje për kauzën e tyre. Studentët theksojnë se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u lejohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një të drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Protesta do të nisë me një marsh nga Ura e Gurit në Shkup. Çështja ka tërhequr vëmendje të shtuar kohët e fundit, pasi 385 studentë shqiptarë nga tre universitetet kanë nënshkruar një peticion që kërkon organizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore.
Lajme nga vendi
Ilaçi palbociklib do të jetë së shpejti në dispozicion në Onkologji, për dy javë thirrja për vitin 2026-2027
Për pacientët onkologjikë për momentin mungon vetëm një ilaç – palbociklibi të cilin e përdorin 142 nga gjithsej 7000 paciente femra me kancer në gji.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësore (FSSH), Sasho Klekovski deklaroi se ilaçi së shpejti do të jetë në dispozicion dhe se sasitë për vitin 2026 janë rritur për 50 për qind.
Në konferencën për shtyp në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji ku u shpallën rezultatet për rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve me tre lloje kanceri, që është për shkak të terapisë efikase dhe një buxheti më të madh për trajtim, Klekovski tha se mungesa e palbociklibit është për shkak të faktit se në dhjetor 2025 u përballën me një nevojë dukshëm të shtuar për këtë ilaç (për 142 pacientë), ndërsa vitin e kaluar sasitë ishin planifikuar për 80 pacientë.
“Kur ka një numër dukshëm më të madh pacientësh se sa është planifikuar, nuk është e lehtë të plotësohen nevojat, kështu që buxheti për vitin 2026 do të rritet për 50 për qind për dy barna në këtë kategori, ku përveç këtij është edhe një ilaç tjetër. Presim që thirrja e re për barna të shpallet brenda dy javësh që do të mbulojë vitet 2026-2027”, tha Klekovski.
Së shpejti në Onkologji do të jenë të kapshëm edhe markerët- tumoralë që janë në mungesë, por Klekovski theksoi se kjo nuk është mungesë në të gjithë vendin dhe se pacientët mund të bëjnë markerë- tumoralë në spitale dhe laboratorë të tjerë.
-
Lajme nga rajoni2 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota1 week ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

