Lajme nga vendi
BDI: Kreshniku në shënjestër të hakmarrjes politike
Informacionet se një prokuror publik, që ka qenë pjesë e lëndës, është tërhequr për shkak të mospajtimeve rreth kualifikimit të veprës dhe veçanërisht për shkak të presioneve politike nga partitë në Qeveri, në një shtet normal do të ishin alarm për gjithë shoqërinë. Kështu thuhet në reagimin e BDI-së, e cila siç thuhet, me shqetësim të thellë po i ndjek zhvillimet lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan dhe mënyrën si institucionet e drejtësisë po e trajtojnë këtë proces, nën presion të qartë politik dhe me qëllim që faji të hidhet mbi të tjerët, për të mbrojtur njerëzit e pushtetit.
Reagimi i plotë i BDI-së:
Tri pyetje për drejtësinë selektive!
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me shqetësim të thellë po i ndjek zhvillimet lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan dhe mënyrën si institucionet e drejtësisë po e trajtojnë këtë proces, nën presion të qartë politik dhe me qëllim që faji të hidhet mbi të tjerët, për të mbrojtur njerëzit e pushtetit.
Informacionet se një prokuror publik, që ka qenë pjesë e lëndës, është tërhequr për shkak të mospajtimeve rreth kualifikimit të veprës dhe veçanërisht për shkak të presioneve politike nga partitë në Qeveri, në një shtet normal do të ishin alarm për gjithë shoqërinë.
Në realitetin tonë, heshtja e institucioneve flet më zëshëm se çdo vendim.
Dje u soll një vendim që pothuajse të gjithë të ndaluarit të lirohen nga paraburgimi aktiv, përveç Kreshnik Bekteshit, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim – një person që prej kohësh është në shënjestër të hakmarrjes politike.
Kjo tashmë nuk është çështje individuale, por një model i rrezikshëm i drejtësisë selektive, që po shndërrohet në instrument për presion dhe eliminim politik.
BDI kërkon publikisht dhe menjëherë që Prokuroria t’u përgjigjet qytetarëve:
A është e vërtetë se një prokuror është tërhequr për shkak të hetimit të udhëhequr politikisht?
A do ta lejojë Prokuroria që të shndërrohet në instrument të hakmarrjes politike ndaj opozitës?
Cilat janë kriteret, sipas të cilave disa lirohen, e disa mbeten në paraburgim pa prova të mjaftueshme dhe me hetim të paqartë?
Kjo nuk është drejtësi – kjo është politikë e kamufluar si gjyqësor.
Nuk duhet të lejojmë që tragjedia e Koçanit të përdoret për propagandë politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e strukturave në pushtet.
BDI nuk mbron individë, por mbron drejtësinë si parim – të barabartë për të gjithë./koha.mk/
Lajme nga vendi
ASH konteston zbatimin jo uniform të paketës “Safe City” në Kushtetuese
Në ditën e hyrjes në fuqi të ligjeve, Aleanca për Shqiptarët ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese aktet ligjore që përfshihen në paketën “Safe City”.
Abidin Abduli, avokat i angazhuar nga Aleanca për Shqiptarët, deklaroi:
“Siç paralajmëruan deputetët tanë nga foltorja e Kuvendit, ligjet e paketës ‘Safe City’ do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese në ditën e hyrjes së tyre në fuqi. Këto iniciativa i dorëzuam me qëllim që çdo ligj të vlejë për të gjithë qytetarët, në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.”
Në lidhje me deklaratën e Ziadin Selës, një pyetje e ngritur nga gazetarët, deputeti Halil Snopçe theksoi:
“Serioziteti për ‘Safe City’ matet me veprime konkrete dhe jo me deklarata politike. Neni 9 i Kushtetutës garanton barazi për të gjithë qytetarët, ndërsa zbatimi i ligjit vetëm në tre qytete nuk është i barabartë dhe nuk siguron uniformitet. Deputeti Rijad Shaqiri paralajmëroi nga foltorja e Kuvendit se Aleanca për Shqiptarët do të dorëzonte ankesë, ndërsa Ziadin Sela nuk ishte i pranishëm gjatë votimit të ligjit.”
Aleanca për Shqiptarët thekson se çdo ligj duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe të garantojë të drejta të njëjta për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.
Aleanca për Shqiptarët
Lajme nga vendi
Fetai: “Safe City” është politizuar pa nevojë, ligji nuk ka karakter ndëshkues
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, ka deklaruar se Ligji për kundërvajtje, i njohur si sistemi “Safe City”, është politizuar pa nevojë, duke u shoqëruar me dilema, propagandë dhe përpjekje për etnizim të tij. Sipas Fetait, “Safe City” është një sistem i konceptuar për të vendosur rend në qarkullimin publik dhe për të ulur numrin e aksidenteve fatale në trafik. “Bëhet fjalë për një sistem që synon të vendosë rend në qarkullimin publik dhe të ulë shkallën e vdekshmërisë në aksidentet rrugore. Ai është menduar dhe dizajnuar mbi bazën e statistikave që shteti disponon lidhur me aksidentet e trafikut në nivel vendi”, ka deklaruar Fetai.
Zëvendëskryeministri ka theksuar se qasja e Qeverisë është parandaluese dhe jo ndëshkuese, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se qëllimi është mbledhja e gjobave për mbushjen e buxhetit. “Qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë qytetarët apo të mbledhim para për buxhetin, siç u paraqit nga një pjesë e opozitës. Qasja është parandaluese dhe ka të bëjë me sigurinë publike”, tha Fetai.
Ai sqaroi se ligji ende nuk zbatohet plotësisht dhe se aktualisht sistemi ndodhet në fazë testuese. Sipas tij, operacionalizimi i plotë i sistemit, përfshirë edhe shqiptimin e dënimeve, do të nisë nga data 1 shkurt. Fetai po ashtu nënvizoi se dërgimi i njoftimeve përmes SMS-ve është ende në fazë testimi dhe se Qeveria ka garantuar respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Kemi qartësuar se do të respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve dhe njoftimet do të dërgohen në dy gjuhë. Këtë e garantojmë”, theksoi Fetai.
Lajme nga vendi
Diploma false, ministrja Janevska: Ka kallëzime penale, po veprohet
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në emisionin “Click Plus” deklaroi se aktualisht institucionet po veprojnë mbi kallëzimet për diploma të falsifikuara, duke theksuar se ligji në fuqi për momentin parashikon vetëm masa ndëshkuese.
Ajo shtoi se së shpejti pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri për Arsimin e Lartë, i cili do të mundësojë procedura të reja për trajtimin e këtyre rasteve.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi punuar për të përcaktuar disa fakte që kanë ndodhur në të kaluarën, por ka indikacione se raste të tilla po ndodhin edhe tani, megjithëse në një përqindje më të vogël. Më vjen keq të them se ligjet tona ekzistuese për arsimin e lartë kanë disa mangësi, të cilat nuk na lejojnë ta përmbyllim plotësisht këtë problematikë, ndonëse do të kishim mundësi. Kemi ndërmarrë hapa dhe aktualisht po veprojmë në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, i cili, edhe jashtë planit të rregullt, po zhvillon një sërë hetimesh. Për momentin po punohet mbi kallëzimet e paraqitura dhe të gjitha ato që na janë dorëzuar janë proceduar. Ligji nuk është i qartë se si duhet vepruar pas përfundimit të procedurave. Një pjesë e madhe e rasteve janë zgjidhur me shqiptimin e masave ndëshkuese ndaj subjekteve që kanë kryer shkeljet. Në këtë proces do të duhet të përfshihet edhe Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë”, deklaroi Janevska.

