Lajme nga vendi
Mickoski: Partnerët ndërkombëtar janë të shqetësuar se Ahmeti dhe BDI janë faktor jostabiliteti në vend
Kryeministri, Hristijan Mickoski sot në një konferencë për shtyp liderin e BDI-së, Ali Ahmeti e ka quajtur si faktor destabilizues në vend.
“Jemi mësuar që deklaratat e tilla të Ali Ahmetit të jenë faktor destabiliteti dhe të thërrasë për trazira dhe destabilitet me retorikë luftarake. Unë nuk mendoj se ai mund të shkaktojë atë që thotë. Shqiptarët dhe të gjithë qytetarët në vend janë të vetëdijshëm për gjithçka që ai dhe ata pak njerëz rreth tij kanë bërë personalisht në 20 vitet e fundit sa ishin në pushtet, thotë kryeministri Hristijan Mickoski për mesazhet e djeshme të kryetarit të BDI-së në një tubim partiak në Shuto Orizare të Shkupit.
Mickoski supozon se mesazhi i liderit të BDI-së u referohet, siç thotë ai, të njëjtëve gjyqtarë kushtetues që nga Reçica e Vogël dhe “Bihaqka” janë emëruar në Gjykatën Kushtetuese.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve është në Gjykatën Kushtetuese dhe aty do të shihni njerëzit që kanë dalë nga fletoret e tyre. Tani kërkohet një strukturë transmetimi për të përcjellë mesazhin, por nuk mendoj se është ndonjë gjë serioze. Unë jam i shqetësuar se ai vazhdon të jetë një faktor paqëndrueshmërie. Edhe partnerët ndërkombëtarë janë të shqetësuar se BDI dhe Ahmeti janë gjithnjë e më shumë faktor jostabiliteti”, tha Kryeministri në konferencën e sotme për media.
Ahmeti mbrëmë i ka dërguar mesazh qeverisë aktuale se “nëse preket gjuha shqipe të gjithë shqiptarët do të jenë në këmbë”.
Së fundi, lideri i BDI-së, përmes letrave dërguar “liderëve të lartë ndërkombëtarë”, kërkoi nga ata që të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të mbrojtur të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni./botasot/
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

