Lajme nga vendi
Panel diskutim “Politikat e licencimit të transmetimit dhe e ardhmja e shpërndarjes së përmbajtjeve televizive”
Në Shkup sot do të mbahet panel diskutim për politikat për licencimin e transmetimit dhe për të ardhmen e shpërndarjes së përmbajtjeve televizive në organizim të Qendrës për Zhvillim të Mediave.
“Besojmë se deri më tani ndryshimet në Ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele për harmonizimin e tij me Direktivën e re për Shërbimet Mediatike Audiovizive të BE-së, nuk janë të mjaftueshme dhe se ligjvënies i nevojitet një reformë më e plotë, që do të sigurojë përshtatjen e tij me tendencat e reja në fushën e transmetimeve televizive dhe funksionimin e medias në përgjithësi në mjedisin e ri dixhital”, theksojnë nga Qendra.
Mjedisi i ri dixhital dhe dominimi në rritje në platformat e internetit të shpërndarjes, ashtu siç potencohet në kumtesë, “mes tjerash edhe të përmbajtjeve mediatike audiovizuale, i bën platformat e vjetra të shpërndarjes gjithnjë e më pak të rëndësishme për procesin e shpërndarjes së përmbajtjes televizive/audiovizuale deri tek publiku”.
“Ky dokument është një përpjekje për të nxitur debat për nevojën e ndryshimeve në politikat aktuale për shpërndarjen e kapaciteteve në dispozicion për transmetim tokësor, por edhe për transmetimin kabllovik, satelitor dhe IPTV në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, dokumenti ofron disa ide dhe propozime më konkrete për drejtimet në të cilat duhet të shkojnë zgjidhjet dhe politikat legjivënëse për dhënien e lejeve të transmetimit, për t’iu përgjigjur sfidave të reja. Përgatitja e këtij dokumenti të politikave publike dhe diskutimi janë pjesë e aktiviteteve të rregullta të Qendrës për Zhvillimin e Mediave, me mbështetje financiare nga Fondi Evropian për Demokraci (EED)”, theksohet në kumtesë.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

