Lajme nga vendi
Sonte mbledhja e fundit e Kryesisë Qendrore të BDI-së me përbërjen aktuale
Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) do të mbajë sonte mbledhjen e radhës, në prag të Kongresit të partisë që është caktuar të mbahet të shtunën.
Në fokus të mbledhjes do të jetë informimi rreth përgatitjeve përfundimtare të Kongresit, si dhe pikat kryesore që pritet të theksohen gjatë punimeve të Kongresit, shkruan gazeta KOHA.
Siç është bërë tashmë e ditur, kjo mbledhje do të jetë e fundit për Kryesinë Qendrore me këtë përbërje, pasi një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve aktualë nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë së ngushtë, sipas ndryshimeve të paralajmëruara në strukturën udhëheqëse të partisë.
Ndërkohë, të shtunën BDI do të mbajë Kongresin e saj, ku pritet të konfirmohet edhe një mandat i ri për Ali Ahmetin në krye të partisë.
Po ashtu, në Kongres do të miratohen ndryshimet në Statutin e partisë, me të cilat e drejta për emërimin e kryetarëve të Degëve do të kalojë ekskluzivisht në kompetencë të kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, sikurse që ishte dikur, në kohën kur u themelua BDI.
Ndryshe, BDI është bindur se ka marrë porosinë e votuesit shqiptarë, pas humbjes së komunave kryesore në zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Edhe vet Ahmeti e ka theksuar se BDI do t’i nënshtrohet reformave të thella, si në strukturë, ashtu edhe në tematikë. (koha.mk)
Lajme nga vendi
FUNDJAVA E ZGJATUR KA HESHTUR DHE BOSHATISUR SHKUPIN!
Vikendi i zgjatur dhe temperaturat e larta thuajse e kanë boshatisur kryeqytetin. Shumë qytetarë kanë vendosur t’i ikin vapës, duke zgjedhur të freskohen në destinacionet turistike më të afërta.
Lëvizje e reduktuar vërehet edhe në Tregun e Gjelbër, ku numri i blerësve është dukshëm më i vogël krahasuar me ditët e zakonshme.
Për shkak të vikendit të zgjatur dhe reduktimit të punës, shumë prej tregtarëve kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin ta kryejnë punën e tyre.
Edhe tregtarët, të cilët sot kishin dalë në treg, thonë se fundjava e zgjatur ka ndikuar ndjeshëm në uljen e shitjeve.
Këto tre ose katër ditë është ulur ndjeshëm puna. Për fat të keq, malli nuk qëndron, prishet, edhe pse çmimet janë të përshtatshme për gjithsecilin. Domaten më të mirë, prodhim vendor, e ke 60 denarë. Kemi qepë, po edhe sallata, gjithashtu, janë prodhim i yni, jo i eksportuar. Megjithëse mund të themi se sot është pak më mirë se ditëve të kaluara. Por ajo që mund të them është se blerësit këtë vikend nuk kanë të drejtë të ankohen për çmimet.
Lëvizje në pazar ka pasur sikur gjithmonë. Mesa duket, për shqiptarët nuk ka pushim, sepse çështja ekonomike e bën të veten. S’kemi të holla ne për det.
Valla, qenka shumë dobët, ka pak njerëz. Problem është buxheti.
Përveç tregut, fundjava e zgjatur e ka heshtur edhe Çarshinë e Vjetër, e cila zakonisht është pjesa më e zhurmshme dhe e vizituar nga qytetarët.
Përveç Tregut të Gjelbër, vikendi i zgjatur ka çuar në pushime edhe shitësit në Çarshinë e Vjetër dhe, si rrjedhojë, shumë dyqane janë të mbyllura.
Zhurma e Tregut të Gjelbër dhe e Çarshisë së Vjetër është zhvendosur në pikat kufitare, ku shumë qytetarë presin në kolona për t’u kthyer në shtëpitë e tyre për të vazhduar nga nesër aktivitetet dhe obligimet e përditshme./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 02 Gusht
Më 02.08.2026 në orën 14:30 në fshatin Gradec, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gallatë kanë privuar nga liria një 44 dhe një 20 vjeçar dhe dy të mitur, të gjithë nga fshati Gradec, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale „vjedhje“ e produkteve bujqësore, e raportuar një ditë më parë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në lagjen Drenovec, Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 35-vjeçar nga Tetova, për shkak të dyshimit të bazuar për vepër penale të kryer më parë nga neni 236 i Kodit Penal, e raportuar rreth dy muaj më parë, ku u vjedhën olluqet e gjithë shtëpisë në lagjen Drenovec. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje, në bazë të një telegrami të lëshuar nga SPB Tetovë, në Vendkalimin Kufitar „Aeroporti i Shkupit“ është privuar nga liria një 27-vjeçar nga fshati Prelubishtë, në lidhje me veprën penale „rrezikim i sigurisë“. Personi është marrë nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor Jegunovcë dhe është dërguar në SPB Tetovë për procedurë të mëtejshme. Pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Sot në mëngjes, në orën 02:30 në magjistralen Gostivar–Tetovë, te nyja „Tumçevisht“, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor Gostivar kanë vërejtur një këmbësor i cili po lëvizte në korsinë e rrugës. Gjatë marjes së masave është ndaluar një 50-vjeçar nga fshati Negotinë, te i cili është bërë alkooltestimi dhe është konstatuar prania e 1,65 promilëve alkool në gjak, si dhe gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare i njëjti ka nënvlerësuar dhe poshtëruar zyrtarin policor. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojnë parashtresat përkatëse.
…….
Sot në mëngjes në orën 02:40 në fshatin Negotinë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gallatë kanë ndaluar automjetin e pasagjerëve „Fiat“ me targa të Gostivarit, i drejtuar nga një 30-vjeçarnga fshati Negotinë. Gjatë kontrollit është konstatuar se personi e drejtonte automjetin pa marrë të drejtën e drejtimit, gjegjësishtë pa leje drejtimi, me çka ka kryer veprën penale nga neni 297-a i Kodit Penal „Drejtim i papërgjegjshëm i automjetit motorik“. Automjeti është sekuestruar përkohësisht dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 16:00 në DPB Gostivar është raportuar se në rrugën „Hekurudhat“ në Gostivar ka ndodhur një aksident komunikacioni ndërmjet automjetit të pasagjerëve „Ford Kuga“ me targa zvicerane, i drejtuar nga një 35-vjeçar nga fshati Çegran, i cili ka goditur një këmbësor, një fëmijë katërvjeçar nga Shkupi. Në aksidentin e komunikacionit fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe pas ndihmës së dhënë mjekësore është transferuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi nga DPB Gostivar.
……
Dje në orën 23:00 në DPB Gostivar është raportuar se në rrugën lokale fshati Rostushë – fshati Bitushë ka ndodhur një aksident komunikacioni ku motocikleta „Piaggio“ me targa të Shkupit, e drejtuar nga një 52-vjeçar nga Shkupi, ka dalë nga rruga. Shoferi me automjet të Ndihmës Mjekësore Urgjente nga Shtëpia e Shëndetit Rostushë është transferuar në Spitalin „8 Shtatori“ në Shkup për dhënien e ndihmës mjekësore. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi nga DPB Gostivar.
……
Dje në orën 23:40 në SPB Tetovë është raportuar një automjet i djegur i pasagjerëve „Golf“ me targa të Tetovës në rrugën rajonale Tetovë – fshati Bërvenicë. Automjeti drejtohej nga një 30-vjeçar nga fshati Tenovë, e cila ka deklaruar se zjarri ka shpërthyer në pjesën e përparme te motori ndërsa ishte në lëvizje. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është shuar plotësisht nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Tetovë. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi i SPB Tetovë.
…….
Dje në orën 19:20 në Stacionin Policor Gostivar, një 26-vjeçar nga Egjipti, me vendqëndrim në Gostivar, ka raportuar se rreth orës 19:00 në rrugën „Ilinden“, përpara një tezge pemësh dhe perimesh, është sulmuar fizikisht nga shitësi i tezgës. Sulmit i është bashkuar edhe një femër. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:20 në Stacionin Policor Gostivar, një 22-vjeçar nga Gostivari ka raportuar se po atë ditë rreth orës 02:30 në rrugën „Borçe Jovanoski“ në Gostivar, ai dhe shoku i tij janë sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur meshkuj të moshës rreth 25 vjeç. Sipas raportimit, ata gjatë sulmit kanë përdorur edhe sende të ndryshme të forta e druri. Është njoftuar prokurori publik kujdestar dhe po punohet në identifikimin e kryerësve dhe zbardhjen e rastit.
…….
Pas mesnate në orën 00:40 në Stacionin Policor Gostivar, një 28-vjeçar nga Gostivari ka raportuar se më 02.08.2026 rreth orës 17:00 në rrugën e „Balindollit“, pas një fjalosjeje paraprake verbale rreth pastrimit të kanalizimit mes nënës së tij dhe një personi, një person tjetër me një send metalik e ka goditur raportuesin në zonën e krahut të majtë dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Pas mesnate në orën 02:15 në Stacionin Policor Gostivar, një baba 80-vjeçar nga fshati Lakavicë ka raportuar se më 02.08.2026 rreth orës 22:00, pas një fjalosjeje të shkurtër verbale në shtëpinë e tij, është sulmuar fizikisht nga djali i tij J.A.. Po ndërmerren masa për dokumentimin e rastit.
…….
Sot në mëngjes në orën 05:20 në Stacionin Policor Gallatë, një 43-vjeçar nga fshati Negotinë ka raportuar se rreth orës 04:00, ndërsa po rrinte në një restorant në fshat, është sulmuar fizikisht nga një person nga i njëjti fshat. Po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjes.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verior.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri 19, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 33 deri 39 gradë celsius.
Nën ndikimin e një mase të ngrohtë ajri nga jugu, moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira lokale të lehta deri në mesatare gjatë fundjavës së zgjatur dhe deri në fund të javës së ardhshme.

