Lajme nga vendi
Blerant Ramadani: Parim bazë për ne është të nxjerrim kandidatët më të mirë në çdo komunë
Sekretari i Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, para fillimit të mbledhjes të kryesisë qendrore të partisë, bëri të ditur se do të diskutohet se si ASH-ja do të dalë në zgjedhjet lokale. Mes tjerash potencoi se për ASH-në parim bazë është të nxjerrin kandidatët më të mirë në çdo komunë.
“Politika është arti i së mundshmes, realisht nuk është temë për të cilën ne sot jemi mbledh. Temë kryesore është se si ne do të dalim në zgjedhjet lokale, dhe si ti japim edhe një frymë fituese koalicionit VLEN, sigurisht se në kuadër të mundësive. Parim bazë për ne është që të gjejmë një modus të nxjerrim kandidatët më të mirë, më të përgatitur në çdo komunë ashtu që ato të jenë menaxherë të ardhshëm të asaj komune. Duhet të bëjmë dallimin ndërmjet zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve lokale. Ky është interes i komunave të cilët përgjithësi gravitojnë shqiptarë dhe ne mendojmë se metoda më e mirë për t’ju dal në pah qytetarëve është duke iu ofruar kandidatin më të mirë”, tha Sekretari Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani.
Lajme nga vendi
Fillon faza e zbatimit konkret të Strategjisë 2025–2028 për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë në RMV
Pas mbledhjes konstituive të Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, të mbajtur më 2 shkurt 2026, sot shënohet hyrja në fazën vendimtare të zbatimit konkret të Strategjisë për periudhën 2025–2028 dhe Planit të Veprimit 2025–2026, njoftojnë nga kabineti i zv. kryeministrit Arben Fetai.
“Me Vendimin e Qeverisë të datës 9 shtator 2025 dhe me emërimin e anëtarëve më 28 tetor 2025, është konsoliduar struktura e plotë institucionale për koordinimin dhe monitorimin e kësaj strategjie.
Megjithatë, siç theksoi Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, struktura në vetvete nuk prodhon rezultate, rezultatet arrihen përmes veprimit të koordinuar, përgjegjësisë së qartë institucionale dhe llogaridhënies konkrete.
Këshilli Nacional përcakton drejtimin politik, ndërsa Komisioni Nacional ka për detyrë të sigurojë që ky drejtim të përkthehet në rezultate të matshme në praktikë. Raporti i parë vjetor evidenton progres normativ, por faza aktuale kërkon angazhim të shtuar operacional, disiplinë në raportim dhe reagim tëmenjëhershëm ndaj pengesave sistemike.
Në këtë kontekst, Komisioni Nacional do të funksionojë si mekanizëm aktiv i zbatimit dhe monitorimit, me fokus në:
-zbatimin e plotë të përgjegjësive institucionale;
-identifikimin dhe adresimin e pengesave reale në sistem;-raportim me integritet, transparencë dhe pa kalkulime politike;
-ndërhyrje të menjëhershme në rast vonesash apo mungese kapacitetesh”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, theksojnë nga atje, u promovua dokumenti i përgatitur në bashkëpunim me United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC), “Checklist për lehtësimin e kthimit të pasurisë”, si instrument praktik për standardizimin dhe fuqizimin e proceseve të rikuperimit të aseteve. Ky dokument përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të kapaciteteve teknike dhe harmonizimit me standardet ndërkombëtare.
Lajme nga vendi
Ndërpritet bojkoti i mësimit në Vaksincë! Suspendohet arsimtarja deri në ekzaminimet mjekësore
Pas një muaji të plotë bojkot, ka rifilluar mësimin në filloren e Vaksincës. Pas raportimit të vazhdueshëm të TV21 për mos reagim në kohë të institucioneve, më në fund drejtoria e shkollës mori vendim për suspendim të arsimtares së anglishtes S.S. për të cilën dyshohet se ka probleme shëndetësore. Drejtori i Sh. F. “Rilindja” përmes telefonit e konfirmoi se arsimtaren në fjalë e kanë larguar nga puna 3 muaj deri sa të kryhen procedurat administrative dhe ekzaminimet shëndetësore te Instituti i mjekësisë së punës.
Nga Komuna e Likovës thanë se kanë urdhëruar drejtorinë që ta zëvendësojnë përkohësisht me një arsimtare tjetër të anglishtes në mënyrë që mësimi të mos ngecë, ndërsa gjatë pushimit pranveror dhe veror do të kompensohen 4 javët e humbura mësimore. Nga Inspektorati shtetëror i arsimit thonë se brenda afateve ligjore presin raportin e drejtorisë për ekzaminimet mjekësore për të vendosur nëse arsimtarja S.S. i plotëson kushtet për tu rikthyer në mësim ose për përjashtim të përhershëm nga puna.
Lajme nga vendi
Tiranë, deklaratë e 5 vendeve për Korridorin 8

