Lajme nga vendi
Kërcënuan kryetarin e komunës, Prokuroria akuzon tre persona! Njëri përfundon në paraburgim
Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprën penale “Rrezikim i sigurisë” sipas nenit 144 të Kodit Penal, ndërsa i akuzuari kryesor ngarkohet edhe me veprën “Shpërndarje e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari i parë për një periudhë të gjatë ka publikuar në profilin e tij në Facebook përmbajtje me gjuhë urrejtjeje, fyerje, thirrje për dhunë dhe kërcënime të drejtuara ndaj kryetarit të Komunës së Kavadarit.
“Ai ka shpërndarë edhe fotografi të kryetarit dhe fëmijëve të tij të mitur, të shoqëruara me kërcënime, ndërsa ka publikuar video ku shihet duke qëlluar me armë automatike dhe pistoletë, duke i përdorur si mesazh presioni. Nga muaji korrik, i akuzuari ka filluar edhe kërcënime direkte përmes telefonit dhe mesazheve, duke i rrezikuar jetën kryetarit dhe familjes së tij. I dyshuari i dytë ka përcjellë kërcënimet në emër të të parit, ndërsa i treti ka komentuar në rrjetet sociale duke kërcënuar me vrasje kryetarin e komunës”, qëndron mes të tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Për të akuzuarin kryesor, i cili ka shtetësi të dyfishtë maqedonase dhe bullgare, Prokuroria ka vlerësuar se ekziston rrezik arratisjeje dhe mundësi që të përsëritë veprën. Prandaj, është dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore të Kavadarcit për caktimin e masës së paraburgimit.
Lajme nga vendi
NASER ZIBERI: “KARPALLAKU” NDËRPREU NEGOCIATAT, “OHRI” MBETI ME ÇËSHTJE TË PAMBYLLURA!
Vonesat në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë si pasojë e mungesës së një mekanizmi të posaçëm që do të monitoronte dhe kontrollonte procesin e implementimit të saj. Kështu vlerëson Naser Ziberi, një nga figurat politike që ka qenë aktiv në procesin e hartimit të kësaj marrëveshjeje.
Në një prononcim për TV Koha, Ziberi përgjegjësinë për vonesat ua atribuon partive politike që gjatë këtyre viteve kanë qenë pjesë e pushtetit. Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e nënshkruar pas konfliktit të vitit 2001, është dashur të zbatohet në tërësi brenda një periudhe katërvjeçare nga nënshkrimi i saj.
Marrëveshja e Ohrit është larg asaj që shqiptarët së bashku kishin si kërkesë dhe si pritshmëri. Mendoj se gjatë procesit negociues nuk u arritën synimet të cilat, unë së paku vlerësoj se ishte e domosdoshme. Për disa çështje problematike dhe problemi i dytë i Marrëveshjes së Ohrit është prolongimi i tejskajshëm i implementimit të saj në praktikë.
Por, sipas Ziberit, vonesat nuk janë e vetmja problematikë që e ka shoqëruar procesin e zbatimit të marrëveshjes. Ai tregon se vetëm pak ditë para nënshkrimit të saj, negociatat mes dy palëve ishin ndërprerë si pasojë e ngjarjeve në Karpallak. Sipas tij, bisedimet u ndërprenë pikërisht në një moment kur po diskutoheshin disa nga çështjet më të rëndësishme të marrëveshjes, të cilat edhe sot mbeten pjesë e debatit politik.
Defekti i madh i Marrëveshjes së Ohrit është ajo që kjo marrëveshje nuk ka përfunduar me marëveshje. Ajo është nënshkruar, por process negociues i cili përfundon me marrëveshje të dy palëve, nuk ka. Për arsye se bisedat, negociatat në Ohër nuk kanë përfunduar. Janë ndërprerë si rezultat i ngjarjeve të karpallakut dhe kjo për pasojë pat që në M.O të mos mbyllen tre çështje kyçe, siç është çështja e tekstit të preambulës, çështja e përdorimit të gjuhës dhe çështja e arsimit sipëror, universitar, dhe sot në kushtetutë, që është derivat i M.O nuk e kemi të garantuar në gjuhën shqipe arsimin sipëror.
Më 13 gusht shënohen 25 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pavarësisht mangësive dhe vonesave në zbatimin e saj, Ziberi vlerëson se marrëveshja ka pasur rol të rëndësishëm në avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, më 12 dhe 13 gusht, nën moton “25 përtej”, Qeveria do të organizojë një seri panelesh dhe debatesh. Në fokus do të jenë rëndësia e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, zhvillimet pas nënshkrimit të saj, avancimi i marrëdhënieve ndëretnike, si dhe rruga e vendit drejt integrimit evropian./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Driton Kuçi ambasador edhe për një mandat, Jusufi në Stokholm, Todorovska në Prishtinë
Qeveria ka bërë gati listën e ambasadorëve të rinj që do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në disa prej misioneve diplomatike jashtë vendit. Në mesin e emrave të propozuar janë diplomatë karriere, por edhe persona nga fusha të tjera profesionale, ndërsa disa prej tyre do të marrin mandat të dytë në postet ku tashmë shërbejnë, transmeton portali zyrtare.net.
Në seancë qeveritare ka kaluar emri i Driton Kuçit, për ambasador në Oslo të Norvegjisë, dhe Elma Altorok, për ambasadore në Kajro të Egjiptit.
Ndërkohë, Kuçi tashmë është ambasador në Oslo dhe ky do të jetë mandati i tij i dytë, ndërsa Altorok është aktualisht ushtruese e detyrës në ambasadën në Kajro.
Sipas informacioneve jozyrtare nga burime qeveritare për „Sloboden Peçat“, Filip Pashu është zgjedhur ambasador i Maqedonisë në Athinë. Më 31 dhjetor 2021, ai ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit të NP „Parkingjet e Qytetit“, ku më herët kishte punuar edhe si zëvendësdrejtor dhe kryetar i Bordit Drejtues.
Në Budapest, Maqedoninë do ta përfaqësojë Tatjana Loparski, ish-gazetare dhe tash pronare dhe drejtoreshë ekzekutive e një prej agjencive kryesore të PR-së në Maqedoni, „Element PR“. Ajo konsiderohet eksperte për marrëdhëniet me publikun.
Avokati Jasmin Kalaç është zgjedhja e Qeverisë për ambasador në Sarajevë. Kalaç nuk është ndër avokatët më të njohur që janë angazhuar në raste të bujshme, përveç faktit se është i angazhuar në rastin „Puls“ për tragjedinë në Koçan, si mbrojtës i ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Selami.
Më herët janë zgjedhur edhe katër ambasadorë të tjerë, të cilët presin mbrojtjen e tezave në Kuvend. Në Bullgari do të shkojë Krum Efremov, diplomat karriere, i cili më parë ka qenë ambasador në Ukrainë.
Gabriel Atanasov do të jetë ambasador në Rumani, ku më parë kishte shërbyer gjithashtu.
Muharem Jusufi, i punësuar në Ministrinë e punëve të Jashtme do të jetë ambasador në Stokholm, Suedi, ndërsa në Prishtinë do të na përfaqësojë Katerina Todorovska.
Lajme nga vendi
DOGANA SEKUESTROI MBI 3.000 GJILPËRA PËR TATUAZH
Në pikën kufitare Bllatë është parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mbi 3 mijë gjilpërave dhe pajisjeve të tjera për tatuazh.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave, zyrtarët doganorë gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti transportues, në hyrje të vendit, kanë zbuluar mallrat që shoferi tentoi t’i fuste ilegalisht në shtet.
“Gjatë kontrollit, përveç gjilpërave, janë zbuluar edhe 60 paketime me gjithsej 7,2 litra ngjyrë për tatuazh, 150 copë pomadë dhe mjete ndihmëse për tatuazh”, njofton Drejtoria e Doganave.
Mallrat janë sekuestruar, ndërsa rasti do të procedohet më tej në përputhje me ligjin.

