Lajme nga vendi
Mickoski pas takimit të Këshillit Ekonomiko-Social: Pres që vitin e ardhshëm të kemi një rritje që do të ndihet nga qytetarët përmes më shumë parave, kushteve më të mira për biznes dhe shërbimeve më efikase
Sot u mbajt takimi i Këshillit Ekonomiko-Social, i cili është një vend i shkëlqyer për dialog midis Qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave.
Diskutuam për Buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe sfidat lidhur me tejkalimin e problemeve që kanë të bëjnë me standardin jetësor të qytetarëve, angazhimin tonë të hapur për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe luftën e përditshme për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara ishte e potencuar gjatë takimit të sotëm.
Pres që vitin e ardhshëm të kemi një ekonomi që ecën përpara, prodhon vlerë të shtuar dhe rritje që do të ndihet nga qytetarët përmes më shumë parave, kushteve më të mira për biznes dhe shërbimeve më efikase.
Në buxhetin që është në procedurë parlamentare për vitin e ardhshëm, janë parashikuar mjete për rritjen e pensioneve – ato 2,500 denarë që mbeten, në mars, për të cilat janë parashikuar 105 miliardë denarë. Kjo do të jetë rritja e dytë e pensioneve pas asaj që ndodhi këtë vit.
Për pagesën e pagave janë siguruar 48 miliardë denarë dhe 2 miliardë denarë shtesë janë në bllok-dotacione për rritjen e pagave në arsim, si dhe mjete për mbështetje të kategorive të cenueshme, për të cilat janë parashikuar 14.5 miliardë denarë për mbrojtjen shëndetësore janë parashikuar 5.2 miliardë denarë më shumë, ose gjithsej 53.4 miliardë denarë.
Në buxhet janë parashikuar rritja e pagave në arsim dhe për punonjësit arsimorë, si dhe rritja e pagave në sektorin e shëndetësisë dhe për punonjësit shëndetësorë, që ishte një nga premtimet tona.
Në ekonomi do të ndodhin dy procese të rëndësishme.
E para është realizimi i një cikli investimesh për projekte kapitale në komuna, për të cilat Qeveria tashmë ka siguruar 250 milionë euro. Do të ndërtohen shkolla, kopshte për fëmijë, infrastruktura rrugore dhe ujësjellës.
Dhe cikli i dytë janë paratë të vëna në dispozicion përmes bankave në formë kredish super të lira. Është rënë dakord për një normë interesi prej 1.95%, deri në tre vite grejs periudhë dhe deri në 15 vite afat kthimi, varësisht nga nevojat e kompanive. Kjo nënkupton një valë investimesh prej ndoshta 800 milionë eurosh. Të gjitha kompanitë do të kenë mundësi t’i investojnë këto mjete në burime të rinovueshme energjie, mjete bazë për punë, objekte për nevojat e tyre dhe pjesëmarrje në projekte të cilat do investohen nga komunat.
Pres një rritje të BPV-së, si dhe një rritje të nivelit të investimeve të huaja direkte.
E gjithë kjo duhet të rimëkëmbë ekonominë dhe ta vendosë atë mbi baza të shëndosha. Na mbetet të bisedojmë me sindikatat dhe punëdhënësit. Ky dialog duhet të sjellë zgjidhje për problemet ekzistuese dhe të hapë rrugën për tejkalimin e barrierave shumëvjeçare dhe gabimeve të grumbulluara që kanë ndodhur dhe që kanë kontribuar në stagnimin e shoqërisë sonë.
Jam optimist që gjërat po ecin në drejtimin e duhur dhe puna jonë po jep rezultate. Çdo orë të ditës e shfrytëzoj për të gjetur zgjidhje që do ta bëjnë jetën e qytetarëve më të mirë. Jam i bindur se ndryshimet do të ndodhin akoma më drastikisht.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

