Connect with us

Lajme nga bota

Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Çfarë dihet deri më tani?

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.

Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.

Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, USAID-i shënoi 25-vjetorin e themelimit në Kosovë, ku ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Advertisement

Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me USAID-in, i cili ofronte ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synonte ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

Aktualisht, USAID-i në Kosovë është duke financuar një mori aktivitetesh. Ndër to janë:

ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;

ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;

Advertisement

ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;

ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;

ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;

ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;

ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.

Advertisement

Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë periudhës kur SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin Elizabeth McKee – pjesë e administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Bien – kishte thënë gjatë vizitës së saj në Kosovë vitin e kaluar se fokusi i USAID-it në të ardhmen do të jetë mbështetja e realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo është një mundësi reale për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara në anëtarësimin në BE dhe të jenë në gjendje jo vetëm t’i kalojnë reformat, por t’i zbatojnë ato në një mënyrë kuptimplote”, kishte thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Por, urdhri, ndër shumë të tjerë që Trumpi nënshkroi në ditën e tij të parë pas kthimit në detyrë, tha se “industria dhe burokracia e ndihmës ndërkombëtare nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste janë të kundërta me vlerat amerikane”.

Tutje, aty thuhet se këto ndihma “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në shtetet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta me marrëdhëniet harmonike dhe stabile brenda dhe midis shteteve”.

Advertisement

Si pasojë, Trump shpalli se “nuk do të shpërndahen më ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Javën e kaluar, sekretari i ri amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu tha anëtarëve të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justifikohet me përgjigjen ndaj tri pyetjeve të thjeshta”.

“A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fuqishme? A e bën Amerikën më të pasur?”, tha ai.

Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e lë në dorë të Rubios ose përfaqësuesit të tij për të përcaktuar se nëse një ndihmë është në përputhje me politikat apo jo, në konsultim me Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit.

Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Ndihmën Ndërkombëtare janë agjencitë kryesore që mbikëqyrin ndihmën ndërkombëtare.

Advertisement

Trump ka kritikuar prej kohësh ndihmën ndërkombëtare, pavarësisht faktit se ndihma e tillë zakonisht përbën rreth 1 për qind të buxhetit federal, përveç rrethanave të jashtëzakonshme siç janë miliardat e armatimeve të dhëna Ukrainës.

Trump ka qenë kritik ndaj shumës së dërguar në Ukrainë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së saj kundër pushtimit të Rusisë.

Llogaritja e fundit zyrtare e ndihmës ndërkombëtare në administratën e Bidenit tregon se 68 miliardë dollarë janë angazhuar për programe jashtë shtetit që shtrihen nga ndihmat për katastrofa deri te shëndeti dhe iniciativa pro demokracisë në 204 shtete dhe rajone.

Disa nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës amerikane, Izraeli me 3.3 miliardë dollarë në vit, Egjipti me 1.5 miliard dollarë në vit dhe Jordania me 1.7 miliard në vit besohet se do të shohin ulje dramatike në financim, pasi këto shuma janë të përfshira në pako afatgjata që datojnë nga dekada më parë dhe në disa raste janë të rregulluara nga obligime traktatesh.

Financimi për agjencitë e OKB-së, përfshirë agjencitë për ruajtjen e paqes, të drejtat e njeriut dhe refugjatët, kanë qenë tradicionalisht shënjestra për administratat republikane. Administrata e parë e Trumpit e nisi reduktimin e shpenzimeve për ndihmën ndërkombëtare, duke pezulluar pagesat për disa agjenci të OKB-së, përfshirë Fondin e Popullsisë të OKB-së dhe financimin për Autoritetin Palestinez./REL

Advertisement

Lajme nga bota

“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

Published

on

Ky ishte paralajmërimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për Teheranin, gjatë mbledhjes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, ku këmbënguli përsëri që Irani duhet të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Trump kërcënoi se “nëse Teherani nuk ulet në tryezën e negociatave, SHBA do të vazhdojnë t’i hedhin në erë”.

Paralajmërimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhi një ditë, pasi Irani hodhi poshtë planin e paqes të SHBA-së, që thuhet se kërkonte që regjimi të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor dhe të kufizonte raketat balistike. Në mbledhjen e kabinetit, Steve Witkoff, i dërguari special i Trump, konfirmoi se SHBA-të i paraqitën Iranit një plan paqeje me 15 pika, pa dhënë detaje mbi propozimin.

Trump nuk përmendi refuzimin fillestar të planit nga Irani, apo vendimin e tij për të vendosur trupa tokësore në Lindjen e Mesme, por paralajmëroi se regjimi do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk pranon një armëpushim.

“Nëse nuk e bëjnë, ne jemi makthi i tyre më i keq. Ne thjesht do të vazhdojmë t’i shkatërrojmë. Të papenguar, të pandalur”, tha Trump.

Në katër javë luftë, Trump thotë se SHBA-të kanë goditur aftësinë ushtarake të Iranit “në një nivel që pak njerëz e kanë parë ndonjëherë më parë”, kanë zhdukur plotësisht forcat detare dhe ajrore, si dhe kanë rrëzuar rreth 90% të raketave të tyre.
Continue Reading

Lajme nga bota

Trump paralajmëron Iranin që të bëhet serioz për bisedimet për përfundimin e luftës

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se negociatorët iranianë “duhet të bëhen seriozë shumë shpejt” lidhur me bisedimet me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës “para se të jetë shumë vonë”, teksa afati i vendosur ndaj Teheranit për hapjen e Ngushticës kyç të Hormuzit po afrohet.

“Ata po na ‘luten’ që të arrihet një marrëveshje, gjë që duhet ta bëjnë pasi janë shkatërruar ushtarakisht, kanë zero shans të rimëkëmben, dhe prapë publikisht deklarojnë se thjeshtë po ‘e shohin propozimin tonë’”, shkroi Trump në rrjetet sociale më 26 mars.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi Irani tha se po shqyrton planin e paqes prej 15 pikash të paraqitur nga SHBA-ja, që thotë se duhet të plotësohen pesë kushte në mënyrë që konflikti të përfundojë.

Detajet e planit amerikan nuk janë bërë publike, por mediat perëndimore kanë raportuar se propozimi përfshin disa nga kërkesat kyç të Uashingtonit që i ka pasur edhe para se të niste konflikti aktual përmes sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.

“Bëjnë mirë që të bëhen seriozë shumë shpejt, para se të jetë shumë vonë, sepse nëse ndodh kjo, nuk ka më kthim prapa dhe nuk do të jetë e bukur”, shtoi Trump.

Advertisement

Përderisa plani raportohet se sugjeron çmontimin e ndërtesave bërthamore të Iranit, kufizimin e aftësive të tij raketore dhe përfundimin e mbështetjes për bashkëpunëtorët rajonalë, gjithashtu besohet se përfhin disa elementë të rinj, sikurse çështjet që ndërlidhen me Ngushticën e Hormuzit, e cila është pothuajse e mbyllur krejtësisht pasi Irani ka goditur disa anije.

Irani ka reaguar ashpër, duke thënë se kushtet amerikane janë të tepruara dhe se lufta do të marrë fund kur ai të vendosë se kur janë plotësuar kushtet e tij. Teherani insiston se ka të drejtë të zhvillojë programin e raketave balistike dhe ka sovranitet mbi Ngushticën e Hormuzit.

Më 26 mars, një zyrtar i lartë iranian i ka thënë Reutersit se Teherani e sheh planin prej 15 pikave si plan që u shërben vetëm interesave të SHBA-së dhe Izraelit, duke e quajtur atë të “njëanshëm dhe të padrejtë”.

Një ditë më parë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se kishte “elementë të vërtetësisë” në raportimet e mediave, por nuk konfirmoi ndonjë detaj.

Ajo gjithashtu sugjeroi se Trump do të konsideronte sulme më të gjera ndaj Iranit nëse Teherani dështon të “kuptojë se është mposhtur ushtarakisht”.

Advertisement

Më 26 mars, Axios citoi dy zyrtarë amerikanë dhe burime të tjera që thanë se ushtria amerikane po përgatit një gamë opsionesh për një “goditje të mundshme finale” kundër Iranit.

Sipas raportimit, skenarët e mundshëm përfshinin një invazion ose bllokadë të ishullit Harg, qendra kryesore e eksportit të naftës së Iranit, si dhe një invazion të ishullit Larak, i cili luan një rol kyç në kontrollin e Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

Si një rrugë kryesore për tranzitin e naftës dhe gazit, Ngushtica e Hormuzit është bërë një çështje qendrore e luftës amerikano‑izraelite me Iranin. Trafiku detar në këtë rrugë – që është një arterie e rëndësishme për furnizimet globale me naftë dhe gaz – është pothuajse i ndalur për shkak të sulmeve iraniane mbi disa anije dhe kërcënimeve të mëtejshme nga Teherani.

Më 21 mars, presidenti Trump vendosi një afat 48-orësh për Iranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit, por më pas e zgjati atë ditën tjetër për pesë ditë të tjera. Afati përfundon më 27 mars.

Gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë më 26 mars, Trump tha se besonte se Teherani po kërkonte negociata për shkak të “dhuratës” për SHBA-në, pasi tha se ka lejuar dhjetë cisterna nafte të kalojnë nëpër kornuz.

Advertisement

Teherani ka thënë se anijet nga vendet “joarmiqësore” do të kenë kalim të papenguar përmes Ngushticës së Hormuzit. Zyrtarët nuk kanë specifikuar se cilat vende përfshihen, megjithatë raportohet se anijet nga Malajzia dhe Pakistani janë lejuar të kalojnë.

Ndërkaq, Trump ka shtyrë aleatët e SHBA-së të ndihmojnë në hapjen e këtij rrjeti ujor jetik. Disa vende evropiane thanë se ishin të gatshme të shqyrtonin ndihmën pasi të përfundonte konflikti, ndërsa të tjerat e refuzuan kërkesën, e cila erdhi pa asnjë specifikë.

Më 26 mars, Trump kritikoi aleatët e tij të NATO për mosndihmën ndaj SHBA-së, duke shtuar se “SHBA nuk ka nevojë për asgjë nga NATO.”

“Shtetet e NATO-s nuk kanë bërë absolutisht asgjë për të ndihmuar me këtë komb të çmendur, tani ushtarakisht të shkatërruar, të Iranit”, shkroi ai.

Gjatë një interviste për Fox News fundjavën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se kuptonte zemërimin e Trumpit, duke shtuar se aleanca po synon që të punojë në këtë çështje së bashku me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Zelandën e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin.

Advertisement

Gjatë fjalës së tij vjetore më 26 mars, Rutte nuk përmendi Ngushticën e Hormuzit, por paralajmëroi për lidhjet e Iranit me Rusinë.

Ai po ashtu përsëriti se dërgesat e armëve amerikane për Ukrainën, të paguara nga aleatët evropianë të Kievit, janë “kritike”, pasi vëmendja globale ka kaluar në mënyrë të konsiderueshme nga pushtimi rusi i Ukrainës, drejt konfliktit në Lindjen e Mesme.

Continue Reading

Lajme nga bota

“Hallka e fshehtë”? Kush është njeriu me të cilin SHBA synon komunikimin në Iran

Published

on

Donald Trump këmbëngul se ka pasur bisedime paqeje, Irani mohon: Sesi qëndron e vërteta, kjo mbetet prej ditësh temë diskutimi.

Por ndërkohë, kanë dalë në dritë raportime sipas të cilave administrata amerikane po shqyrton në heshtje kryetarin konservator të Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, si një partner të mundshëm për negociata me SHBA-në, dhe ndoshta edhe si lider të ardhshëm të Iranit, në vazhdën e vdekjes së liderit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Djali i Khameneit, Mojtaba, i emëruar pas vdekjes së të atit, nuk është parë më në publik, e kjo ka krijuar pasiguri rreth gjendjes së tij dhe potencialit të tij për të udhëhequr vendin.

Qalibaf, 64 vjeç, ka një karrierë të gjatë në politikë, e ka shërbyer edhe si komandant i forcave ajrore të Gardës Revolucionare, si kryetar i policisë kombëtare dhe kryebashkiak i Teheranit.

Ai ka lidhje të forta me elitën politike por edhe atë ushtarake të Iranit dhe ka qenë pjesë e linjës së ashpër gjatë trazirave dhe protestave në vend.

Advertisement

Gjatë viteve, Qalibaf është akuzuar për korrupsion dhe abuzime të mundshme gjatë shërbimeve të tij, por në fund, duket se ai mbetet një figurë kyçe për stabilitetin e vendit.

Pas eliminimit ose vdekjes së shumë figurave të larta politike dhe ushtarake në Iran, Qalibaf është kthyer në figurën që lidh pushtetin politik, me atë klerikal dhe atë të sigurisë, duke e vendosur 64 vjecarin në një pozicion me shumë ndikim në krizën që ka pllakosur lidershipin iranian.

Ai vetë i ka mohuar ndërkohë kontaktet me SHBA-në dhe i ka cilësuar raportimet si “lajme të rreme”, por duket se roli i tij në strukturën e brishtë të vendimmarrjes e kthen në një lojtar kyç në politikën e brendshme dhe të jashtme të Iranit.

Continue Reading

Më të lexuarat