Lajme nga vendi
Deputeti gjerman shpërthen: Serbia s’mund të sillet si viktimë në Kosovë, ndërsa shtyp shqiptarët në Preshevë
Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, flet për heshtjen politike ndaj gjendjes së shqiptarëve në Serbinë e Jugut, Srebrenicën dhe vëmendjen ndaj Kosovës.
Ahmetoviq, të premten mbajtët në Bundestag një fjalim me rastin e ditës përkujtimore të Srebrenicës. Ju jeni i prekur personalisht nga Lufta e Bosnjës, eshtrat e gjyshit tuaj u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan vetëm në vitin 2016. Si e përjetuat këtë debat?
Ahmetoviq: Jam shumë mirënjohës që në Bundestagun gjerman u zhvillua një debat i dakorduar për këtë ngjarje. Nuk përkujtuam vetëm 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, por për herë të parë edhe Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit për këtë krim. Vitin e kaluar, qeveria gjermane, në bashkëpunim me Ruandën, arriti të fitojë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta shpallur këtë ditë si ditë ndërkombëtare përkujtimore. Ky debat ishte i domosdoshëm. Edhe pas 30 vitesh ka ende aktorë politikë në Ballkanin Perëndimor, në Bosnje e Hercegovinë por edhe në Beograd, që mohojnë gjenocidin, përpiqen të shtrembërojnë historinë dhe glorifikojnë kriminelë lufte si Ratko Mladiç apo Radovan Karaxhiç. Kjo është e papranueshme. Kemi përgjegjësi ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe gjithë rajonit.
Srebrenica ishte një gjenocid në tokën evropiane. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga kjo për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë?
Ahmetoviq: Ne duhet ta ndjekim nga afër dhe vazhdimisht situatën në Ballkanin Perëndimor. Politika për Ballkanin nuk mund të jetë çështje konjukturash, ajo duhet të jetë pjesë e përhershme e agjendës së politikës sonë të jashtme. Prandaj ndjek rregullisht zhvillimet në rajon, në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Qëllimi ynë është stabiliteti në rajon. Për Kosovën, kjo do të thotë konkretisht se duam që ky vend të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do të varej nga SPD, më mirë dje sesa nesër. Srebrenica na kujton çdo ditë se Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por pjesë qendrore e Evropës. Shumë njerëz nga Ballkani jetojnë sot në Gjermani, janë të integruar shumë mirë dhe janë shtetas gjermanë. Edhe kjo na obligon. Rajoni duhet të jetë pjesë përbërëse e politikave tona të jashtme dhe të sigurisë, dhe ky është realitet nën këtë qeveri, veçanërisht për Kosovën.
Sipas informacioneve tona, në Bundestag ka pasur një përpjekje për të miratuar një rezolutë për Srebrenicën. Përse dështoi kjo nismë?
Ahmetoviq: Mund të them me siguri se sot kemi arritur ta përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë në një formë të denjë, me përmasa dhe në një kuadër që i përgjigjet seriozitetit të kësaj çështjeje. Unë mbajta një fjalim personalisht dhe vendosa lulen përkujtimore të Srebrenicës në jakën e xhaketës si një shenjë të qartë solidariteti. Një shenjë tjetër e fortë ishte prania e dy të mbijetuarve të gjenocidit. Krahas ambasadorit të Bosnjës, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës, partneri im politik Faruk Ajeti, një diplomat që bën një punë të shkëlqyer këtu në Gjermani. Dua të theksoj gjithashtu se grupi parlamentar i SPD-së në Bundestag ka miratuar një qëndrim të vetin për 30-vjetorin dhe për Ditën e Parë Ndërkombëtare të Përkujtimit për Srebrenicën, dhe këtë e ka bërë njëzëri. Kjo ishte vetëm pika e fillimit. Vitin tjetër vjen dita e dytë ndërkombëtare e përkujtimit, pastaj e treta, e katërta dhe ne do ta rrisim dhe do ta përmirësojmë angazhimin tonë.
Përmendët Këshillin e Evropës. A ka ndonjë plan konkret për ta vendosur anëtarësimin e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave?
Ahmetoviq: Nuk mund të përmend një datë konkrete, sepse kjo do të ishte e papërgjegjshme. Por si zëdhënës për politikën e jashtme të grupit parlamentar të SPD-së, bashkë me kolegun tim Frank Schwabe, do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur kursin tonë. Ne duam që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. U zhgënjyem që kjo nuk u arrit në legjislaturën e kaluar, ndonëse kishte një momentum strategjik. Po të ishte ushtruar më shumë presion, ndoshta do të kishte ndodhur. Megjithatë nuk duhet të dorëzohemi. Në jubileun e Këshillit të Evropës në Bundestag thashë qartë se dëshira ime është që Kosova, kjo demokraci e re, të bëhet anëtare e plotë sa më shpejt. Nëse do të varej nga ne të SPD-së, dje e jo nesër.
Ndaj kujt duhej bërë më shumë presion vitin e kaluar?
Ahmetoviq: Qeveria gjermane do të duhej të kishte ushtruar më shumë presion mbi shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Disa vende ishin kundër. Por Gjermania ka tani më shumë peshë në Evropë dhe ne duhet të veprojmë me vetëbesim, por edhe me përulësi. Si SPD do të kujdesemi që qeveria të jetë më aktive në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm, zoti Wadephul, është shprehur vetë se Kosova duhet të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Evropës. Ne do t’ia kujtojmë këtë premtim dhe do ta gjykojmë në bazë të tij.
Një tjetër garanci për paqe është anëtarësimi në BE. Shqipëria dhe Mali i Zi shpresojnë të bëhen anëtare deri në vitin 2030. A është kjo realiste? Dhe çfarë nënkuptohet me anëtarësim të asociuar?
Ahmetoviq: Një nga mësimet më të mëdha nga gjenocidi i Srebrenicës është se procesi i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtare të BE-së duhet të marrë hov serioz. Nëse duam stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon, këto vende, përfshirë Kosovën, duhet të kenë një perspektivë reale, transparente dhe të sinqertë për anëtarësim. Dhe diçka tjetër, anëtarësimi në NATO është po aq i rëndësishëm sa ai në BE. Të dyja nivelet, integrimi politik dhe siguria kolektive, janë të lidhura ngushtë. Pa siguri nuk ka asgjë. Njerëzit nuk kanë ikur nga Ballkani në vitet ’90 për të kërkuar punë më të mirë. Ata ikën për shkak të luftës, përndjekjes, dëbimit dhe krimeve. Që kjo të mos ndodhë më kurrë, nevojitet një përfshirje e qëndrueshme në BE dhe NATO. Nuk mund të them se kur do të ndodhë kjo, por mund t’ju premtoj se si përfaqësues i SPD-së për politikën e jashtme do të jap gjithçka që kjo perspektivë të bëhet reale. E vërteta është gjithashtu se shtetet vetë, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Përgjegjësia është e dyanshme.
Parlamenti i Kosovës është i bllokuar aktualisht dhe nuk po arrin të fillojë punën. Sa e dëmshme është kjo për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian?
Ahmetoviq: Si socialdemokrat jam në kontakt të ngushtë me qeverinë e Kosovës. Albin Kurti dhe partia e tij janë parti simotra me SPD-në, të dyja i përkasin krahut të majtë progresist. Ne kemi një interes të madh për një qeveri stabile në Kosovë, një parlament funksional dhe punë parlamentare të rregullt. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme që në Kosovë të rikthehet sa më shpejt stabiliteti politik. Nëse kjo arrihet dhe në vitet e ardhshme kemi një qeveri stabile me një presidente shumë të vetëdijshme dhe përfaqësuese të shkëlqyer të kësaj demokracie të re, siç është zonja Vjosa Osmani, atëherë çështje si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, procesi i integrimit në BE dhe një anëtarësim i mundshëm në NATO duhet të jenë sërish në krye të agjendës. Këto çështje janë të ndërlidhura ngushtë. Dhe nëse të dyja palët, Kosova dhe BE-ja, bëjnë detyrat e tyre, unë jam i bindur se do të ketë një perspektivë shumë pozitive.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës ankohen për margjinalizim dhe se janë të prekur nga pasivizimi sistematik i adresave të tyre. Këtë javë ju keni pritur në Bundestag një delegacion nga Lugina e Preshevës. Çfarë morët me vete nga ky takim?
Ahmetoviq: Do të jem shumë i sinqertë dhe unë jam një politikan që flet hapur. Situata e pakicës shqiptare në Serbi deri më sot nuk ka pasur vëmendjen e duhur, as në Gjermani e as në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi parë mjaftueshëm situatën. Prandaj jam shumë mirënjohës që ky delegacion bëri një rrugë kaq të gjatë për të ardhur në Bundestag. Kur them “rrugë e gjatë” nuk e kam fjalën për kilometrat, por për këmbënguljen. Ata kanë kërkuar takime vazhdimisht, nuk ka qenë e lehtë të gjejnë dëgjues. Ka pasur shumë organizata të ndryshme që kanë avokuar për këtë çështje, ndër të tjera edhe një shkencëtare nga Instituti Max Planck në Göttingen, e cila më kontaktoi dhe më tha: “Z. Ahmetoviq, duhet ta shikoni këtë çështje.” Dhe jam i lumtur që e bëra. Nuk e kisha të qartë sa serioze dhe problematike është situata në terren. Çfarë mësova nga ky takim? Ne duhet të sigurohemi që të drejtat e pakicave të vlejnë kudo. Sa i përket pakicës shqiptare në Serbi, ka tre marrëveshje për të cilat Serbia është zotuar. Ato përmbajnë detyrime të qarta për integrimin e shqiptarëve në administratë, gjyqësor, polici dhe përfaqësim politik. Këto marrëveshje duhet të zbatohen, sepse janë parakusht për perspektivën e Serbisë drejt BE-së.
Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit shqiptarë nga Serbia e Jugut kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja. A e konsideroni këtë kërkesë legjitime?
Ahmetoviq: Pakica serbe në Kosovë ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejtat e veta. Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi? Unë mendoj se këto standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat, për pakicat në Serbi ashtu si edhe për pakicat në Kosovë. Prandaj e gjej legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës që moderon BE-ja. Unë e mora këtë kërkesë si detyrë për punën time dhe do ta adresoj.
Lajme nga vendi
”Plakat” nuk falin: Rikthejnë të ftohtin, çfarë janë dhe pse ndodh kjo dukuri
Në fillim të muajit prill, në shumë vende të Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, shpesh vërehet një rënie e papritur e temperaturave, e njohur në popull si “Plakat e Prillit”.
Sipas besimeve popullore, këto ditë janë të paparashikueshme dhe shpesh shoqërohen me erë, reshje apo edhe temperatura të ulëta, që mund të ndikojnë në bujqësi dhe në jetën e përditshme.
Megjithatë, nga këndvështrimi meteorologjik, kjo është një dukuri normale. Ndryshimet e shpejta të motit në pranverë ndodhin për shkak të përplasjes së masave ajrore të ngrohta me ato të ftohta që ende zbresin nga veriu.
Ekspertët këshillojnë kujdes gjatë kësaj periudhe, sidomos për fermerët dhe qytetarët që i besojnë motit të qëndrueshëm pranveror, pasi temperaturat mund të luhaten ndjeshëm brenda pak ditësh.
“Plakat e Prillit” mbeten një term i njohur në traditën popullore, por në thelb janë një kujtesë se pranvera nuk është gjithmonë e qëndrueshme.
Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës: Problemet me ndriçimin publik mund të raportohen online
Qytetarët e Tetovës tashmë kanë mundësi më të lehtë dhe më të shpejtë për të raportuar problemet me ndriçimin publik në lagjet dhe rrugët e qytetit. Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve që çdo defekt apo mungesë të ndriçimit ta paraqesin përmes aplikacionit TE KLIK, në seksionin I-REPORT.
Ky aplikacion është i disponueshëm për përdoruesit e pajisjeve iOS dhe Android, duke ofruar një mënyrë të thjeshtë dhe efikase për komunikim me institucionet përgjegjëse.
Sipas njoftimit, raportimet e qytetarëve ndihmojnë që ekipet përkatëse të reagojnë më shpejt dhe të zgjidhin problemet në kohë, duke përmirësuar sigurinë dhe cilësinë e jetës në qytet.
Falemnderit për bashkëpunimin!
Lajme nga vendi
Feti Abazi dhe zv/ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli: “U bë dorëzimi i projektit për ujësjellësin e fshatit Pallçisht”
Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ditën e sotme ka mirëpritur në takim, zv/ministren e Transportit, zonjën Kaltrina Zekolli.
Qëllimi i takimit, ishte dorëzimi i projektit kryesor për rrjetin sekondar të ujësjellësit në fshatin Pallçisht.
Postimi i plotë i Feti Abazit, në Facebook:
“Sot pata kënaqësinë të pres në takim zyrtar mikeshën e komunës sonë dhe Zëvendësministren e Transportit, znj. Kaltrina Zekolli. Gjatë kësaj vizite të rëndësishme u bë dorëzimi i projektit kryesor për rrjetin sekondar të ujësjellësit në vendbanimin Pallçisht, një hap thelbësor drejt realizimit të këtij projekti jetik për banorët tanë.
Tashmë që disponojmë dokumentacionin e nevojshëm, bashkërisht u dakorduam që në fazën e ardhshme të angazhohemi maksimalisht për sigurimin e mjeteve financiare për zbatimin e tij. Projekti i ujësjellësit për Pallçishtin mbetet prioritet i përbashkët i komunës dhe i Zëvendësministres.
Shpreh falënderim të veçantë për znj. Zekolli për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe përkrahjen konkrete ndaj projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar, kryetari Abazi.
Problemi me çështjen e ujit, ka vite që i shqetëson banorët e fshatit Pallçisht, të cilët revoltën e tyre, shpesh e kanë shoqëruar edhe me protesta, ndaj qeverisë dhe administratës së kaluar komunale.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme


