Lajme nga vendi
Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2025 para deputetëve
Në Kuvend sot pritet të fillojë debati për Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2025, si pjesë e rendit të ditës së seancës së 22-të.
Debati rreth amendamenteve për Propozim- buxhetin përfundoi më 29 nëntor, ndërsa në Propozim-buxhetin e plotësuar përfshihen amendamentet e pranuara dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme. Konform Rregullores për punë të Kuvendit, shqyrtimi i Propozim -buxhetit të plotësuar në seancë të Kuvendit zgjat më së shumti pesë ditë. Deputeti gjatë debatit mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, ndërsa koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i qeverisë mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta.
Me Propozim buxhetin e plotësuar parashihet rritje e ekonomisë prej 3,7 për qind dhe sipas Qeverisë, ai është zhvillimor, mbështetës me mjete të planifikuara për investime kapitale, projekte të komunave dhe mbështetje për ekonominë.
Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor, ndërkaq me shumë absolute prej 41.350 milionë denarëve apo 4 për qind nga BPV-ja.
Inflacioni pritet të ulet në 2,2 për qind si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve themelore ushqimore dhe të energjensëve në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv dhe presionit më të matur nga inflacioni bazik. Për eksportin projeksione për rritje prej 4,2 për qind, ndërsa për importin prej 4,4 për qind.
Për investime kapitale janë planifikuar 50,5 miliardë denarë, si dhe 349,6 miliardë denarë për shpenzime rrjedhëse, si pagesa të rrogave, për pensione, të drejta sociale, subvencione në bujqësi, mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe për ekonominë…
Shpenzimet për rroga janë në nivel prej 48,1 miliardë denarë dhe shënojnë rritje prej 8 për qind, ndërsa për mallra dhe shërbime 26,2 miliardë denarë me ulje prej 0,5 për qind në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme. Për pagesë të pensioneve janë planifikuar 105,5 miliardë denarë me të cilat sigurohen mjete për rritjen e paralajmëruar të pensioneve për 2.500 denarë nga marsi i vitit të ardhshëm. Për kompensime të mbrojtjes sociale rreth 14,5 miliardë denarë, për kompensim në të holla në rast të papunësisë 1,6 miliardë denarë, ndërsa për zbatim të politikave dhe masave aktive për punësim 2,3 miliardë denarë. Më shumë mjete janë siguruar për mbrojtje shëndetësore, përkatësisht 52,5 miliardë denarë apo për 10,7 për qind më shumë. Mbështetja në bujqësi është planifikuar në nivel prej 8 miliardë denarëve, përderisa transferet drejt njësive për vetëqeverisje lokale në nivel prej 33,2 miliardë denarëve apo për 2,5 miliardë denarë më shumë.
Qeveria kumtoi se për një periudhë të shkurtë prej gjysmë viti ka arritur të konsolidojë ekonominë, duke u shprehur e kënaqur me të dhënat për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nga 3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2024 (korrik, gusht dhe shtator). Pret rritje të ngjashme dhe më të lartë në tremujorin e katërt (tetor-nëntor-dhjetor) të 2024, me çka, tha, do të afroheshim në nivel vjetor prej 3 për qind, “që është shumë më tepër se 1,8 për qind të parashikuara”.
Kuvendi e miraton Buxhetin më së voni deri në afatin e caktuar me ligj.
Lajme nga vendi
Ligji i ri i Arsimit të lartë mbërriti në fazën e konsultimeve
Propozim ligji i ri për Arsimin e Lartë, i cili tashmë është në fazën e konsultimeve në ENER, pritet të sjell ndryshime rrënjësore ose siç janë shprehur nga Ministria e Arsimit një epokë të re për universitetet në vend. Megjithëse materiali i propozim ligjit është voluminoz, mesazhi duket se është i qartë kriteret për të mbajtur titullin “profesor” do të jenë më të vështira kundrejt atyre që ishin deri më tani.
Propozim ligji, i cili pritet të kalojë në filtrat e Kuvendit, konfirmon se autonomia e fakulteteve mbetet e paprekur. Ligji u jep njësive universitare të drejtën të veprojnë si persona juridikë, me llogari të veçanta bankare dhe pavarësi të plotë në menaxhimin e të ardhurave vetanake. Megjithatë, Ligji i ri vendos një filtër ndërkombëtar për avancimet. Për të marrë titujt shkencorë, akademikët do të detyrohen të publikojnë punime në revista me faktor ndikimi.
Çdo punim që nuk kalon recensionin e bordit editorial nga të paktën pesë shtete të ndryshme, nuk do të njihet si vlerë shkencore. Gjithashtu, Propozim ligji parashikon që pagat e stafit akademik dhe administrativ të llogariten sipas një koeficienti të caktuar bazuar në pagën minimale.
Kjo do të thotë se profesioni i profesorit nuk do të varet më nga vullneti politik apo marrëveshjet vjetore, por do të ketë një rritje të vazhdueshme, sa herë që rritet paga minimale në nivel shtetëror, automatikisht do të reflektohet rritja edhe në universitetet publike. Ligji parashikon mbrojtje strikte të hapësirës universitare. Policia nuk do të mund të shkelë në universitet pa lejen e Rektorit, ndërsa çdo lloj organizimi apo simboli partiak brenda mureve të dijes do të ndalohet me ligj.
Për studentët, lajmi i mirë është Arsimi dual dhe Mikro kualifikimet. Ky model i ri do të lejojë që diploma të mos mbetet vetëm teori në letër, por të jetë e kombinuar me praktikë të detyrueshme në kompani apo institucione, duke rritur shanset për punësim të menjëhershëm. Ky propozim-ligj mbetet i hapur për komente në ENER, ku komuniteti akademik dhe studentët kanë mundësinë e fundit për të korrigjuar apo plotësuar atë që do të jetë kushtetuta e re e dijes në vend. /alsat.mk
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Krimi nuk guxon dhe nuk do të jetë më fitimprurës, me qasje sistemike prona e fituar ilegalisht do t’i kthehet shoqërisë
Me konstituimin e Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskimin e Pronave, Maqedonia krijon mekanizëm qendror dhe të koordinuar për luftën e intensifikuar kundër krimit financiar, pastrimit të parave dhe fitimit të paligjshëm të pronës.
Në mbledhjen e sotme konstituive, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska theksoi se themelimi i këshillit paraqet hap krucial nga politikat deklarative drejt qasjes sistemike të bazuar në përgjegjësinë të qartë, koordinimin institucional dhe rezultatet e matshme.
“Hetimet financiare dhe konfiskimi i pronës së fituar në mënyrë të paligjshme nuk janë vetëm çështje sigurie dhe drejtësie, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në stabilitetin fiskal, integritetin e sistemit financiar dhe besimin e qytetarëve në institucionet”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Siç theksoi ministrja, Ministria e Financave, si institucion qendror në këtë proces, ka kompetencë shumë dimensionale përmes institucioneve nën ombrellën e saj – Drejtorinë e Policisë Financiare, Drejtorinë Doganore dhe Sistemin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në kuadër të Strategjisë nacionale për hetimet financiare dhe konfiskimin e pronave për periudhën 2025–2028, Ministria po ndërmerr aktivitete konkrete, të matshme dhe thelbësore që orientohen në përmirësimin e efikasitetit të sistemit.
Në këtë drejtim, po përforcohet korniza juridike që përkrah drejtpërdrejt efikasitetin e hetimeve financiare.
Sipas Ligjit të ri të Drejtorisë Doganore krijohet bazë më e qartë dhe më efikase për qasjen në të dhënat përkatëse dhe monitorimin e flukseve financiare dhe mallrave që lidhen me aktivitetet kriminale. Në këtë drejtim, duke përmirësuar kornizën ligjore të Drejtorisë së Policisë Financiare, po përforcohet roli i saj në kryerjen e hetimeve financiare, konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme dhe profesionalizimin e kuadrit të saj.”
Theks i veçantë u vendos mbi rezultatet e arritura në periudhën e kaluar.
“Drejtoria e Policisë Financiare në vitin 2025 nisi 58 hetime financiare që përfshinin rreth 400 persona fizikë dhe 95 persona juridikë, ku 33 hetime tashmë kanë përfunduar dhe pjesa tjetër është në vazhdim. Në suaza të Ligjit për Konfiskimin e Pronës në Procedurën Civile, me iniciativën e prokurorive publike, janë siguruar masa gjyqësore për pronat me vlerë mbi 38 milionë denarë”, theksoi ministrja dhe nënvizoi faktin se në vitin 2022 u kryen vetëm 9 hetime financiare, në vitin 2023 u kryen 17 hetime dhe në vitin 2024 u kryen 10 hetime financiare.
Ministrja theksoi se këto numra tregojnë qartë se hetimet financiare nuk janë vetëm procedura formale, por destinohen në konfiksimin real dhe në mbrojtjen e interesit publik.
Njëkohësisht, siç tha ministrja Dimitrieska-Koçoska po investohet në forcimin e kapaciteteve institucionale përmes përforcimit sistematik të kuadrit, pajisimit teknik me faza dhe dixhitalizimit të njësive të specializuara, ndërsa segment kryesor është krijimi i ndërveprimit të plotë dhe shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet institucioneve, si parakusht për hetimet financiare në kohë dhe të suksesshme. Paralelisht me aktivitet vendore, po përforcohet edhe bashkëpunimi ndërkombëtar me agjencitë e Bashkimit Evropian dhe rrjetet ndërkombëtare realevante, mes të cilave me EUROPOL-in, CEPOL-in, EUROJUST-in DHE OLAF-in, me qëllim të shkëmbimit të informacioneve, përvojave dhe praktikave adekuate.
“Krijimi i Këshillit Nacional është sinjal i qartë se shteti po krijon një mekanizëm për monitorimin, koordinimin dhe mbështetjen politike të vazhdueshme për zbatimin e strategjisë. Si Ministri e Finanacave, do të kontribuojmë që Këshilli të jetë funksional dhe operativ ndaj rezultateve”, theksoi ministrja Diomitrieska-Koçoska.
Ajo përfundoi se qëllimi përfundimitar është krijimi i një sisitemi me të cilin pronat e fituara në mënyrë të paligjshme të identifikohen, konfiskohen dhe të kthehen në funksion të shoqërisë, me një mesazh të qartë se krimi nuk është dhe nuk do të jetë fitimprurës.

Mi nistri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski theksoi se shteti ndodhet në një moment kyç kur duhet ta përforcojmë besimin në institucionet dhe të ndërtojmë sistem që do të jetë rezistet, efikas dhe transparent.
“Kjo strategji, përveçse është thelbësore për integrimin evropian, forcon luftën kundër korrupsionit dhe kështu rrit besimin në institucione. Gjatë vitit 2025, fokusi ishte në krijimin e mekanizmave funksionalë për kryerjen sistematike të hetimeve financiare si pjesë integrale e hetimeve për krime të rënda. Raporti vjetor tregon qartë se janë bërë hapa përpara, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të koordinimit ndërinstitucional dhe përdorimit në rritje të analizës financiare në procedurën parahetimore. Është veçanërisht e rëndësishme që në vitin 2025 u regjistrua një rritje në numrin e hetimeve financiare të filluara, si dhe një përmirësim në praktikat për identifikimin dhe ngrirjen e përkohshme të aseteve të fituara nga veprat penale”, tha ai.
Ministri theksoi se këto rezultate tregojnë qartë se parimi i ndjekjes së parave po bëhet gradualisht standard, jo përjashtim.
Ai theksoi se për shkak të kësaj, MPB-ja do të insistojë në përforcim kadrovik dhe në krijimin e mekanizmit funksional për ripërdorim social të pronës së sekuestruar.

Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, theksoi se hetimet financiare dhe konfiskimi i pasurive lidhen me luftën kundër krimeve të rënda, korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme dhe konfiskimi i tyre janë aktivitetet kriminale më dekurajuese, të cilat do të zvogëlojnë çdo përfitim të nxjerrë prej tyre. Kjo çon në zbulimin e aktiviteteve të tjera kriminale dhe strategjive për të trajtuar rrjete të tëra kriminale, duke përfshirë pasojat transnacionale. Nga ana e BE-së, rishikojmë vazhdimisht legjislacionin tonë strategjik për t’iu përgjigjur sfidave të paraqitura nga tendencat kriminale në rritje të shpejtë”, tha Rokas.
Kujtojmë se në vitin 2025 BE miratoi një strategji të sigurisë së brendshme, e cila thekson rëndësinë e gjurmimit të parave me qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Lajme nga vendi
Mbi 45 milionë denarë të rikthyera në buxhetin e shtetit, Fetai: Konfiskimi i pasurisë së paligjshme po jep rezultate konkrete dhe të matshme
Sot u mbajt mbledhja e parë konstituive e Këshillit nacional për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë me ç’rast zyrtarisht filloi punën organi më i lartë koordinues përgjegjës për monitorimin dhe avancimin e institucioneve që zbatojnë hetimet financiare dhe konfiskimin e pasurisë.
Me Këshillin kryesoi zëvendëskryeministri i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, ndërsa në mbledhje morën pjesë kryetari i qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, të sektorit civil, si dhe anëtarët e Këshillit.
Formimi dhe konstituimi i Këshillit është pjesë e Strategjisë nacionale për forcimin e kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë 2025–2028 dhe Planit të Veprimit 2025–2026, të iniciuara dhe të koordinuara nga zëvendëskryeministri Fetai, me qëllim të qartë për forcimin e koordinimit institucional dhe sigurimin e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme politike për zbatimin e tyre.
Gjatë mbledhjes u shqyrtua Raporti i parë vjetor për vitin 2025, i cili evidenton rezultate konkrete dhe të matshme, veçanërisht në fushën e menaxhimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar. Vetëm gjatë vitit 2025 janë realizuar mbi 45 milionë denarë të ardhura direkte në buxhetin e shtetit, si dhe janë evidentuar raste konkrete të përdorimit shoqëror të pasurisë së konfiskuar, me përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Njëkohësisht, raporti tregon rritje të ndjeshme të vlerës së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara krahasuar me vitet e mëparshme, duke dëshmuar ndërtimin e një “track record”-i real dhe të qëndrueshëm, të bazuar në rezultate dhe jo vetëm në kornizë normative.
Zëvendëskryeministri Fetai theksoi se hetimi financiar përfaqëson gurthemelin e qeverisjes efektive dhe të sundimit të ligjit, duke nënvizuar se hetimi financiar efektiv nuk është shtesë opsionale, por shtyllë themelore e aftësisë së shtetit për të ruajtur rendin, për të mbrojtur qytetarët dhe për të garantuar integritetin e sistemit ekonomik.
Ndërtimi i kapaciteteve rezistente dhe funksionale për hetime financiare është maratonë, jo sprint, por proces që kërkon përkushtim politik afatgjatë dhe të vazhdueshëm, por që tashmë po jep rezultate të qarta dhe të matshme.

Në këtë kontekst, u theksua se rezultatet e arritura janë thelbësore edhe për rrugëtimin evropian të shtetit, duke pasur parasysh se ndërtimi i bilancit të qëndrueshëm në konfiskimin e pasurisë së paligjshme përbën një nga kushtet kyçe të Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit.
Në përmbyllje u potencua se Këshilli nacional do të ketë rol të qartë në monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Strategjisë dhe planit të veprimit, do të nxjerrë konkluzione dhe do të propozojë masa konkrete për Qeverinë, me fokus te rezultatet, përgjegjësia dhe koordinimi i detyrueshëm ndërinstitucional.

