Lajme nga vendi
Mediat greke: Filluan punët preliminare në Greqi për ndërtimin e interkonektorit me Maqedoninë e Veriut
“Udhëtimi” i gazsjellësit të ri Greqi – Maqedonia e Veriut filloi, duke pasur parasysh atë se “Terna” i filloi motorët, duke i filluar punët preliminare për pjesën greke të projektit, shkruan portali energjetik grek “Energji mag” lidhur me ndërlidhësin për gaz natyror mes të dyja vendeve, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Kompania “Terna” para katër muajve ishte zgjedhur si kontraktuese e pjesës greke të ndërlidhësit, me çka e mori projektin e hollësishëm, furnizimin e materialeve dhe ndërtimin e gazsjellësit Nea Mesimvria – Evzoni/Gjevgjeli.
Portali grek shkruan se për projektin konkret që është në kompetencë të Operatorit Kombëtar për Transmetim të Gazit në Greqi DESFA, buxheti është rishikuar në 92 milionë euro (prej 67 milionë euro në programin paraprak), ndërsa paralelisht vijon edhe tenderi edhe për ndërtimin e stacionit matës, që është kyç për funksion të pandërprerë të gazsjellësit.
Projekti, sipas portaleve greke të specializuara për tema energjetike, pritet të finalizohet në pranverë të vitit të ardhshëm, periudhë kohore e zhvendosur për shkak të vonesës nga ana jonë.
Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska para dy javëve, pas pjesëmarrjes në Samitin energjetik në Greqi dhe pas takimit me homologun e saj grek Teodoros Skilakas, në bisedë për MIA-n, për ndërlidhësin sqaroi se te ne ishte anuluar procedura dhe ka filluar procedurë e re, ndërsa çmimi është për 12 milionë më i lirë se herën e kaluar.
“Sa i përket Nomagas-it, i ka kryer të gjitha kontrollet dhe ne kemi përfunduar gjithçka nga ana jonë. Është dërguar në Bankën Evropiane të Investimeve dhe çdo ditë presim, maksimumi këto ditë në javë presim konfirmimin dhe fillimin e nënshkrimit të kontratës për kompaninë që është operatori më i suksesshëm ekonomik dhe të fillojë ndërtimi, sepse na pret neve”, sqaroi ministrja para dy javëve dhe theksoi se me Skilakakis kanë biseduar për ndërlidhësin.
Gazsjellësi është paraparë të jetë në gjatësi prej 123 kilometra, prej të cilave 67 kilometra janë në territor të Maqedonisë së Veriut, që të shtrihet nga Nea Mesimvria drejt Negotinës përmes Gjevgjelisë dhe t’i lidhë dy sistemet kombëtare për transmetim të gazit natyror, ndërsa me qëllim që të diversifikohen burimet e furnizimit me gaz natyror në Maqedoninë e Veriut.
Paralelisht përmes projektit, vendi ynë do të ketë mundësi të furnizohet edhe me gaz natyror dhe gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga terminalet greke në Revitusa dhe Aleksandropuli.
Kapaciteti fillestar do të jetë 1,5 miliardë metra kub në vit, me mundësi të zgjerimit deri 3 miliardë metra kub në vit, ndërsa janë zbatuar edhe studime me qëllim që gazsjellësi të ketë specifikime adekuate për transport të hidrogjenit të gjelbër.
Me ndërtimin e ndërlidhësit, për shkak të vendndodhjes së tij gjeografike, vendi ynë mund të bëhet udhëkryq në rajon, duke qenë se, siç sqaroi Bozhinovska për MIA-n, lidhja me Bullgarinë tashmë ekziston, po punohet në atë me Greqinë, dhe vitin e kaluar është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me Serbinë, i cili, siç tha ajo, “ne po punojmë në atë që nënkupton se te ne do të kalojë ruta transitore dhe do të furnizohet jo vetëm Serbia, por edhe Hungaria dhe Austria”.
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

