Lajme nga vendi
Nga prilli paga minimale rritet me 2,200 denarë
Më 25.03.2025, Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nga prilli do të paguhet paga minimale e parashikuar me ligj, që është rreth 2,200 denarë më shumë se paga minimale aktuale. Sipas tij, nëse në muajt e ardhshëm arrihet një marrëveshje mes punëtorëve dhe punëdhënësve për një rritje më të lartë, do të bëhen ndryshime ligjore për të mundësuar një rregullim shtesë.
“Sipas ligjit, paga minimale pritet të rritet në 24,400 denarë. Nëse arrihet një konsensus mes përfaqësuesve të punëtorëve dhe punëdhënësve për një shumë më të lartë, do të ndryshojmë ligjin për ta përshtatur atë,” – deklaroi Mickoski pas vendosjes së gurthemelit të mega-parkut në Radishan.
Në lidhje me punësimet në Inspektoratin Shtetëror të Tregut , Mickoski theksoi se qeveria do të sigurojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për funksionimin e institucioneve.
Ai shtoi se qeveria ka marrë masa kundër grupeve të ndryshme kriminale, duke përmendur goditjen ndaj “mafias së gjykatësve”, “mafias së naftës”, “mafias energjetike” dhe “mafias së lojërave të fatit”, duke premtuar se pastrimi i sistemit do të vazhdojë.
Mickoski gjithashtu foli për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Angazhim në Punë, duke sqaruar se ato do të rregullojnë punësimin e pensionistëve dhe studentëve, të cilët më parë ishin pjesë e ekonomisë informale.
“Qëllimi është të rritet punësimi dhe produktiviteti për të forcuar performancat ekonomike. Të dhënat ekonomike për tremujorët e fundit janë pozitive dhe presim rezultate të favorshme për tremujorin e parë të këtij viti,” – theksoi ai.
Lajme nga vendi
”Plakat” nuk falin: Rikthejnë të ftohtin, çfarë janë dhe pse ndodh kjo dukuri
Në fillim të muajit prill, në shumë vende të Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, shpesh vërehet një rënie e papritur e temperaturave, e njohur në popull si “Plakat e Prillit”.
Sipas besimeve popullore, këto ditë janë të paparashikueshme dhe shpesh shoqërohen me erë, reshje apo edhe temperatura të ulëta, që mund të ndikojnë në bujqësi dhe në jetën e përditshme.
Megjithatë, nga këndvështrimi meteorologjik, kjo është një dukuri normale. Ndryshimet e shpejta të motit në pranverë ndodhin për shkak të përplasjes së masave ajrore të ngrohta me ato të ftohta që ende zbresin nga veriu.
Ekspertët këshillojnë kujdes gjatë kësaj periudhe, sidomos për fermerët dhe qytetarët që i besojnë motit të qëndrueshëm pranveror, pasi temperaturat mund të luhaten ndjeshëm brenda pak ditësh.
“Plakat e Prillit” mbeten një term i njohur në traditën popullore, por në thelb janë një kujtesë se pranvera nuk është gjithmonë e qëndrueshme.
Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës: Problemet me ndriçimin publik mund të raportohen online
Qytetarët e Tetovës tashmë kanë mundësi më të lehtë dhe më të shpejtë për të raportuar problemet me ndriçimin publik në lagjet dhe rrugët e qytetit. Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve që çdo defekt apo mungesë të ndriçimit ta paraqesin përmes aplikacionit TE KLIK, në seksionin I-REPORT.
Ky aplikacion është i disponueshëm për përdoruesit e pajisjeve iOS dhe Android, duke ofruar një mënyrë të thjeshtë dhe efikase për komunikim me institucionet përgjegjëse.
Sipas njoftimit, raportimet e qytetarëve ndihmojnë që ekipet përkatëse të reagojnë më shpejt dhe të zgjidhin problemet në kohë, duke përmirësuar sigurinë dhe cilësinë e jetës në qytet.
Falemnderit për bashkëpunimin!
Lajme nga vendi
Feti Abazi dhe zv/ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli: “U bë dorëzimi i projektit për ujësjellësin e fshatit Pallçisht”
Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ditën e sotme ka mirëpritur në takim, zv/ministren e Transportit, zonjën Kaltrina Zekolli.
Qëllimi i takimit, ishte dorëzimi i projektit kryesor për rrjetin sekondar të ujësjellësit në fshatin Pallçisht.
Postimi i plotë i Feti Abazit, në Facebook:
“Sot pata kënaqësinë të pres në takim zyrtar mikeshën e komunës sonë dhe Zëvendësministren e Transportit, znj. Kaltrina Zekolli. Gjatë kësaj vizite të rëndësishme u bë dorëzimi i projektit kryesor për rrjetin sekondar të ujësjellësit në vendbanimin Pallçisht, një hap thelbësor drejt realizimit të këtij projekti jetik për banorët tanë.
Tashmë që disponojmë dokumentacionin e nevojshëm, bashkërisht u dakorduam që në fazën e ardhshme të angazhohemi maksimalisht për sigurimin e mjeteve financiare për zbatimin e tij. Projekti i ujësjellësit për Pallçishtin mbetet prioritet i përbashkët i komunës dhe i Zëvendësministres.
Shpreh falënderim të veçantë për znj. Zekolli për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe përkrahjen konkrete ndaj projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar, kryetari Abazi.
Problemi me çështjen e ujit, ka vite që i shqetëson banorët e fshatit Pallçisht, të cilët revoltën e tyre, shpesh e kanë shoqëruar edhe me protesta, ndaj qeverisë dhe administratës së kaluar komunale.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme


