Lajme nga rajoni
Panik në Greqi, 200 lëkundje toke në Santorini, mbyllen shkollat
Më shumë se 200 lëkundje toke janë regjistruar në afërsi të ishullit të Santorinit duke bërë që autoritetet greke të mbyllin shkollat dhe t’u thonë banorëve që të shmangin disa porte. Ekspertët e tërmeteve thonë se rritja e aktivitetit sizmik rreth ishullit turistik të Egjeut, i njohur për ndërtesat e tij të bardha dhe plazhet me rërë të errët, nuk lidhet me aktivitetin vullkanik. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kryesoi një takim urgjent në Athinë, ndërsa autoritetet e Santorinit janë përgatitur për një evakuim të mundshëm. Tenda janë ngritur në një stadium, policia dhe zjarrfikësit janë vënë në gatishmëri dhe njësitë speciale të reagimit ndaj fatkeqësive me qen nuhatës janë gati po ashtu. Banorët e ishullit janë këshilluar të shmangin tubimet e mëdha në ajër të hapur dhe të qëndrojnë larg katër porteve të vogla duke përfshirë portin e Firës, i cili u shërben kryesisht anijeve turistike. Pronarëve të shtëpive dhe hoteleve u është thënë gjithashtu që të zbrazin pishinat e tyre për shkak të shqetësimeve se vëllime të mëdha uji mund të destabilizojnë ndërtesat në rast të një tërmeti të fortë. Shkollat u mbyllën të hënën në Santorini si dhe në ishujt e afërt të Amorgos, Ios dhe Anafi. Më shumë se 200 tërmete janë regjistruar që nga orët e para të së premtes, por nuk ka raportime për dëme apo viktima. Tërmeti më i fortë i regjistruar ka qenë me magnitudë 4.6 të së dielës pasdite, ndërsa kanë pasuar disa lëkundje me magnitudë mbi 4 dhe dhjetëra të tjera me magnitudë 3. Ekspertët thanë se ishte e pamundur të parashikohej nëse aktiviteti sizmik mund të çonte në një lëkundje më të fortë, por shtuan se zona mund të prodhojë një tërmet me magnitudë deri në 6 ballë.
Lajme nga rajoni
Protesta në Prishtinë, Policia thirrje pjesëmarrësve: Tregoni kujdes e maturi, mos hidhni gjësende të forta
Policia e Kosovës bën të ditur se me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar sipas Ligjit mbi tubimet publike nga Organizata e Veteranëve të Luftës – UÇK-së, e cila pritet të mbahet sot në orën 12:00, në sheshet e kryeqytetit, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme operacionale policore.
Policia e Kosovës thekson se sipas Ligjit mbi tubimet publike e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes protestave të qeta e demokratike në suaza ligjore dhe sipas detyrës zyrtare do të angazhohet që të ofrojë siguri për të gjithë pjesëmarrësit, në mënyrë që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe pa incidente.
“Zyrtarët kompetentë të PK-së kanë mbajtur takim njoftues me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, me qëllim të njoftimit dhe koordinimit rreth organizimit të protestës dhe masave tjera që ndërlidhen me zhvillimin e protestës.
Me qëllim të garantimit të rendit e sigurisë publike, mbrojtjes së jetës dhe pronës si dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve e pjesëmarrësve në protestë, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në çdo protestë që të respektojnë dispozitat ligjore dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestimit, të mos hedhin gjësende e mjete të forta, të mos përdorin maska dhe të kontribuojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt”.
Policia tutje bën të ditur se për shkak të zhvillimit të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa rrugë që të shpien drejt shesheve të kryeqytetit, andaj janë paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës.
Lajme nga rajoni
VERDIKTI I HAGËS: REAGOJNË GRANIT XHAKA, DUA LIPA, RITA ORA!
Pas verdiktit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, futbollisti me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka ka ndarë një mesazh mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Përmes rrjeteve sociale, ai ka publikuar një fotografi të ish-krerëve ndërsa në të shkruhet: “Luftuan në tokën e tyre, për lirinë e atdheut. Liria ka emër”.
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa, ka reaguar ndaj vendimit të Hagë për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ajo pakënaqësinë e saj e shprehu duke publikuar në Instastory llogon e UÇK-së me hashtagun Liria Ka Emër.
Lipa po ashtu në storien tjetër publikoi edhe krimet e luftës së fundit në Kosovë, të kryera nga Serbia.
1 milion refugjatë; 11 mijë të vrarë; 1 mijë e 24 fëmijë të vrarë; 20 mijë të dhunuar; si dhe 1 mijë e 600 të zhdukur.
Pas Dua Lipës, edhe këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Rita Ora ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Në llogarinë e saj në Instagram ajo ka shpërndarë një foto të një uniforme ushtarake me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mesazhin: “Luftojmë për Kosovën, të cilën sot e quajmë shtëpi.”
Në një tjetër postim këngëtares ka shpërndarë një foto të saj duke bërë shenjën e shqiponjës me duar.
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur reagime edhe nga figura të njohura të shou bizzit vendor.
Disa prej artistëve shqiptarë kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre përmes rrjeteve sociale, duke reaguar kundër vendimit.
Lajme nga rajoni
Walker pas aktgjykimit: Pse nuk është thirrur Vuçiqi në Hagë?
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e ka cilësuar një moment të keq për Kosovën, Ballkanin dhe Evropën vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burg.
Walker tha se procesi, sipas tij, është karakterizuar nga “keqmenaxhimi i drejtësisë” që nga fillimi. Ai shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij me Bashkimin Evropian, duke pretenduar se është krijuar një qasje që vendos në të njëjtën peshore krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në një prononcim për A2 CNN, Walker ngriti edhe çështjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke pyetur pse ai nuk është thirrur për të dëshmuar në Hagë.
“Jam shumë i mërzitur me BE-në që, për arsyet e veta politike, ka dashur të vërë shenjën e barazimit për ato gjëra të tmerrshme që janë bërë nga qeveria e Serbisë, përfshirë edhe Vuçiqin”, tha Walker.
Ai shtoi se nuk e kupton pse Vuçiqi nuk është marrë në pyetje apo thirrur për të dëshmuar para Dhomave të Specializuara.
“Pse nuk është marrë ai nga Zyra e Prokurorisë Speciale, ose të thirret në Hagë për të dëshmuar? Nuk e di pse BE-ja ka bërë bashkë një trupë gjykues për të akuzuar shqiptarët”, u shpreh Walker.
Duke iu referuar presidentit serb, Walker tha se Vuçiqi “ende kryen ritet” që, sipas tij, i ka kryer gjatë kohës kur ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Millosheviçit.
“Nëse kthehem te Vuçiqi, nga Beogradi ai ende kryen ritet që ka bërë si ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit. Prandaj jam shumë i zhgënjyer me BE-në, duke bërë një përqasje me paragjykim për të gjetur përgjegjësinë e tmerreve që ka shumë për të fajësuar”, tha Walker.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

