Lajme nga vendi
Hekurudha e re në Maqedoninë e Veriut, një ambicie prej 1.9 miliard eurosh
Me investimin prej 1.9 miliard eurosh përmes kredisë së paralajmëruar nga Britania e Madhe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut po vendos një objektiv ambicioz: brenda pesë vjetësh, hekurudhat maqedonase do të kenë një linjë moderne nga veriu në jug, nëpër të cilën trenat e pasagjerëve do të lëvizin me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë drejt Selanikut dhe Beogradit, ndërsa trenat e mallrave me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë.
Plani është që të ruhet sa më shumë traseja ekzistuese, mbi të cilën do të ndërtohet një linjë hekurudhore krejtësisht e re dhe paralelisht me të, të vendoset një vijë e dytë, gjë që do të rezultonte në rreth 200 kilometra hekurudhë moderne dykahëshe, thotë për Shërbimin maqedonas të Radios Evropa e Lirë, drejtori i ndërmarrjes publike Hekurudhat e Maqedonisë – Transport, Sinisha Ivanovski.
“Nuk do të mbajmë hekurudhën ekzistuese veri-jug. Do të ruajmë vetëm trasenë dhe do të ndërtohet një hekurudhë krejtësisht e re, sepse parametrat e asaj ekzistuese janë maksimalisht për 100 kilometra në orë dhe ajo nuk përputhet në asnjë parametër me hekurudhën për 160 kilometra në orë. Pra, e gjithë hekurudha në të dy drejtimet, me elektrifikim dhe sinjalizim, duhet të kushtojë maksimum 1.9 miliard euro”, thotë Ivanovski në një intervistë për REL-in.
Sipas marrëveshjes me Qeverinë britanike, shton ai, një nga kushtet është që realizuesi i punimeve në hekurudhë të jetë një kompani britanike, e cila do të kryejë 20 për qind të vlerës totale, gjë që do të vërë në dispozicion 1.5 miliard euro për nënkontraktorë, pra kompani maqedonase. Megjithatë, Ivanovski thekson se problemi qëndron në faktin se në vend nuk ka kompani të specializuara për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e hekurudhave.
Infrastruktura hekurudhore aktualisht është në një nivel shumë të ulët, me një linjë ku trenat lëvizin maksimalisht me 50 kilometra në orë, ndërsa në disa segmente me kthesa, ku trenat madje lëvizin edhe më ngadalë se 20 kilometra në orë.
Hekurudha do të zhvillojë edhe turizmin
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, në nëntor njoftoi se po përgatitet ndërtimi i “hekurudhës së shpejtë” nga Shkupi në Selanik dhe, sipas tij, në këtë mënyrë shteti do të zhvillojë edhe turizmin.
Ai tha se Qeveria maqedonase ka miratuar vendimin për zgjidhjen urbanistike për lokalitetin Stobi, ku po hapen gjithashtu verari në rajonin e Tikveshit.
Nikolloski theksoi se qëllimi i këtyre aktiviteteve është lehtësimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja hoteliere dhe mbajtja e turistëve që kalojnë nëpër Korridorin 10, pra rrugën E-75.
Hekurudha e re që pritet të lidhë qytetet Nish dhe Shkup është në plan ndërtimi. Ajo është pjesë e projektit të Korridorit 10, i cili do të lidhë Athinën, Selanikun, Shkupin, Nishin, Beogradin, Zagrebin, Lubjanën dhe Salzburgun.
Megjithatë, një pjesë e opinionit profesional e sheh me rezerva të mëdha “hekurudhën e shpejtë” të paralajmëruar, duke theksuar se projekti po shtyhet përpara pa një analizë të mjaftueshme dhe duke paralajmëruar një rrezik potencial financiar të madh për shtetin.
Profesori Dejan Trajkovski nga Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” e sheh projektin si “humbje” dhe, sipas tij, ai do të kushtojë shumë më tepër sesa kredia prej 1.9 miliard eurosh, madje thotë se me interesa dhe humbje të paraportuara, shuma do të arrinte në 3.3 deri në 3.5 miliardë euro.
“Qeveria po përgatitet të marrë miliarda euro borxh për një projekt të falimentuar të quajtur hekurudhë e shpejtë, pa asnjë analizë ekonomike, pa studim fizibiliteti, pa debat publik, vetëm me një vendim të papërgjegjshëm politik. Ata duan një hekurudhë që do të sjellë humbje, në vend të energjisë dhe fitimeve nga Lugina e Vardarit”, thotë Trajkovski.
Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë – Transport, Sinisha Ivanovski, thotë se aktualisht po zhvillohen studimi i fizibilitetit, vlerësimi i ndikimit mjedisor dhe studime të tjera për projektin që pritet të tregojnë mënyrën e ndërtimit të trasesë.
Sa i përket leverdisë ekonomike, ai thotë se duke qenë se Maqedonia e Veriut aktualisht renditet e fundit në rajon për projektet infrastrukturore (hekurudhore dhe rrugore), pret që shteti të përfitojë nga ky projekt.
Përfitimet ekonomike
“Portet në Greqi po përjetojnë rritje të vazhdueshme të vëllimit të punës dhe rruga më e shpejtë dhe më efikase për kompanitë transportuese kalon nëpër Maqedoninë e Veriut. Sa më e shkurtër të jetë rruga, aq më të ulëta janë kostot, gjë që është përfitim i drejtpërdrejtë edhe për ne”, shpjegon Ivanovski.
Nëse investimi do të kthehet plotësisht, këtë do ta tregojnë studimet, shton ai, duke theksuar se projektet infrastrukturore rrallë sjellin përfitim të drejtpërdrejtë financiar. Sipas Ivanovskit, roli thelbësor i këtyre projekteve është përmirësimi i cilësisë së jetesës dhe shërbimeve për qytetarët dhe transportin publik, i cili zakonisht subvencionohet në të gjitha metropolet e mëdha.
Më 6 nëntor, qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkombëtar në Korridorin 8.
Tuneli i planifikuar është pjesë e Korridorit më të gjerë panevropian 8, një korridor transporti që lidh brigjet e Adriatikut dhe Detit të Zi. Traseja lidh Barin dhe Brindisin në Itali me portin e Durrësit në Shqipëri, prej nga vazhdon nëpër Ballkanin jugor drejt Bullgarisë dhe më tej deri në Varna në Detin e Zi.
Rrjeti rrugor dhe hekurudhor ndjek një drejtim të ngjashëm, duke lidhur qytete kyç si Tirana, Shkupi, Sofja dhe Plovdivi.
Përveç Korridorit 10, Maqedonia e Veriut pjesërisht përmes kredisë britanike, planifikon edhe rindërtimin e plotë të hekurudhës Shkup-Kërçovë, përmes Tetovës dhe Gostivarit. Kjo segment konsiderohet si zgjidhje kyç për lidhjen e ardhshme hekurudhore me Shqipërinë. Dy vendet po kërkojnë një zgjidhje për këtë, pasi traseja drejt Ohrit ndodhet në një zonë të mbrojtur nga UNESCO-ja. Lidhja me Shqipërinë do të ndërtohej brenda të paktën tetë vjetësh, thotë Ivanovski./REL
Lajme nga vendi
NGA RRUGË NË “BULEVARD” – XHEPÇISHTI NDRYSHON PAMJE ME INVESTIMIN E RI
Kjo pjesë e Xhepçishtit tashmë duket si Bulevard e jo si rrugë – thanë zyrtarët e Komunës së Tetovës teksa promovuan rrugën e re në këtë vendbanim.
Pritjes I erdhi fundi – tha Kryetari I Komunës së Tetovës duke pohuar se përfundimi I projektit ka hijezuar të gjitha shqetësimet lidhur me këtë projekt në qendër të Xhepçishtit.
Me një gjatësi mbi 600 metra, me rrjet të ri ujësjellësi, rrjet kanalizimi atmosferik dhe fekal si dhe me asfaltimin e rrugës, Xhepçishti po hyn në një fazë të re zhvillimi!
Në mbrëmjen e së premtes në Sheshin e Xhepçishtit të pranishëm ishin kreu I Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, Zv/Kryetari Albi Qamili, Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi si dhe zyrtarë tjerë të lartë, kurse në mesin e tyre vërrejt edhe Ministri për Marrëdhëni ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati.
Kreu I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha për Tv Koha se bëhet fjalë për një investim të Komunës me gjithë infrastrukturën nëntokësore.
“Bëhet fjalë për një projekt kapital për Komunën e Tetovës, jo vetëm për f.Xhepçisht por edhe Tetovën. Një investim 1.1 milion euro apo 67 milion denarë që përfshinë asfaltimin e rrugës në gjatësi mbi 600 metra dhe gjerësi mesatarisht 6.5 metra dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore – ujësjellës, kanalizim, kanalizim fekal dhe atmosferik si dhe ndriçimi. Pra me këtë investim kjo pjesë e f.Xhepçisht është kompletuar dhe unë besoj se për, së paku, 30 vitet e ardhshme nuk do të ketë nevojë për investim sepse asfaltimi I rrugës sigurisht se do të mbrohet nga ajo se është bërë edhe infrastruktura nëntokësore me të gjitha standardet. Kjo për mua është një kënaqësi e veçantë, sepse Xhepçishti e ka merituar këtë investim të ri dhe duhej të presë 30 vite që të realizohet ky investim”
Xhepçishtasit u treguan si nikoqirë të mirë. Sheshi I këtij vendbanimi kishte marrë pamje feste ku nuk munguan rapsodët dhe kënga por edhe bakllavaja që gjithçka të shkojë ëmbël, ashtu siç e ka adeti./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Ministria e Energjisë: Sistemi elektroenergjetik në vend është stabil dhe i sigurt
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale e ndjek në mënyrë të vazhdueshme gjendjen në rajon dhe në Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend.
Nga Ministria thonë se sipas të dhënave të disponueshme, gjendja në Maqedoni është stabile dhe aktualisht nuk ka indikacione se nivelet e ulëta të ujërave në Evropë paraqesin rrezik për sigurinë e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
“Ministria, së bashku me SHA EMV, SHA MEPSO dhe institucionet e tjera kompetente, i monitoron rregullisht parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet, me qëllim që të ndërmerren me kohë të gjitha masat e nevojshme në rast se kushtet ndryshojnë”.
“Gjendja e akumulacioneve aktualisht është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të potencialit hidrik vendas. Potenciali hidrik shënon një nivel të përgjithshëm të mbushjes së akumulacioneve prej rreth 70 për qind. Kjo mundëson përmbushjen e nevojave aktuale në kuadër të prodhimit të planifikuar Akumulacionet vendase menaxhohen me kujdes dhe në përputhje me planet operative, gjë që mundëson prodhim të sigurt të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik. Njëkohësisht, hidrocentralet vazhdojnë të ofrojnë edhe shërbime sistemike të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të rrjetit elektroenergjetik”.
“Treguesit për prodhimin vendas janë inkurajues. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin maj të këtij viti në Maqedoni janë prodhuar 462.653 MWh energji elektrike, duke mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm, që paraqet një pjesëmarrje dukshëm më të lartë të prodhimit vendas në përmbushjen e nevojave të shtetit. Në të njëjtën kohë, të dhënat nga SHA EMV tregojnë një rritje të konsiderueshme të prodhimit nga hidrocentralet – prej 76 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe një rritje prej rreth 10 për qind te centralet e erës”.
“Këto rezultate janë konfirmim se diversifikimi gradual i kapaciteteve prodhuese, menaxhimi i kujdesshëm i akumulacioneve dhe planifikimi i përmirësuar kontribuojnë në një qëndrueshmëri më të madhe të sistemit energjetik të Maqedonisë në kushtet e ndryshimeve gjithnjë e më të shpeshta klimatike”.
“Paralelisht, investohet në kapacitete të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, në modernizimin e infrastrukturës elektroenergjetike, në zhvillimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, si dhe në projekte që do të mundësojnë fleksibilitet më të madh dhe përshtatje më të shpejtë të sistemit ndaj ndryshimeve klimatike dhe të tregu”.
“Aktualisht është duke u ndërtuar faza e dytë e parkut të erës „Bogdanci“, me ç’rast kapaciteti i tij i instaluar do të arrijë në 50 MW, ndërsa kanë filluar edhe aktivitetet për realizimin e centraleve fotovoltaike „Bitola 1“ dhe „Osllomej 2“, ndërkohë që përgatitjet për „Bitola 2“ dhe „Bitola 3“ janë në fazë të avancuar. Njëkohësisht, po krijohen kushtet për zbatimin më të gjerë të sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim më efikas të burimeve të rinovueshme dhe stabilitet më të madh të sistemi”, thonë nga ministria.
Lajme nga vendi
Rikthehen të gjitha figurat kombëtare dhe UÇK-ja në Çair
Në Komunën e Çairit janë rikthyer figurat kombëtare shqiptare dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), pasi më herët ishin dëmtuar nga persona të panjohur informon Tetovasot.
Mbishkrimet dhe muralet, që paraqesin figura të historisë kombëtare shqiptare dhe simbolikën e UÇK-së, janë restauruar, duke rikthyer pamjen e tyre të mëparshme.
Ngjarja vjen pas reagimeve të shumta publike ndaj aktit të vandalizmit që shkaktoi dëmtimin e tyre, ndërsa rikthimi i tyre është mirëpritur nga qytetarë dhe aktivistë, të cilët e kanë cilësuar si një veprim në mbrojtje të identitetit dhe kujtesës historike.
Rastet e vandalizimit të simboleve dhe figurave kombëtare në Çair kanë nxitur debat të gjerë në opinion, ndërsa autorët e dëmtimit nuk janë bërë të ditur publikisht.

